Ilmi S. Qazimi

Ilmi Qazimi: Për ditë e më shpejt po ngjitemi… poshtë!

Kryeministri ynë deklaroi këto ditë se Shqipëria po jeton në ditët më të mira! Kë quan të mirë ky lloj burri që është ulur në atë kolltuk të lartë,kur kemi kaq shumë të varfër, kur kemi një grusht njerëzish-midis tyre edhe ai vetë- tepër të pasuruar në rrugë të pista; kur kemi kaq shumë shqiptarë të larguar nëpër botë se “këtu nuk jetohet”; kur nuk kemi bukën tonë për të ngrënë po marrim miellin nga Ukraina, atë miell që ata ua japin kuajve ?!

Kemi tridhjetekatër vjet që nuk flasim më për ‘zhvillim dialektik’, por thjesht ‘zhvillim’. Mediat (ato me shkrim dhe sidomos ato vizive), shkollat, universitetet( fatkeqësisht nuk janë të njëzetekatra, që ta meritojnë këtë emër), rrethet shkencore(aq sa janë të tilla) nuk duan t’ia dinë fare se bota, pra natyra dhe shoqëria njerëzore si pjesa më e përparuar e saj, ecin vetëm sipas ligjësive natyrore dhe ato të materializmit dialektik. Nocionet themelore të ekzistencës ‘Kohë’ dhe ‘Hapësirë’ janë harruar. Edhe kur përmenden, shtrembërohen keqas, sa nga injoranca e mosnjohja aq edhe nga keqdashja e matrapazllëku primitiv dhe pragmatist. Tri parimet bazë të ekzistencës lëvizje , ndryshim, zhvillim, janë lënë mënjanë, janë keqkuptuar dhe më së shumti janë zbatuar me ndyrësi, vetëm për korrupsion e keqbërje.

Atje ku ndonjëri i zë në gojë, e bën sa për sy e faqe që të quhet marksist se në realitet ‘zhvillimin’ e kuptojnë dhe zbatojnë vetëm si “çvidhim”, si heqje të ‘bulonave të trarëve ”ligjorë e moralë që mbajnë në këmbë tërë shoqërinë. Tre ligjeve themelore të njohjes dhe të ecurisë zhvillimore të botës, ai i luftës dhe unitetit të të kundërtave,ai i mohimit të mohimit dhe ai i kalimit të ndryshimeve sasiore në ndryshime cilësore nuk iu referohet kush, as akademiku,as ai i rënë nga fiku. Tërë çka që bëhet në këtë lloj republike parlamentare i dedikohet politikës dhe disa politikanëve, realisht njerëz me shumë pak principe njerëzore me shumë huqe të ndyra dhe thuajse pa moral.

Analizat e bëmave të krerëve të politikës, e thënieve të tyre tirren e shtjellohen prej ‘pseudoanalistëve’ sikur ato “llafe madhore” kryetarësh e ‘liderësh’, të ishin ligjet që rrotullojnë globin dhe errësojnë diellin, siç po ndodh çdo ditë veçanërisht me Edi Ramën dhe Sali Berishën. Pakkush flet për punën si burimi kryesor i prodhimit të të mirave materiale… Edhe në vitet e sistemit ekonomiko-shoqëror socialist thuhej me tam-tame se politika vihet në plan të parë- dhe ishte shumë e drejtë sepse bëhej fjalë për politikë të atij sistemi shoqëror që kërkonte dhe synonte të arrihej barazi, liri dhe vëllazëri pa hile.

Por realisht tani në këtë tridekadësh të ndërtimit të shoqërisë kapitaliste shqiptare vetëm politika (dmth tërësia e ecurisë pa ideale, pa moral, pa synim mbarësie dhe pa qëllime për forcim familjeje dhe kombi),dominon në tërësi gjithë përditësirën e gjithkujt; nga kryetari i qeverisë deri tek roja, nga hajduti ordiner deri te punonjësit e institucionit të presidencës; nga biznesmeni i vockël deri tek sekseri mafioz i çdo shkalle. Shitet gjithçka nga nderi deri te qederi, nga koka deri tek toka, nga gruaja deri te burri, nga muri gjer te huri- vetëm për të fituar pará, pasuri, kredibilitet. Siç shihet kemi të bëjmë më një lloj batërdie morale e rënie materiale. Vetëm fermeri që mbjell e mundohet të korrë e vjelë, blegtori që mbarështon bagëti për prodhim bulmeti janë shumë më afër dialektikës.

Por edhe atyre, politika mundohet që tua fusë krimbin e gënjeshtrës, mashtrimit dhe fitimit të pandershëm. Së pari, në praktikën e përditshme(lexo: marifetet për përçarje e sundim dhe llafollogjinë vetngushëlluese); pastaj gojëtarinë (dmth gënjeshtrat dhe mashtrimet më të fëlliqura); më tej ekonominë(dmth polarizimin ekstrem të shoqërisë në pak të pasur mafiozë dhe shumicë në varfëri ekonomike e mendore të skajshme;e së fundi diturinë (lexo: injorancën). Madje shumica e politikanëve tanë (më saktë disa individë që kanë prirje banditeske për të sunduar e përfituar sa më shumë të mira materiale)e kanë në majë të gjuhës: zhvillimin e paparë demokratik të Shqipërisë!? Që të jemi objektivë zhvillimin më të madh e ka marrë mashtrimi, imoraliteti, vjedhja dhe vrasja

 

Tërë këto situata janë pjesë e sistemit ekonomiko-shoqëror kapitalist që bazohet në pronën private mbi mjetet e prodhimit dhe formave të pa drejta të shpërndarjes. Ato nuk do të zhduken kurrë sepse i ushqen vetë sistemi dhe posaçërisht propaganda e shfrenuar e tij degjeneruese dhe degraduese. Në këtë radhë duhet të prekim vetëm dy aspekte të jetës , atje poshtë dhe atje lart; atje ku prodhohen të mirat materiale dhe atje ku prodhohen vetëm llafe e mashtrime, në vend që të punohet në bazë të ligjeve të dialektikës. Atje lart: kryetari i qeverisë, çdo ditë “prodhon”( ju lutem mos e deformoni këtë fjalë me ndërrim germash, edhe pse është realitet ogurzi) ministrira, ide dhe video, prononcime në rrjetet sociale.

 Ai prodhon marrëveshje nënshtrimi me shtetet e tjera si ajo me Italinë fqinje për pritje emigrantësh, me Arabinë për qytete portuale për jahte luksi(!?), ajo për lëvizje të lirë të punëtorëve ( kur ne s’kemi punëtorë as për vete?!) nga Shqipëria në Serbi e anasjelltas, etj. Nuk po flitet më nga qeveria për arritje në prodhim bereqeti apo mallrash industrialë, por për sasi shqiptarësh të dënuar, arrestuar, burgosur për lloj-soj krimesh e veprash penale, sasi emigrantësh të vdekur apo të kapur me hashash.

Nuk ka më tregues të zhvillimit të biznesit blegtoral e bujqësor kombëtar por vetëm shitje tokash, pronash, shtëpish tek shtetasit e kombeve të huaja. Nuk flitet asfare për ecurinë shkollore të brezit të ri por vetëm për largimin e tyre nga vendi. Atje lart në Parlament ndizen (gjasme) gjakrat deri në vënien zjarr të karrigeve, hedhjen e tymuesve në sallë, fyerje e zënie si rrugaçë e mantenuta! Deputetët tanë janë në stratosferë dhe as që duan të dinë për hallet e zgjedhësve të tyre. Dhe akoma për çudi të të gjithëve numuri i tyre ka mbetur 140 deputetë, kur numri i zgjedhësve është përgjysmuar, sepse ashtu siç nuk ka kush të mbjellë spinaq e kush të vjelë ullinj, ashtu edhe nuk ka kush të vejë në kutinë e votimit!

Por as partitë e as qeveria e as parlamenti nuk mendon për këto. Ata punojnë me mish e me shpirt ‘për popullin’ duke ia pirë gjakun me rrogat e majme që sa vjen e rriten kurse ato të pensionistëve po vihen ne pikëpyetje, a do ketë më pensione apo jo?! Atje poshtë, në fshat e në qytet flitet për halle jetike, si pamundësia për të blerë një strehë si shtëpi; mungesa e ndihmës qeveritare për të çelur një biznes të ri sado të vogël; paga të vogla që nuk përballojnë dot çmimet për blerjen e ushqimeve të ditës; mosdhënia e pagës në kohë dhe vonesat deri në tetë muaj pa paguar për punën e bërë; ushqime e ilaçe të skaduar gjithkund.

Mungesa e edukimit nëpër shkolla; vartësia thuajse vdekjeprurëse e fëmijëve nga celulari, mungesa e fuqisë punëtore për çdo biznes, shqetësimet që sjellin shtetasit e huaj për jetesë dhe punësim, etj. etj. Realisht, me hapa galopante po punohet për tredhjen e trurit të njerëzve me anë të industrisë kinematografike dhe sidomos me bizneset e pamoralshme si “Big Brother”, etj. etj. A nuk është kjo një ngjitje e suksesshme ku po na drejton qeveria jonë drejt së tatëpjetës që përfundon kokëngulthi në truallin e betonuar shqiptar, të cilit edhe emrin po mundohen që drejtuesit tanë t’ia tjetërsojnë kurse të huajt t’ia rrëmbejnë? (Gazeta Sot)

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha (1966): Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë

Enver Hoxha (1908-1985) nderohet e respektohet në Kosovë, asnjë fjalë e keqe për Josip Broz Titon në Shqipëri, prej vitit 1991

Në Kosovë, ishte idealizuar dhe në masë idealizohet edhe sot Enver Hoxha. Në Kosovë janë …