leoni

Halil Katana: ARRITËM KËTË DITË

(Nga vizita në Kosovë ditën e shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008)
E kishim pritur këtë Ditë afro 8 shekuj, që kur serbët u bënë mbretëri me car Dushanin. Qysh atëhere, serbët e ardhur nga përtej Karpateve, na u bënë zotër shtëpie e, sido që ndryshuan kohët e në trojet tona kaluan pushtues të tjerë, ata asnjëherë nuk na lanë të shohim ditë. Kur mbi trojet tona kalonin pushtues të tjerë, ata na hiqeshin të dashur, lidheshin në aleancë me ne, kundër pushtuesit të përbashkët, duke na premtuar se do të na linin rehat në punën tonë. Por sapo çliroheshim nga ky pushtues, ata “harronin“ besën e lidhur, shkelnin çdo marrëveshje, ktheheshin në origjinënë e tyre shovene dhe luftonin të na zhduknin nga faqja e dheut. Kjo është me pak fjalë historia jonë mijëvjeçare e bashkëjetesës me serbët dhe e përpjekjeve për t´u shkëputur prej tyre, për të shpëtuar prej tyre. 
Një histori kaq e gjatë, një histori e larë me gjak, e kishte kthyer në ëndërr Ditën e Lirisë e të Pavarësisë. 
Kaluan 9 vjet që u nënshkrua marrëveshja historike e Rambujesë, që shënoi hapin e madh të shkëputjes së Kosovës nga Serbia. Po mbushen 9 vjet që NATO-ja, në bashkëveprim me UÇK-në, e dëbuan Serbinë nga Kosova. Thamë se erdhi Liria. Por Liria përseri ishte duarlidhur, sepse Kosova nuk ishte e Pavarur, nuk ishte Sovrane, Zonjë shtëpie në shtëpi të vet, por njihej si pjesë e Serbisë. Na u tha të presim 3 vjet, ne pritëm 9 vjet. Durim, durim, por Durimi u bë i padurueshëm. Ëndrra jonë herë na dukej si realitet, herë si një fantazmë që na errësonte besimin, që na vriste shpresat. Ne filluam të besojmë vetëm atëhere kur dëgjuam Presidentin Bush në Tiranë, se Pavarësia e Kosovës është e pashmangshme. Dhe ai vërtetë e mbajti fjalën. 
Pavarësia erdhi më 17 shkurt, në një ditë shumë të ftohtë, por me diell. 17 Shkurti është dita e ëndërruar me shekuj, dita e shumëpritur, Dita e Madhe e Kombit Shqiptar, dita për të cilën kanë sakrifikuar gjenerata të tëra. Brezi ynë pati fatin e madh që ta mbërrijë këtë Ditë. 

Drejt Kosovës 

Nisemi drejt Kosovës. Iniciatori është nënkolonel Mark Kuli, oficer i radiozbulimit ushtarak, i cili për më se 30 vjet ka punuar për Kosovën, duke mbajtur në përgjim gjeneralët serbë, sa herë që ata komandonin trupat për të shtypur me hekur e me gjak popullin shqiptar të Kosovës. Marrim kolonel Hysen Ymerin, ish oficer zbulimi, i cili në vitin 1991 ka stërvitur Adem Jasharin me djemtë e Kosovës, për t´ia nisur luftën Serbisë. Ai është mjaft i njohur në Kosovë. Jemi ngritur në mesnatë dhe drita na çeli në Pukë. Frynë veriu i ftohtë dhe rruga është mbuluar me akull. Kalimi i Qafës së Malit përbën një shqetësim për ne, por për fat të mirë kaluam pa probleme, në saj të manovrimit me mjeshtri të makinës nga Marku. 
Në pikën kufitare të Qafë Morinës shohim një gatishmëri e një korrektesë shembullore të policisë kufitare. Fytyrat e tyre janë qeshura, të gëzuara. Përshëndetja jonë është “E gëzofshi Pavarësinë”! Ata na përgjigjen: “Të gjithë së bashku”! Dhe na japin shenj që të ecim. Brenda 2-3 minutave kalojmë, duke shtuar shpejtësinë në rrugën drejt Prizrenit. Nga të dy anët e rrugës shohim forca të shumta të policisë dhe të KFOR-it, me armët gati. Si ushtarak që jemi, na bëjnë përshtypje këto masa të sigurisë. Duke iu afruar Prizrenit, autokolona e makinave sa vjen e dendësohet. Të gjitha makinat janë të veshura me flamurin kombëtar dhe me nga tre-katër flamuj që valviten në dritaret dhe dyert e tyre. Duhet të përshkosh një unazë të gjatë, që të kalosh qytetin dhe të udhtosh për Prishtinë. Nga Prizreni deri në Prishtinë, kudo njerëzit kanë dalë në rrugë. Në të gjitha shtëpitë janë ngritur flamujt kombëtar. E gjithë Kosova është mbështjellur më flamurin kuq e zi. Asnjëherë në histori në Kosovë nuk ka pasur kaq shumë njerëz dhe kaq shumë flamuj. Kosova ka simbol Flamurin tonë Kombëtar, flamurin e Skënderbeut. Çdo flamur tjetër është vetëm për konjukturë politike. 

Festoi Kosova- festoi i gjithë kombi 

Kur futemi në Prishtinë, ishin çastet kur po afronte ora e madhe historike, ora 15 e paralajmëruar prej kohësh, kur do të çelej seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës. Në këto çaste sapo kemi arritur në shtëpinë e Ismail Ismailit, babajt të Isufit, i cili u stërvit në Tiranë në vitin 1991, bashkë me Adem Jasharin e shokë të tjerë. Kemi vajtur edhe herë të tjera në këtë familje, por rasti i sotëm është i veçantë. Ismaili, ndonëse i moshuar, me mjekër të bardhë e me kapuç të bardhë, sot duket si i ri. Në fytyrën e tij ka shkrepur një nur drite, sytë e tij lëngëzojnë nga gëzimi. Në odën e tij të madhe, patëm fatin të ndjekim seancën e Kuvendit të Kosovës, ku kryeministri Hashim Thaçi lexoi deklaratën e Pavarësisë. Në ato çaste u ngritëm dhe përqafuam njëri-tjetrin. Mjekra e bardhë e Ismail Ismailit pikoi lotë. Ai është afro 80 vjeç dhe ka përjetuar mënxyra, ka parë gjithfarë skenash terrori e krimesh, që kanë ushtruar serbët mbi shqiptarët e konkretisht mbi të e pjesëtarët e familjes së tij. “Kurrë nuk e besoja që mund t´ia arrija kësaj dite”,- shprehet ai me lotë gëzimi në sy. Mehmeti, djali i madh i tij, na shoqëron gjatë manifestimt të madh nëpër rrugët e Prishtinës. 
Prishtina sot i ka bashkuar të gjithë shqiptarët. Kanë ardhur për Ditën e Madhe nga të gjitha anët e botës. Duket sikur të gjithë e njohin njeri-tjetrin. Përshëndeten, përqafohen njerëz që s´janë parë kurrë, si vëllezër e motra. Ndonëse koha është mjaft e ftohtë, 11 gradë nën zero, kanë dalë në rrugë jo vetëm të rinjtë, por edhe pleqtë, i madh e i vogël. Zemrat e tyre të zjarrta kompensojnë nxehtësinë e munguar të diellit. Gëzimi e hareja nuk mund të përshkruhen. 
Te Radio Kosova e Lirë, takojmë profesor Ahmet Qeriqin, drejtori i kësaj radioje që përhapi zërin e UÇK-së në mbarë Kosovën nga malet e Berishës, në ditët e vështira të Luftës Çlirimtare. Ai sot ka qëndruar vetëm në studio, se gazetarët i ka dërguar në festë. “Gëzuar fitorja e Pavarësisë”!,- e urojmë atë, duke shtuar: “Vitin që vjen, në kuadrin e 10 vjetorit të kësaj radioje, t´u gjejmë në një godinë të re e në kushte shumë më të mira pune”! 

Takojmë edhe Nusret Pllanën, me të cilin shkëmbejmë mendime për zhvillimet e ardhshme në Kosovë dhe për detyrat që ka qeveria e re e Hashim Thaçit, për të vlerësuar Luftën Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët dhe familjet e tyre, invalidët dhe veteranët. Takojmë Sokol Pogën, të birin e Ismail Pogës nga Hasi, i cili, duke çuar në fund amanetin e të jatit, ka dhënë kontribute të rëndësishme në ndihmë të Luftës Çlirimtare të Kosovës. Ai shoqërohet nga Selman Thaçi, xhaxhai i Hashim Thaçit. E pyes për disa figura që nuk po i shihja, nëse kishin ardhur apo jo në këtë festë të madhe. “Nuk ka pasur nevojë për ftesa të veçanta. Unë erdha pa ndonjë ftesë, sepse ftesa është bërë për të gjithë”,- m´u përgjigj në mënyrë lakonike Sokoli. Pastaj biseda jonë u përqëndrua te përmbajtja e deklaratës së Pavarësisë, duke komentuar faktin se këtë deklaratë e paraqiti Hashim Thaçi, ish drejtori politik i UÇK-së, sot kryeministër i Kosovës. Lufta Çlirimtare e Kosovës, me UÇK-në, ishin faktori vendimtar, që e sollën këtë ditë të madhe. Një natë më parë, më 16 shkurt, Hashim Thaçi bëri vizitë në Prekaz te shtëpia dhe varri i Adem Jasharit. Me këtë vizitë ai i tha Ademit se “ne shokët e tu, e çuam në vend amanetin tënd dhe të 2000 dëshmorëve të UÇK-së”. 
Festa vazhdoi gjithë natën. Asnjë incident nuk pati. Kjo tregoi se forcat e errëta serbe, që nuk janë të pakta në Kosovë e që janë përpjekur me të gjitha forcat për ta prishur këtë festë, nuk mundën të bënin asgjë. Ato u paralizuan plotësisht, përballë vigjilencës dhe unitetit të popullit shqiptar të Kosovës. 
Serbia kurrë nuk do të arrijë të ndalojë Kosovën në rrugën e saj të progresit, të bashkimit dhe të integrimit.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Kilit, Gabriel Boric, i konsideron akte barbare sulmet e Izraelit që vazhdojnë në Gaza

Presidenti i Kilit, Gabriel Boric, i konsideroi “barbarizëm” sulmet e Izraelit që vazhdojnë në Gaza, …