Isa Mustafa apo Isa Liqeni i Radoniqit?

Përpjekjet e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa për t’ u mbrojtur nga kundërshtarët e tij  politikë, nga radhët e opozitës, e kanë shtyrë të bëjë gabim pas gabimi sa duket se tani e ka humbur tërësisht toruan. Ai poston komente naive deri edhe neveritëse, pastaj i mohon ato, pastaj thotë se dikush ia ka thyer kodin dhe ka shkruan në emër të tij. Me fjalorin tipik të pajtonxhinjve të dikurshëm dhe të gazetarëve të horr Ekspressit të tanishëm, fjalori i Isa Mustafës është nën nivelin e një prindi, aq më keq të një gjyshi, që pretendon të jetë i urtë e i mirë. Ka edhe diçka që Isa Mustafa duhet ta ketë harruar nga edukata familjare. Si djalë i një hoxhe të nderuar, atij më së paku i ka hije gjuha e ndragët. Por si  komunist me prejardhje titiste, Isa Mustafës i ka hije ky fjalor, madje, mbase edhe i bën nder. Me një gjuhë të tillë “drugarët” e Isa Mustafës na shanin e na përbuznin gjatë hetimeve, pastaj kudo nëpër burgjet e Jugosllavisë që ishte bërë burg i popujve të shtypur e të robëruar.


Asokohe nuk ishte vetëm sharja e poshtërimi, që na adresonin shqipo-komunistët, por  mbi të gjitha ishte dhuna sistematike fizike e psikike kundër shqiptarëve liridashës.


 


Sesi m’ u kujtua një anas i tij, gardian në Burgun ne Prishtinës, në vitin 1982 njëri nga ata gardianët  që të burgosurit e quanin “veremi”. Një ditë, në kohën e caktuar për  vizitën mujore që na lejonin, ai kishte thirrur në korridor, me zë të lartë, gardianin serb, Miça Muteqokun me fjalët’: “Hej Miqo, dogji da vidish kakve piçke su stigle na postetu” e kishte fjalën për nuset motrat apo nënat e të burgosurve që kishin ardhur para dyerve të burgut dhe prisnin në radhë për vizitë. Nga fyerja e tillë së bashku me të burgosurin, Sejdi Sadiku, nga  Sibovci në shenjë revolte kishim trokitur fort në derë. Gardiani, që na hapi derën ishte një burrë i përmbajtur dhe përgjithësisht na trajtonte mirë. Pasi i treguam se në shenj proteste, për fyerjen e tillë, nuk do të dalim në vizitë dhe nuk do ta marrim bukën, ai u zotua se nuk do ta hesht reagimin tonë. Pasi kishin kaluar dy tri orë, gardiani më përcolli te drejtori i Burgut, Ismail Arifaj, të cilit i shpjegova arsyen pse nuk pranoja të dilja në vizitë.


-A ke dëshmitar? -më  kishte pyetur  me një vështrim cinik dhe shumë përbuzës.


-Unë dhe Sejdi Sadiku,  shoku i qelisë, me siguri se e kanë dëgjuar edhe të burgosurit e tjerë.


-Kush tjetër?


-Është edhe rrojtari  i burgu, një burrë nga Shtimja, i cili në kohën kur i dëgjuam fyerjet e gardianit e kishte hapur derën për të sjellë ushqimet, që na kishin dërguar familjet. Ndoshta ai nuk dëshmon se e humb punën, por nuk besoj se mohon atë që ka dëgjuar.


-Ku e di ti për kënd e ka pasur fjalën gardiani edhe nëse është shprehur ashtu, sepse unë nuk i besoj një armiku të Jugosllavisë si puna jote, i cili është i gatshëm të kurdis marifete të tilla, për qëllime që ne i dimë.


-Natyrisht as unë nuk pres drejtësi nga ti dhe sistemi të cilit i shërben, por nëse ke pak gjak shqiptari, edhe ti do të duhej të ndiheshe i fyer.


-Në radhë të parë, unë nuk jam “ti”, por drejtori i Burgut, drejtori yt. Madje për çfarë gjaku po flet bre, qërohu nga këtu dhe mos u merr me “prapaganda” të tilla, më kishte thënë,  ndërkohë që gardiani serb  me fytyrë tërë puçrra më përcolli duarlidhur në qeli.


Më vonë kam mësuar se gardiani NN ishte një anas i Isa Mustafës, i cili në ato kohë udhëhiqte Konferencat Aksionale të LSPP- për diferencimin e shqiptarëve nacionalistë e irredentistë. Ra gjuha e ndragur e kryeministrit Mustafa dhe m’u kujtua gardiani, NN, emrin e të cilit nuk do t’ia përmend, sepse fare lehtë mund të jetë radhitur edhe në lista si veteran i Rrustem Mustafës. Prej asaj dite gardianin që ftonte kolegun e tij Miqa nga Fushë Kosova për t’i kullotur sytë, duke i shikuar nuset e motrat tona nuk e pamë më. Më vonë kam mësuar se ishte dërguar në Burgun e Smrekovnicës.


 


Gjuha e Isa Mustafës m’i solli në kujtesë fjalët e gardianit NN, ato fyerje më shumë se fashiste që kurrë në jetë nuk i kam harruar. Të tilla fjalë fyese e poshtëruese nuk kam dëgjuar as nga gardianët serbë në Prishtinë, Smrekovnicë, Mitrovicë, Gjurakoc, Suboticë, as në  Novi Sad, ku trajtimi kundër të burgosurve politikë shqiptar ka qenë tejet represiv.


 


Në paraqitjen e tij dhe në dukje para opinionit, kryeministri, Isa Mustafa mundohet të tregohet serioz, i përmbajtur, i kulturuar, i arsimuar sikur edhe është, ndërkohë kur flet për kontributin që i ka dhënë Kosovës në kohën e Titos e të Milosheviqit, ai nuk ndien fare brejtje të ndërgjegjes, për më tepër krenohet  për “shërbimet” që i ka kryer me vetëdije të plotë.


 


Prania e Isa Mustafës në krye të Qeverisë së Kosovës, ka qenë zgjedhja më e keqe dhe më e pamerituara, sidomos për gjakun e derdhur për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe. Në radhë të parë për faktin se si një ish udhëheqës politik i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, ai  kishte mbetur në pozitë edhe në shoshitjen e fundit  të kuadrove me përkatësi shqiptare, që i kishte bërë regjimi  i Milosheviqit deri në pezullimin e autonomisë së Kosovës në mars të vitit 1989 e më vonë.


E kaluara e Isa Mustafës, edhe pse besoj fort se ai nuk ishte spiun, sepse edhe nuk kishte nevojë për tu marrë me punë të tilla,  nuk  ishte denoncues i vrazhdë e i egër i tipit të Azem Vllasit apo Ali Shukriut. Pavarësisht nga kjo, ai ka shumë vurrata në biografinë e tij politike, të cilat irritojnë liridashësit e Kosovës, familjarët e dëshmorëve, veteranët e invalidët e luftës dhe atdhetarët  shqiptarët në përgjithësi.


Tani kur Isa Mustafa ia përmend komandantit të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, të ashtuquajturin “Liqe të Radoniqit”, edhe pse e di fare mirë se Ramush Haradinaj dy herë është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, lidhur me  akuzat e Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, për sikur thuhet vrasjen e disa serbëve dhe hedhjen e tyre në Liqenin e Radoniqit, ai reflekton  krejt njëjtë me akuzat e Vuçiqit dhe Daçiqit kundër çlirimtarëve të Kosovës. Në kohën kur Ramush Haradinaj me vëllezërit, ( dy prej tyre heronj të Kosovës) e bashkëluftëtarët, gjatë viteve 1998-1999  luftonte nga një front në tjetrin, pa ikur kurrë nga Kosova, edhe pse disa herë i plagosur, Isa Mustafa shtrihej në kolltukun e Qeverisë së Bukoshit, në Tiranë e në qytetet e Evropës dhe sistemonte paratë që ndante mërgata, jo për ta ndihmuar luftën fitimtare të UÇK-së por për ta sabotuar atë, duke krijuar një ushtri në hije, e cila nuk e ndezi asnjë “kapsoll” kundër Serbisë.


Emërimi i Isa Mustafës në krye të Qeverisë, ishte emërim i  panatyrshëm, sepse ndodhi me një kompromis bizar, koniuktural, mashtrues. Tashmë pozita e tij  është lëkundur nga themeli dhe nuk riparohet në asnjë mënyrë, por sa më gjatë që të qëndrojë në këtë pozitë, aq më keq do të jetë për të ardhmen dhe sigurinë e vendit.


Isa Mustafa, me komentet e përditshme, duke i paragjykuar  vrasjet e ndodhura pas luftës, duke paragjykuar edhe krerët e lartë të luftës si kriminelë,  me ankimet e mjera dhe qyqare, tani edhe me një gjuhë krejt të katranosur, me një qëndrim shumë të përulur dhe të përkulur pro pranisë së Serbisë në Kosovë, nuk mund të qëndrojë gjatë në fronin e tij shumë të preferuar, dhuratë e koniukturave politike të BE-së, në pajtim me Beogradin zyrtar.


Ahmet Qeriqi


17. 10 2015

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …