leoni

Halil Katana: PROVA E DYTË E MADHE E DJEMVE QË I SOLLËN KOSOVËS LIRINË

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të qeta në Kosovë, do të sjellin në qeverisje PDK, të kryesuar nga biri Luftës, Hashim Thaçi. 
Kjo është fitorja e dytë historike e Kosovës, nëse pasohet me Pavarësinë e saj. Kjo është prova e dytë e atyre djemve që organizuan e drejtuan me sukses Luftën Çlirimtare të Kosovë. 
Prova e parë e tyre, ishte fitorja e Luftës. 
Prova e dytë, jo më pak e lehtë se e para, fillon tani me fitoren e Pavarësisë e të Sovranitetit dhe me ndërtimin e shtetit të Kosovës se Re demokratike, euroatlantike. Kështu e solli koha, që misioanrët e Lirisë, të marrin mbi vete edhe misionin e rëndë të pavarësimit e të ndërtimit të Kosovës. 
Le të besojmë se ky shans nuk është një rastësi, por një strategji e përpunuar prej kohësh nga aleati më besnik e më i sigurtë i Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. PDK nuk kish ç´e donte pushtetin deri tani, sepse Kosova, pas luftës është qeverisur nga OKB-ja. Deri tani ajo ka qënë protektorat i këtij organizmi të madh ndërkombëtar. LDK-ja, e cila deri tani ka pasur shumicën në Kuvend e në „qeverisjen e vendit“ është konsumuar maksimalisht, sepse e ka zhgënjyer popullin për 8 vjet me radhë, në të gjitha apektet. Populli nuk mund t´ia besonte më pushtetin. 
PDK, që vjen nga Lufta, nuk e ka zhgënjyer popullin. 
Ajo ka derdhur gjak për Lirinë e Kosovës. 
Janë 2000 djem e vajza që kanë dhënë jetën në luftën për liri, dëshmorë të Kosovës. 
Janë disa qindra invalidë të kësaj lufte, dëshmorë të gjallë të lirisë. Sado që të mundohen, qoftë pacifistët, qoftë ndërkombëtarët, PDK-ja nuk mund ta harrojë gjakun e tyre. 
Sado që të përpiqen drejtuesit e PDK-së, që të „modernizohen“, ata nuk mund ta harrojnë amanetin e dëshmorëve dhe sakrificat e jashtëzakonshme të Luftës Çlirimtare të Kosovës. 
Nën trysninë e madhe që bëhet mbi ta nga të gjitha anët, ata do të përpiqen të përshtaten, por kurrësesi, nuk mendoj se mund të tjetërsohen rrënjësisht. Në çdo rrethanë në genet e tyre do të mbetet një pikë idealizëm, i domosdoshëm për ta bërë Kosovën. 
Ky idealizëm i duhet Kosovës. 
Vetëm me njerëz, që kanë frymë idealiste mund të bëhet Kosova. 
Me njerëz që e kanë mendjen te përfitimi personal, a klanor, Kosova nuk mund të bëhet. 
Dhe radha u erdhi atyre, që kanë treguar idealizëm në shkallën sublime. 
Detyra e parë janë masat e sigurisë, që të mos guxojë kush të prekë Kosovën, në të gjithë hapësirën e saj territoriale, në çastin që ajo të shpallë Pavarësinë. 
Në deklaratën e shpalljes së Pavarësisë, duhet theksuar Sovraniteti dhe Integriteti Territorial, si dhe kërkesa e Sovranit për të qëndruar NATO-ja në Kosovë, derisa Kosova të forcohet dhe të integrohet. 
Detyra e dytë, të fillojë puna anë e mbanë Kosovës, që fusha e Kosovës të bëhet një hambarë prodhimesh jo vetëm për vetveten, por edhe për rajonin. Që pellgu qymurgoror, të shndërrohet në një burim energjetik për Kosovën dhe rajonin, me ndertimin e termocentraleve të reja. Që Trepça të vihet në efiçencë të plotë për fuqizimin e buxhetit të Kosovës. E të tjera, e të tjera. Kështu do të hapen frontet e reja të punës, do të joshen investimet e huaja dhe, sidomos, investimet e sipërmarrësve shqiptarë, që kanë punuar në Perendim dhe që zotërojnë burime financiare. 
Detyra e tretë do të jetë: vlerësimi i Luftës Çlirimtare të Kosovës, në rrjedhën e saj historike, vlerësimi maksimal i dëshmorëve dhe invalidëve të kësaj lufte dhe i familjeve të tyre, vlerësimi i veteranëve, duke i vendosur në piedestalin e nderit e të lavdisë dhe duke i shpërblyer e punësuar ata, në radhë të parë. 
PDK-ja kërkohet të lexojë e studiojë me shumë vëmendje pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje dhe të nxjerrë konkluzionet e duhura në punën e saj qeverisëse. 
Prova është e madhe. Dhe kjo punë fillon tani: në sytë e popullit të Kosovës, në sytë e ndërkombëtarëve, të miqëve dhe jo miqëve, të atyre që na duan të mirën dhe të atyre që s´na duan. Tani provohet nëse shqiptarët e Kosovës dinë të qeverisën vet, duke zbatuar parimet e demokracisë e të shtetit ligjor e duke e zhvilluar vendin me ritme shumë të larta në të gjitha fushat: në prodhim, në arsim e kulturë, në shëndetësi etj. 
Nëse PDK-ja, dështon në realizimin e këtyre objektivave, atëhere dështimi do të jetë katastrofik: varrosen vlerat e Luftës, harrohen dëshmorët dhe, mbi të gjitha, vihet në pikëpyetja ardhmëria e Kosovës! 
Përgegjësia është e shumë e madhe. 
Por edhe shpresa dhe besimi janë të mëdha!

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: AAK po rritet në Gjermani, jemi bashkë në përkushtimin tonë për ta orientuar vendin drejt zhvillimit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar rëndësinë e bashkatdhetarëve në çdo proces për të …