Hydajet Hyseni: Disa shpjegime plotësuese, në vend të reagimit ndaj një gjullurdie mediatike

 


Audiatur et altera pars!
1. Akademia e10 tetorit:”Enver Hoxha për Kosovën” ishte publike, e paralajmëruar dhe e regjistruar. Pse nuk u botua fjala ime, ta kishin në dispozicion lexuesit e dëgjuesit dhe pastaj le të nisej diferencimi. Fjala ime nuk u botua madje as pasi ua kam dërguar bashkë me lutjen për ta botuar atë! Pse? Insistoj sërish: botojeni fjalën (e dërguar sërish, bashkangjitur, në atachment). “Audiatur et altera pars”! (Le te dëgjohet edhe pala tjetër!), do të thoshin latinet e vjetër. E thotë edhe kodi gazetaresk.
2. Ishte një aktivitet tematik: “Enver Hoxha për Kosovën” dhe fjala ime ishte e kufizuar vetëm në këtë aspekt. Në fjalën e mbajtur nuk ka pasur asnjë akuzë dhe as ofendim për asnjë personalitet dhe për asnjë krah të caktuar politik e ideologjik. Në fjalën time unë kam përmendur në kontekst pozitiv gjithë udhëheqësit e Shqipërisë, të sotmit dhe të dikurshmit, kam përmendur edhe Ernest Koliqin, Demë Ali Pozharin, Hysen Tërpezën, Selman Rizën e Fadil Hoxhën. Pse synohet të hidhet në terren të luftës aktuale ideologjike një qasje që synonte pikërisht të kundërtën? Pse imputohen dhe pse imponohen tema e aspekte tjera, kodra pas bregu? Unë për lisa ju për fshisa! Me fshisa e shoshë Dielli nuk mbulohet as përbaltet.
3. Aktiviteti nuk ishte festë as festival, por një akademi politike, një tribune politike në 100 vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës. Ka pasur sa e sa aktivitete të ngjashme përkujtimore (madje edhe rast e pa rast), edhe për personalitete të rëndësishme e kontraverze si Ahmet Zogu, Xhafer Deva, Mithat Frashëri, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli, madje edhe për Sulltan Muratin. Nuk ka pasur ndonjë reagim, aq më pak gjueti të orkestruar shtrigash, as nga ata që do te mund të konsideroheshin të provokuar dhe as nga gazetarë e redaksi tëe porositura. Si shpjegohet kjo?
4. Fjala ime në këtë akademi ishte një vlerësim dhe ndonjë dëshmi personale për një të kaluar tashmë të largët dhe të pakthyeshme. Të thuash të vërtetën është e drejtë elementare dhe madje edhe obligim qytetar. Mund ta ndryshojmë të sotmen dhe të ardhmen, por jo të shkuarën .Të vërtetës për të kaluarën u druhen të padijshmit dhe të indoktrinuarit, shtrembëruesit e së kaluarës dhe sidomos mëkatarët e saj borxhlinj. Pse imponohet politizimi dhe vendosja në kontekst aktual të kësaj të vërtete, në kundërshtim të plotë edhe me porosite e dala nga aktiviteti dhe kujt i duhet kjo? Vallë a duhet të përsëritet prapë titulli i dokumentarit të para dhjetë vitesh: “Mos iu frikësoni lirisë?!”
5. Thekset, përfundimet dhe mesazhet eventuale që mund të derivohen nga fjala ime janë në funksion të afrimit dhe pajtimit kombëtar e më gjerë dhe si të tilla janë në përputhje edhe me synimet dhe prioritetet pothuajse plebishitare të Kosovës së re, të lirë, të pavarur e demokratike. Kujt i prishin punë ato dhe pse?
6. Porosia kryesore e fjalës sime ishte: të ndriçohet e kaluara dhe të ecet përpara, në përputhje me kërkesat e kohës. Pra, jo kthim prapa në të kaluarën dhe as në mendësitë e së kaluarës. Kujt i prish punë e plane ky orientim, i cili për hir të së vërtetës është plebishitar dhe i pandalshëm?
7. Sa për harangën linçuese ndaj meje dhe madje edhe ndaj kryetarit të Kuvendit (pse atij i paskan gjetur në bibliotekën e tij të historisë, një libër me fotografi të Enverit në balline!), unë nuk mund të lëshohem në nivele aq të ulët dhe të kthehem aq shumë prapa, por tërheq vërejtjen për pasojat e pallogaritshme të ringjalljes së fenomenit të luftës specale dhe shndërrimit të mediave në gijotina virtuale e kamxhikë prej gjuhe në funksion të fushatave speciale, politike, ideologjike e klanore ala….Emrin e përshtatshëm gjejeni vetë, por, përgjigja më e mirë që i shkon është: “No pasaran…!” I përgëzoj bashkëmendimtarët e mi, shokët, miqtë e dashamirët që nuk lejojnë të provokohen e të lëshohen në nivele të tilla dhe të tërhiqen në batakun e pseudopolemikave jodinjitoze, denigruese, rrënuese e vetërrënuese. Për ata që duan afrim, pajtim e bashkim sa më të gjerë në funksion të përcaktimeve tona të përbashkëta sublime liridashës, paqedashës e përparimdashëse ka një porosi: Çka i ka hije dikujt nuk i ka dikujt tjetër.
8. Gazetarët dhe intelektualet që i shikojnë me indiference shfaqjet e reja të diferencimit dhe linçimit mediatik i porosis ta rilexojnë “Laokontin” e Kadaresë. Ndërkaq, ata që yshtin fushata të tilla, i trimërojnë dhe i ushqejnë ato, do të duhej të mos e harronin atë porosinë e lashtë nga libri i shenjtë: “Kush e tund shpatën (lexo: shpatëfushatën) nga shpata (lexo:shpatëfushata) do ta pësojë edhe vetë” “Hodie mihi cras tibi” ( sot mua, nesër ty ), thoshin të moçmit.
9. Sa për mua, unë nuk i druaj polemikës, kur ajo është e pjekur e dinjitoze, me fakte e argumente. Por, në gjullurdinë që u ngrit kishte kryesisht shtrembërime, spekulime, zëvendësim tezash, amputime, imputime, sharje, fyerje e diskualifikime… Kur kam qenë adoloshent edhe kam share ndonjëherë, por tani kur jam gjysh, sharjet e fyerjet nuk bëjnë pjesë në fjalorin tim. Prandaj s’kam si e pranoj sportin modern mediatik: kush pështyn më larg , kush fyen më fort e kush shan më fëlliqtë. Nuk e pranoj prandaj dorashkën e hedhur të yryshnikëve të porositur. Por nxitësit, dirigjentët dhe orkestruesit e tyre i pres me kënaqësi në ballafaqim argumentesh, në çdo kohë, në cilën do medium, me cilindo moderator…
10. Si njeri poashtu me plagë nga padrejtësitë e së kaluarës, nuk mund të mos mirëkuptoj reagimet qoftë edhe të sforcuara e të ngarkuara emocionalisht të njerëzve të cilëve mund t’u jenë shpupurishur plagët e vjetra, dhe atyre s’mund të mos u shpreh keqardhjen time. Jam megjithatë i lirë të theksoj faktin, se në përvojën tonë këtu në Kosovë, jemi bindur se angazhimi i përbashkët në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme, të lirë, moderne, demokratike dhe evropiane, është mënyra më e mirë për të siguruar pajtimin kombëtar, korrigjimin e padrejtësive të së kaluarës dhe pamundësimin e përsëritjes së tyre, në emër të kësaj apo asaj ideologjie, të këtij apo atij sistemi.
Me respekt për fjalën e lirë dhe me konsideratë edhe për mendimin e kundërt!

Kontrolloni gjithashtu

Irani i bëri thirrje Amerikës, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë që të ndërpresin mbështetjen e tyre ndaj Izraelit

Irani i bëri thirrje Amerikës, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë që të ndërpresin mbështetjen e tyre ndaj Izraelit

Zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Iranit, Abulfazli Shekarhi i bëri thirrje Amerikës, Britanisë së …