leoni

Hajrudin S. Muja: PERKITAZI ME TRILLIMIN “ALEANCË TRADICIONALE SLLAVO-ISLAMIKE” TE QERIM UJKANIT

 


Duke shfletuar librin “Shënime dhe dëshmi” të Zef Prenajt, të botuar në Prishtinë (2007), shkrimtari Qerim Ujkani për revistën “Trojet” (tetor-nëntor 2007), që botohet në New York nën drejtimin e Tomë Palokës, boton artikullin “Krishterimi shqiptar në Kosovë përballë aleancës sllavo – islamiste kundër interesit jetik kombëtar”.
Në artikull tepër fyes për 95%-shin e trungut kombëtar, të ilustruar me shpifje e trillime shumë provokuese, vërejtjen e tërheq sidomos aleanca tradicionale sllavo – islamike një terminologji, jo aq e dëgjuar, por gjithsesi me qëllime të poshtërsive të caktuara, para të cilave nuk duhet të heshtet. Qerim Ujkani, ndër të tjera, shkruan: “Me antiamerikanizmin e përbashkët, aleanca sllavo – islamiste bën të gjitha përpjekjet për defaktorizimin e shqiptarëve në Evropë me imazhin e identitetit orjental për shkak të besimit islam të shumicës… Kisha katolike ka qenë dhe ka mbetur një vatër e kulturës shqiptare e cila u materializue fuqishëm në veprat e veprimtarëve të vet më të devotshëm, siç ishin Pjeter Bogdani, Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi, nëna Tereze – nëna e gjithë botës, etj… Aleancës tradicionale sllavo – islamiste e cila vitin e fundit ka hyrë në ofenzivë kundër interesit kombëtar – shqiptar… Të dy krahët e saj, ai sllav dhe ai islam, këtë ofenzivë e kanë ashpërsuar pikërisht në prak të formimit, konsoludimit dhe ndërkombëtarëzimit të shtetit shqiptar në Ballkan – Kosovë, me përkrahjen historike të Amerikës e Prendimit në përgjithësi… Një shembull tipik (në mbrojtjen e krishterimit) është kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili me epopenë e tij luftarake vihej në mbrojtje të drejtëpërdrejtë të krishterimit…” [1].
Historia e Krishterimit na mëson se në vitin 1209, në qytetin Berziers, u therën 15.000 albizhanë. Vërtetë, kur një vitez e pyeti Emisarin e Papës, se si do t’i dallonte heretikët nga besimtarët e vërtetë dhe të mirë, iu përgjigj “theri të gjithë dhe lëja Zotit t’i ndajë në boten tjetër”[2]. Dikush mund të thotë se është çështje e herëshme, po a nuk ngjau e njëjta gjë në Parisë, në “Natën e Bartolomeut” më 24 gusht 1573, ku tinëzisht u sulmuan dhe u mbytën mijëra besimtarë të sektit hugenotë nga katolikët. Më pas, u mbytën edhe mbi 100 mijë hugenotë të tjerë anembanë Francës[3].
E ngjajshme dhe fatale ishte edhe zelli i Torkumadës për të konvertuar ose për të dëbuar hebrenjt dhe muslimanët e Spanjës, të cilët pas konvertimeve të dhunëshme, mbikqyreshin rrept nga inkuizicioni dhe jetonin me frikën e përherëshme të arresitimit nën akuzën më të papërfillshme[4]. Që të prisje vdekja pse nuk ndezje qirinj ?kur duhej? ose pse i ndezje kur nuk duhej?[5]. Për një ditë të vetme dogjën 2 milion dorëshkrime dhe zhdukën gjurmët tetëshekullore islame.[6]
Gjahu mbi muslimanët u porosit nga një urdhër në tjetrin. Urdhëri mbretror i 1501, Akti i 1556-tës, dhe ai i Filipit të III-të, i 1606-tës, janë urdhëra mbretërore që shpunë në persekutimin e më shumë se një milionë muslimanëve, kurse gjatë 117 viteve të inkuizicionit krishterë spanjoll, nga Spanja (Andaluzia) u dëbuan, u mbytën dhe u zhdukën më tepër se tre milionë muslimanë. Dëbimi i muslimanëve ishte shpallur detyrë e shenjtë fetare nga kryepeshkopi i Valensisë. Ai kanosej me “hakmarrje nga qielli” poqëse kursehen pabesimtarët (lexo: muslimanët)… Aktiviteti mjaft i zgjëruar i kishës ndaj zezakëve afrikanë, ndaj indianëve të Amerikës Veriore, ndaj aborixhinëve të Australisë dhe ndaj vendasëve të Meksikës, ku nga dhjetë milion vendas të Meksikës, “religjionin e dashurisë” të inkuizicionit e përjetoi çdo i dhjeti banorë.
U shtruan ca shembuj jashtë Shqipërisë e shqiptarëve, sepse afërsisht në këto kohë, diçka e ngjajshme ngjau edhe me shqiptarët që kishin mërguar në 80 fshatrat e Italisë Jugore, në Kalabri e Sicili, për të cilët Papa Piu IV, me bulën “Romanus Pontifex” (16 shkurt 1564) dhe Klementi i VIII-të (1595), vendosën urdhërin për konvertimin e këtyre shqiptarëve të ritit lindor (ortodoks) në ritin perëndimorë (katolik).
Për të rezistuar, ata u detyruan të mërgonin prej një vendi në tjetrin, shpesh duke ua vënë zjarrin të mbjellurave të tyre. Kështu, deriqë u konvertua shqiptari i fundit atje[7].
I cekëm këto të vërteta historike sa për të dëshmuar vatrat e kulturë së kishës katolike të Qerim Ujkanit. Dhe pikërisht, kjo vatër shpesh ishte aleancë me sllavët e përbindshëm që donin zhdukjen e shqiptarëve, sidomos dy shekujt e fundit që u erdhi rasti e mundësia e veprimit në tokat e Shqipërisë Etnike. Edhe sot, kjo aleancë po funksionon me tërë arsenalin e vet në tokat shqiptare, me institucione të shumëta, me gazeta, radio, televizion, me shtëpi botuese e me bashkëpunëtorë të shumtë, njëri prej të cilëve është edhe Qerim Ujkani. Aleanca e katolicizmit, ortodoksisë dhe ateizmit, fushatën e tyre kundër islamit po e bëjnë, jo vetëm në fushën politike por edhe në ato ekonomiko kulturore të propagandës laike. Nga mesi i viteve 1990-ta, kur pushtuesi Jugosllav dhe Partia e Punës hoqën dorë nga cenzurimi i shkrimeve shqip, në skenën politike shqiptare u vërsulen propagandat e krishtera evropjane që të shkatërrojnë mirëqenien ndërfetare te shqiptarët. Hysmeqarë të shumtë gjetën në mesin e shqiptarëve, disa prej të cilëve, pa farë ngurrimi kërkuan konvertimin e 96%-shit të kombit në katolicizëm, në emrin e evropijanizmit, duke harruar pëgjithënjë atë thënien e urtë se “biri i kasapit s?mund t?jetë tjeter veç se kasap”!
Në prak të kapitulimit të Perandorisë Osmane, ekzistonte një rrymë që kërkonte t’i bindëte shqiptarët se “turqit” ishin armiq kryesorë të shqiptarëve, sepse u ‘mohonin’ gjithëçka – propagandë e sajuar dhe e mbështetur fuqimisht nga serbët, malazezët, bullgarët dhe grekët, që çonin ujë në mullirin e tyre, sepse ishin të vetëdijshëm se me dobësimin e Perandorisë, me shqiptarët do t’i qeronin hesapet më lehtë. Për fat të keq, edhe atëherë sikur sot, në lojën e propagandës së ndyrë sllave, ishin futur edhe disa prijës të fiseve shqiptare. [8]
Tashmë ishte ngjallë një udhë sllavizuese e Sveti Savës me ligjin e Car Dushanit (1343) sipas të cilit ata që refuzonin ortodoksinë duhej të mbytëshin me hekur të skuqur, sepse Cujus Regio – Ejus religijo (i kujt pushteti – i tij besimi), dhe pushteti vendoste për fenë e pushtetasve të vet, ligjë që zotronte në gjithë Evropën gjatë shekujve XVI-XVII. Nga ky mentalitet, në vitin 1807, Kuvendi i Serbisë kishte marrë vendim për t’i likuiduar hebrenjt, shqiptarët dhe ‘turqit’ (muslimanët), kudo që gjendeshin në territorin e tyre etnik. Dhe ky ligjë do të anulohej për to vetëm atëherë kur të pranonin ortodoksinë. Që në vitin 1815, Knjaz Miloshi kështu i shkruante Petër Dobërnjës: “Ne, deri më tani, kemi vepruar me fat në të gjitha anët dhe Zoti na ka ndihmuar, kështu që të gjitha qytezat i kemi spastruar (nga muslimanët), dhe vetëm edhe në katër qytete e në Qupri, ka turq”. Ndërkaq, në “Kurorën e maleve” Vojvoda Batriç, brohoriste: “Thyeni (rrënoni) minaren dhe xhaminë”[9]. Sepse krahas urrejtes për Islamin, Njegoshi (150 vjetë më parë) frymëzohej me një konflikt midis të krishterëve e muslimanëve malazez që përfundoi me masakrimin e myslimanëve [10].
Millosh Obrenoviqi, me urdhërin e 29 Prillit 1832 i jepte 25 shkopinj çdo shqiptari e boshnjaku, pra çdo muslimani që kapej në territorin e Serbisë[11], një “nismë e mbarë” e spastrimit të Serbisë nga muslimanët shqiptarë. Nga njëra anë Obrenoviqi i dërgonte para M. Zdravkoviqit, që në Qupri, t’u paguante shtëpitë mbi vlerën reale që t’i heqte qafe muslimanët, e nga ana tjeter jepte urdhëra që kundër tyre të përdorej ushtria e t’u digjeshin fshatrat, siç ngjau në vitin 1834.[12]
Një vazhdimsi e urdhërave e akteve inkuizicioniste ishte edhe “Naçertania” e Ilija Grashaninit (Ministër i brendshëm i Serbisë) e vitit 1844, për aneksimin e trojeve shqiptare[13] dhe për zhdukjen e muslimanëve nga Ballkani, që zgjati deri me luftën e fundit në Bosnjë e Kosovë, gjithsesi aktive edhe në ratsin e parë të të ardhmes. Me programin e ‘Naçertanias’, politika serbe synonte të krijonte një perandori të krishterë si justifikim për përkatësinë fetare muslimane për shfarosjen e shqiptarëve[14]. Ky program politik i Grashaninit, i ndikuar nga polaku Adam Çartorski dhe Franjo Zahin me qendër në Paris, ishte një përsëritje e “Perandorisë së Dushanit” që dikurë kishte zavendësuar Perandorinë Romake, kurse tashti synonte të zavendësojë Perandorinë Osmane. Kështu, me planprogramin e spastrimit të vendit nga muslimanët, pushuan së ekzistuari 180 fshatra të Nahijes së Leskovcit dhe 120 fshatrat e Nahijes së Prokupljes[15]. Një numër i madh fshatrash të Vranjës, Pirotit, Beogradit, Kurshumlisë, e Nishit. Vetëm në vitin 1877, Serbia do të shfarosë 714 fshatra shqiptare të Sanxhakut të Nishit, për të cilat Haxhivasileviqi thotë se nuk kishte mbetur kush i gjallë dhe nuk kishte kush tua tregonte emrat[16]. Kjo ishte një përgjigje e proklamatës që kishte lëshuar Cari i Rusisë (24 prill 1877), një ftesë e të gjitha kombësive të krishtera të Gadishullit Ballkanik, që të rrëmbenin armët krahas ushtrisë ruse, mbasi tashmë kishte ardhur dita e çlirimit të tyre nga “shtypësi muslimanë” [17].
Korrospondenti Anglez shkruante nga shkupi se: “Në afërsi të Shkupit janë masakruar 2000 shqiptarë muhamedanë, ndërsa në afërsi të Prizrenit edhe 5000 të tjerë. Fshatrat janë djegur, ndërsa banorët e tyre janë therë. Serbët haptazi deklarojnë se shqiptarët muhamedanë duhet të çfarosen dhe se ky është mjeti efikas për çlirimin e vendit”[18]
Edit Durham, përshkruante konvertimet e dhunëshme që u bëheshin shqiptarëve muslimanë: “Pagëzimet bëhen me tortura. Njerëzit hidhen në ujin e akullt të lumit e pastaj vihen e piqen pranë prushit të zjarrit, derisa kërkojnë mëshirë. Dhe çmimi për gjithë këtë është kthimi në fenë e krishterë – ortodokse”[19] Kështu shqiptarët musliman gjendeshin midis konvertimit dhe vdekjes.
Stojan Protiqi (Ballkanikus) më 1917 kërkonte: “Boshnjakëve muslimanë do tu japim 24 orë e madje edhe 48 orë që të kthehen në fenë e të parëve të tyre. Dhe kushdo që nuk do të pranojë, të masakrohet, siç kemi bërë dikurë ne në Serbi”[20]. Michael A. Sells shkruante se “Intelektualët dhe akademikët serbë në Beograd,. Shkruajn hapur se muslimanët e sotëm i kanë duart e luyera me gjakun e martirëve serbë e të Krishtit Car-Llazar”.
Në Shtator të vitit 1920, 1100 banorët e fshatit Pesaçan të Ohrit, në krye me imamin Mulla Qamil Efendinë i ngujuan në xhami dhe i ndezën të gjallë. Edhe në Jabllanicë të Pejës dogjen në xhami imamin me gjithë xhematë. Një vit më pas, në xhaminë e Istokut dogjen imamin Mulla Hasan Blaku me 98 xhematlinjt e tij[21]. Në xhamitë e Llapit[22] e të Shkodrës hidheshin koka derrash dhe këto ishin vetëm ca incerte të vogla të asaj që ngjau e që do të ngjante me muslimanët e këtyre trevave.
Masa barbare kundër muslimanëve të Shkodrës kishte marrë edhe ushtria austriake në krye me gjenralin Trolman, prej të cilës gjetën vdekjen sa e sa burra që guxonin të ngritnin zërin kundër kësaj barbarie. Protesta e Filip Krajës me anën e Bajram Currit në Vjenë, bëri që të largohet nga Shkodra ky gjeneral famëkeq[23].
Në Parlamentin Italian ishte çfaqur një film dokumentar i përgaditur nga gazetarët italianë, në bashkëpunim me propagandistët e shtetit e të kishës serbe, për gjoja rrezikun e madh që i vinte krishterimit evropjan nga Kosova[24]. Kjo na sjell ndërmend dakordimet italo-serbe për okupimin e Shqipërisë si një kontinuitet të kryqzatave mesjetare, për dëbimin e muslimanëve nga Evropa. Sipas marrveshjes Çano – Stojadinoviq në Romë, ishin dakorduar që Italia deri në vitin 1949, të krishterizonte Shqipërinë bregdetare. Në procesin e konvertimit të dhunshëm, ishin caktuar si instruktor të marrin pjesë disa popa serbë, të cilët kishin përvojë nga konvertimi që kishin bërë më 1913 në Dugagjin. Si për fillim, ishin marrë vesh që shqiptarët të ndiheshin si të krishterë unijatë. Lidhur me këtë ‘burrëri’ perëndimore, konti Çano deklaronte: “Ne kemi asimiluar afër 200 mijë shqiptar në Italinë Jugore, dhe asgjë nuk do të na pengojë që këtë proces ta vazhdojmë edhe në anën tjeter të Adriatikut”[25].
Edhe organet malazeze morën një sërë masash brutale për ndrrimin e dhunshëm të fesë muslimane e katolike në atë ortodokse. Aksioni filloi në Pejë, ku morën disa viktima[26]. Nën urdhërat e majorit serb Gërbiq, në Strumicë të gjitha vajzat dhe gratë e reja janë dhunuar dhe janë kryqëzuar me dhunë[27].
Numri i shqiptareve që u konvertuan me dhunë nën presionin e organeve pushtuese serbe arrinte në disa qindra në Gajkovë e Pejë, në mesin e të cilëve edhe një hoxhë dhe një dervish. Konvertime të shumta të fesë pati dhe në Plavë, në Guci, në Rugovë, në Beranë etj. Ata që kundërshtonin konvertimin në krishterizëm i jepnin ‘peshqeshe’ plumbat ose bajonetat. Në shumë fshatra të komunës së Strellcit, për shkak të qëndresës së shqiptarëve u bënë plaçkitje, u dogjën shtëpi dhe u vranë shumë njerëz[28].
Të gjitha këto, u toleruan, u lejuan e u përkrahen, qoftë edhe me heshtje nga Prendimi. Heshtja e sotme e Kishës dhe e Prendimit ndaj krimeve që u kryen muslimanëve në Kosovë e në Bosnje, ku vetëm në Srebrenicë brënda dy ditëve u mbytën mbi dhjetë mijë muslimanë, s’është veç se vazhdimësi e inkuizicionit krishterë, si dhe hipokrizi publike botërore me bekimin e heshtur të Vatikanit.
Kundër golgotës çfarosëse, vlen të përmendet thirrja e korospondentit austriak nga Kosova më 1913: “Dhjetra mijëra njerëz të pambrojtur masakrohen, femrat ç’njerzohen, pleqt e fëmijët mbyten, qindra fshatra digjen, prijësit fetarë theren e evropa heshtë. Një popull i tërë u kryqzua në gjak dhe evropa heshtë… Tash e tutje çdo heshtje është e barabartë me krimin… Një popull i mjerë me fat të trishtueshëm nga golgota e vet, thërret në ndihmë. A e dëgjon Evropa thirrjen e tij?[29]

Jo, Evropa ishte shumë larg! Konvertuesit, masakruesit e dëbuesit e shqiptarëve, e dinin mendimin e Evropës. I dinin deklaratat e misionarëve e politikanëve që e shihnin islamin “në ballë të përhapjes së krishterizmit”, kurse luftën që po bëhej, si “luftë në mes gjysëmhënës dhe kryqit”, në mënyrë që “të asgjësohen e të coptohen muslimanët…” Ata i ndienin thirrjet e evropjanëve nga Franca: “Mbytëni Muslimanët”, “asgjësoni Islamin dhe zhdukëni pjestarët e tij…”, “Disfatë gjysëmhënës”[30]. Ata planifikonin bashkim me këdo “për ta luftuar ekzistencën e botës Islame”, sepse “Muslimanët e gjithë botës janë, sinqerisht, armiqt e civilizimit prendimorë”[31].
Ja, kjo ishte përkrahja historike e prendimit për shqiptarët. Nga frymëzimi i këtyre deklaratave të hapëta, por edhe nga ‘ushqimi’ i “Naçertanias” serbe, për zhdukjen e muslimanëve shqiptarë ishte çuar peshë e gjithë elita intelektuale serbo-malazeze, për ta lënë rrugën e lirë në asgjësimin e tyre. Ish lideri Komunist Millosh Miniq, akuzonte shqiptarët e Kosovës: “për fundamentalizem islamik” kurse ish qeveritari i Qarkut të Kosovës Millosh Simoviq(1992), kishte siguruar mbrojtjen e “ortodoksizmi nga invazioni Islamik”[32]. Sepse sipas Dr. Mirolub Jevtiq[33]: “Islami e përjashton multikulturen dhe krijon një fashizëm të ri…”. Prandaj shumë i ‘kërkuari’ kriminel Radovan Karaxhiq, kishte vendosur që: “Islami te eleminohet nga Europa” sepse kishte mësuar nga Dobrica Qosiqi se: “Islami është armiku më i madh i ortodoksizmit”. Por, gjithë arysen e kësaj e përmbledh historiani serb Jovan Ducic që kishte mallkuar shqiptarët pse janë musliman e pse flasin shqip!
Në këtë intolerancë, do të frymëzohen edhe nxënësit e shkollave fillore me poezinë e shovinistit ortodoks “Gjuajtja e egërsirave” sipas të cilës “Muslimanët janë drejtuar rrugëve të djallit, e kan flliqur tokën…” me porosi që: ” ta pështyjmë Kur’anin, tua këpusim kokat e gjith atyre që e besojnë dinin e qenve e që i rreken Muhamedit…”[34]. Pas kësaj porosije, kisha ortodokse u preferonte gjeneratave të reja: “Nëse dëshironi që Zoti i juaj tua pranojë luftën, dhe të jetë më i lumtur me ju, këtë do ta bëjë vetëm atëherë kur ju do të jeni të dehur e do të therni musliman…”.

Mbase i edukuar nga këto poezi e porosi të kishës, kishte marrë frymëzimin edhe Vuk Draskovic, kur në mitingun serb, (09. 09. 1990) në Sanxhak, u drejtohej muslimanëve: “Territori i Sanxhakut nuk është tokë e muslimanëve por është pjesë e Serbisë. Ju Muslimanët nuk keni se ç’të kërkoni këtu. Do tua çelim rrugët dhe dyert, krah më krah do t’ju dërgojmë në Mekë, Medinë, Iran e Turqi, sepse ju nuk mund të jetoni në tokat serbe”[35]
Nga ana tjeter, në jugun e Shqipërisë edhe Greqia një nga mjetet e mëdha për të luftuar shqiptarizmin, kishte kishën dhe shkollën, në të cilat duhej përdorë greqishtja – gjuhë e Zotit: një atdhe – qiellin; një mëmë – kishën dhe pagëzimin; edhe një kombësi – ortodoksinë[36].
Siç po shihet nga të gjitha anët, defaktorizimin e shqiptarëve në Evropë dhe përpjekjet për t’i paraqitur shqiptarët me identitet orjental në Evropë – siç vërenë Qerim Ujkani me ujqërit e tjerë – mund të jenë në çdo llojë aleance përveç islamit.
Nuk është aspak i vërtetë mendimi i Ujkanit për defaktorizimin e shqiptarëve në Evropë për shkak të besimit islam të shumicës. Shqiptarët nuk ishin të islamizuar atëherë kur krishterimi mesjetar krijoj kushte optimale, për asimilimin dhe integrimin e ilirëve në grekë, italianë, dalmato – kroat, sllovenë, boshnjakë, malazez, serb e bullgar[37]. Sot, Qerim Ujkanat dhe ujqërit tjerë në një mendje me ata që jonjëherë tentuan të na zhdukin, na vijnë me pisha të ndezura, për të na i ‘ndritur’ mendjet e për të na pru dritë dhe harrojnë se ajo ‘dritë’ më në fund do t’i vëjë zjarrin shtëpisë, atë zjarr që pat ndezur Pjetër Bogdani viteve 1689 – 1690 në bashkëpunim me Picolominin, Carnojeviqin dhe Korpushin që i dha grushtin më të rëndë ati territori që sot e quajm Kosovë, por edhe më gjërë. Ai që gënjente popullin e padijtur[38] për librin e shenjtë (Biblën), ai që fyente muslimanët shqiptarë duke u betuar se “do ta rrëzonte Muhamedin e tërbuar në gjunj” dhe se “me gjak e me shpata do të shlyente gjurmët sakërlegje të Kur’anit”[39], mu njashtu si do t’i pëlqente Qerim Ujkanit. Fatmirësisht, Bogdani ngordhi nga murtaja, kurse gjurmët e Kur’anit te shqiptarët s’do ti shuajn ujqërit as ujkonjat, sepse rrena i ka pasur këmbët e shkurta në kohen e Bogdanit, të shkurta i kanë mbetur deri në ditët e sotme.
Bogdani që Kosovën e quante Serbi! Ai që përpiqej ta mbarte fajin prej kokës së sëmurë në të shëndoshën! Ai që paraqiste osmanët si rrezikun kryesorë për t?i lënë serbët që të sllavizonin Kosovën! Athua do të ketë pasur gëzim më të madh Bogdani, se kur ka dëgjuar nga ferri për betimet serbe se në luftën e 1999-tës, të gjitha xhamitë e Kosovës do t?i shëndrrojnë në kisha? Ata kishin të drejtë se e dinin se xhamitë ishin shtyllat e forta të rezistencës shqiptare që luanin rrolin identitetruajtës! Kush pra ishte në aleancë me sllavët në këto intriga kundër shqiptarëve, që Qerim Ujkani i quan aleancë tradicionale sllavo islamike? Dhe në qoftëse materializimi i kulturës shqiptare e i kishës katolike ka mbetur të mburret me emrin e Bogdanit, mjerë për to!
Kujdo që t’i mbushet mendja ta vlerësojë Nënë Terezen si nënë e gjithë botës, apo si nënë e të gjithë shqiptarëve, është e drejtë e tij. Ajo mund të ishte “e madhe”, por ama as djersen, as vuajtjet, as dashurinë, as gjakun, as varrin nuk ja fali tokës shqiptare[40]. Lirinë e Kosovës nuk e sollën lutjet e saja, por gjaku i rinisë shqiptare të cilët që në prehrin e gjysheve kishin mësuar për obligimin dhe dëshmorësinë e atyre që luftojnë padrejtësinë në mbrojtje të vërtetës, pasurisë e familjes së vet. Nënë Tereza nuk e solli rezistencën shqiptare nga Kalkuta e Indisë as nga Vatikani, ajo lindi në gjirin e popullit të Kosovës.
Nëse Skënderbeu vihej në mbrojtje të drejtëpërdrejtë të krishterimit… Si do të arsyetohet fakti i pjesëmarrjes së tij në luftën e princit të Napolit kundër një prnci tjetër të Gadishullit Italik? Në veprimtarinë e tij kishte edhe luftra kundër të krishterëve, por edhe aleancë me ortodoksinë që nuk është krishterizëm perëndimorë! Ai ishte edhe katolik, edhe musliman edhe ortodoks. Si do të arsyetohet aleanca e tij e madhe me serbët, kundër të cilit për këtë arsye u ngritën princa e udhëheqës të rëndësishëm të shqiptarëve? Ai ishte bashkëpunëtorë i një pushtuesi e sundimtari, kundër një pushtuesi e sundimtari tjeter! Aso kohe, ende ishin të pathara damkat e hekurit të skuqur të serbëve të Stefan Dushanit, masakrat, shpronësimet, ndarjet e burrit nga gruaja e të birit nga prindi, si presion i konvertimit të shqiptarëve katolikë në ortodoks. Dhuna e këtyre konvertimeve tregon qartë rezistencën e shqiptarëve për të qëndruar në fenë katolike, dhe nuk kish si të dukej e mirë aleanca e Skënderbeut me nipin e Car Llazarit? Brankoviqin! Përrallat ?intelektuale? se Skëndrebeu e mbroi Evropen nga invadimi Osman, nuk u shiten më as fëmijëve të mitur, athuase nuk kishin rrugë tjetër osmanët për të depërtuar në Evropë, veç asaj që mbrohej nga Skënderbeu! Pse të mos e pyesim vetë Skënderbeun çfarë admirimi kishte për krishterimin prendimor të Romës? Ai, tek po largohej i zhgënjyer e i helmuar nga Qyteti i Shenjtë i Romës, në fund të marsit 1467, mallkoj klerin cingun me këto fjalë: “Jo vetëm që duhet të lidhim paqë, por duhet t?ja hapim turkut edhe rrugën drejt Romës, që t’i shtrojë siç duhet këto priftërinj…”[41]
Pas rënies së Perandorisë Osmane, italianët dhe malazezët nga e majta, bullgarët në të djathtë, serbët mbi kokë dhe grekët përfundi, të gjithë në aleancë u derdhën si të tërbuar në bark të Shqipërisë. Dhe kur u gjymtua Shqipëria Etnike, sllavët nuk ishin në aleancë me islamikët, por me Athinën e Vatikanin, Moskën e me gjithë Evropën. Cila aleancë i dhuroj Serbisë 1400 km2 me 2 milion banorë? Cila aleancë i dhuroi Greqisë 16844 km2 me 1 milion banorë? Cila aleancë i dhuroi Malit të Zi 2040 km2 me 700 mijë banorë të tokës shqiptare e të popullit shqiptarë? Prapë zvarritjet për Pavarsinë e Kosovës nuk po i bëjnë islamistët, por m’u ato të mëparëshmit. Evropa, pas të gjitha atyre që ngjanë në luftën e Kosovës kërkonte “bashkëjetesë” me serbët. Ishin ca shtete të Evropës, madje edhe anëtare të Natos, që sulmonin SHBA-të që kësaj radhe po mbronin një popull nga shfarosja. Ndërprerja e mbrojtjes së tyre po nxitej nga Italia e po sabotohej nga Franca! Ishte kryeministri Italian D’alema që kërkonte pezullimin e bombardimeve në Serbi për arsye humanitare, qoftë edhe për 24 orë, aq sa do t’i mjaftonte Millosheviqit që të bënte masakrat e tipit të Srebernicës në Kosovë! Evropa alarmohej për shkeljen e lirive të njeriut kur në Kosovë vritej ndonjë serb, ndërsa për vrasjet e përditëshme të shqiptarve prej vitit 1981, as që i dëgjohej zëri!
Politika prendimore i kishte detyruar shqiptarët të nënshkrajn Marrveshjen e Rambujesë që e linte Kosovën plotësisht nën Serbi[42]. Tek sa u paraqit UÇK-ja, andej na erdhen etiketimet e grupeve fundamentaliste të ardhura nga Qabeja që po ndeznin luftë fetare, apo të grupimeve terroriste fillimisht nga Millosheviqi, që u pasua nga Prodi, Drini, Eversti, Lino, Nano e deri te babai i “Gandizmit Kosovar”. Athua sa paguhen ujqërit që të nxjerrin fajtorin të pafajshëm, e për të fajësuar të pafajshmin!? Kush ishin pra aleatët që i shpinin shqiptarët në zhdukje të vazhdueshme?
Kur Shkodra kishte shpallë kushtrimin në mobilizimin e mbrojtjes së Tivarit (1878)[43] katolikët e Malësisë e të Mirditës në marrveshje me malazeztë, nuk ju përgjigjen thirrjes[44]. Madje në Koplik, derisa muslimanët shqiptarë kishin shkuar të luftojnë hasmin, katolikët duke menduar se ata do të vdesin atje, kishin ngritur kryqe nëpër tokat e tyre, për ti uzurpuar ato.[45]
Shumë më heret, tek “Arbëria Venedike” paraqitet një shënim i këti subjekti, kur në kohen Venedike, vetë arqipeshkvi i Tivarit anoi kah malazeztë dhe vetë despoti serb, që më pas u shkishërua për tradhëti të çështjes katolike[46] Si rezultat i kësaj lufte të ashpër të pandërprerë, të kësaj “aleance tradicionale sllavo ? islamike” të Qerim Ujkanit, veç konvertimeve, dëbimeve, shfarosjeve të popullatës pa dallim gjinie e moshe, u eleminuan objektet e kultit islam. Gjatë luftrave të fundit në Bosnjë e Kosovë u shëmben me tokë më shumë se 1000 xhami. Kështu, aty ku nuk u arrit të bëhen konvertime e dëbime të plota, xhamitë u ngritën e do të ngrihen sërish, por kanë pushuar përgjithmonë së ekzistuari të 272 xhamitë e Beogradit, 5 të Prokupljes, 22 të Nishit, 9 të Pirotit, 8 të Leskocit, 3 të Kurshumlisë, 5 të Vranjës e 24 të Valevës [47]. E deri te xhamitë në Sveti Stefan, Cetinë, Golubovc, Virpazar, etj.
Eshtë gjë normale se dikujt nuk i bëhet vonë se këto xhami janë shëmbur përgjithmonë, derisa ngriten plot kisha në fshatrat ku nuk ka asnjë të krishterë, që pastaj Qerim Ujkani dhe ujkanët e tjerë të na llomotisin për aleancat tradicionale sllavo – islamike! Mirë e ka thënë Sami Frashëri, se po të mos kishte gënjeshtra shumë kredi e myshterinj, askush nuk do të gënjete[48], pra as Qerim Ujkani.
Vlenë të theksohet një thënie shumë domethënë e Kadaresë së “madh” kur shkruan se serbët (sllavët) nuk do të guxonin kurrë të merrnin aventura në Ballkan, pa shpresuar se bota e krishterë do ta miratonte heshturazi aksionin e tyre si aksion anti-islamik. Gabim strategjik i Prendimit të sotëm do të jetë nëqoftëse i observuar pas teorisë së rezikut islam, si rrezik imediat do të harrojë rreziqet tjera në këtë botë[49]. Dhe po të lexonte Qerim Ujkani një intervistë të Kadaresë do të shihte se aleanca sllavo-islamike është një “…alternativë e rreme midis islamit dhe krishterimit ortodoks”[50].
Si do të na përgjigjeshin ujkanët e sotëm po t’i pyesnim: Athua ishte në aleancë sllavo-islamike edhe Nikollë Leka që mbyti Pjetër Budin. Koçof Korça që u propozonte shqiptarëve ta shkruajn gjuhën shqipe me alfabetin rus. Athua ishin në këtë aleancë edhe ata që me urdhërin e autoriteteve kishtare helmuan Naum Veqilharxhin i cili tek sa kishte botuar alfabetin e shqipes në Bukuresht u kthye në Shqipëri për të krijuar disa shkolla dhe për ta përhapur shijen e gjuhës amtare? Ata që helmuan Kulluriotin që qe nismëtar i gazetës “Zëri i Shqipërisë” (1879-1880) e që shpërndante në Shqipëri një pjesë të librave që kishte shkruar në gjuhën amtare? Athua, në cilën aleancë ishin Bibë Dodajt e Mirditës që bashkëpunonin me malazezët në dëm të Shqipërisë, ose prifti Gaspër Krasniqi që u vu i pari në shërbim të propagandës serbe (1846).
Omeri (r.a) i lutej Zotit ta ruaj nga munafiku (hipokriti) i shkolluar. I thanë: Si mund të jetë edhe munafik, edhe i shkolluar? Tha: I ditur me fjalë, injorant me zemër, pra që dituria e tij nuk i ka arritur në zemër, që të ndikojë, nuk e ka l, nuk e ka lëvizë nga e mira dhe nuk e ka anuar prej së keqes.
Qerim Ujkani dhe ujkonjat tjera duhet të binden se “Zoti nuk e ndryshon dot gujendjen e një populli përderisua ai popull nuk e ndryshon vetveten” (Kur?an), dhe se fitoren e jep vetëm kthimi tek Zoti i Vërtetë! Ndërsa ato të revistës “Trojet”, bëjnë mirë të lexojnë vjershen e Ali Asllanit: “Koha e maskarenjve” sepse stafi botues duket se atë prirje e ka!


Referencat:

1. “Trojet” tetor- nëntor 2007.
2. “Start” VI, 1982, f.72.
3. Behxhet Jashari: “Katarza papale e Gjon Palit të Dytë dhe “mëkatet” e Kishës katolike”, shqiperia.yahoogroups.com.
4. Cecil Roth: “The Spanish Inquisition” New York 1964.
5. Karen Armstrong: “The Battle for God”, New York 2000, f.15.
6. Më gjërësisht tek Karen Armstrong: “The Battle for God”, New York 2000.
]. 7. Dhori Qiriazi: “Krishterimi në Shqipëri” Tiranë 2000, f.94, 114.
8. Sadulla Brestovci: “Mardhëniet shqiptare – serbo – malazeze 1830 – 1878”, Prishtinë 1983, f. 82, 91, 162,188, 189, 190, 200, 223;
Faik Konica: “Kombi shqiptar po zgjohet”, Vatra, Shkup 2007
9. Olga Zirojeviq: “Histori pak e njohur: Feliks Kanic (Felix Kanitzi 1829-1904) – dëshmitar i qytetërimit të fundit osmano-turk në Serbi”
“Glas islama”, nr. 90-91, Novi Pazar, maj-qershor 2004.
10. Petar Petroviq Njegosh: “Kurora e Maleve” verzion i shqipëruar, Prishtinë 1952.
11. P. Kosti “Prizrenski Mutesarifi i Valije u XVIII i XIX veku”, Glasnik Nauènog Dru?tva, knj.V, 1929, f.157-165.
12. Dr. Jovan Miliqeviq”Istorija predaje turskih gradova u Srbiji srpskoj vladi 1867 godine” Beograd 1970, f.244-246.
13. F. Liço: “Politika greke ndaj Shqipëris1% në vitet e 60?ta të shekullit XIX-të”, në Studime Historike #2, Tiranë 1980, f.117 14. Dr. Hakif Bajrami: “Politika e Shfarisjes së Shqiptarëve dhe Kolonizimi Serb i Kosovës” Prishtinë 1994, f.34.
15. Raport topografiko – statistikor i hartuar nga Toma Kova qeviq në shtator 1850.
16. Jovan Hadzivasiljeviq “Albanska Liga” Beograd 1909, f.15.
17. Kristo Frashëri: “Lidhja shqiptare e Prizrenit 1878-1881”, Tiranë 1997, f.37.
18. “Daily Cronicle” 12. XI. 1912.
19. Edit Durham: “Njëzet vjetë ngatrresa Ballkanike” Romë 1924, f.241.
20. Dr. Hakif Bajrami: “Naçertania” Prishtinë 2004, f.214.
21. Muhamet Pirraku: “Jo katedrale në emrin e shqiptarisë së imagjinuar, Prishtinë 2003.
22. Dr. Hakif Bajrami: “Naçertania” Prishtinë 2004, f.220.
23. Hamdi Bushati: “Shkodra dhe Motet” II, Shkodër 1998, f.365.
24. Elida Buçpapaj, “Bota Sot” 20 tetor 2004.
25. Dr. Hakif Bajrami: “Naçertania” Prishtinë 2004, f.264.
26. Dr. Hakif Bajrami: “Politika e Shfarisjes së Shqiptarëve dhe Kolonizimi Serb i Kosovës” Prishtinë 1994, f.27.
27. Daily Telegraph.
28. Historia e Popullit Shqiptar per Shkollat e Mesme, Tirane, 1996, fq 144.
29. Leo Freundclich, Vjenë 1913.
30. Cituar sipas Dr. Abdul Haj El-Husein El-Fermavi: “Gjak në flakë” shqipëruar nga Rexhep Nuredini, Shkup 1993.
31. Cituar sipas Peter Beinart: “Free Speech: The Liberal Silence”, në “New York Post”, 7 tetor 2006.
32. Cituar në: “Dituria Islame, Tetor – Nentor 1998, f.6.
33. “Nasa Borba”.
34. Gazeta “Sharkut Eusat” 19. 2. 1992.
35. Xhelal El Alim: Qëdnrimi i Prendimit ndaj Islamit” në “Dituria Islame”, Nr.38 / 1992.
36. Vangjel Korça: “Në udhën e shqiptarizmës” Tiranë 1999, f.20-27 37. “Kosova Sot” 13 shtator 2004.
38. Abdi Berisha: “Shtatzania e një mashtrimi”.
39. Po aty
40. Dr. Muhamet Pirraku: “Jo katedrale në emër të shqiptarisë së imagjinuar, Prishtinë 2003.
41. Oliver Jens Schmit: “Arbëria Venedike” shqipëruar nga Aben Puto, Tiranë 2007, f. 365.
42. Shih gjerësisht: Dr. Muhamed Mufaku: “Xhamitë dhe mesxhidet e Beogradit.
43. “Leka” #7-12, botim special 1938, f.209; Qamil Gerxha:
“Mardhëniet shqiptaro ? malazeze 1839 ? 1912, Gjakovë 2003.
44. Hamdi Bushati: “Shkodra dhe motet” Shkodër 1999, f.427.
45. Dëshmi gojore nga Burhanudin Fili, nga kopliku, New York 5 shkurt 2006.
46. Oliver Jens Schmit: ?Arbëria Venedike” shqipëruar nga Ardian Klosi, Tiranë 2007, f.469.
47. Muhamet Pirraku: “Jo katedrale në emër të shqiptarisë së imagjinuar, Prishtinë 2003.
48. Fjalë të Urta nga Sami Frashëri.
49. “Intervista” 21 janar 1994.
50. Rilindja Javore” 7-13 korrik 1996.

Kontrolloni gjithashtu

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, thotë se Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së presidentit, ka abuzuar me këtë zyrë

AAK-ja ka vija të kuqe për Albin Kurtin, refuzon madje edhe postin e kryetarit për Ramush Haradinajn

Duke folur rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, deklaroi …