𝐍𝐮𝐤 𝐢𝐬𝐡𝐭𝐞 𝐫𝐚𝐬𝐭ë𝐬𝐢 𝐧𝐝𝐚𝐫𝐣𝐚 𝐞 𝐯𝐞𝐫𝐢𝐮𝐭 𝐬𝐢 𝐞𝐧𝐭𝐢𝐭𝐞𝐭 𝐠𝐣𝐞𝐨𝐠𝐫𝐚𝐟𝐢𝐤 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐝𝐦𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐢𝐯
Pas çlirimit të Kosovës, në fushën e sigurisë u bë vendosja e trupave të NATO-s me misionin paqeruajtës të quajtur KFOR dhe administratës qeverisëse ndërkombëtare UNMIK-ut. Që në ditët e para gjatë tërheqjes së forcave serbe, duke pasur edhe përvojën nga luftërat në Kroaci dhe Bosnje, Veriu i Kosovës u nda me shkathtësi nga shteti serb duke u ndihmuar edhe nga aleatët e saj brenda NATO-s. Realiteti i krijuar u ngri me prezencën e trupave të KFOR-it edhe në atë pjesë. Kjo situatë i mundësoi Serbisë që në veri të ruaj funksionimin e pushtetit të vet paralel, institucioneve të veta shtetërore dhe për mes tyre të manipuloj KFOR-in, UNMIK-un edhe Institucionet e Përkohshme Qeverisëse të Kosovës. Ajo zonë deklarohej hapur si zonë jashtë kontrollit të Qeverisë së Kosovës, atje gjithçka drejtohej e komandohej nga formacioni paraushtarak serb, që jo rastësisht ishte emërtuar “Rojat e urës”. Ato kujdestaronin që të mos kalohej në mënyrë të organizuar e as individuale nga jugu në veri i ndonjë shqiptari pa lejen e tyre. Pse pikërisht rojat e urës ishin te ura, sepse te lumi ndahej edhe vet qyteti i Mitrovicës në dysh, aty duhej të tregohej forca dhe organizimi i serbëve të drejtuar nga Serbia, sepse aty dhe ashtu dëshmohej botërisht, që veriu po funksiononte si një territor jashtë kontrollit të Qeverisë së Kosovës. Pse ishte ajo zonë kaq e rëndësishme për Serbinë? Çka fshihte qëndrimi i prerë nga Beogradi, që ajo zonë duhej të sundohej dhe kontrollohej nga formacioni paramilitar serb?! Ishte një vendim i prerë që atje me asnjë çmim nuk duhej të depërtonin shqiptarët dhe institucionet e Kosovë.
𝐏𝐬𝐞 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐚 𝐚𝐧𝐠𝐚𝐳𝐡𝐨𝐡𝐞𝐣 𝐭𝐚 𝐦𝐛𝐚𝐧𝐭𝐞 𝐯𝐞𝐫𝐢𝐮𝐧 𝐧ë𝐧 𝐤𝐨𝐧𝐭𝐫𝐨𝐥𝐥 𝐦𝐞 ç𝐝𝐨 𝐤𝐮𝐬𝐡𝐭?
Shpjegimi i parë (I), për ndarjen dhe izolimin e veriut, ishte përfitimi i paligjshëm dhe të mos prishej qetësia e ishullit, që ishte një zonë e veprimit të lirë në fushën e inteligjencës, krimit të organizuar, trafikimit të njerëzve, trafikimit të armëve, drogës, zonë e tregtisë së pa ligjshme, prodhimit të bit koinave dhe pastrimit të parave. Në atë zonë përfitimet ishin të lehta dhe të mëdha, sepse nuk paguhej tatim, nuk paguhej doganë, as rryma, as uji dhe as shërbimet e tjera. Shpjegimi i dytë (II), ishte ai strategjik që përmes një territori të izoluar dhe të kriminalizuar të ruhej prania e Serbisë në Kosovë edhe si vazhdimësi territoriale. Shpjegimi i tretë (III), ishte se kjo vazhdimësi e kontrollit të territorit, do ti mundësoj Serbisë destabilizimit të shtetit të Kosovës, sa herë do ti duhej qeverive në Beograd pa marrë përgjegjësi të drejtë për drejtë.
Shpjegimi i katërt (IV), ishte se territori duhej aneksuar dhe mbajtur nën kontroll për shkak pasurive nëntokësore dhe mbi tokësore, sidomos për llojet e mineraleve të rralla dhe me vlerë të lartë. Deri në vitin e fundit (2026) i kishim vetëm këto katër shpjegime logjike, se pse ishte aq e rëndësishme për Serbinë ruajtja e kontrollit në Veriun e Kosovës. Por koha do të tregoj se për Serbinë kishte edhe arsye më të rëndësishme se kaq.
Këtë ndarje që ishte objektiv i rëndësishëm i Serbisë, e legjitimuan dhe ndihmuan forcat e KFOR-it dhe Policia e UNMIK-ut, duke i bllokuar urat për komunikim në Mitrovicë me arsyetimin, se nuk po lejonte pala serbe kalimin, se nuk po lejonin rojat e urës. Forcat ndërkombëtare me cinizëm thoshin, se po ruanin paqen duke penguar kontaktin fizik qoftë edhe si lëvizje e lirë, për mos të ardhur deri te konfliktet dhe përleshjet. Kjo situatë absurdi dhe oportuniste funksionoi deri sa erdhi Kryeministër i Qeverisë së Kosovës zoti Albin Kurti, i cili me sukses e shtriu sovranitetin shtetëror edhe në veri. Pastaj qasja sovraniste u forcua edhe më shumë pas dështimit të sulmit terrorist të bandës së Milan Radojqiqit me 24 shtator 2023. Ky sulm e zbuloi qartë faktin se politikat aneksioniste të Breogradit nuk ishin vetëm propagandë, zbuloi hapur strategjinë dhe taktikat e Serbisë karshi Kosovës. Në të njëjtën kohë me shtrirjen e sovranitetit dhe kontrollit shtetëror në veri, u bë edhe çlirimi i banorëve lokal serb nga instrumentalizimi dhe frikësimi i forcave paramilitare. Ata sot gëzojnë të drejtat e garantuara në veriun e integruar, gëzojnë lirinë e tyre me status të posaçëm edhe përmes diskriminimit pozitiv, njëjtë si bashkëkombësit e tyre në pjesën tjetër të Kosovës demokratike. Sot veriu është nën kontrollin e shtetit të Kosovës dhe funksionon qeverisja, si në çdo pjesë tjetër në territorin e Kosovës.
𝐕𝐞𝐫𝐢𝐮 𝐢 𝐢𝐳𝐨𝐥𝐮𝐚𝐫 𝐝𝐡𝐞 𝐟𝐬𝐡𝐞𝐡𝐣𝐚 𝐞 𝐯𝐚𝐫𝐫𝐞𝐳𝐚𝐯𝐞 𝐦𝐚𝐬𝐢𝐯𝐞 𝐭ë 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫ë𝐯𝐞 𝐭ë 𝐯𝐫𝐚𝐫ë
Në vitin 2026 u gjetën mbetjet mortore të shqiptarëve të pushkatuar nga policia dhe ushtria e Serbisë gjatë luftës, shumica e tyre ishin groposur dhe fshehur pikërisht në veriun e Kosovës, në malet e Leposaviqit, në fshatin Dren, në fshatrat e Zubin Potokut; Kalludër dhe Jabukë, ku ka mundësi të dalin edhe varreza të tjera në atë zonë. Tash po del hapur shkaku i vërtetë, se përse Serbia ishte kaq këmbëngulëse për ta mbajtur nën kontroll këtë territor, duke kërkuar status të posaçëm, duke kërkuar asociacionin e komunave me shumicë serbe. Tash po shihet qartë se nuk ishte qëllimi real i angazhimit për të drejtat dhe liritë e banorëve serb, sepse serbë ka edhe në pjesën tjetër të Kosovës dhe nuk mund të ketë dy çështje serbe me statuse të ndryshme në të njëjtin shtet. Por qëllimi dhe halli real paska qenë që të ruhet vendi i fshehjes së krimit, të sigurohej fshehja e gjurmëve të gjenocidit, duke u maskuar me kërkesa politike, gjoja për të drejtat e komunitetit. Qytetarët e veriut mbaheshin të terrorizuar nën kërcënimin e vazhdueshëm, që të ruanin sekretin “nacional dhe shtetërorë”, sekret që ishte varrosur diku afër zonave të tyre të banimit.
Prandaj nga zbulimet e fundit të mbetjeve mortore të fshehura në veri, rasti ka prodhuar fakte të reja, kurse faktet e reja kanë prodhuar realitet të ri në fushën e sigurisë, politikës dhe diplomacisë. Në dritën e realitet të ri, tash e pas qëndrimi i shtetit të Kosovës karshi çështjes së veriut duhet të ndryshoj komplet, të mos trajtohet vetëm si çështjet e të drejtave të komunitetit serb, por mbi të gjitha si çështje e krimit shtetëror dhe vepër kriminale shtetërore për fshehjen e krimeve dhe gjenocidit. Ky ka qenë mashtrim i bashkësisë ndërkombëtare sidomos i aleatëve të Kosovës, që e kanë hëngër lehtësisht manovrën e Serbisë.
𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚 𝐝𝐮𝐡𝐞𝐭 𝐭ë 𝐤𝐞𝐭ë 𝐪𝐚𝐬𝐣𝐞 𝐭ë 𝐫𝐞 𝐤𝐚𝐫𝐬𝐡𝐢 çë𝐬𝐡𝐭𝐣𝐞𝐬 𝐬ë 𝐕𝐞𝐫𝐢𝐮𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐚𝐩𝐨𝐫𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐦𝐞 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐧ë
Bazuar mbi këtë realitet të ri, për çështjen e veriut, dialogun dhe raporteve me Serbinë, në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë kthesën e madhe, duhet të ketë një qasje tjetër në raport me partnerët ndërkombëtar, sidomos me shtetet mike dhe aleate. Aleatët duhet të binden që edhe ata të ndryshojnë qasjen, që mos të përkëdhelin Serbinë për interesa gjeopolitike që nuk lidhen me Kosovën, por për më keq e minojnë konsolidimin e shtetësisë së saj.
Kjo qasje duhet të jetë e argumentuar, të ketë një angazhim serioz dhe të vazhdueshëm deri sa të realizohet. Qasja e deri tashme duhet të zhbëhet, të zhvlerësohet dhe të mos trajtohet si çështje me obligime ndërkombëtare të prodhuara nga bisedimet e deritashme. Kjo qasje duhet të bie poshtë bashkë me asociacionin e komunave me shumicë serbe, me kompetenca vetëqeverisës apo administrative, që shpreh çfarëdo ingerence të pushtetit horizontal dhe vertikal, që nesër mund të përdoret si pretekst i entitetit territorial. Argumentet e pretenduara të Serbisë rezultuan se kanë qenë falco tërë kohën, ato u dogjën, dhe si të tilla duhet të varrosen në gropat e hapura të varrezave masive në Veriun e Kosovës.
Kosova duhet të ju imponoj aleatëve qëndrimin e kthimit në pikën e fillimit në raport me Serbinë dhe dialogun me të. Mashtrimi dhe fshehja e krimeve të gjenocidit në territorin e veriut duhet të jetë argumente i mjaftueshme për të ndërruar qasjen e deritashme edhe Evropa edhe SHBA-të edhe Shqipëria, të qartësohet se nuk ka më çështje të veriut për diskutim. Tash e tutje dialogu mund të vazhdojë vetëm si partneritet mes dy shteteve fqinje, pavarësisht se a njohin njëra tjetrën.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
