Donike Sejdiu

Isuf Ismaili: Vajza nga Kumanova, Donikë Vaxhid Sejdiu, u zgjodh pjesëtare në Këshillin Bashkiak të Shlirenit, në Zvicër

Mërgimtarët shqiptarë, dikur pa familjet e tyre, shkonin në mërgim nga viset e ndryshme shqiptare, për të punuar në shtetet perëndimore të Evropës dhe ashtu të lidhur me familjen e tyre në atdhe, duke duruar mallin e madh qoftë për familjen, qoftë për atdheun, punonin në firmat e ndryshme për ta mbajtur gjallë jo vetëm familjen, por edhe për të krijuar të mira materiale për një ardhmëri më të mirë familjare e shoqërore. Megjithëkëtë, kjo periudhë zgjati deri nga fundi i viteve nëntëdhjeta. Kur familjet e këtyre mërgimtarëve u rrezikuan shumë nga pushtuesit, mërgimtarët tanë i merrnin gratë e fëmijët pranë vetës në mërgim.

Në mërgim, lindën dhe u rritën shumë fëmijë të këtyre familjeve të mërgimtarëve shqiptarë. Ata u shkolluan dhe arritën e po arrijnë rezultate të lakmueshme e suksese të mëdha.

Profesor Vaxhidi me bashkëshorten e tij Qefsern edhe kjo një mësuese e shkëlqyer, arritën të ngjallnin në shpirtin e fëmijëve dëshirën e dashurinë për dijen e kulturën. Kështu, bija e tyre Donika arriti, suksese të shkëlqyera në shkollimin e saj 8 – vjeçar e në shkollë të mesme, duke mos e humbur aspak suksesin edhe në studimet e larta. Kështu ajo duke përparuar e duke arritur rezultate të shkëlqyera, u bë një intelektuale e mirëfilltë. Ajo, tanimë, është doktorante në Universitetin e Zyrihut. Megjithëkëtë, ajo para disa ditësh u zgjodh pjesëtare në Këshillin Bashkiak të Shlirenit, të katonit Zyrih.

Shumë djem e vajza të mërgimtarëve shqiptarë, kanë zënë vende të rëndësishme në institucione të ndryshme e në firma, madje edhe në universitet e vendeve evropiane ku jetojnë e punojnë. Ta shikojmë këtë në planin e përparimit shoqëror, është një nder edhe për ne shqiptarët e trojeve etnike, por ta shikojmë në kuptimin se këta djem e vajza mund të bëjnë një punë e veprimtari edhe më të rëndësishme në atdhe, po qe se do të kishin, po të krijoheshin kushte e rrethana të përshtatshme nga institucionet e ndryshme shqiptare, do të kishte qenë një mrekulli e veçantë dhe një ndihmesë e madhe për atdheun.

Megjithëkëtë, në çdo kohë mërgimtarët kanë dhënë ndihmesë të madhe për atdheun, për shqiptarësinë tonë. Prandaj dy shtete shqiptare, duhet ta kthejnë vëmendjen, sidomos te këta bij e bija shqiptare, për t’i marrë në gjirin e tyre, sepse ky është një shërbim i shumanshëm edhe një përparim i mirëfilltë për shoqërinë e tërësishme shqiptare.

Por, jeta vazhdon, këta të rinj e të reja e japin kontributin, shërbejnë, krijojnë përvoja të reja dhe arrijnë rezultate të shkëlqyera në shoqëri. Në mesin e tyre, na nderon e na bën krenarë edhe ne, vajza, Donikë Sejdiu, e cila edhe si intelektuale edhe si profesioniste, por edhe si një pjesëtare e Këshillit Bashkiak në Shliren, do të dijë të na nderojë edhe në të ardhmen me punën e veprimtarinë e saj që e bën e do ta bëjë.

Përgëzime për këtë sukses, e nderuar Donikë Sejdiu, suksese të njëpasnjëshme, punë e veprimtari të mbarë!

Kontrolloni gjithashtu

Burim Ramadani

Burim Ramadani, paralajmëron krizë të thellë institucionale dhe buxhetore në Kosovë

Kosova po përballet me një krizë të thellë institucionale dhe politike, paralajmëron eksperti i sigurisë, …