Ilir Muharremi: “Më gjeni, ja ku jam"

Ilir Muharremi: “Më gjeni, ja ku jam”

Po ta dal nga nëntoka, nga bota e nëndheshme, nga zjarri i shpirtit. I dergjur nga kamxhiku që puthit trupin tim me shenja kujtimi dhe harrese. Ma keni zhdukur çdo qelizë njerëzore, indet e trupit mi keni tkurrë, kam vuajtur në qeli të qelbur, më keni vrarë para dashurisë së jetës. Njëherë i vrarë nga monstrumi, vampiri i cili thikën e parë ma nguli në zemër dhe currilat e gjakut u thanë në dheun ngjyrë kafe të tokës. Thika e  dytë është harresa edhe ndaj gjakut edhe ndaj materies sime.

Herën parë kur më vranë armiqtë, kërkova ujë, një pikë ujë, e sipër fytyrës sime vizatohej qielli gri. Rrënkimet e mija u përplasen me heshtjen nëpër ajrin i cili atë ditë lëshonte aromë përmes gjetheve të zverdhura të vjeshtes. Klithmat më dolën nga shpirti, e thyen kafazin e krahërorit, ndjeva në vete disi mushkëritë që mu ngushtuan, mu bën të holla si një hinkë. Nga mukoza e hundës më doli gjak dhe gjaku nxitoi drejt gojës. Gjaku u pozicionua aty, u mpiks dhe ajri vjeshtor me vështirësi i ngopte mushkritë e mija të lënduara. Sytë u zëvëndesuan me gojën e pamundësisë së fjalës për të shprehur kërkesën e vrasjes sa më të shpejtë. Qiellin gri e shëmtoi hija e fytyrës së atij vrasësi vampir që rrinte sipër kokës sime. Vëreja që qëpallat e syve çdo çast rëndoheshin, më asgjë nuk mund të menaxhoja. Po vdisja, po vdisja, i bërë shkrumë nga dhimbja, më e keqja po vdisja në sytë e armikut gjakpirës.

Vrasja e dytë, ringjallja, kthimi nga përjetësia me klithëm: “Me gjeni, më gjeni”, ja ku jam. Fantazma u kthye në dheun ngjyrë kafe. I lidhur me pranga çelike, të forcuara në eshtrat e mija, sepse mishi dhe tuli tashmë nuk ekzistojnë. “Më kërkoni, më kërkoni, më gjeni, mos më leni tash të vdesë për herë e dytë i vetmuar, ditën jam i bardh, natën brenda meje ndriçon rrezja e shpresës, andaj ju bëj dritë”.

 

(Teksti u shkrua për instalacionin e artistit, Eroll Murati që po qëndron në shesh të Prishtinës dhe i kushtohet të   zhdukurve gjatë luftë së fundit në Kosovë.)

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …