Ibrahim SHALA: Recension për librin “"𝐁𝐀𝐒𝐇𝐊Ë𝐁𝐈𝐒𝐄𝐃𝐈𝐌 𝐌𝐄 𝐅𝐀𝐃𝐈𝐋 𝐕𝐀𝐓Ë𝐍" të autorit Hajdin ABAZI

Ibrahim SHALA: Recension për librin “”𝐁𝐀𝐒𝐇𝐊Ë𝐁𝐈𝐒𝐄𝐃𝐈𝐌 𝐌𝐄 𝐅𝐀𝐃𝐈𝐋 𝐕𝐀𝐓Ë𝐍” të autorit Hajdin ABAZI

LIBËR QË THYEN PARAGJYKIMET PËR IDEOLOGJINË DOGMATIKE TË LPRK

 Si lindi ky libër?

      Një libër shumë i veçantë, me qasje po ashtu shumë të veçantë, që është i realizuar përmes bashkëbisedimit të personazheve kryesore, që shprehet edhe në titullin  e librit.  Harku kohor i bashkëbisedimit  që trajtohet në libër, është i përqendruar vetëm në muajt janar-shkurt të vitit 1989.

      Që në hyrje të librit autori na bën me dije se bashkëbisedim ishte rrjedhojë e zhvillimeve politike dinamike,  të tensionuara  dhe dramatike në Kosovë  “Në nëntor 1988 minatorët nga Stan Tërgu u nisën të marshonin më këmbë drejt Prishtinës, në mbrojtje të Kosovës. Marshimi rreth 45 km i minatorëve mobilizoi tërë popullin në solidarizim ndaj tyre” (f. 69).

      Radhët atdhetare dhe revolucionare që vepronin në Kosovë njoftojnë Degën e LPRK Jashtë Vendit për zhvillimet e shpejta të ngjarjeve që po ndodhnin në Kosovë, ku nuk dihej kahja e zhvillimit të më tejmë. “Edhe udhëheqja e LPRK në atdhe e edhe e Komitetit organizativ (KO) i Marksiste-Leninistëve të Kosovës (OMLK), na kishin shkruar për gjendjen eksploduese dhe kishin kërkuar përforcime me kuadro nga Dega e LPRK jashtë vendit. Kërkesa ishte specifike: dy kuadro me përvojë nga Dega e LPRK që të shkonin në atdhe dhe të ndihmonin edhe në orientimet politike e edhe për t’i konsoliduar radhët e organizuara” (f. 70) Në këtë letër  nuk ka vetëm përmbajtje sqaruese, por ka edhe kërkesa konkrete që ishin imponuar nga zhvillimet e rrethanave politike në Kosovë. Kërkesa ishte specifike: dy kuadro me përvojë nga Dega e LPRK që të shkonin në atdhe dhe të ndihmonin edhe në orientimet politike e edhe për t’i konsoliduar radhët e organizuara” (po aty).

      Pas analizave dhe vlerësimeve të bëra nga  kryesia e Degës së LPRK-së jashtë vendit, të anëtarëve të saj vullnetarë të paraqitur për tu  futur nga perëndimi në Kosovë, përzgjedhja bie mbi dy persona: Ali Ahmeti, njëri nga drejtuesit e Degës së LPRK jashtë vendit dhe njohës i shkëlqyer i çështjeve organizative dhe strukturave të ilegales në atdhe, dhe Hajdin Abazi, njëri prej teoricienëve dhe kryeredaktor i organit “Pararoja” të MLK” (f. 70).

      Pasi këtyre dy veprimtarëve ju jepen detyrat dhe udhëzimet përfundimtare,  pajisen me pasaporta false, dhe me veturën e patriotit të palodhur të kohës Ahmet Haxhiun, më  30 dhjetor 1988 nisen, kalojnë kufirin dhe, duke i rënë për së gjati Jugosllavisë, udhëtojnë për Prishtinë, ku edhe arrijnë pa probleme dhe vebdosën në shtëpinë e Ahmet Haxhiut. Pas një pushimi shumë të shkurtër, nga aty i merr veprimtari dhe drejtues i lartë i Lëvizjes Shaban Muja, dhe me makinë i dërgon në bazën e paraparë  për dy shokët  e lartë që kanë ardhur nga perëndimi, pra nga jashtë vendit.  Baza e zgjedhur me kujdes ishte në periferi të Obilit, shtëpia e Sadik e Sevdije Makolli, e cila ishte motra  veprimtarit të ilegales Sahit Krasniqi, me pseudonimin Kujtimi. “Ajo shtëpi përdhese, që dukej sikur mbahej me zor, të paktën në janar-shkurt e fillim-mars 1989 u kthye në një epiqendër të veprimtarisë atdhetare dhe të organizimit të rezistencës kombëtare. Dhe pikërisht këtu edhe do t’i zhvilloja bashkëbisedimet me Fadilin dhe Afrimin.” (f. 77). Kjo shtëpi bazë e ilegalëve, për dy muaj u bë qendër e debatit politik, filozofik dhe ideologjik, të një niveli të lartë dhe të rëndësisë së veçantë për çështjen kombëtare.

 

Libër që thyen paragjykimet

për karakterin dogmatik të politikës së LPRK-së

      Duke përjashtuar hyrjen, libri është i ndarë në kapituj pak a shumë tematik, të gjithë të titulluar  “Bashkëbisedim”, që përshkruajnë bashkëbisedimin si vazhdimësi në kohë, por kapitujt dallojnë nga njëri tjetri nga imponimi i zhvillimit të ngjarjeve  në hapësirën e Kosovës, faktor që janë jashtë shtëpisë ku zhvillohet bashkëbisedimi. Autori për librin jep këtë informacion. “Ky libër bën një sprovë të sjellë Fadil Vatën nga një perspektivë tjetër, jo nga ajo kronologjike të veprimtarisë, burgut, organizimit e angazhimit praktik. Po të sjellë një imazh të një udhëheqësi të spikatur, të një lideri, ideologu e vizionari politik – ashtu sikurse e kam njohur unë përmes bashkëbisedimeve që kishim së bashku.” (f. 95). Ky libër  dërmon paragjykimet  e kundërshtarëve të LPRK-së,  konkretisht të  pasuesve të titizmit  dhe të regjimit autonomist, se gjoja LPRK si organizatë politike nuk ka pasur kapacitete intelektuale, gjoja se ata kanë qenë të mashtruar nga  shtete dhe forca misterioze,  që kanë pasur për qellim shkatërrimin e sistemit socialist vetëqeverisës   dhe raportet e mira të vëllazërim-bashkimit në mes të popujve  të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ).  Po ashtu ky libër pas shumë vitesh i bënë për t’u ndjerë krenar, të gjithë ata që i kanë njohur personazhet e librit, që kanë bashkëpunuar me ta, që kanë qenë pjesëtarë të lëvizjes politike atdhetare e revolucionare  ilegale, patriotët e sotëm dhe dashamirët e shkencës politike dhe të filozofisë.

Debati si veprimtari intelektuale edhe në ilegalitet

      Libri sjellë një dritare nga e cila bëhet e mundur të shihet  një dimension tjetër i veprimtarëve  të LPRK-së, konkretisht nga fusha intelektuale, teorike dhe shkencore. Vetë autori Abazi e jep shumë qartë thelbin e këtyre debateve: “Po, ishin debate teorike, filozofike, politike e vizionare, prej të cilave duhej të dilnin linjat e veprimit të lëvizjes revolucionare e atdhetare për rezistencën kombëtare” (f. 95). Për shkrimin e librit autori nuk përdor burime tjera të shkruara, ai bazohet në fuqinë e kujtimeve të tij për të riprodhuar sa më besnikërisht thelbin e debatit. Duke qenë se, për shkak të veprimit ilegal, nuk janë mbajtur shënime, incizime apo stenogram, autori sqaron se paraqitjet në libër janë “sipas bashkëbisedimit që kam bërë me Fadil Vatën, që këtu prezantohet i mbështetur ekskluzivisht në kujtimet e mia, të atyre temave e preokupimeve që realisht së bashku i kemi shtruar, shqyrtuar, debatuar e shtjelluar” (po aty).. Tema e trajtuar në libër deri më tash ka qenë e panjohur, ka qenë një vakum i mbetur i historisë revolucionare atdhetare, ka qenë kjo pjesë e veprimtarisë  së organizuar të LPRK-së që nuk ka qenë e qasshme për të tjerët, sepse ka qenë pronë vetëm e kokës së autorit, prandaj merita është e autorit dhe kujtesës  së tij.

      Si rezultat i këtij debati dhe bashkëbisedimi të gjatë e të thelluar, formësohet mesazhi qendror që publikohet si devizë e politikës  së LPRK-së dhe e  veprimtarisë atdhetare e revolucionare: “Konstatonte e përhershme për secilin nga ne në gjithçka që përdornim e shërbeheshim ishin interesat e atdheut, të kombit e të lirisë – ato i kishim busullën më të sigurte dhe të vetmet të orientimit dhe veprimit atdhetar e revolucionar” (f. 73). Kjo devizë merr peshë dhe vlerë, sidomos kur dihet  rëndësia e ndjekjes  me përkushtim, disiplinë dhe vendosmëri e vijës ideologjike në organizatat revolucionare të majta. Prandaj ky libër është dëshmi që na shpjegon mekanizmin e vendimmarrjes përmes debatit, ku arrihet në pikën kulmore për të formuluar qëndrimin e drejtë e që prezantohet si një devizë (qasje, instrument dhe objektiv) që tejkalon ideologjinë e drejtuesve, që vë në qendër të orientimit dhe veprimit në çfarëdo rrethanash që kalon kombi: evolutive apo të jashtë zakonshme, nën pushtim apo në liri, për atëherë dhe për sot, se:  “Atdheu dhe Shqiptaria janë mbi të gjitha”.

      Autori  e thekson vetë në hyrje të librit, se në përmbajtjen  e thelbit të bashkëbisedimit nuk ka bërë ndryshime dhe  makijazhe, që përmbajtja të jetë e përshtatshme për klimën politike e ideologjike të ditëve të sotme, 37 vite më pas. “Ato debate, shqyrtime e analiza, ashtu sikurse i kam përmbledhur në këtë bashkëbisedim me Fadil Vatën, përfshirë temat gjithsesi, po edhe nivelin, ngjyrimet ideologjike, bindjet e atëhershme dhe botëkuptimin tonë, as pa i sforcuar po as duke i zbehur ose moderuar, ku spikat Fadili me thellësinë, pjekurinë intelektuale, me shkëndijat e një filozofi që veç kishte ide intriguese në këtë fushë, me formimin tejet të madh politik, ideologjik, atdhetar dhe me karakterin prej lideri jo vetëm si drejtues po edhe si teoricien: analiza, thukshmëria, qartësia, kthjelltësia dhe argumentimet e qëndrueshme e të mbështetura, ku shquhej realizmi, idealizmi po edhe pragmatizmi, konsistenca dhe largpamësia e tij” (f. 96).

      Bashkëbisedimi politik dhe filozofik  nuk bëhej për hir të teorive politike dhe as debati filozofik për hir të filozofisë, sepse personazhet nuk  ishin të mbyllur në kullën e fildishtë, por ata ishin drejtuesit më sakrifikues në   ngjarjet plot vlim, ku kërkohej  qartësi në veprim, kur situata po përkeqësohej për shqiptarët në Jugosllavi dhe ngjarjet po ndryshonin me shpejtësi të madhe.  “Ne kemi biseduar shumë dhe thuaja për çdo gjë, po kjo që kam paraqitur këtu është e fokusuar ekskluzivisht në aspektin politik, organizativ, vizionaritetin, ngjarjet që ishin aktuale, ato që pritej të vinin dhe si i shihnim ne nga perspektiva jonë. Jam mundur maksimalisht të jem realist, duke i përshkruar botëkuptimet tona të asaj kohe, pa iu shmangur aspektit ideologjik, filozofisë marksiste po edhe filozofisë antike dhe Hegelit, të cilat i kishim diskutuar me shumë pasion.” (f. 94).

       Në bashkëbisedime fillon debati me qasjen zyrtare ideologjike si orientuese e veprimit në rrethanat e reja sfiduese, por kjo nuk i pengon personazhet të bisedojnë për filozofët dhe filozofinë nga antikitetit deri në kohën moderne, me çka dëshmohet se në LPRK nuk ka dominuar vija dogmatike ideologjike, por debati dhe vendimmarrja kanë pasur një frymë demokratike të brendshme, që i habit të gjithë ata që kanë qenë jashtë saj për kohën që flet libri,  por edhe për lexuesit e sotëm të rinj.

      Forma e bashkëbisedimit për personazhet e librit nuk është e re, ata atë e njohin nga librat filozofikë, por edhe nga përvoja e tyre në burgje gjatë vuajtjes së dënimeve për veprimtari politike atdhetare, vend ku ata kanë komentuar autorët e librave politikë dhe filozofikë, ku kanë trajtuar në grup  problemet e mprehta kohës dhe të ardhmen e çështjes kombëtare shqiptare në ish RSFJ.

 

Ndryshimi i situatës politike në Kosovë

gjatë vitit 1998-1989

Nga qershori i vitit 1988 synimet e nacionalizmit dhe shovinizmit serb kishin dalë hapur me pretendimet karshi Kosovës. Qëllimi i vetëm ishte suprimimi (rrënimi) i  statusit të autonomisë së Kosovës dhe kthimin e saj  nën Serbi, duke i hequr elementin konstituiv si pjesë e barabartë e Federatës Jugosllave. Re të zeza po silleshin mbi Kosovën, po shkërmoqej  “zgjidhja më e mirë çështjes kombëtare e  modelit të RSFJ-së”, por edhe po afrohej fundi i paralajmëruar i Federatës Jugosllave  si ngrehinë artificiale.

      Autori për këtë gjendje kujton shpjegimet  e Fadilit  që ia thotë që në takimin e parë: “me paralajmërimin e hapur të regjimit shovinist të Beogradit, për suprimimin e autonomisë. I kanë heq maskat, po e thonë troç! Mbase, sepse tash janë forcuar dhe po ndjehen të fuqishëm sa të bëjnë veprime kundër Kushtetutës së vitit 1974 e cila është në fuqi, e që realisht, prek themelin e rendit federativ” – tha Fadili, duke e ndërruar kështu temën e preokupimit dhe të parashtrimit. – “Heqja e autonomisë është një ndërmarrje e pastër antishqiptare. Me një guri, po goditen dy zogj: edhe po e rikolonizon Kosovën me mënyrën e robërisë klasike, edhe po e minon rregullimin federativ kundrejt republikave të tjera” (f. 111)

      Për rrethanat e  krijuar  drejtuesit e LPRK-së e shohin të domosdoshme hartimin e një platforme politike për ngjarjet që po afrohen. Ata konstatojnë se qëndrimi i drejtuesve  të autonomisë është  zbutur në propagandën kundër lëvizjes ilegale atdhetare. Dhe këta drejtues nuk marrin rolin e spektatorit dhe të kënaqen se si Serbia i godet drejtuesit e autonomisë dhe përmes tyre edhe autonominë e Kosovës. Fadil Vata vazhdon me shpjegimin e gjendjes:  “E – ka edhe më. Ne vetë ju kemi ofruar bashkëpunim, por përgjigja e tyre ka qenë “bashkëpunimi më i mirë është që ju të mos e eskaloni gjendjen, sepse këtë e do Serbia – që në emër të luftimit të forcave jo-institucionale – t’u godasë edhe juve e edhe neve si institucione” (f. 113). Pavarësisht qëndrimit të autonomistëve, drejtuesit e LPRK-së pavarësisht e kanë të qartë situatën, dhe janë të vetëdijshëm për atë çka po i afrohet popullit shqiptar të Kosovës, ata nuk rrinë duarkryq sepse e kanë kuptuar situatën drejtë dhe me kohë. Këtë parashikim të hershëm Fadili e shpreh gati në formë poetike: “Po bëhet një veprim në nivel kombëtar, me një shpejtësi krejt të pabesueshme, sa duket sikur i tërë rreziku i shekujve është akumuluar për ta bërë zgjimin e shqiptarëve që të përgatiten për përballje” – sikurse do ta shprehte në bashkëbisedim Fadili” (f. 69). Është dëshmuar gjatë historisë se rreziku i bashkon shqiptarët, por kësaj radhe kërkohej që reagimi mos të jetë i vonshëm dhe i pa koordinuar.

Në mbrojtje të autonomisë së Kosovës të vitit 1974

      Autori në libër e përshkruan gjendjen politike  të kohës,  kur ishte brenda në Kosovë dhe  bashkëbisedimet që kishin për temë pikërisht këtë situatë, reagimet dhe rezistencën që bëhej në mbrojtje të autonomisë së vitit 1974 . “Më 20 shkurt 1989 në Stan Tërg minatorët nisën greva e urisë në zgafelle. Rinia studentore i solidarizua dhe u organizua në palestrën e sporteve, ku Fadili dhe Afrimi do të shquhen si organizatorë dhe liderë me afinitete të jashtëzakonshme. Udhëheqësit pro-serbomëdhenj Rrahman Morina, Ali Shukriud he Husamedin Azemi dhanë dorëheqje më 27 shkurt, duke u plotësuar një nga kërkesat e minatorëve” (f. 71). Për situatën e krijuar pas  futjes së minatorëve në grevë dhe efektet që ajo do të jep në popull, Fadili është i qartë në vlerësimet dhe qëndrimin  e tij të cilin e diskuton edhe me autorin e librit: “Unë mendoj se ne duhet të jemi në mbështetje të plotë, të përpiqemi t’i inkurajojmë, t’u japim forcë e qëndresë minatorëve në kundërvënien e tyre dhe, sikurse besoj, edhe të popullit që do të mobilizohet ditëve në vijim për t’iu dalë në mbështetje me çka do që kërkohet dhe që ne kemi mundemi ta bëjmë” – tha Fadili. – “Kjo është e domosdoshme, sepse veç kanë filluar nga të infiltruarit të injektohen dozat e dëshpërimit, të paragjykimit për dështim, se minatorët shpejt do të dorëzohen, se vetëm i ka lajthitur sekush në një veprim që nuk ka perspektivë dhe do t’i lënë në baltë; e ne duhet t’i demantojmë këto, t’i demaskojmë, ta pohojmë të kundërtën dhe t’i glorifikojmë minatorët që po sakrifikohen për të mbrojtur autonominë e përmes saj, realisht, vetë atdheun, kombin dhe popullin; dhe se ne duhet t’i mbështesim, të solidarizohemi dhe të unifikohemi si popull në përkrahje të tyre. Apo nuk është kështu?”” (f. 330).

     Në debat diskutohen arsyet pse duhet mbrojtur autonomia, por vetëm  pozicioni mbrojtës nuk është i mjaftueshëm, me fuqinë e thellësisë së analizës ata vlerësojnë se duhet të kalohet   në shtrimin e kërkesës për statusin e republikës së Kosovës, kuptohet nëse Federata do të jetë e qëndrueshme. Këtë e arsyetim e thellon më tej Fadili:  “Atëherë, kërkesa jonë kryesore politike, ajo e Republikës, mbetet përcaktimi ynë, platforma jonë kombëtare” (f. 139). “Pavarësisht proceseve të dhunshme me imponim prapakthyese nga Serbia shoviniste, ndonëse ne do të mbrojmë autonominë, në të vërtetë kjo përballje do të na japë motiv edhe më shumë që të vazhdojmë rrugën e Republikës, si e vetmja rrugë për çlirimin nga Serbia.” (po aty). Në bashkëbisedim autori jep mendimin e vet, duke mbështetur dhe thelluar më tej mendimin e kolegut të tij:  “Për më tepër, duke e mbrojtur autonominë dhe rregullimin federativ, këto manifestime po e forcojnë platformën edhe për Republikë, me vetë faktin se masat e populli po bashkohen dhe të bashkuar kështu – do të kuptojnë se duhet shkuar më tej, të luftohet për çlirim” (f. 143).

      Fadil Vata duke analizuar zhvillimet politike, ku popullata  e Kosovës është vënë në lëvizje që përmes solidarizimit me minatorët të mbrojë autonominë, konstaton se:  “Edhe tash, masat punëtore e qytetare i kanë vënë në veprim, e në vend se t’u dalin e t’u prijnë – duket se disa prej tyre rrinë në prapavijë, sikur gjoja nuk kanë asgjë të bëjnë me reagimet e jashtëzakonshme të tyre! Analizat po ma nxjerrin, se tash është shumë vonë” (f. 164-165). Ky qëndrim i udhëheqjes autonomiste vlerësohet si qëndrim i dobët, si klasë që nuk kanë kauzë politike, as vizion politik për  hapat e më tejmë, por për më keq as guxim për të mbrojtur atë arritje mbi të cilën ishin ngritur vetë. Historia e ka dëshmuar se ata që nuk kanë guximin të jenë në ballë të kombit  në momentet e rëndësishme historike, ngelen në bisht të saj.

 

 

 

 

 

Kërkesa për statusin e republikës

si domosdoshmëri  dhe alternativë

      Autori nga debatet e zhvilluara  na prezanton qëndrimin e Fadilit dhe fuqinë e analizës që kishte ai në parashikimin e ngjarjeve, se çka do të ndodhë pas rrënimit të autonomisë, se si do të mbetet vakum në kryesi dhe struktura drejtuese legale të autonomisë, konkretisht në Kosovë. “Dhe, problemi mbetet. Çka pasi të krijohet vakumi i lidershipit? Si duhet vepruar, si duhet kompensuar kjo dhe si duhet bërë kalimi ynë në veprim në krye të masave, dhe kur kjo duhet bërë? Këtu do të përballemi me një sfidë të madhe, me vështirësi të jashtëzakonshme, e që duhet të gjejmë zgjidhje” (f. 195). Fadili argumenton më tej  se, veprimi më i drejtë  deri sa edhe formalisht mbahet Federata në këmbë,  është kërkesa për statusin e republikës, që do të ishte çlirim nga Serbia brenda Federatës, po ashtu në rast të shpërbërjes së saj ‘Republika’ do ti shërbejë Kosovës si pozitë shumë e avancuar, për  të arritur  drejtë pavarësisë së plotë.  “Dhe gjithnjë e më shumë duhet të largohemi nga autonomia dhe të angazhohemi hapur për Republikë dhe pikë – se vetëm kjo mund ta ndryshojë gjendjen, mund t’i heq vargonjtë e Serbisë dhe ta çlirojë Kosovën nga okupimi, dhe gjithnjë, në suaza të politikës evropiane, në kuadër të Federatës!” (f. 196).

      Në bashkëbisedim autori arsyeton qëndrimin e vet, se  mbetja e LPRK-së edhe në pluralizëm  si organizatë ilegale ka arsyen   dhe nevojën e vet të domosdoshme, për shkak të natyrës së regjimit serb, i cili  çfarëdo petku që vesh në thelb çdo herë është gjakatar ndaj shqiptarëve. “Dhe pikërisht këtu, pra te platforma për Republikë” – desha të theksoja unë, – “do të jetë hapësira jonë, mundësia që nga ilegaliteti të shprehemi hapur, të demaskojmë politikën shoviniste, pushtuese dhe antishqiptare, e cila jam i bindur se do të shoqërohet me dhunë – sepse pa dhunë ndaj shqiptarëve ngordh shovinizmi serb! Kështu, ne do ta përplotësojmë mozaikun kombëtar, duke avokuar për Republikën si pavarësim dhe çlirim nga pushtimi i Serbisë. Këtu ne mund të bëjmë shumë, atë që për shkak të mbikëqyrjes nga Serbia nuk do të mund ta bënin partitë legale” (f. 287) Është dhënë një  konstatim shumë i saktë, që në fakt është zbërthim i thelbit të  politikës serbe karshi shqiptarëve “ … pa dhunë ndaj shqiptarëve ngordh shovinizmi serb”. Është argument i vërtetuar shumë herë se dhuna dhe shovinizmi antishqiptar, sot e asaj dite është mënyrë e ekzistencës së nacionalizmit dhe shtetit serb.

Transicioni politik – rënia e sistemit socialist

      Në debatin mes shokëve nuk shpëton pa u trajtuar edhe procesi i fillimit  të rënies së sistemit socialist në vendet e Evropës Lindore në  krye me BRSS dhe posaçërisht ata i shqetëson fati i Shqipërisë socialiste. Për situatën në zhvillim Fadili shprehet “Një shndërrim kaq i madh dhe kaq i gjerë, ku të shembet jo vetëm perandoria sovjetike, po edhe satelitët e saj, të bie gjysma e rendit botëror – do të ketë probleme serioze. Shtetet nuk dihet se si do ta përballojnë këtë shndërrim, cilat do të jenë pasojat (f. 213). Autori shpreh bindjen se pas transicionit me vendosjen e sistemit pluralist partiak në shumë vende do të vendoset fryma demokratike, por një demokraci pluraliste e vërtetë nuk do të vendoset në Serbi. “Në një vend që në themel e ka ekspansionin, që synon ta kthejë kolonializmin në Evropë, që ndaj kombeve ka politikë shovinizmin, do të ishte tepër ideale, për mos të thënë iluzion, të besohet se mund të instalohet fryma e një demokracie dhe e një shteti ligjor…” (f. 279). Fadili nxjerrë konkluzion përmes pyetjes,  se pavarësisht si deklarohet pushteti post socialist në Serbi, për LPRK-në nuk do të ketë ndonjë lehtësim në veprimtari. “Domethënë, edhe në rast se lejohet pluraliteti partiak, ne do të duhet të vazhdojmë veprimin nga pozitat e ilegalitetit, apo jo!?” (f. 284). Duke shprehur mendimin e vet, Ali Ahmeti  argumenton se është diskutim pak para kohe,  por si do që të jetë, kjo çështje duhet lënë për më vonë bashkë me mënyrën e trajtimit.  “Sigurisht, për këtë do të vendosin organet tona drejtuese, atëherë kur të bëhet aktuale kjo çështje, e në çdo nivel unë do të insistoj në vazhdim të veprimtarisë nga ilegaliteti përderisa Serbia ndjekë politikë pushtimi ndaj Kosovës ashtu si edhe Republika e Maqedonisë dhe ajo e Malit të Zi kundër shqiptarëve autokton!” – tha Aliu. (f. 284-285).

      Fadili gjithsesi është i një mendimi me konstatimet e  dy kolegët dhe e thellon idenë edhe më tej.  “Gjithsesi, është e pritshme dhe reale, se neve do të na shtohen vështirësitë e pengesat; mbështetja dhe përkrahja ndaj nesh do të bien, sepse do të bëhen trend partitë e reja, të cilat do të kenë retorikën thuaja aq patriotike sa edhe ne. Do të ngjallen shpresa të llojllojshme, iluzione të reja.” (f. 285). Autori Abazi  me ndershmëri dhe largpamësi shpreh shqetësimin që pluralizmi partiak mund të sjell edhe përçarje në mes shqiptarëve,  dhe mu për këtë  ai shprehet që  LPRK të mos jetë konfliktuoze  me partitë e reja. “Kjo gjendje, do të na nxjerrë neve para një detyre të re: ne do të duhej të mos hynim në konflikt me partitë shqiptare, sepse kjo do të shkaktonte përçarje dhe prej saj do të përfitonte vetëm armiku ynë, Serbia!” (po aty). Duke reflektuar nga mendimet e kolegëve Fadili përmbledh qëndrimin se organizata – LPRK në çdo rrethanë duhet të jetë bashkëpunuese, por duhet të ruaj  pavarësinë  organizative, sepse është fjala për një organizatë që e ka të dëshmuar përkushtimin dhe patriotizmin. “Patjetër,” – tha Fadili, – “ne duhet të vazhdojmë ta ruajmë integritetin organizativ, frymën revolucionare e atdhetare, të lidhura në një, ashtu që Serbia të mos mund të na fusë nën kontrolle dhe që ne ta kryejmë misionin tonë kombëtar” (f. 287).

      Por edhe nga sistemi pluralist nën okupim, Fadili  argumenton se do të ketë një dobi praktike, sepse  sado pak aktivitete që do të zhvillojnë partitë politike legale ato  do të përballen me realitetin e egër të pushtetit serb:  “anëtarët e partive dhe ithtarët e tyre do të mësohen me organizimin, do të mësohen t’i artikulojnë kërkesat e ndryshme, t’i ndjejnë kufizimet, të përballen me pamundësitë dhe ta kuptojnë se realisht krejt ajo çka mund të bëhet nga partitë legale janë ato që ua lejon Serbia, dhe nëse ndokush  do të tentojë diçka përtej saj – nuk do të ketë sukses, sepse do t’i godasë shteti egërsisht sikurse ka bërë gjithmonë ndaj ne shqiptarëve!” (f. 288). Saktësia dhe përfundimi i  kësaj analize, pastaj është vërtetuar çdo ditë, deri në ditën e çlirimit të Kosovës nga Serbia. Kjo thellësi mendimi dhe fuqia e analizës së Fadil Vatës të frymëzon dhe të ngjallë  respekt edhe sot, sepse prova e çdo vizioni është përballja  e tij me realitetin e më pastajmë.

 Mbështetja  strategjike te  demokracitë  perëndimore

      Rënia e sistemit socialist në Evropën Lindore me në krye BRSS-në dhe më vonë edhe në Shqipëri, nga bashkëbiseduesit është qartësisht e parashikuar, ata konstatojnë ndryshime në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare  dhe krijimin e sferave të reja  të interesit, po ashtu ata nuk ndihen të shqetësuar me humbjen e frymës ideologjike të majtë. Çështje shumë interesante dhe e thellë, ideologu i LPRK-së,  Sekretari Politik i saj lë  anash ideologjinë dhe shumë para kohe. Para se të fillonte transicioni politik në Kosovë e Shqipëri, ai me guxim dhe largpamësi, kërkon pa mëdyshje të ndërrohet qasja strategjike duke e fokusuar orientimin politik, në kërkimin  e ndihmës nga bota demokratike perëndimore në krye me SHBA-të. “Arsyet janë të shumta, por po i sintetizoj.” – tha Fadili – “Duhet ta vëmë në fokus pikërisht SHBA, sepse ai sot, na pëlqeu apo jo, është vendi lider i krejt Perëndimit e edhe i NATO-s, po me rënien e bllokut sovjetik, do të rritet edhe më ndikimi amerikan. Dhe, le të shprehem me fjalorin e Ismail Qemalit,  nëse ne arrijmë ta hapim një derë në Shtëpinë e Bardhë, besoj se liria jonë kombëtare do të bëhet!” (f. 240-241).

      Fadili  deri diku i beson edhe Evropës Perëndimore, por e din qartë se ajo nuk do të jetë vendimtarja në çështjen shqiptare për të ndihmuar të drejtën e Kosovës, ai 10 vite përpara parashikon se liria e Kosovës  do të fitohet me ndihmën e SHBA-ve. Sepse “atë që nuk mundemi ne ta bëjmë dot – e bëjnë SHBA, po qe se Uashingtoni e kthen vëmendjen kah ne, po qe se arrijmë ta bindim se lufta jonë është e drejtë dhe për liri! Dhe kam një mendim se gjeopolitikisht, si e tërë Evropa dhe Ballkani, do të bëhen sferë interesi amerikane.” (f. 241). Me modestinë e një udhëheqësi të madh,  dijetari dhe filozofi  të vërtetë, të një metodisti shkencor të analizimit  të faktorëve dhe rrethanave, njeriu që nuk improvizon dhe nuk i bënë qefin vetit dhe shokëve, pa qenë i bindur  se tema ka kaluar nëpër metodat dhe  procedurat e tij të verifikimit, ai me lehtësi dhe elokuencë thotë: “Sidoqoftë, këto janë vetëm hamendësime, që nuk është koha për t’i shtruar për diskutim në instancat tona organizative, sepse është shumë herët, dhe ende nuk i kam përpunuar si duhet, për t’i parashtruar” (f. 242).

      Duke u bazuar në raportet shoqërore dhe intelektuale shumë të pastra dhe parimore,  autori Abazi si gjatë tërë bashkëbisedimit  kur vëren thellësinë e mendimit origjinal, se kjo çështje është duke u thënë për herë të parë në këtë mënyrë kaq të thelluar, ndihet i entuziazmuar i lenë hapësirë bashkëbiseduesit  për të shtjelluar  edhe më thellë temën, me dëshirën për të nxjerrë edhe  më shumë në këtë drejtim,  me shumë mirësjellje i bënë pyetje orientuese për temat  dhe qasjet që për kohën brenda organizatës kanë qenë gati blasfemi.  “Po e them. Për shembull, nuk e kemi shtjelluar se a është  e drejtë  që  edhe ne si marksistë-leninistë të kërkojmë mbështetje nga vendet kapitaliste, disa prej të cilave edhe imperialiste!?” (f. 246). Në këtë pyetje Fadili jep përgjigje të pa hamendësuar, që lë përshtypjen se shumë kohë më parë e ka bluar këtë temë në kokën e tij.  “Nëse është në të mirë të lirisë së kombit, pa fije dyshimi se është e drejtë” (po aty). Pastaj  ai e qartëson   qëndrimin ndaj SHBA-ve duke ndarë dhe zhvendosur faktorin ideologjik anash,  duke i dhënë rëndësi të vetmes pikë, çështjes kombëtare, çlirimit të Kosovës nga Serbia. “Për më tepër, sikurse e kemi thënë, se ne nuk do t’u kërkojmë mbështetje superfuqive imperialiste për revolucion socialist – sepse as nuk e kemi në rend të ditës e edhe sepse njëmend do të ishte absurde; po ne do t’i kërkojmë në emër të popullit mbështetje për çlirim nga robëria e Serbisë!” (f. 247).

      Fadili në bashkëbisedim  përdorë  metodën sokratike të shtrimit të pyetjeve thelluese të njëpasnjëshme për të verifikuar qëndrimet e veta, ose për të nxjerrë më shumë nga debati dhe për të arritur në përfundimin shterues. Pikërisht tema për t’u mbështetur më fuqishëm  me kërkesa për çështjen kombëtare te demokracitë perëndimore, e dëshmon qasjen  sokratike të bashkëbisedimit. Autori Abazi pasi ishte ardhur nga përendemi me detyrë të posaçme, duke qenë anëtarë i kryesisë  së Degës, natyrisht se i ka të njohura praktikat e veprimit  të degës së LPRK-së jashtë vendit, i shpjegon Fadilit me detaje veprimtarinë dhe qasjen  ndaj shteteve të fuqishme të  demokracisë  perëndimore dhe organizatave ndërkombëtare. “E pra, që ta dish, ne ashtu edhe kemi vepruar në diasporë. Ne kemi kërkuar vetëm mbështetje dhe zgjidhje për çështjen e Kosovës në kuadër të Federatës. Madje-madje, kërkesa për Republikë ishte si republikat e tjera, me vetadministrimin socialist jugosllav.” (f. 257).

      Autori gjatë bashkëbisedimit për të mbështetur qëndrimin e  Fadilit  radhitë fuqitë perëndimore  me të cilat lëvizja kombëtare, politika shqiptare duhet të vendos dhe thellojë bashkëpunimin. “Do të orientohej nga Perëndimi, duke kërkuar vendosje bashkëpunimi me Britaninë e Madhe, me Gjermaninë, me Francën…” (f. 268). Në vazhdim të këtij  mendimi Fadili me shpejtësi  saktëson. “Dhe sidomos me SHBA dhe me NATO-n, apo jo!?” (po aty). A nuk është madhështorë ky konstatim, për fuqinë e analizës dhe vizionit? Madhështinë e këtij pohimi mund  ta vlerësojmë vetëm me krahasimin e analizës së  profesor Ukshin Hotit “Individi dhe procesi politik -I” që i bënë dy  vite më vonë (17.04.1992) fjalimit të Ramiz Alisë në  Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së (28 shtator 1990), kur pas përfundimit të fjalimit një kohë të gjatë duartrokitet me respekt  nga gjithë të pranishmit në sallë. Profesor Hoti sqaron, se kjo nuk ishte se mbajti fjalim një kryetar shteti, se në atë sallë të tillë kishte shumë, por bota demokratike  e përshëndeti sakrificën me vetëdije që Ramiz Alia i bëri ideologjisë së vet komuniste 50 vjeçare, në emër të interesave shtetërorë  dhe kombëtar, duke marrë angazhim për t’i hapur rrugë demokracisë shumë partiake në Shqipëri.

      Më tej autori sjell argumentimet e  Fadilit për arsyen e domosdoshme të orientimit të bashkëpunimit me  shtetet Evropës perëndimore me në krye SHBA-të. “Dhe në këtë shekull, si në fillim të tij ashtu edhe në këtë fund, nga këndvështrimi im, si për rilindësit edhe për ne: nëse do të lind dielli për shqiptarët ai do të lind nga perëndon!” (f. 234). “Pikërisht për këtë, sikurse e the edhe ti, ne nuk mund t’i drejtoheshim shtetit sovjetik, për të kërkuar mbështetje për një çështje të drejtë sikurse është liria kombëtare, të cilën ai ua mohon kombeve që i ka nën sundim” (f. 236).  Autori i kujton bashkëbiseduesit se ai këtë çështje e ka biseduar dhe trajtuar hollësisht me shokë që në vitin 1982 gjatë vuajtjes së dënimit politik  në burgun e Mitrovicës së Sremit. “Ashtu si në atë konstatimin në burg që e kishim bërë, ishte prioriteti mbi të gjitha i çështjes kombëtare, ishte shpirti liridashës që e ndjente se po qe se do të mund të na vinte ndonjë vend në ndihmë në çfarëdo qoftë mënyre – ajo ndihmë do të vinte vetëm nga vendet e Perëndimit dhe nga ato duhej kërkuar ndihma” (f. 231).

      Kjo që ka shkruar autori është e vërtetë. Ne shokët e dhomës (Hajdin Abazi, Emrush Xhemajli dhe Ibrahim Shala) që ishim në burgun e Mitrovicës Sremit, gjatë viti 1982 duke biseduar dhe trajtuar të drejtën dhe domosdoshmërinë e realizimit të Kosovës Republikë, si hapë i parë drejtë realizimit  të së drejtës për vetëvendosje të shqiptarëve në Jugosllavi shtruam pyetjen hipotetike. Nëse në mënyrë të njëjtë na afrojnë garanci në realizimin e Republikës së Kosovës dhe të drejtën për vetëvendosje: Bashkimi Sovjetikë  si shtet socialist që është më afër ideologjisë sonë marksiste – leniniste dhe të njëjtën gjë na ofron superfuqia tjetër  imperialiste SHBA-të, ndihma e cilës palë do të ishte më e mirë për çështjen tonë kombëtare? Çuditërisht dhe fatmirësisht që  të tre ishim të një mendje,  se interesi ynë kombëtar do të mbrohej dhe realizohej më mirë me  ndihmën e SHBA-ve. Këtij qëndrimi i jepte përparësi largësia gjeografike e SHBA-ve dhe mos zbatimi i politikave asimiluese me aleatët e vet, kurse BRSS-në e penalizonte ideologjia pan-sllaviste ruse, bashkëpunimi i ngushtë me shtet sllave në dëm të tjerëve, ideja se një ditë Rusia do të instalohej në Serbi, dhe përmes “bashkëpunimit vëllazëror dhe internacionalist” me shqiptarët në një kamp, përmes asimilimit do të zhduknin popullin shqiptar dhe ata do të bëheshin zot në trojet tona, duke realizuar daljen në detin Adriatik dhe Jon. Kjo ishte e pa pranueshme  dhe e tmerrshme për neve, qoftë edhe vetëm sa për analizë futuriste.  Pas viteve të ’90-ta, sa herë e kemi kujtuar këtë debat me dy shokët ose kur ia kam treguar të tjerëve, jam ndier shumë krenar për shokët e mi dhe për vetën.

Duke argumentuar në bashkëbisedim nevojën dhe domosdoshmërinë për tu orientuar politikisht nga  mbështetja te Perëndimi, Fadili e mbështet mendimin duke u thirr në qëndrimin e rilindësve, si burim i pa gabuar i kursit kombëtar duke u njohur me bujari atyre epërsinë në qartësinë politike. “Dhe duke qenë se ne në radhë të parë e kemi luftën për lirinë e kombit, pra çlirimin e tij nga robëria serbe, pavarësisht besimeve ideologjike që kemi, ne jemi në të njëjtat pozita si edhe rilindësit, vetëm se ata, realisht, ishin shumë më të kthjellët se sa ne në përcaktimet ndaj Perëndimit” (f. 231-233). Po ashtu edhe veprimet e Degës së LPRK-së  jashtë vendit i vlerëson lart, sepse duke protestuar para institucioneve ndërkombëtare dhe evropiane, duke dërguar informacione, peticione dhe duke kërkuar mbështetje  për avancimin e pozitës së  shqiptarëve në RSFJ, duke kërkuar mbështetje për liri dhe barazi edhe brenda Federatës, ai nga këto veprime e sheh si të verifikuar objektivisht drejtësinë e rrugës për t’u mbështetur te politika perëndimore dhe e vlerëson shumë lart këtë veprimtari. “Unë gjykoj se ju keni bërë drejt, dhe e keni kryer detyrën në mënyrë e pikërishme, shoku H., të gjithë bashkëveprimtarët që i keni bërë këto angazhime, organizime, mund e përpjekje ndër vite” (f. 233). Bashkëbiseduesit janë të kënaqur se e kanë gjetur drejtimin e duhur,  se nga duhet të zhvillohet politika e ardhshme kombëtare, por ata do të vazhdojnë me grumbullimin e argumenteve për të  bindur bashkëpunëtorët, veprimtarët dhe masën e gjerë se pse ndodh ky ndërrim kursi. “Në mënyrë të tërthortë, pra, vërtetuam se veprimi ynë, sjelljet tona në raport me Perëndimin, përpjekjet për t’u afruar me vendet perëndimore gjithandej, kërkimi i mbështetjes dhe i ndihmës nga to – janë në interesin kombëtar të shqiptarëve strategjikisht. Dhe nuk ka se si të mos na kujtohet maksima e rilindësve tanë, përsëri e përsëri, se për ne dielli lind andej nga perëndon!” tha Fadili, duke nxjerrë një rrjedhim logjik prej krejt kësaj që kishim thënë” (f. 269). Ai e përsërit dhe e përsërit se “për ne dielli lind andej nga perëndon”, kjo qartësi  i jep fuqi dhe e shndërron në kurs politik për organizatën dhe kombin. Ky ishte parashikim gjenial i një mendje të ndritur, i një djaloshi që të gjitha energjitë fizike dhe mendore, shëndetin dhe kohën e mbetur të jetës, ja kishte kushtuar çështjes kombëtar. Duke e ditur se e ka jetën të shkurtër nga sëmundja e kancerit, ai jeton, mendon dhe vepron në mënyrë intensive, ai i prin kohës me ide, as koha e as zhvillimi i rrethanave objektive nuk e tejkalojnë atë, sepse mendja e tij rend shumë përpara.

      Një mbrëmje Fadili vjen me një ndjenjë gëzimi dhe optimizmi të madh, sikur i ka parë rrezet  e diellit të lindura në perëndim. Atij i ka mjaftuar një lajm i vogël, që përmes induksionit të nxjerrë përfundime të mëdha. Dhe ai si vizionar ka të drejtë të gëzohet më herët edhe nga parashenjat dhe mesazhet e koduara. “Sot në radio “Zëri e Amerikës” u tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tejet të interesuara për zhvillimet në Ballkan, që ato të shkojnë paqësisht dhe pa eskaluar” (f. 288-289). Sipas Fadilit ky është lajm i madh për kombin. Me këtë frymë ai i afekton edhe shokët. Aliu bënë pyetjen konstatuese: “Domethënë, e paskan futur Ballkanin si zonë të interesit amerikan”? (f. 289). Autori Hajdin Abazi shtron pyetjen përmbledhëse. “Dhe këtu, sigurisht se hyn edhe Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi? Ky do të jetë fat i madh për ne shqiptarët sidomos, po edhe për të gjithë popujt e tjerë!” (po aty).

      Sikur për të mbajtur edhe  gëzimin nën kontroll, sikur me qëllim të ulte entuziazmin e shokëve,  ai me seriozitetin e situatës shtonë edhe këtë fjali nga lajmi. “Nënteksti ishte se në Jugosllavi mund të shpërthejnë luftëra…” (po aty). Dhe vërtetë RSFJ i kishte ditët e numëruar, ajo së shpejti do të përfshihej nga  luftërat ekspansioniste që do t’i shkaktonte Serbia me kombet e tjera, dhe ky ishte fundi i paralajmëruar i RSFJ-së si ngrehinë artificiale e kombeve forcërisht të bashkuara nën një kulm. Kjo është pjesa tematike e librit, është pika më e rëndësishme e bashkëbisedimit të thellë  dhe përmbajtjesor, ku përcaktohet kursi i politikës kombëtare, që është  strategjia politike kombëtare, që autori na e sjellë të gjallë në kohën  tonë pas kaq vitesh. Kjo është pesha dhe porosia e librit, begatia e tij ku paraqiten momentet e kthesës së madhe në interes të çështjes së kombit  shqiptar.

Vetëm  rezistenca  e armatosur garanton lirinë

      Mbrojtja e autonomisë së Kosovës e vitit 1974 ishte një qëndrim taktikë, për të mos lejuar  karrocën historike të rrëshqiste prapa, sepse do të vështirësonte pastaj realizimin e statusit të Republikës, dhe për këtë  arsye  mobilizimi i popullit shqiptar për rezistencë ishte më i  shpejtë, sepse po i merrej e drejta që e kishte pasur. Por atdhetarët shqiptarë dhe  LPRK-ja – a duhej të ndalej vetëm me kaq? Kurrsesi, jo, sepse Fadil Vata me shokë kishin vizion dhe objektiv të qartë për avancimin e statusit të krahinës në republikë. “Po kaq largpamëse ishte edhe ajo se nëse arrinte Serbia ta suprimonte autonominë, e që ishte e pritshme, atëherë publikisht të braktisej platforma e autonomisë dhe të mos shndërrohej në platformë kërkesa për rikthimin e saj, po përkundrazi – të riaktualizohej e rishtrohej publikisht vetëm platforma për Republikë si zgjidhja e vetme e drejtë brenda Federatës” (f. 198). Autori me shumë qartësi na ka paraqitur fuqinë vizionare të Fadil Vatës për zhvillimet politike në ardhje. Mendimi orientues për të ardhmen nuk ka se si shprehet më qartë, se sa në argumentimin që jep Fadili. “Maksima jonë është e qartë si kristali: rruga jonë është liria” – vazhdoi Fadili, – “e se çfarë forme konkrete do të marrë – pra a do të jetë ndonjë lloj rezistence për shkëputje nga Serbia e mbetje brenda Federatës jugosllave, apo do të shndërrohet në një luftë për çlirim përfundimtar edhe nga Serbia e edhe nga Jugosllavia – këtë nga sot nuk mund ta dimë me saktësi. Ajo që e dimë është se ne jemi të vendosur që të mos nënshtrohemi, të mos heshtim, të mos dorëzohemi, të rezistojmë dhe ta shpiem përpara çështjen e lirisë sonë kombëtare” (f. 322). Nuk ka shumë  fjalë, nuk ka shumë teorizime, në situatat e jashtëzakonshme kërkohet mendimi i qartë dhe ai është i formuluar me katër fjalë: “rruga jonë është liria”. Por se si do të arrihet te liria këtu shtrohen   temat dhe pikëpamjet për diskutim dhe analizë.

      Ardhja e pluralizmit partiak edhe në RSFJ ishte e dukshme dhe si proces i pashmangshëm. Vetëm me rrugë politike dhe protesta paqësore nuk ishte e mundur që të fitohej Republika përderisa ekzistonte Federata, por në rrethana të tjera duhej të kalohej në veprime  tjera dhe platformë çlirimtare. “Dhe për aq kohë sa do të jetë ky konstelacion forcash, ne mbetemi në tabanin e rezistencës paqësore, kurse me të ndryshuar pak, minimalisht fare, rrethanat në favorin tonë, ne do t’i rrokim armët – sepse vetëm rezistenca e armatosur do të jetë alternativa e çlirimit nga Serbia” (f. 208). Fadili është i vetëdijshëm se çlirimi nga Serbia nuk mund të vijë  vetëm me luftë politike, me sjellje dhe norma demokratike, sepse Serbia nuk ishte demokratike. Është me rëndësi të theksohet se lindja e partive të reja demokratike në pluralizëm dhe  organizimi i lëvizjes paqësore legale në Kosovë nuk vlerësohej si rivale  politike e as organizim armiqësor, por vetëm si i pa mjaftueshëm për arritjen e lirisë. “Atëherë, lëvizja paqësore është opsioni i diktuar nga kushtet e rrethanat tona, nga relacioni i forcave midis pushtueses Serbi dhe të pushtuarës Kosovë; kjo domethënë se ne nuk duhet t’i mbështesim shpresat dhe besimin ekskluzivisht te ajo, sado të duket e fuqishme dhe masive – sikurse është tash, por duhet ta shfrytëzojmë si formë veprimi në një periudhë deri sa të dobësohet armiku dhe ne të kemi mundësi të organizojmë edhe rezistencën e armatosur” (f. 209).

      Autori në debat me Fadilin shtron çështjen e   faktorit ideologjik të organizatës, se cili duhet të jetë raporti i ideologjisë  me çështjen kombëtare  që kërkonte zgjidhje. “Sepse, ndonëse ne jemi të majtë me bindje, veprimet, përcaktimet dhe kërkesat i kemi ekskluzivisht për çlirim kombëtar.  Ky përcaktim yni nuk është kundër lëvizjes revolucionare në botë po është e kundërta – nëse kuptohet në thelb është një përforcim i saj, ani se nuk jemi të lidhur  organizativisht. Për ne është jetike atdheu, kombi, shpëtimi nga shfarosja, për çka, mendoj unë, busulla kryesore duhet të jetë pikërisht çlirimi nga pushtimi serb, ashtu sikurse ka qenë gjithherë. Apo nuk është kështu, shoku F.?” (f. 223-224). Dhe këtu drejtuesi i madh, si çdo herë, i ka gjërat shumë të qarta dhe është i përcaktuar  me shokët se cili duhet të jetë kursi politik e ideologjik, për shkak të ndryshimit të rrethanave gjeopolitike. “Eh, kjo është më kompleksja” tha Fadili si duke u gëlltitur dhe sikur t’i zgjidhte fjalët me kujdes, që të mos shkaktohej ndonjë keqkuptim. “Na kthen pas, një shekull në kohë. Te rilindësit. Te ajo thënia profetike, që e kemi zënë në gojë disa herë e që shpesh e themi, se për shqiptarët dielli lind në Perëndim” (f. 220).

      Autori për të mbështetur vizionin e bashkëbiseduesit  thirret edhe një herë  në bashkëbisedimin me shokët e qelisë në burgun e Mitrovicës së Sremit, se interesi kombëtar dhe politik i kombit shqiptar është orientimi te demokracitë perëndimore në krye me SHBA-të si superfuqi dhe vend prijës i demokracisë  perëndimore. “Ashtu si në atë konstatimin në burg që e kishim bërë, ishte prioriteti mbi të gjitha i çështjes kombëtare, ishte shpirti liridashës që e ndjente se po qe se do të mund të na vinte ndonjë vend në ndihmë në çfarëdo qoftë mënyre – ajo ndihmë do të vinte vetëm nga vendet e Perëndimit dhe nga ato duhej kërkuar ndihma” (f. 231). Në atë kohë, për një pjesë të shokëve të ilegales kjo ide mund të ishte herezi, për një pjesë e pa kuptueshme, kurse për kundërshtarët e LPRK-së e çuditshme dhe kontradiktore, por Fadili është i qartë dhe vizionar edhe në aspektin pragmatik organizativ. “Ne me përgjegjësitë që kemi, duhet të shohim më larg, atje ku shumica nuk shohin ose as nuk ju shkon ndërmend se mund të ketë diçka në atë distancë e cila të na vijë mu drejt nesh e te ne dhe të na gjejë të papërgatitur” (f. 272). Kjo është përparësia e vizionarëve të kombit, që t’i shohin gjërat me vite para të tjerëve, ata nuk e kanë mundësinë t’i përjetojnë gjërat  së bashku me popullin për të cilin sakrifikojnë, ata duhet të gëzohen para të tjerëve kur shohin vizion e lirisë dhe i besojnë atij dhe duhet të vuajnë dhe mërziten shumë kohë para popullit, kur ndjejnë ardhjen e rrebesheve të historisë që do të bien mbi kurrizin e tij.

Greva e urisë e minatorëve të Stan Tërgut

      Para  drejtuesve të LPRK-së shtrohet me seriozitet çështja e shëndetit të minatorëve  të ngujuar në  zgafellen e minierës së Stan Tërgut në mbrojtje të autonomisë, çfarë efekte do të ketë dhe  cili duhet të jetë qëndrimi organizatës. Fadili shprehet se ë shtë  krijuar opinioni se “kjo është e nxitur prej klasës teknokratike e politike të autonomistëve – si akti i fundit, si përpjekja finale e mundshme për ta mbrojtur autonominë dhe për ta ruajtur rendin kushtetues federativ” (f. 328). Ishte e kuptueshme se e grevën e kishin organizuar një pjesë e autonomistët titistë, pavarësisht kësaj ajo gjithsesi duhet përkrahur dhe organizata duhet të kishte qëndrime të qarta për veprim. Në këtë diskutim ishte i pranishëm  edhe Afrim Zhitia i cili flet për rëndësinë që ka kjo grevë për çështjen politike kombëtare. “Gjendja do të shkojë duke u ndryshuar nga ora në orë, bashkë me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të minatorëve që pritet shpejt të ndodhë, e nuk dihet se si do të shkojë rrjedha dhe cili do të jetë fati i minatorëve po edhe i kësaj greve urie” (f. 330). Duke e parë seriozitetin e situatës autori shpreh gatishmërinë për të dhënë kontributin për situatën krijuar edhe me aktivitete konkrete organizative  në teren. “Unë jam dakord.” – thashë dhe duke e kuptuar nevojën e rrjedhave, shtova: – “Në rast se duhet dhe mund të kontribuojë në terren, jam i gatshëm të shkoj e të jem aty ku ju e shihni të udhës, sepse në këtë gjendje nuk duhet të kursehemi në asgjë askush nga ne” (f. 330-331). Përgjigja e Fadilit në këtë  nuk është kursyese, ai  nuk ka dyshin në gatishmërinë e shokëve të ardhur nga jashtë, por i vlerëson rrethanat dhe koston e veprimeve të tyre. “Nëse ka nevojë, sigurisht se do të ta themi, shoku H.”, – tha Fadili, “do ta themi pa më të voglin ngurrim, pasi që ne të gjithë jemi në shërbim të këtij populli dhe të lirisë!” (f. 331). Fadili   e  pranon se greva nuk është e organizuar nga LPRK por nga një pjesë e autonomistëve dhe nuk mund ta drejtonte LPRK-ja atë, por ajo gjithsesi duhet ndihmuar që të japë efekte sa më të fuqishme. “Plotësisht dakord, pasi që ne jemi në një ngjarje ku të tjerët janë dizajnues të saj;” – tha Fadili. – “Po që ne mund të japim shumë dhe ta bëjmë rezistencën aq sa të jetë e mundur të qëndrueshme.” (po aty).

Autori propozon veprimin që i duket më i drejtë dhe më efikas, thekson rëndësinë e komunikimit dhe sqarimit të masave të gjera me realitetin e ngjarjeve dhe drejtimin e zhvillimeve të tyre. “Mendoj se do të ishte mirë të botonim një fletushkë, ta quajmë me emrin e forcës kurrizore të kundërvënies së tashme “Minatori”, ku do t’u drejtohemi të gjitha klasave e shtresave pa përjashtim, me thirrjen që të bashkohen, të solidarizohemi dhe t’i dalim zot atdheut e kombit!” – propozova unë. (f. 332). Afrimi, Fadili e Aliu  pajtohen me propozimin e Hajdin Abazit  dhe ashtu vendosin dhe në libër autori konstaton se “Kësisoj, po involvoheshim edhe ne më drejtpërdrejt në vorbullën e këtyre ditëve dhe të këtij gufimi të historisë.” (po aty). Nuk ka dilemë se edhe revolucionarët, edhe patriotët me objektiva të larta kombëtare, parimisht e as praktikisht nuk përkrahin regresin në asnjë rrethanë, e aq më pak kur është fjala për të drejtat dhe liritë kombëtare aty nuk hamenden fare. Por takimet dhe ndarjet me shokët e lëvizjes kombëtare revolucionare ilegale, nuk bëhen me protokoll dhe agjenda të planifikuara, ato vijnë si rezultat i zhvillimit të  dinamikës së ngjarjeve në teren dhe nga raporti me forcat policore ndjekëse të pushtuesit. Prandaj e nesërmja  gjithmonë është e panjohur për fatet personale të drejtuesve dhe të  aktivistëve të vijës së parë.  “E dinim se situatat do të zhvilloheshin bujshëm e rrëmujshëm, po as që më kishte shkuar ndërmend se ky do të ishte bashkëbisedimi i këtillë i fundit me Fadil Vatën dhe Afrim Zhitinë.” (f. 333). Me shokët e veprimtarisë patriotike, me shokët e idealit ndarja gjithmonë është e vështirë, emocionale dhe   shkakton dhimbje, sepse ata vërtetë janë shumë trupa por kanë  një shpirt,  një frymë. Prandaj kujtimi dhe lavdia për shokët e gjallë dhe të rënë është  e përjetshme në mendjet dhe zemrat e shokëve që vazhdojnë rrugën përpara. Po sa mirë kur ajo ndjenjë dhe lavdi përmes këtij libri mund të ndahet edhe me të tjerët, e sidomos me patriotët dhe revolucionarët e brezave të  ardhshëm.

Bashkëbisedimi  për filozofët dhe  filozofinë

      Të gjithë të burgosurit politik janë në burg për shkak të leximit të shumë librave, që kanë formësuar idetë e tyre kundër regjimit të caktuar për gjendjen e rëndë dhe të padrejtë,  apo kundër  pushtuesit shekullor. Po ashtu ata edhe si të burgosur politik lexojnë shumë për të ngritur nivelin intelektual, për të qenë drejtues të kompletuar dhe  për të vazhduar më tej veprimtarinë kombëtare e revolucionare me bindje dhe siguri më të madhe. Kurse liderët dhe ata që kanë prirje  për studime  filozofike dhe politike, që shquhen në rolin e ideologëve, lexojnë edhe shumë më shumë se të tjerët. Mungesa e librave për ta, edhe kur ndodhen në vlugun e angazhimeve për liri, është sikur  të ngelet peshku pa ujë, në fakt ky do të ishte dënimi më i madh i tyre. “Nganjëherë, kur kështu nuk kam dot gjumë, e jam në ndonjë bazë si sonte, më djeg malli të isha në bibliotekën time e të merrja ndonjë libër për ta lexuar; aq rrafsh më rrok për librat. Beso, kur i mbyll sytë, më shfaqet imazhi i bibliotekës sime dhe më bëhet se më hedhin një shikim pyetës librat, si të më thoshin: “Ç’u bë, na harrove!” Po e ndjej mungesën e leximit, shumë po e ndjejë.” – tha Fadili me një tingëllimë zëri që edhe shprehte një pasion të jashtëzakonshëm për leximin po edhe një keqardhje që nuk mund ta përmbushte këtë” (f. 291-292).

      Një natë të vonë autori i shpreh keqardhjen Fadilit, se të mora kohën e gjumit me debatet e stërholluara politike e teorike. “Hiç mos të të vijë keq. Aspak! Unë vet desha, dhe ishte një kënaqësi e papërshkrueshme intelektuale debati që kemi pasur ç’prej se keni ardhur ju dy shokët nga Dega jashtë vendit! Nuk do ta ndërroja me asgjë në jetë!” – tha e befas u ndal dhe shtoi: – “Jo, gabim e thashë! Mund ta ndërroja, vetëm në shkëmbim të lirisë! Po atëherë nuk do të ishte fundi, po krijimi i mundësive të reja e më komode për të vazhduar bashkëbisedimin sa herë të donim, kur të kishim nevojë dhe pa u penguar nga asgjë!” (f. 324). Nuk  ka mënyrë më të saktë, më të qartë, më emocionale dhe më madhështore që të shprehet dëshira për lexim dhe studim, se sa ky mendim i artikuluar nga mendja dhe shpirti i Fadil Vatës.

      Debati vjen duke u bërë më i ngushtë dhe më akademikë në mes bashkëbiseduesve, sidomos kur kalohet  krejtësisht në fushën e filozofisë, kur diskutohet për rëndësinë e saj  në ngritjen intelektuale, për më tepër kur ajo merret si pasion dhe veprimtari bashkë. “Filozofia, për mua, është fanari i mendjes, të cilën e bën të shohë në errësirën e të panjohurave në të cilën ndodhemi si njerëz dhe të mund të shquajmë kahet se kah mund të ecet” (f. 156). “Dhe është pikërisht filozofia që më ka bërë ta kuptoj se nëse hyn në politikë ose duhet të hyhet pa orar, me angazhim të tërëkohshëm ose të mos hyhet fare. (f. 157). Fadili shpreh  pëlqimin e tij që ka për filozofët dhe filozofinë antike, sigurisht se aty janë vrojtimet e para sistematike të natyrës dhe shoqërisë dhe lindin definicionet e para, që shpjegojnë dukuritë deri atëherë që kishin vetëm shpjegimin e zotave. “Unë jam i fascinuar prej filozofëve të lashtë grekë” – vazhdoi Fadili, -“aaahhh, ata ma kënaqin shpirtin, por, njëkohësisht, në vend se të ma shuajnë, ma shtojnë etjen intelektuale!” (f. 293).

      Nuk është e rastësishme që Fadil Vata ka pasur këtë dashuri  dhe pasion për studimin e filozofisë, ashtu si nuk ka dyshim se ai këtë pasion e kishte të lindur bashkë me talentin, por ka edhe më tepër. Ai pati fatin që lindi në një shtëpi, që në moshën e adoleshencës  pati jo vetëm “një raft me  libra” (si shprehet filozofi norvegjez Tomas Hilan Eriksen), por një bibliotekë të tërë me libra të filozofisë, politikës, historisë dhe letërsisë. Këtë bibliotekë e kishte ngritur djali i mixhës  10 vite më i vjetër se Fadili, student i Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Zagrebit Riza Vata, intelektual, veprimtar i çështjes kombëtare dhe i dënuar politik.

      Njohjen më të mirë dhe më të pëlqyer për mësimin e historisë së filozofisë Fadili e ka nga Hegeli, sepse duke qenë Hegeli filozofi më i madh i shekullit XIX sigurisht se në shpjegimet dhe interpretimet e tij  ka plotësuar edhe pritjet e tij, ku ai shpreh vlerësimin e lartë për te. “Unë, deri më tash, analizën më të mirë që e kam lexuar për filozofët e lashtë grekë është Historia e Filozofisë, në dy pjesë, e Hegelit (në kroatisht). Nga tekstet universitare dhe burime të tjera mbi historinë e filozofisë, në shumicën syresh, nuk jam ndarë i impresionuar gjithaq, sepse disi i portretizonin tepër mekanikisht, vetëm si ide të shkëputura; kurse Hegeli e kishte lëshuar plugun e mendjes thellë në studimin e tyre, dhe kishte shijuar polenin filozofik të tyre me tërë magjepsjen e mundshme!” (f. 293-294).

       Mirëpo debati nuk përfundon me kaq për Hegelin sepse edhe autori është njohës i mirë i filozofisë së tij dhe rezulton se është i thelluar në analizën e përmbajtjes  së saj, prandaj debati vjen duke u stërholluar dhe imtësuar deri në çështjet e shpjegimeve konceptuale. “Porse…” –thashë dhe mendova se si të vazhdoja me kujdes, sepse m’u kujtua se sa i pushtuar kam pas qenë nga filozofia e Hegelit sa që pata menduar se ajo ishte produkti më madhështor i mendjes njerëzore ndonjëherë dhe se sa fillimisht u pata lënduar kur edhe vetë hetova disa gjëra që nuk shkonin; prandaj vazhdova duke e moderuar paksa atë që kisha për t’i sugjeruar, – “porse duhet pasur kujdes me Hegelin. Natyrisht, jo vetëm pse është filozof paramarksist dhe për shkak të kritikës së Marksit ndaj tij, po sidomos për shkakun se ai e ka drejtuar shqyrtimin e tij me një objektiv: të derivojë prej tyre idenë e absolutes. Në këtë aspekt, duhet lexuar me vëmendje, ose ndoshta më saktë, me sy kritik interpretimin e Hegelit. Mundësisht, gjatë leximit, të mos e lejosh të të fusë në narkozën e tij filozofike, po të përpiqesh ta lexosh e studiosh nga një distancë, që të shquash se ku ai i ndërfut objektivat e tij, e kur ti nuk duhesh futur në ingranazhet e mendimit të tij ashtu që të mbetesh brenda” (f. 294-295).

      Bashkëbiseduesi i Fadilit, autori Hajdin Abazi, është këmbëngulës që t’i shkojë më tej shpjegimeve dhe interpretimeve të filozofisë së Hegelit, duke argumentuar se çka përmban thelbi i saj, që nuk është vetëm interpretim por edhe rimodelim i pikëpamje të filozofëve para tij. “Unë, shoku F., e kam lexuar tri herë atë  [historinë e tij të filozofisë], dhe vetëm në herën e tretë, kam nisur t’i kuptojë krahas arritjeve edhe anshmëritë e Hegelit në trajtimin e filozofëve të lashtë, sepse e bën me aq elegancë, sa edhe zbulon madhështinë e tyre, por edhe i bën krejt natyrshëm ta ndjekin mendimin filozofik të Hegelit” (f. 295). Hajdin Abazi, në mënyrë shumë të përmbledhur dhe përmbajtjesore, e shpjegon  mekanizmin  e interpretimit të filozofisë së lashtë nga Hegeli dhe se si ai e rimodelon atë “… ai e bën me aq elegancë, sa edhe zbulon madhështinë e tyre, por edhe i bën ta ndjekin mendimin filozofik të Hegelit”, nuk ka si shpjegohet më qartë dhe më shkurt se kaq, qasja filozofike e Hegelit për filozofinë antike.

      Nga të dy shokët bashkëbisedues udhëheqës të lëvizjes ilegale, debati filozofik  është kuptuar shumë drejtë, si ballafaqim i pikëpamjeve dhe thellim i njohurive për filozofinë e lashtë. Ky debat vijon me pasion dhe kënaqësi të madhe, sepse të dy janë përfitues nga debati që bëhet në rrethana të jashtëzakonshme, në një shtëpi të vogël periferike të qytetit të Obiliqit. I frymëzuar nga Talesi, Fadili vazhdon më tej  shpjegimet e tij. “Kthesa më e madhe e njerëzimit, rilindja mendore, heqja e vargonjve mitikë e hapja e mendjes me racionalitetin njerëzor, a nuk është diçka fenomenale që nisi me një ide të thjeshtë: me ujin? Në një farë mënyre uji, pa asnjë veti hyjnore, u bë si një zot i cili ka kapacitetin të transformojë gjithçka dhe të vetë-transformohet, të shndërrojë e të shndërrohet, të derivojë gjithçka nga vetja dhe të rikthehet sërish në gjendjen primordiale” (f. 296). Edhe për Fadilin filozof është me shumë rendësi fillimi i fillimit të shkëputjes nga fuqia e shpjegimit hyjnor drejt materies dhe arsyes, dhe për këtë ai mahnitet nga filozofia dhe qasja ndryshe e Talesit  për shpjegimin e dukurive natyrore. Dhe këtë vlerësim të Fadilit për Talesin  na e sjell të plotë autori në libër. “Ah, sa shpesh kam “folur” me Talesin dhe “i kam bërë pyetje” se si ia kishte arritur kësaj, nga i erdhi ideja, si ia bëri që ta bënte një teori që shpjegonte botën pa ia pasur nevojën një krijuesi hyjnor!” (f. 297).  “Thalesi zbuloi dritën e mendjes njerëzore, të arsyes, të logjikës, të racionalitetit…” (po aty).

      Autori Abazi në këtë   debat vazhdon të ndjek linjën e vet të argumentimit,  duke shtyrë temat që  janë me interes të debatohen edhe nga këndvështrimi i tij, por me qëllim që ato të ballafaqohen edhe me mendimet e Fadilit. Për çështjet e shtruara, rëndësia e mendimit, studimit kritik dhe qasja dialektike e të kuptuarit të këtyre studimeve, për të dy ka rëndësi të veçantë. Fadili tregon: “ne kemi punuar shumë sa ishim në burg në këtë drejtim, që të edukohemi me një shqyrtim dialektik, të gjithanshëm, nga të gjitha perspektivat e mundshme, e po ashtu edhe me qasje kritike. Nga përvoja ime e kam kuptuar se përgjithësisht nuk pëlqehet shqyrtimi kritik, më shumë ju flenë në zemër pajtimi për atë që thuhet, duke pohuar se kështu ka thënë ky e kështu ka thënë ai ideolog, por pa e shqyrtuar se sa përputhet me kushtet e rrethanat tona” (f. 300). “Nga një herë më mbushet mendja se njerëzit në përgjithësi janë me prirje të mendojnë me klishe e konform disa rregullave, sepse janë përtacë dhe nuk duan ta vejnë mendjen në punë….” (f. 301). Fadili, si njeri i ngritur  dhe  i angazhuar në veprimtarinë teorike dhe organizative të LPRK-së, çdo dije  mundohet që ta materializojë dhe ta bëjë të dobishme për  qartësimet e analizë për vizionin e së ardhmes si instrument të politikës së organizatës. Fadili shprehet: “prej tyre më vjen gjithnjë një inspirim që më bën t’i shoh gjërat më ndryshe, të reflektojë politikisht më afër situatave dhe zhvillimeve. Prej tyre kam kuptuar se opsionet dhe hamendësimet – ndonëse vetëm të marra me mend – mund të na hyjnë shumë në punë për ti shquar mundësitë më lirshëm dhe më guximshëm, për të ecur në rrjedhën e proceseve…” (f. 306).

      Si drejtues i  LPRK-së Fadili është i preokupuar me  vendimmarrjen e udhëheqjes e cila duhet të bazohet në analizën e rrethanave dhe faktorëve përcaktues. Kur pikërisht është momenti i duhur për një vendim të rëndësishëm, që të mos jetë herët, të mos jetë as vonë, por të bëhet pikërisht në kohën e saktë, në kohën e arrirë për veprim, kur kontradikta nuk duron më. Nga ky këndvështrim ai është shumë i kujdesshëm që të jetë në  kohë me vendimet e Lëvizjes, prandaj pikëpamja e Heraklitit mbi rrjedhjen e vazhdueshme të kohës  i ka lënë vulë në kokë. “Gjërat ndryshojnë dhe ne duhet t’i shquajmë ato,” – tha Fadili. – “këtej ideja se gjërat duhet kapur në kohën e duhur, atëherë kur ndodhin, përndryshe ato ecin rrjedhës së vet, shkojnë tutje dhe ti mbetesh autsajder! Kur i mendoj këto, gjithnjë e kam parasysh thënien emblematike të Heraklitit se “nuk mund të hyhet dy herë në të njëjtin lumë” pasi që rrjedha e ujit ka ecur tutje edhe pse ti nuk e ke shquar atë. Sa herë që ndodhem para situatave të këtilla, gjithnjë e kujtoj këtë thënie të këtij filozofi të madh, dhe gjithnjë më bën ta kuptoj se nuk duhet të ndalemi, duhet të ecim, të shkojmë tutje, duke i ndjekur, por edhe duke i orientuar veprimet tona në kuadër të proceseve nëpër të cilat jemi duke kaluar gjithnjë në funksion të lirisë” (f. 307). Duke folur mbi filozofinë e Heraklitit dhe  frymëzimin  që ka pasur ajo, Fadili  shprehet se pikërisht  në këtë drejtim të studimit të filozofisë së  tij, edhe ai  do kishte dhënë një kontribut origjinal.  “E di se është shkruar shumë e gjithandej botës për këta filozofë, por seç ndjej se edhe unë kam për të thënë diçka!” (f. 309). Ne që e kemi njohur nga afër nuk kemi aspak dyshim, se të jetonte më gjatë Fadil Vata do të shkruante  studim edhe mbi filozofinë e Heraklitit. Ne sot mjaftohemi me  dëshirën  e shprehur të tij  që na e shfaq autori Hajdin Abazi, duke na e  përforcuar bindjen se sa i thellë dhe i pasionuar ka qenë Fadili për dijen, filozofinë dhe shkencën.

      Në radhën e filozofëve  që ka adhuruar Fadili është edhe Parmenidi, i cili kishte bërë ndryshim të madh në fushën e ontologjisë, duke  sjellë pikëpamje të reja për qenien dhe jo-qenien. Kjo pikëpamje ka qenë arritje e madhe dhe guxim i jashtë zakonshëm,  kur Parmenidi në antikitet argumenton se ekziston vetëm qenia. “Pastaj, Parmenidi, aaaah, ky më bën të ngrihem në këmbë kur e lexoj! Fragmentet e mbijetuara të tij i kam lexuar shumë herë” (f. 309) Dhe vazhdon: “E kam pas konceptuar si një poet që ka shkruar një pjesë të komedisë së zezë. Por, më pas, diçka nuk më  linte ta hiqja nga mendja dhe i kam lexuar sërish nga disa herë fragmentet e tij, dhe kur jam thelluar në to – atëherë kam kuptuar diçka që më duket se pajtohem me të! Po, po, mendoj se ai e ka një mesazh interesant – të kriptuar, sepse të guxosh të shkruash diçka të tillë, ku i mohon të gjithë filozofët pararendës dhe atë që secili njeri e percepton në përditshmëri – thekson se nuk ka asgjë tjetër pos qenies sepse jo-qenia nuk është, domethënë se ai do të ketë kuptuar diçka që asokohe ndoshta askush nuk e kishte kuptuar, dhe se do të mbetet i pakuptueshëm deri në fund.” (f. 310). Autori  Hajdin, Abazi që është në të njëjtën kohë edhe bashkëbiseduesi i Fadilit,  gjatë këtij dialogu filozofik është i vëmendshëm, dhe çdo herë i gatshëm për të thelluar më tej bisedën, duke shtuar se krahas pasionit të studimit të filozofëve që adhurojmë, qofshin edhe të lashtësisë, ligjet e zhvillimit na mësojnë se për shkak të zhvillimit dhe përparimit të dijes njerëzore, ato edhe duhet të tejkalohen pikërisht pse ne jemi të thelluar aq shumë në to. “Por kjo nuk është dashuria e vërtetë ndaj dijes, pra nuk është filozofia; sepse dashuria e vërtetë e dijes është pikërisht qasja kritike, duke u munduar për të shkuar një hap më tej, për të treguar se ato janë të pamjaftueshme ose edhe me ndonjë gabim që i bën të paqëndrueshme, dhe duke sjellë njohuri të panjohura më parë, që e tejkalojnë edhe dijen apo filozofinë që dikur e adhuroje. Dashuri e “çuditshme” apo jo?” (f. 312). Nga rrjedha e  debatit shihet se Fadili  nuk tregon tendenca për konfrontim me kolegun Hajdin për të humbur kohën me detaje në shtjellimet konceptuale dhe perceptimin personal të fenomeneve. Fadili kundërpërgjigjet nga bashkëbiseduesi i merr si  inspirim për thellim të debatit, për përplotësim të njohurive dhe mënyrën e shpjegimit, që e kuptojmë nga atmosfera e përshkruar e debatit, se ai në rastet e tilla shfaq një gëzim dhe falënderim të brendshëm.  “Dhe ma kujtove thënien e Aristotelit se e dua Platonin, mësuesin e tij famëmadh, po më shumë e dua të vërtetën, dhe mbi këtë bazë nis ta shqyrtojë në mënyrë kritike filozofinë e mësuesit të dikurshëm të tij” (f. 312). “Eh, e te ne, po guxove t’i bësh sekujt qasje kritike në pikëpamjet që shprehen, e lëre më ndaj një teorie që ne e adhurojmë ose e kemi përvetësuar, atëherë menjëherë nisin dyshimet, aludimet e shpotitjet për largim nga vija, pa gjykuar se a është ajo e drejtë apo jo! E po qe se shprehesh me elozhe ndaj idolit, atëherë ti je i denjë për të qenë adhurues i tij! Mungesa e edukimit me mendimin kritik te ne, na ka ngulitur qasjen vetëm dy ngjyrësh, bardh e zi!” – e shprehu Fadili shqetësimin e tij. – “Ne mendimin kritik e kemi veç me fjalët “nuk është ashtu” ose “nuk e ke mirë!” (f. 312-313). Këtu dëshmohet se ai e kishte të pjekur mirë metodën e analizës dialektike dhe materialiste për shpjegimin fenomeneve shoqërore dhe dukurive natyrore, ai nuk ishte rob i pikëpamjeve dogmatike dhe as i citimeve të klasikëve të marksizmit për çdo situatë të re sfiduese. Ai kishte arritur nivelin e njohurive filozofike, që vet të jepte mendimet për kohën dhe rrethanat, pikërisht mbi analizën e metodës dialektike.

      Debatit filozofik në mes dy shokëve nuk ka mundësi të ju ik  trajtimi i dy filozofëve më të mëdhenj të filozofisë antike, Platoni dhe Aristoteli, veprat e të cilëve Fadili i ka pasur shumë për zemër, e disa prej tyre i ka lexuar shumë herët, por ishte i pa kënaqur vetëm me aq. Ai ëndërronte studimin e thelluar të filozofisë të tyre, për ta bërë atë thesar dije të afërt dhe të dobishëm për lëvizjet shoqërore për shekullin 20  e 21-të. “Fill pas filozofëve që njihen si parasokratikë do të kisha dashur, dhe ëndërroj t’i lexoj komplet veprat e Platonit dhe të Aristotelit, të këtyre dy kolosëve të mendimit njerëzor. Kam një parandjenjë se prej tyre do të mësoj shumë dhe do të kuptoj thelbin e filozofisë, konceptet bazike të saj, pa të cilat nuk mund të kuptohet, sipas mendjes sime, as filozofia e zhvilluar pas tyre e deri në ditët tona, madje as dialektika e Hegelit e as ajo e Marksit. Mbase janë plane ambicioze njëmend, por ndjej një uri intelektuale për t’i asimiluar filozofitë e këtyre dy kolosëve të lashtësisë. Ndjej se ata janë një oqean i madh, si Atlantiku, ku duhet pasur kurajë, energji, durim dhe pasion për t’i hyrë notit filozofik në atë oqean mendimesh!” (f. 315-316). Fatkeqësisht vdekja tepër e hershme nuk do t’i ja lejoj Fadilit që të merret me studimin e thelluar të dy gjigantëve të filozofisë antike,  Platonin dhe Aristotelin, por ne sot mjaftohemi dhe krenohemi me faktin se çfarë ai ka synuar, cili ka qenë pasioni dhe plani i tij për  studimet e ardhshme.

      Duke diskutuar edhe njëherë mbi Parmenidin, kësaj radhe  mbi rëndësinë e dijes dhe  analizës  politike, për funksionin e  udhërrëfyesit (parashikimit) për të ardhmen, Parmenidi ka një perëndeshë që ja vesh fuqinë e udhë rrëfimit. Këtë “fuqi” Fadili e ka zili sepse  përzgjedhja e kursit të veprimit në politikë drejtë së ardhmes, drejtë së panjohurës është çështja më e rëndësishme, sepse nuk është e rëndësishme sa hapa të mëdhenj bënë gjatë veprimtarisë politike nëse nuk je në kursin e duhur. “Ai shfrytëzoi mjetet poetike, duke e bërë një perëndeshë t’i tregojë dy rrugët, kurse ne në veprimtarinë tonë nuk kemi ndonjë udhërrëfyes të tillë real, pos një busulle që besoj se e kemi e ajo është dialektika” – tha Fadili dhe vazhdoi: – “Dialektika neve na udhëzon, ose të paktën unë e kam kuptuar ashtu, se duhet të nisemi prej gjendjes reale në atë shoqëri në të cilën kemi lindur e jetojmë, respektivisht prej problemeve esenciale të saj, që t’i zgjidhim ato, natyrisht jo në mënyrë të shkëputur, po duke pasur një vizion, një qëllim final drejt të cilit do të ecet duke i zgjidhur problemet njëri pas tjetrit. Apo e kam gabim, shoku H.!?” (f. 318). Shihet qartë se dhe Fadili për kohën bashkëkohore e ka dhe e përdorë metodën më të avancuar   të analizës filozofike dhe politike,  e ka metodën për të  analizuar  të ardhmen dhe për të vijëzuar shtigjet e marshimit drejt  lirisë, drejtë çlirimit të vendit. Ai ka dialektikën e filozofisë materialiste të cilën e njeh në mënyrë të shkëlqyeshme e me zbatim krijues. Dhe sot ne, shokët e gjallë të Fadilit, kur analizojmë këto qëndrime dhe pikëpamje, madhërohemi se sa të sakta dhe të drejta kanë qenë ato analiza dhe përfundime, që në kohën e caktuar janë shndërruar në vendime për veprime drejt objektivit të lirisë dhe çlirimit.

Fadil Vata – personalitet i jashtëzakonshëm

      Është fatmirësi që autori Hajdin Abazi përmes librit na ka sjellë këtë bashkëbisedim të gjatë politik e filozofik, që trajton shumë çështje të rëndësishme të interesit dhe veprimtarisë kombëtare të kohës. Ai Fadilin na e sjellë të gjallë dhe plotë dinamik, me shpirt shpërthyes dhe të pa lodhur përkundër sëmundjes së keqe që kishte filluar të gërryente në trupin e ti. Autori që në takimin e parë, me përshtypjet e para do të vlerësonte Fadil Vatën si drejtuesin e duhur të LPRK-së. “Aftësia e Fadilit, rezonimi politik, mënyra e reflektimit, vizioni, kapja e shpejtë e koniukturave e zhvillimeve, mendimet mbi veprimet e radhëve të organizuara që duheshin bërë – ma forcuan mendimin se ky duhej të ishte ai që do të ishte në krye të punëve. Ishte mendjemprehtë, largpamës, i përgatitur mirë, i lexueshëm, konkret, i thukët, i drejtpërdrejtë dhe, mbi të gjitha, sintetizues, tipare këto që zakonisht i ka një lider i njëmendtë.” (f. 121). Më tej, autori vazhdon duke bërë vlerësimin e personalitetit të Fadilit, duke na ofruar shumë veti dhe karakteristika, që përbëjnë liderin e vërtetë, ideologun dhe   vizionarin e një lëvizje politike kombëtare e çlirimtare. “Ia hodha një shikim, ashtu nëpër errësirën e natës në dhomë dhe e ndjeja veten njëmend të privilegjuar që pata fatin të takoja këtë revolucionar e atdhetar, për të cilin nuk kisha asnjë fije dyshimi se ishte një personalitet i përmasave të figurave kombëtare. Me sa elokuencë dhe thellësi mendimi artikulohej, gjë që më bëri të shquaja tek ai jo vetëm karakterin e liderit dhe vizionarit, por edhe të një teoricieni tashmë të formuar dhe një ideologu kombëtar, si dhe një strateg jashtëzakonisht mendjemprehtë. E pabesueshme dukej se si Fadili të ishte në këtë nivel të lartë intelektual, racionalitet politik dhe kapacitet për të shquar situatat, rrjedhat dhe kahet e veprimeve, krejtësisht i çliruar nga emocioni, urrejtja e ngjyrimet” (f. 149). Autori në vlerësimin e lartë që i bënë personalitetit të Fadilit ka shumë të drejtë sepse është i bazuar mbi merita dhe vlera reale, mbi të gjitha ka bërë një punë të shkëlqyer, që figurën madhështore të tij na e ka ofruar neve shokëve dhe gjeneratave të reja. Jeta dhe veprimtaria e Fadil Vatës, e paraqitur në libër, është shembull  se cila është rruga e kalitjes së drejtuesve, strategëve, ideologëve dhe vizionarëve të kombit. Vetëm me njohjen e shëmbëlltyrave jetësore si të Fadil Vatës, brezat e ardhshëm do të dinë të jenë mirënjohës për ata që  dhanë jetën për lirinë kombëtare  dhe të ndjehen krenar që  janë pasardhës të viganëve si Fadil Vata.

 

Në vend të përfundimit

      Një përmbledhje për jetën dhe veprimtarinë e Fadil Vatës ku përshkruhen cilësitë e tij, fuqia mendore, karakteri, gatishmëria e sakrificës për çështjen kombëtare, idealin e lirisë, ndjenjën e solidaritetit me shokë në situata të  rrezikshme, aftësitë e drejtuesit që me aq lehtësi i bindte  bashkëveprimtarët për çështjet e caktuar, me afërsinë që kishte për njerëzit, me shprehje të konsideratës së sinqertë për shokët në çdo nivel të organizatës që ishin, të gjitha këto cilësi Fadil Vatën e bëjnë personalitet të jashtëzakonshëm të LPRK-së por edhe të mbarë kombit. Të gjitha  këto cilësi autori i përmbledh në mënyrë të mrekullueshme në fund të librit, të cilat qëllimisht  po i barti  dhe citoj pa i  përimtësuar,  sepse do ti humbej fuqia rrezatuese e  përshkrimit të bërë nga autori  Hajdin Abazi.

     “Ky ishte, pra bashkëbisedimi i fundit i karakterit shtjellues, por jo edhe biseda e fundit. Sepse ne do të takoheshim edhe në aktivitete të ndryshme, në mbledhjet konsultative, në blic vizitat për konsulta të shpejta dhe pastaj edhe në Mbledhjen e Përgjithshme të mbajtur në Divjakë kah fundi i prillit 1989.” (f. 335). “Veprimtaria e Fadilit është shumëdimensionale – si aktivist, si ideolog, si udhëheqës në nivel vendi, po edhe si filozof e një intelektual me një formim të standardit tejet të lartë që nuk i gjendej shoku asaj kohe.” (po aty). “Ajo që ishte karakteristikë, e që theksohet shpesh, është fakti se mbi gjithçka tjetër – ideologjinë, perspektivën personale, talentet, studimet dhe edhe vetë jetën e tij – Fadili e kishte lirinë, interesin kombëtar, që i shërbente si busull për t’u orientuar dhe për të ecur rrugës në të gjitha sfidat nëpër të cilat ka kaluar Fadili, po sidomos gjatë vitit tepër dinamik 1988-1989.” (po aty).  “Më vonë, pasi Dega jashtë vendit e ka nxjerrë Fadilin në Zvicër, e kam mësuar gjendjen e tij shëndetësore, të tumorit në mushkëri, më kujtoheshin ato rrahjet e lehta të gjoksit që ia bënte kur kishte dhembje, po si kurrë dhe asnjëherë të vetme nuk u ankua, po u angazhua me tërë qenien e tij ditë e natë në ata muaj të rrëmbyeshëm veprimi, ndonëse, në fakt, ai kishte nevojë të ishte i qetë, të hospitalizohej dhe të luftonte për jetën e tij. Por ai nuk mund të largohej prej Kosovës, kur ajo kishte nevojë më së shumti për të, për urtësinë dhe aftësinë e tij drejtuese, sepse Serbia si bishë e tërbuar shoviniste po i turrej për ta kthyer rrotën e historisë pas. Shi për këtë, ai ishte një hero i vërtetë”!” (f. 336).

 

Vlera e librit dhe merita e autorit

      Në këtë libër autori me mjeshtri të rrallë  e sjell Fadil Vatën  të gjallë në kulmin e veprimtarisë së tij, dhe kur mbërrin në fletët e fundit të librit të kap një shqetësim emocional, sepse të vjen keq pse nuk vazhdon më tej, pse u ndërpre këtu, pse nuk ka libri fletë më shumë.  Ky është libri që e sjellë autori Hajdin Abazi para lexuesit, dhe kush do ta kryente më mire këtë detyrë, kush do ta sqaronte me kaq kompetencë dhe vërtetësi, një temë filozofike, politike dhe ideologjike më mirë se Hajdin Abazi, përgjegjësi i sektorit politik e ideologjik të LPRK-së, kryeredaktori i gazetës “Pararoja”, njeriu kompetent i kohës së ilegales dhe mërgimit, njeriu i shkencës akademike sot.

      Autori ka kryer jo vetëm  detyrën por edhe më shumë, ka ngritur nivelin e raportit të vlerësimit për njerëzit me kontribut dhe vlera të jashtëzakonshme, që atyre tu jepet merita që kanë pasur çdo herë, që me mendimin filozofik kombëtarë të ndriçojnë dhe edukojnë gjeneratat e reja, që ishte ideali përbashkët i krye personazhit dhe autorit.

       Ky libër është kontribut i shumanshëm, sepse ndriçon rrugën dhe kontributin e heroit kombëtar Fadil Vata  dhe përmes dialogut të zhvilluar jepen fakte të pamohueshme se LPRK-ja  ka pasur koka gjeniale  të mendimit politik, dhe ata nuk kanë qenë njerëz të frustruar dhe as të dominuar nga fundamentalizmi ideologjik dhe intoleranca  organizative mes organizatave (partive) politike shqiptare. Në përshkrim autori i përmbahet me shumë sinqeritet pikëpamjeve dhe terminologjisë së kohës, sepse dëshiron të na pasqyroj ngjarjen ashtu siç ka qenë, ashtu si është ndier në kohën kur është zhvilluar debati.

      Dialogu përshkohet nga  një respekt i ndërsjellët në mes të debutuesve, po ashtu në libër nga renditja e  dialogjeve dhe  hapësira që i jep autori shpjegimeve të Fadilit,  shihet respekti i posaçëm i autorit për rrolin udhëheqës të kohës që kishte  Fadili si drejtues i organizatës brenda vendit. Përgjatë tërë shkrimit në libër ndihet respekti për heroin dhe shokun që nuk është më, por kjo qasje nuk shkon në dëm të përmbajtjes dhe vërtetësisë së pasqyrimit të bashkëbisedimit.

      Po të dëgjohej vetëm zëri i debateve filozofike që bënin personazhet e librit, nuk ka dyshim se do të krijohej përshtypja,  se debati vjen nga qarqet akademike dhe sallat e universitetit, në fakt i tërë ky debat akademik për filozofinë, politikën, çlirimin, revolucionin, luftën çlirimtare bëhej në një  shtëpi të vogël në periferi të qytezës së Obiliqit, ku të bie në sy habia e parë,  si ka mundësi në atë shtëpi të vogël të përqendrohet një kapacitet aq i madh intelektual, i dijes dhe kulturës së debatit, që ia lëmë vetë lexuesi ta vlerësoj dhe përjetoj.

      Sikur Hajdin Abazi mos ti shkruante këto kujtime dhe mos ti publikonte, do të bënte gabim dhe pa drejtësi të madhe që nuk do ti falej në këtë jetë. Ai na ka sjellë situatat me tërë dramacitetin e vet kohës, na ringjallë Fadilin me fuqinë e tij përtej kapacitet njerëzor,  kur dihet se në atë kohë kanceri kishte filluar punën vrastare në mushkëritë e tij.

      Ka shumë  paragjykime  për drejtuesit lëvizjes ilegale revolucionare dhe patriotike, për të burgosurit politik, se si munden ata të jenë në majat e mendimit politik shkencor dhe pa qenë kohën më të madhe në sallat e bibliotekave dhe amfiteatrot e fakulteteve? Niveli intelektual i Fadil Vatës, Afrim Zhitisë dhe shumë shokëve të tjerë,  dëshmon  më së miri faktin se, libri është shumë bujar, ai nuk e zgjedh vendin se ku me ta dhënë dijen, a e lexon në bibliotekë, në katedër të fakultetit, në burg, në shtëpi malore, buzë detit, apo duke ruajtur bagëtinë.

      Gjithçka varet nga pasioni i lexuesit, nga idealet e tij dhe objektivat e tij jetësor. Libri nuk qet kushte dhe afate kohore për lexim dhe studim, libri është dituria që pret. Përthithja e diturisë nga librat është edhe më e madhe, kur  ajo pas leximit i nënshtrohet debatit në mes shokëve të një ideali. Duke ju falënderuar autorit  Hajdin Abazi për librin e shkruar “BASHKEBISEDIM ME FADIL VATËN”, nga sot ndjehemi më mirë dhe më të fuqishëm, më të motivuar se e kemi pranë Fadil Vatën me idetë e tij, me tërë gjallërinë e shfaqjes dhe fuqinë e interpretimit të tyre.

 

Prishtinë, 25.04.2026

 

 Hajdin Abazi. 2026.  Bashkëbisedim me FADIL VATËN. Prishtinë. Epoka e Re. (f. 17 – 63).

Kontrolloni gjithashtu

Margarita Xhepa

Albert Z. ZHOLI: Margarita Xhepa një shekull në skenën e shpirtit shqiptar

Njëzet e një intervista, njëzet e një dritare, Mbi jetën e artistes së madhe shqiptare, …