Gjon Bruçi

Gjon Bruçi: Mos u mundoni t’i vini buzëkuq sistemit të zi kapitalist

Asnjë qytetar shqiptar, deri dje, nuk besoj ta ketë shkuar në mendje, se në morgun e spitalit dhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore, janë punësuar njerëz, që në sjelljen me të vdekurit, u ngjajnë më shumë kanibalëve se sa racës njerëzore.

Fotot e marra këto ditë nga morgu i spitalit dhe afishuar në masmedia, vërtetojnë se në sistemin antipopullor e antinjerëzor, që po aplikojmë sot në vendin tonë, qytetari, i cili nuk ka ndonjë peshë në hierarkinë shoqërore e shtetërore, si kur është i gjallë dhe aq më tepër i vdekur, numërohet “copë 1”… Pamjet makabre të nxjerra nga morgu i spitalit, fillimisht u dukën të pabesueshme. Madje nga shumë kush u konsideruan inskenime të autorit (gazetarit) dhe të medias që i ekspozoi. Por prononcimi i drejtorit të Morgut dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, na vërtetoi se nuk bëhej fjalë për inskenime, si ato të “babaleve” që praktikojnë pozita dhe opozita kundër njëra-tjetrës, por bëhej fjalë për një skandal të paimagjinuar në mjediset e spitaleve tona.

“Kur jemi në pamundësi, ato (kufomat e të vdekurve) sistemohen në tavolina, më pas në barela dhe kur ndodh që të jenë më shumë, vendosen me respektin më të madh në dysheme, bashkë me sendet vetjake të paketuara, pasi kryhen proceset përkatëse në pritje që t’u dorëzohen familjarëve”, ishte prononcimi i Drejtorit të Morgut dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, për këtë skenë makabre me qytetarët e vdekur në spitalet e kryeqytetit. Në këtë prononcim zyrtar të Drejtorit të Morgut dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, duket qartë se autorët, ndërsa kërkojnë të vënë vetulla, pa e kuptuar kanë nxjerrë sytë. Pamjet e fotove përkatëse “flasin” shkoqur, se kufomat e të vdekurve në spital, pasi janë mbështjellë me një rrobë çfarëdo e të lidhur nyje tek këmbët dhe koka, janë hedhur në dysheme pa asnjë rregull, që kur i sheh, nuk të shkon mendja se brenda tyre gjendet një qytetar i vdekur. Madje njëri prej tyre, gjendej poshtë një tavoline me rrota, kur mund të vendosej sipër saj. E njëjta gjë edhe me sendet personale të të vdekurve, të cilat, jo të paketuara, siç thotë IML, por të hedhura pa kujdes mbi trupin e kufomave, së bashku me “kartën e fundit” të identitetit të tyre.

Si mund të thuhet e të shkruhet se: “Kur ndodh të jenë shumë të vdekur, vendosen me respektin më të madh në dysheme”? Si mund të jetë “respekt” hedhja e kufomës direkt në dysheme? As fshatari më i varfër shqiptar i mesjetës së errët, nuk e ka vënë trupin e të vdekurit në dysheme e në tokë, por qoftë edhe me mjete rrethanore, e ka ngritur dhe vendosur në një shtrat druri të përgatitur enkas dhe e ka hijeshuar me rrobat më të mira që ka patur në shtëpi. Morgu i spitalit, për këtë punë ka tavolina dhe frigoriferë të posaçëm. Mirëpo, sipas drejtorit dhe IML, në rastin konkret kishin vetëm dy tavolina dhe katër apo pesë frigoriferë. Nëse të vdekurit do të ishin vrarë në fushën e betejës dhe shokët e tyre nuk kishin mundësi gjetje të tavolinave dhe frigoriferëve, do të pranohej edhe rreshtimi në tokë e në një vend të sheshtë. Por në një morg të spitalit të kryeqytetit, të paralajmëruar prej 8 deri 10 muajsh për kufoma mbi normat e zakonshme, mungesa e frigoriferëve dhe veçanërisht e tavolinave, është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme në mënyrë shembullore.

Mund të justifikohet mungesa e tamponëve, e respiratorëve, e shtretërve, ilaçeve dhe mjeteve të tjera të luftës kundër Covidit, por kurrsesi nuk mund të pranohet mungesa e tavolinave të thjeshta, që kërkojnë vetëm dërrasa dhe gozhdë për t’u mbërthyer. Sigurisht kjo, kur ata që shërbejnë nëpër spitale, në morg dhe në institutin përkatës, nuk kanë vetë dërrasa mangut. Po e lëmë mënjanë kontrollin shtetëror dhe dënimin e personave që nuk zbatojnë detyrat për të cilat paguhen, pasi si ministresha e Shëndetësisë dhe shefi i saj, kryeministri Rama, janë të zënë me fejzbukun, konferencat e shtypit, replikat me kundërshtarët politikë dhe propagandën bajate parazgjedhore, dhe po hidhemi tek përgjegjësit e drejtpërdrejtë të skandalit të mësipërm: Tek Drejtori i Morgut dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore që ka lidhje me të. Nuk e di se në ç’shkallë i njohin nëpunësit dhe përgjegjësit e IML dhe të morgut të spitalit në fjalë, ritet dhe traditat e shqiptarit në relacion më të vdekurin. Po jap vetëm një detaj që lidhet më një situatë ekstreme, e cila kalon çdo emergjencë, përfshi edhe atë të COVID-19. Shqiptari në të kaluarën e hershme dhe të vonë, për arsye të ndryshme subjektive, e ka vrarë kundërshtarin, por nuk është larguar nga viktima e tij, pa ia rregulluar kufomën: E ka shtrirë në një vend të rrafshët, i ka vënë një gurë apo cënuk nën kokë, dy duart kryq mbi gjoks, i ka mbyllur sytë dhe gojën, që të mos i ngelen hapur pas ftohjes së kufomës dhe nga ana tjetër bri trupit i ka vendosur pushkën që mund të ketë patur viktima para vrasjes. Në ndonjë rast, kur shqiptari vrasës mund të rrezikohej nga njerëzit e afërt të të vrarit, ikte, por sapo takonte njeriun e parë (udhëtar, çoban etj), i lutej të shkonte “filan vend” dhe të rregullonte kufomën e njeriut që kishte vrarë.

Si është e mundur që kjo traditë e lashtë dhe e vonshme e shqiptarit është harruar apo nuk njihet nga brezi i sotëm? Aq më tepër të ndodhë kjo tek intelektualët, që nuk pushojnë duke recituar parullën folklorike “O sa mirë me qenë shqiptar”. Mos kemi degjeneruar, apo po degjenerojmë nga gjeni ynë kombëtar, i dalluar ndër gjithë kombet e dheut? Duke e lënë mënjanë elitën e lartë të politikës e të shtetit, do të desha t’iu drejtohem punonjësve të morgut të spitalit dhe nëpunësve të IML: Si mund të pranoni të vendosni kufomën e një qytetari të vdekur në dyshemenë e dhomës, si të ishte një thes me patate? Nuk kishit tavolina? Pse nuk bërtitët që zyrtarët t’iu sillnin tavolina, qoftë edhe prej dërrase të thjeshtë. Në mungesë të tyre, pse nuk vrapuat e të përlanit tryezat e zyrave të shefave tuaj në spital e kudo ndodhen, tavolina që ata nuk i kanë personale, por të “dhuruara” edhe nga ata që ishin hedhur pa kujdes e pa asnjë fije humanizëm në dyshemenë e ftohtë të morgut? Ose më e pakta, pse nuk dilni e të na tregoni, se ky fenomen nuk është i ri, por një “metodë” pune e spitaleve dhe morgut të tyre në kushedi se sa vite? Ç’ka do të na bënte t’iu vijmë në ndihmë edhe ne qytetarët e zakonshëm, që nuk e dimë se çfarë bëhet prapa dyerve të spitaleve?

Kam ndjekur me vëmendje prononcimet e Doktor Tritan Kalos, një nga mjekët hero të luftë kundër pandemisë që po kalojmë. Madje edhe sot, që unë po shkruaj këto radhë, Doktor Kalo pati një shkrim pamflet drejtuar “politiqenërve” të partive politike, PS, PD, e LSI, të cilëve ai u thotë se: “Politiqenër, ditën bëni parimorin, dhe në darkë uleni me ngjala e verë franceze, ku ndani me njëri-tjetrin taksat tona dhe gjithçka ndërtuam në 45 vjet me gjak e sakrifica”. Një qëndrim i tillë, burrëror dhe kurajoz i doktor Tritan Kalos, është një shembull i gjallë për çdo intelektual, i cili e vë veten në shërbim të popullit dhe vendit të tij. Unë, do t’i lutesha doktorit në fjalë, ta precizojë e ta personalizojë akoma më shumë pamfletin e tij politik dhe shoqëror, duke na dhënë detaje të gjalla nga kjo periudhë e rëndë e pandemisë, me të cilën politikanët dhe shtetarët tanë, të të dy krahëve të politikës, kanë mbuluar e po mbulojnë paaftësinë, neglizhencën dhe korrupsionin e tyre galopant në dëm të interesave të qytetarëve e të vendit. Skandali i kufomave të të vdekurve në dyshemenë e morgut të spitalit, ka vënë në lëvizje e në siklet, jo vetëm strukturat përkatëse të Shëndetësisë e të vet qeverisë, por ka vënë në siklet e në lëvizje edhe mjaft gazetarë të shtypit e të televizioneve, analistë të mediumeve dhe studiove televizive, që përmbledhur në një emërtim të përbashkët, janë “apologjetë” të sistemit aktual në vendin tonë.

Sapo ndonjëri nga gazetarët, del nga “radhët“ dhe mundohet të paraqesë ndonjë fakt nga skutat e errta të sistemit, një mori gazetarësh e analistësh të tjerë, i lëshohen me fjalë të spërdredhura, duke e anatemuar si përhapës i gënjeshtrave, si gazetar me anshmëri politike dhe inskenimesh në favor të këtij apo atij politikani, si njeri që nuk ka etikë gazetareske dhe na boton foto të rënda, etj., etj. Këta apologjetë të sistemit, të vetmen shigjetë me të cilën mund të qëllojnë kundërshtarin në mbrojtje të sistemit që u siguron “koromanen”, kanë togfjalëshin: “Kështu ndodh edhe në vendet e tjera të Perëndimit”. Këtu ata thonë një të vërtetë të madhe. Të gjitha vendet e Perëndimit, që zotërohen nga sistemi kapitalist në fazën e tij më të lartë, që është imperializmi, kanë në Ci-Vi-në e tyre jo vetëm fenomenet tona të “fituara” në tri dekadat e fundit, por edhe qindra e mijëra fenomene të tjera antinjerëzore, që ka prodhuar e prodhon shoqëria e tyre e konsumit. Në këtë rrugë të “lavdishme”, ne sapo kemi hyrë dhe falë drejtuesve politikë e shtetërore të shitur kokë e këmbë tek këta imperialistë të fenomeneve antinjerëzore, marshimi ynë në këtë “lëmë” ka shënuar suksese të papara. Në këtë luftë për shkatërrimin e vendit dhe degjenerimin e identitetit të shqiptarit, apologjetët mundohen të grasatojnë rrotat e ndryshkura të sistemit në fjalë, i cili në të ardhmen e afërt ka dy rrugë të mundshme: vidhosjen e tij përfundimtare, ose kalimin në pozicionin dhe platformën e kolerës nazifashiste të viteve tridhjetë. Nisur nga kjo e vërtetë absolute, unë do t’ju drejtoja një thirrje të thjeshtë apologjetëve të sistemit: Mos u mundoni t’ vini buzëkuq sistemit të zi kapitalist, sepse ai është stërplakur dhe e ka shumë afër ditën e varrimit. (Sot)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …