mbpzhr 2018
kek
Airport Adem Jashari
MIT
Fillimi / Kultura / Isuf Ismaili: Ndjenja gjuhësore dhe mënjanimi i gabimeve drejtshkrimore
Isuf Ismaili

Isuf Ismaili: Ndjenja gjuhësore dhe mënjanimi i gabimeve drejtshkrimore

(Disa nga gabimet më të shpeshta drejtshkrimore e drejtshqiptimore në gjuhën shqipe)

Të shkruajmë dhe ta përvetësojmë sa më mirë gjuhën shqipe, gjuhën letrare, është një nga shërbimet e veprimet më të shkëlqyera kulturore e njëkohësisht edhe atdhetare. Drejtshkrimi i gjuhës shqipe nuk është i pamundur për të gjithë shqiptarët, madje edhe për ata që janë në diasporë, por edhe për arbëreshët,  në qoftë se në shkollat e tyre mësohet edhe arbërishtja edhe shqipja letrare, por duhet të kemi kujdes që të shfrytëzojmë fjalën burimore të shqipes, gurrën e gjuhës sonë. Natyrisht që ka e do të ketë vështirësi, por ne arrijmë t’i tejkalojmë këto vështirësi, në qoftë se dëshira e vullneti ynë është qëllim këmbëngulës për ta pasuruar vetveten me shije kulturore nëpërmjet bukurisë gjuhësore, duke  u shërbyer me fjalën e pastër e rrjedhshmërinë e natyrshme gjuhësore, si dhe ndjenjën atdhetare.  Edhe bukuria artistike letrare nuk mund të paraqitet, nuk mund të jetë shijuese pa atë ëmbëlsinë e të shprehurit e të shkruarit, si dhe pasurinë logjike e të natyrshme që na e dhuron gjuha.

Jo rrallë na bie të lexojmë shkrime, artikuj, analiza, vështrime, punime shkencore, lajme të ndryshme e të tjera, të shoqëruara me gabime të shumta ortografike, madje edhe logjike, por edhe ngatërrime e shtrembërime të shumta gjuhësore, që e dëmtojnë shumë përmbajtjen dhe rrjedhën e natyrshme të këtyre materialeve, pastaj dëgjojmë njerëz qoftë në televizion, në radio apo në jetën e përditshme, të cilët jo vetëm flasin gabimisht në gjuhën letrare shqipe dhe në dialekte, por edhe i shtrembërojnë fjalët, madje disa qëllimisht e bëjnë këtë, duke u orvatur për ta paraqitur veten si më të veçantë, duke mos u shqetësuar fare për pastërtinë e rregullsinë e gjuhës, fjalës së shprehur, e cila ka rëndësi të madhe, në rastin e paraqitjes përmbajtjesore, të kumtimit të asaj që dëshirojnë ta thonë, por ka raste kur nuk dinë apo nuk duan të dinë edhe për vetë bukurinë e qartësinë që merr përmbajtja kuptimore, nëse zbatohet drejtshqiptimi gjuhësor.

Nuk ka shumë rëndësi se a flasim, a  e zbatojmë plotësisht normën drejtshkrimore e drejtshqiptimore, por ka rëndësi përpjekja për ta përvetësuar gjuhën, pastërtinë e pasurinë e saj dhe vetë normën. Kështu edhe në qoftë se gabojmë, apo nuk i njohim tërësisht rregullat dhe normën gjuhësore, duhet gabimet të na bëhen mësime dhe të lexuarit dhe të mësuarit të na bëhen rregull i përditshmërisë. Jam i bindur, se ka dhe do të ketë edhe në të ardhmen njerëz që gabojnë, edhe pse një pjesë mund të kenë  njohuri të shumta gjuhësore, ata ndonjëherë nuk i vërejnë gabimet, sado që përpiqen për të zbatuar normën gjuhësore të gjuhës shqipe. Kjo mbase mund të anashkalohet, sepse në të gjitha gjuhët bëhen gabime, por ato përmirësohen. Megjithëkëtë, edhe pse ka  njerëz të pakujdesshëm, por edhe të pavetëdijshëm për gabimet që i bëjnë, të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme gjuhësore, jo rrallë na bie të vëmë re, se ka raste kur një kategori e njerëzve qëllimisht bëjnë lëshime e shtrembërime gjuhësore. Kjo pjesë e njerëzve, që e shpërfillin qëllimisht gjuhën, nuk tregon asgjë interesante, por tregon një

shëmti të llojit të veçantë, që i karakterizon njerëzit e cekët, si në kuptimin e kulturës së përgjithshme, ashtu edhe në kuptimin e ndërlidhjes së ndjeshmërisë atdhetare.

Kush lexon shumë, sidomos letërsi, edhe pse mund të mos e dijë teorinë gjuhësore, ai praktikisht e përvetëson gjuhën dhe rrjedhimisht bën më pak gabime, sidomos në të shkruar. Letërsia e cila është krijuar, apo letërsia e huaj që është përkthyer në Shqipëri deri në vitet nëntëdhjeta të shekullit që kaloi, është letërsi që në vetvete ka një bukuri të shkëlqyer gjuhësore, një rrjedhshmëri logjike dhe një harmoni të plotë e të natyrshme të të gjithë lëndës, pasi është zbatuar pikërisht edhe norma e gjuhës letrare shqipe, por edhe përkushtimi ndaj saj ka qenë në nivelin më të lartë, prandaj kushdo që e ka lexuar me vëmendje këtë letërsi, ka përfituar edhe një pasuri të shkëlqyer gjuhësore. Pasuria dhe pastërtia gjuhësore, figurat letrare, përshkrimet, përbërësit, ndërlidhjet e natyrshme gjuhësore e letrare  janë shembujt më të mirë, treguesit më të qartë edhe të ndjenjës gjuhësore si një veçori e kulturës së përgjithshmen e rrjedhimisht edhe si veçori e shpirtit atdhetar.

Naimi ynë i madh ka shkruar:

Gjuha jonë sa mirë,

Sa e ëmbël, sa e gjerë,

Sa e lehtë e sa e lirë,

Sa e bukur, sa e vlerë!

Jo rrallë dëgjojmë disa njerëz që flasin gabimisht fjalë të ndryshme ose lexojmë shkrime të ndryshme të shoqëruara me fjalë e shprehje të gabuara, për shembull bëhen gabime kur  fliten a shkruhen disa folje të mënyrës lidhore dhe të kohës së ardhme të mënyrës dëftore, si dhe folje të kohës së tashme, apo të kohës së kryer të thjeshtë, të kohës së pakryer, por edhe të disa kohëve të tjera. Po kështu në shtëpitë informative, në televizione, në radio, apo edhe mediat e shkruara në vend se të përdoren, shkruhen a fliten fjalët e gjuhës letrare, vihen re përdorime të gabuara, të cilat janë karakteristike vetëm për dialektet, nëndialektet ose të folmet lokale. Ka disa vite, kur dhe kanë filluar në gjuhën tonë, sidomos në televizione e radio të fliten shumë shpesh fjalë të huaja që merren nga gjuhët e ndryshme, sidomos angleze, italiane, franceze etj. Këto fjalë kanë kuptime të ndryshme p.sh në qoftë se merren nga anglishtja, apo italishtja. Në disa gjuhë mund të jenë fjalë që ngjasojnë, apo janë të njëjta, por nuk mund themi se kanë kuptim të njëjtë. Sigurisht një fjalë e caktuar në një gjuhë ka kuptim, por e njëjta fjalë apo e ngjashme si ajo në një gjuhë tjetër mund të ketë kuptim tjetër, prandaj duhet të kemi kujdes e të mos i përdorim kur ka mundësi. Fjalët huaja kur kanë mundësi të zëvendësohen me shprehje të gjuhës sonë i japin jo vetëm bukuri, por edhe kuptim të qartë asaj që një folës flet apo dikush shkruan për njerëzit të tjerë. Ka njerëz që thonë se gjuha shqipe nuk të jep shumë mundësi për të shprehur atë që duam ose atë që duam të shkruajmë. Kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse një gjuhë zhvillohet e përparon, nëse kujdesemi për ta pasuruar me fjalën burimore. Gjuha shqipe është  e pasur dhe na jep shumë mundësi komunikimi, por kjo varet tërësisht nga ne, se a e zotërojmë sa duhet e si duhet gjuhën tonë.

Jo rrallë në televizionet e Prishtinës, por edhe mediat të tjera vëmë re se shkruhen a thuhen fjali të tilla:  “ Filloj të shkon puna e mbarë”

Folja “filloj” është e kohës së tashme të mënyrës dëftore

Unë filloj, ti fillon, ai ose ajo fillon,

Pra sipas fjalisë së më sipërme, menjëherë, vëmë re, se folja ka kuptimin e një veprimi që është  kryer, prandaj në këtë rast do të duhej të përdorej folja e kohës së kryer të thjeshtë, të mënyrës dëftore “filloi”. Foljet në kohën e kryer të thjeshtë thuhen dhe shkruhen kështu p.sh.: Unë fillova, ti fillove, ai ose ajo filloi dhe jo ai filloj ose ai ose ajo fillon, kur shprehemi për një veprim që është kryer, apo sapo është kryer.

Në Tiranë, apo në disa pjesë të jugut në Shqipëri thuhen gabimisht disa fjalë p.sh.: “Ai më thosh,” sigurisht kjo thuhet në dialekt, por nuk bën të themi kështu në mjetet e informimit, ose në kur flasim gjuhën letrare shqipe, prandaj duhet të thuhet: “Ai më thoshte”. Këto folje janë të kohës së pakryer të mënyrës dëftore. Shkruhen e thuhen kështu: unë thosha, ti thoshe, ai ose ajo thoshte.

Kur shprehemi me foljet e mënyrës lidhore nuk duhet të ngatërrohemi me foljet e mënyrës dëftore, foljet: të fillon, të punon, të shkon, të bën e të tjera, thuhen, ose shkruhen gabimisht. Këto folje janë të mënyrës lidhore, prandaj duhet të themi për veten e parë, fjala vjen: të filloj, të punoj, të mësoj, të këndoj etj., ndërsa për veten e tretë themi dhe duhet shkruar: të fillojë, të punojë, të mësojë, të këndojë…

Duhet të kemi kujdes kur e flasim a shkruajmë foljen: “Vete”. Në kohën e tashme të mënyrës dëftore kjo folje shkruhet e thuhet: unë vete, ti vete, ai ose ajo vete, ndërsa në mënyrën lidhore në kohën e tashme bën kështu: unë të vete, ti të vesh, ai ose ajo të vejë.

Kam vënë re disa herë, kur bëhen gabime në gazeta, në libra apo edhe në internet , ose kam dëgjuar që shkruhen e thuhen gabimisht foljet e mënyrës lidhore, për shembull: “Ai, të vëj”, ose: “Ai, të lë”. Këto folje në vetën e tretë njëjës thuhen e shkruhen kështu p.sh.: “Ai, ose ajo të  vërë” ose në fjalinë tjetër: “Ai ose ajo të lërë”.

Po kështu ndodhin gabime në Tiranë dhe në disa pjesë jugore të Shqipërisë, por edhe në pjesët tjera shqiptare, kur thuhen a shkruhen foljet e mënyrës dëftore, të kohës së ardhme. Jo rrallë në mediat e ndryshme, por edhe në disa libra vihet re se thuhen e shkruhen gabimisht foljet e kësaj kohe p.sh do shkoj, do avancoj, do këndoj e të tjera, prandaj duhet të kemi kujdes se këto folje thuhen e shkruhen kështu: do të shkoj, do të mësoj, do të përparoj etj. për veten e parë, ndërsa për vetën tretë shkruhen kështu: do të shkojë, do të mësojë, do të përparojë etj. Në disa raste në Kosovë thuhen gabimisht këto folje për shembull: do të përparon, do të mëson etj. në vend se të përdoren a shkruhen foljet siç theksova më sipër. Sigurisht kur flasim a shkruajmë bëjmë edhe gabime të tjera si p.sh në Kosovë thuhet a shkruhet, përdoret gabimisht kuptimi i foljes në disa fjali si për shembull: “Ai u kyç në organizimin tonë.” Folja: “u kyç” ka kuptimin e të mbyllurit me çelës, me kyç, por kur njeriu bën pjesë, bëhet anëtarë, simpatizant në një organizatë, në një parti, apo jep ndihmesën e tij në një veprimtari e të tjera, atëherë është mirë të themi kështu fjala vjen: Ai mori pjesë; ai u bë anëtar; ai u radhit; ai dha ndihmesën e tij…. etj.

“KYÇ, KYÇA, KYÇUR. Mbyll diçka me kyç; mbyll dikë brenda dhe nuk e lë të dalë….” ( Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, i botuar në Tiranë 1994, faqe 580)

Një pjesë, jo edhe e paktë e shqiptarëve nuk e shkruajnë edhe shkronjën “ë”, disa përtojnë ta shkruajnë, disa nuk duan të dinë, se duhet të shkruhet, disa nuk e përfillin fare. Po, kur njeriu do të shprehet a të shkruajë, së pari duhet të zbatojë rregullin e të shkruarit me të gjitha shkronjat, pra edhe shkronjën “ë” duhet ta vëmë, sepse është e nevojshme në shkrimet tona.

Njerëz të shumtë kanë vështirësi të mëdha për të shkruar nëpërmjet telefonit dhe nuk dinë ta gjejnë shkronjën “ë”. Unë pasi e bëra reagimin tim publik, se duhet të shkruajmë edhe shkronjën ”ë” në shkrimet tona, disa miq thonë, se nuk e gjejnë në telefon, disa thonë, se kanë vështirësi, disa nuk e dinë, se duhet të mos mungojë dhe kështu nuk e shkruajnë fare atë ose e zëvendësojnë me shkronjën “e”. Së pari mendoj, se telefoni nuk është mjeti i përshtatshëm për shkruar komente të gjata, por nëse shkruajmë edhe nëpërmjet tij, duhet të zbatojmë rregullat e drejtshkrimit të gjuhës sonë. Profesori i nderuar Emil Lafe në Tiranë thoshte se, gjuha ka rregulla dhe duhet t’i zbatojmë ato, nëse nuk i zbatojmë, atëherë, bëjmë gabime. Kjo ndodh si në komunikacion, nuk mund të udhëtojmë në një rrugë kur është e ndaluar. Në komunikacion ka shenja të shumta dhe duhet t’i përfillim ato, nëse nuk i përfillim, bëjmë gabime dhe mund të ndëshkohemi, në gjuhësi nëse nuk i përfillim rregullat e ndëshkojmë veten, duke varfëruar veten tonë në kuptimin gjuhësor.

Ja se ç’ me shkruante një mik, për shkronjën “Ë”: “Une nuk e gjej dot si mundesi ne telefon”

Ndërsa unë ju përgjigja: “Është fare e thjeshtë kjo. Mbi shkronjën “e” duhet ta vëmë gishtin dhe e tërheqim pak, duhet të mos e tërheqim me vështirësi dhe pastaj na paraqiten disa shkronja “e” me shenja të ndryshme, shkronja e parafundit është “ë-ja” jonë dhe tërheqim gishtin deri te ajo, fare pak mbi shkronjën “ë” rëndohet gishti dhe kështu shënohet shkronja “ë”.”

Ka shembujt nga të ndryshëm të thënë apo shkruar kur përdoren emra si: kuvendi, vendi, apo edhe në fjalë e shprehje të ndryshme gabimisht. Në raste të tilla përdorimi i shkronjës “ë” është fare i nevojshëm si për shembull kuvëndi apo vëndi. Ato janë shprehje dialektore në disa pjesë jugore të Shqipërisë, por në vend të tyre gjuha letrare e ka pranuar shprehjet p.sh. kuvend, vend.

Shqetësimi ynë është i madh, sepse shikojmë e dëgjojmë, se gjuhën shqipe më shumë po prishin disa gazetarë, politikanë e intelektualë, të cilët pa u kursyer fare përdorin aq shumë fjalë të huaja, sa na krijohet përshtypja sikur ata nuk flasin a nuk shkruajnë në gjuhën shqipe.

Ka edhe shumë vërejtje të tjera, të cilat mund të paraqiten e botohen për të krijuar kështu një mundësi më shumë, që të përmirësojmë të shprehurit dhe të shkruarit në gjuhën shqipe. Gjuha jonë është shumë e pasur dhe e pastër me fjalë nga gurra e saj e natyrshme, prandaj të përpiqemi ta shkruajmë e ta flasim natyrshëm e pastër! Duke u përpjekur, duke pasur ndjenjën e dashurisë dhe përkushtimit ndaj  gjuhës sonë, arrijmë patjetër jo vetëm ta përvetësojmë sa më mirë, por edhe ta pasurojmë me fjalët  e saj të natyrshme, duke i flakur fjalët e huaja, kur ka mundësi.

Literatura:

FJALOR I GJUHËS SË SOTME SHQIPE  (Tiranë 1980)

FJALOR I SHQIPES SË SOTME (Tiranë, 1984)

FONETIKA DHE GRAMATIKA E GJUHËS SË SOTME SHQIPE (Tiranë, 1990)

GRAMATIKA E GJUHËS SË SOTME SHQIPE (Prishtinë, 1987)

PRAKTIKUM I GJUHËS SË SOTME LETRARE SHQIPE, (Prishtinë, 1984)

GRAMATIKA PRAKTIKE E GJUHËS SHQIPE, (Tiranë, 1998) …

Kontrolloni gjithashtu

Jeta dhe vepra e shkrimtarit, Avni Dehari, në shërbim të kombit dhe edukatës atdhetare

Jeta dhe vepra e shkrimtarit, Avni Dehari, në shërbim të kombit dhe edukatës atdhetare

Avni Dehari lindi më 3 maj të viti 1947, në fshatin Sllupçan, rrethi i Kumanovës. ...