ISA FERIZAJ

Isa Ferizaj:  DARDANISË TIME!

 DARDANISË TIME!

*  Në prag të ‘dialogut’, Kosovë – Serbi.

 

Të qofsha falë, moj nëna Dardani;

Më linde, më ushqeve me shqiptari!

Moj, ma kalle në zemer flakëdritën;

Ti, me tuat vlera, ma stolise rriten!

 

Dardani, moj nënë, të qofsha falë;

Që kur më linde, qeshë i yti ‘djalë’!

U rrita me aromën, frymimin tënd,

Larg teje, nëno, shpirti s’më zë vend.

 

Sa herë fytyrën ta puth flladi, Dardani;

T’i heq rrudhat, shpirt e zemer t’i përtri.

Si bystekë zanash, n’tuat kreshta dritënore;

Derdhen përrenjtë, ujëkristal, lëng bore!

 

Të shoh me sytë e mendjes, n’thellësi;

Qendrestare, nëno, prore më del Ti!

Toka jote, varr krajlash, pëllëmbë e gjak;

Majalavdia, flamurgjak, Ti ndrin si flakë!

 

T’i shoh plagët, ende, nëno, të kullojnë;

T’i prek dhëmbjët, ato mua më lëndojnë!

N’prehërin Tënd, kombi kokën qetëson;

N’atë prehërmadh, nënëmendja ledhaton.

 

Ta ndjej tik – tak zemren, orë përjëtësie;

Rend dhe unë, në atë ritëm, marsh lavdie!

Helmues gjarpërinj të kafshuan, t’u sulen;

Shpesh kryet ua shtypem, dhëmbët ua shkulem!

 

Në djepin tënd, Dardani, përkunde lavdinë;

Me këngë kreshnikësh, mbrujte shqiptarinë!

Në oda burrash, ënde, thure, urtësinë;  

Nga motehonet, nxore trashëgiminë!

 

As kur të ndanë e, të pushtuan jezitët;

Në gjunj s’re, n’obelisqe ktheve vitet.

Moj, kujtesën, dot s’ta shleu ty, histeria;

Që kur foli historia, për Ty, foli lavdia!

 

Me ‘këngë’ hute, moj, lirisë i këndove;

Në t’zemres tela, në hymn i shndërrove!

Me gak, lirinë gatove, Dardani;

Ti, e madhërishmja, zemerkomblavdi!

 

I linde bijtë e tu, me shtatë zemra;

Në panteon të lavdisë, të tyret emra!

Nderojnë para tyre, motet, historia;

Përjetësisht, nëno, të mbuloi lavdia!

 

Dardani, zanë kreshnike, ti s’u theve;

Prore, ballaz hasmit, pas, Ti s’u ktheve!

Ballin, ç’ia qendise, me të hutës ‘lule’;

Zemrat vure, në t’kalaqendresës mure!

 

Të mbet jashtë, në veri, ‘Molla e kuqe’;

Mbi shtatëqind fshatra, si Ti, flamurëkuqe!

Të përzunë barbarët, heshti Evropa;

Plot masakrat të ndoqën, i pau dhe Bota!

 

Ta rrudhën shtatin hordhitë e pabesitë;

Mbi Ty Evropa derdhi, të tëra ligësitë!

Të pau si n’rrugë vdekjeje, t’shuhej jeta;

Kjo, akt-akuzë për genocide, me të tjera!

 

Si të përzunë nga Tuat trojelashta;

I pau Evropa Tuat toka, t’mbenë përjashta!

I pau masivet varre, përplot shqiptarë;

Mos hesht Dardani, n’gjyq hasmi sa më parë!

Evropëplaka, sa u zgjua, për Ty foli;

Për ç’të pati bërë, turpi e mbështolli.

As sot kjo ‘e reja’, borxhin s’po ta lan;

Krimin ndaj Teje, Evropa, si e mban?!

 

Imja Dardani, kreshnikja plagëmadhe;

Tregove cila je, me Prekazderën Jashare !

Brezash, n’lavdimaja, shqiponjë u ngjite;

Ndër netë të gjata, të pat Kombi, yll drite!

 

Sa herë ngrite krye, se s’durove robëri;

Në tëndin krah, bijo, nëna jote Shqipëri!

Huta lindi bijtë e tu, lavdimbuluar;

Në kudhrën kuq e zi, jemi farkëtuar!

 

Tokën tunde, kohërat shkunde, Dardani;

S’durove skllavëri, se mbet geni yt, Iliri!

I shoh se si sot, kuçedrat po të sulen;

Gjokset male bijtë e tu, nuk u përkulen!

 

T’i përkëdhel, fushat e malet e tua;

N’gjirin tënd pi shqiptari, si ujë në krua;

Ti, në prehërin tënd, m’i përkund ëndrrat;

Njëri – tjetrit, dritë, ia mbushim zemrat.

 

Do të rrojë imja Dardani krenare;

Se rron, ore rron, imja rracë shqiptare!

S’të shuajnë histeritë, dot s’të vrasin;

Nga jotja madhështi, ligëstë pëlcasin!

 

Ngrihesh, moj, madhështore në histori;

Askush s’guxon më, ‘krushqit me t’i ngri’!

Udhëtojnë ata, bashkim të na sjellin;

Shqipet, rreth foleflamurit, t’i mbledhin!

 

Vet, more, vet do ta shkruajmë historinë;

Të vëjë dorë në të, s’e lëmë tradhtinë!

E lashta shqiptari, na mban ajo gjallë;

Larë n’gjak tonat troje, s’kem për të falë!

 

Boll na morët, erdh koha, t’na i ktheni;

Kem atje varret e të parëve, andej jemi!

Kohërat ndërruan, flasin sot ato shqip;

Rron imja Dardani, kurrë ajo nuk vdiq!

 

T’i dalësh zot Nënës, se ta masakruan;

Është detyrim, të parët na e ngarkuan!

S’nxiret  n’pazar Nëna, ajo të mallkon;

Gjyqit të historisë, tradhtia s’i shpëton!

 

Tiranë, më 05.06.2021.

Kontrolloni gjithashtu

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Shikoni këtë foto të Aziz Kelmendit. Është origjinale, nuk ka kurrfarë  retushimi. Para se të …