Hysni Dansh Murseli (10.7.1966 – 8.1.1999)

Hysni Danush Murseli (10.7.1966 – 8.1.1999)

Fshati Nekoc i Drenicës luftës së UÇK-së i ka dhënë tre dëshmorë: Hysni Murselin, Gani Kastratin dhe Azem Kastratin si dhe 14 martirë: Danush dhe Zela Murseli prindërit e dëshmorit, Hysni Murseli, pastaj Shaban Gashi, Nebih Çelaj, Islam Kastrati, Brahim Kastrati, Fatmir Kastrati, Ahmet Syla, Skënder Rrusta, Hanë Zekaj, Hajriz Gashi, Imer Plakiqi, Ramadan Rrusta dhe Imer Rrusta.
Hysni Murseli lindi, në një familje të varfër fshatare, më 10 korrik të vitit 1966, në fshatin Nekoc të komunës së Drenasit (ish-Gllogoc). Mësimet fillestare i kreu në shkollën e fshatit ndërsa shkollën e mesme e mbaroi në Qendrën shkollore të Drenasit- drejtimi Biologji.
Në vitin 1987, shkon për të punuar në Slloveni, ku qysh nga viti 1981atje punonte vëllai i tij, Rexhepi. Hysniu ka punuar në Slloveni deri në vitin 1993 kur  edhe  kthehet në familje.
Në fillim të vitit 1998, grupet e organizuara të UÇK-së ishin shtrirë në shumë fshatra të Drenicës. Pas rënies heroike të legjendarit Adem Jashari dhe të Jasharëve të Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Drenica ishte përshkuar nga zjarri çlirimtar. Edhe rinia atdhedashëse e përparimtare e fshatit Nekoc ishte në rrjedhë të zhvillimeve. Luftëtari i njohur nga ky fshat, Gani Kastrati (dëshmor) ishte ndër të parët që ishte inkuadruar në UÇK, asokohe në Likoc të Drenicës.
Grupin e parë të luftëtarëve të lirisë nga ky fshat e përbënin, Gani Kastrati, Ismet Hoxha, Hilmije Plakiqi, Hysni Murseli Azem Kastrati (dëshmor)  Gafurr Dugolli, Ilir Dugolli e të tjerë. Shtabi lokal i UÇK-së ndodhej në shtëpinë e Gani Kastratit, në Nekoc. Ky grup fillimisht u angazhua në zënin e Grykës së Llapushnikut, e cila u zu nga më 9 maj të vitit 1998. Ndërkohë grupi i çlirimtarëve  do të pozicionohet në anën lindore rrëzë maleve të Blinajës, nga ku pritej intervenimi i forcave policore serbe.
Në verë të vitit 1998, njësitet e UÇK-së ishin kishin krijuar pikat në të gjitha fshatrat e Drenicës. Luftëtarët e Nekocit, u angazhuan në luftime në zënien e Grykës së Llaushnikut, të Grykës së Carralevës, më 14 qershor dhe në mbrojtje të këtyre pozicioneve. Luftëtarët e lirisë nga kjo anë kishin zënë edhe një pozicion në “Te Llazat” në shëpinë e Haki Zekës.
Gjatë ofensivës së 24 dhe 25 korrikut, luftëtarët e Nekocit  marrin pjesë në luftime, si në mbrojtje të Grykës së Llapushnikut ashtu edhe në Caralevë, në Zborc dhe në Blinajë. Hysni Muresli asokohe i takonte grupit të cilin e udhëhiqte Emrush Çakaj i njohur me nofkën “Gjermani”. Ky njësit më vonë do të sistemohet në Batalionin e Parë “Imer Alushani” të Brigadës 121 Ismet Jashari-Kumanova.
Në njësitin, të cilin e komandonte “Gjermani” përveç Hysni Murselit ishin edhe luftëtarët e lirisë: Naser Gashi, Isak Demiri, Rrahman Nishori, Ramadan Zogaj, Gëzim Sopi, Agron Murseli, Habib Gashi, Mehmet Murseli, Jetish Demiri e të tjerë.
Më 8 janar të vitit 1999, Hysni Murseli ndodhej në Shalë (ish-Sedllar). Së bashku me Xhemajl Alushanin, (vëllai i dëshmorit të kombit Imer Alushani), Agim Sylën dhe një ushtar nga Shala nisen në drejtim të Magurës.
Ushtari i Shalës ndalon në Blinajë, ndërsa Hysniu me Xhemajlin dhe Agim Sylajn afrohen afër postbllokut të policës serbe, të cilët në një tabelë kishin vendosur një shenj rreziku, ku shkruhej “Put za Drenicu, neprijatelska zona” (Rruga për në Drenicës, zona e armikut).
Forcat policore në vëzhgim kishin marrë në shënjestër veturën, e cila po lëvizte në drejtimin të postbllokut. Sapo afrohen në rrezen e veprimit të armëve të tyre ata godasin veturën. Nga zjarri i armëve armike goditet për vdekje, Hysni Murseli ndërsa kapen gjallë: Xhemajl Alushani dhe Agim Sylaj, të cilët edhe arrestohen. Ndërkohë, policët serbë pasi i torturojnë mizorisht. Më vonë Xhemajli dhe Agimi denohen dhe mbahen në burg deri në vitin 2001.
Pesë muaj pas rënies së dëshmorit, bashkëshortja, Fatmirja, e cila së bashku me mijëra të zhvendosur ndodhej në Grykën e Gashit, i lind djalin të cilin e pagëzojnë me emrin e babait dëshmor, Hysni.
Pas luftës çlirimtare dhe fitimtare të UÇK-së, bashkëluftëtarët e dëshmorit nga fshati Nekoc si dhe vëllai i dëshmorit, Rexhep Murseli arrijnë t’i  ndërtojnë një shtëpi dydhomëshe në Nekoc familjes së dëshmorit. Nënë Fatmirja po e rrit me kujdes djalin, i cili është krenar për veprën e babait dëshmor.
Pllaka përkujtimore, e skalitur me emrat dhe fotot e tre dëshmorëve: Hysni Murseli, Gani Kastrati dhe Azem kastrati  është ngritur në oborrin e shkollës së fshatit, në Nekoc.
Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga Kuvendi komunal i Drenasit si dhe nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Fetah Ahmet Gega (5.11.1964 - 2.5.1999)

Fetah Ahmet Gega (5.11.1964 – 2.5.1999)

Më 5 nëntor të vitit 1964, Ahmet Gegës, nga Studençani i komunës së Therandës (ish-Suharekë), i …