Jakup Krasniqi: Frika e pushtetarëve primitivë nga mendja e ndritur e Rexhep Qoses

 


Kosova gjatë këtij viti ka festuar dy përvjetorë të mëdhenj. Dy përvjetorë, shtatëdhjetë-vjetorët e lindjeve të dy personaliteteve, tëcilët në sfera të ndryshme të jetës kanë lënë gjurmë të thella për sot e nëser dhe për kë imponojnë respekt.
I pari, është Adem Demaçi, simboli i qëndresës shqiptare, i cili për më shumë së tri dekada, ishte frymëzuesi dhe udhërrefyesi i brezave të qëndresës shqiptare, i brezit që çliroi Kosovën dhe hapi shumë perspektiva për qytetarët tanë. Nëse, dikush është shkrirë si qiriri, siç thotë Naim Frashëri, për popullin e vendin e vet, duke kaluar dekada në burgjet serbe, ai është Adem Demaçi. Kjo e ka bërë Adem Demaçin, të jetë Institucion moral që imponon dhe meriton nderim dhe respekt nga çdo njeri, vetëm jo nga ata që pa meritë janë veshur me pushtet real pas flijimeve shekullore. Pushtetarët e sotëm, veç të tjerave nuk kanë pasur kurajo që këtij institucioni moral, që nuk e ka askush në Botë, t’i afrojnë një pension për të pasur një jetë të dinjitetshme për këtë pjesë të mbetur të jetës!
I dyti, është Profesori dhe Akademiku Rexhep Qosja për të cilin e filluam këtë shkrim, jo për të ngritur, madhëruar a mbrojtur akademikun e nderuar, sepse atë më së miri e mbron veprimtaria e tij atdhetare, qëndrimi i tij vertikal, krijimtaria e tij shumëdimensionale në të gjitha etapat e jetës e të krijimtarisë së tij të begatshme të intelektualit sypatrembur.
Për këtë shkrim u provokova pas një akti të turpshëm e banal që i organizuan pushtatarët tanë, “intelektualët” xhahilë, manjakë e mjeranë, mbi veprën dhe personalitetin e tij, mbi intelektualin që e nderoi kombin në të gjitha kohët e vështira, që i kaloi populli ynë në shekullin e shkuar. Një shoqëri që nuk di e nuk i respekton vlerat e veta kulmore, nuk do të ketë e nuk meriton ardhmëri, ajo meriton të ketë vetëm të shkuarën.

Kush janë ata që në mesin e tyre nuk e dëshirojnë një krijues si akademik Qosja?!

Kjo sortë e pushtetarëve, nuk është hera e parë që çmendurisht dëshmon se nuk e ka gatishmërinë për të njohur asnjë vlerë kombëtare, ashtu si nuk e njohën as vlerën çlirimtare. Kështu, si sot që u sulen mbi nderin e Institutit Albanologjik, mbi Rexhep Qosen dhe krijimtarinë e tij, dje i janë sulur arsimit shqip në të gjitha nivelet e shkollimit dhe gjithë administratës publike në Kosovë, të cilën e paaftësuan për të administruar vendin, e lan pa jetë e pa gjak.
Këtë më se miri e dëshmojnë edhe ngjarjet që këto ditë qytetarët e Kosovës patën rast të shohin, të dëgjojnë e të lexojnë për një ngjarje që i ka pasur hije, vetëm kohës së para qereshorit të vitit 1999 – erëzezës millosheviqiane!! Kjo ngjarje e turpshme ndodhi në Institutin Albanologjik në fund gushtin e vitit 2007. Kjo do t´i shkonte vetëm kohës së banditëve të Titos, të Rankoviqit e të Millosheviqit, që vazhdojnë të jetojnë në shpirtërat lugatër, që përpiqen të ringjallen nën velon e zezë të pushtetarëve primitivë, dhunën dhe diferencimin shovenist, në këtë rast kunder vetëvetes!!! Dhunën e kohës kur në Kosovë nuk respektohej asnjë vlerë shqiptare, as kultura, gjuha, historia e as letrat shqipe, sidomos ato që kishin vlera kombëtare.
Gjeneratave të viteve të ’80-ta e të ’90-ta ju kujtohen mirë ato vite të vështira e denigruese për shqiptarët, kur të gjitha bibliotekat, prej atyre të shkollave fillore e deri të Biblioteka Kombëtare u pastruan nga shumëçka shqiptare, edhe nga hartat historike e gjeografike. Tipat e këtyre “shqiptarëve” të sotshëm atëherë ishin mashat për “pastrimin” e bibliotekave nga literatura indoktrinuese shqiptare, tani janë vendosur në pozitat e urdhërdhënësit për veprime të shëmtuara, tash jo vetëm mbi libra por edhe mbi krijuesin e tyre. Ata, që kanë gatishmëri të dhunojnë krijimtarinë më të përparuar të letrave shqipe në Kosovë e Shqipëri, ata ashtu do të vepronin edhe mbi krijuesin e tyre, (po të guxonin), mbi njeriun dhe jetën e tij në këtë rast mbi akademikun, profesorin, mbi lavëruesin më të thellë, mbi mendjendriturin e letrave e të historisë së letërsisë shqipe të hapësirës mbarkombëtare. Edhe atëherë, gjatë gjithë periudhës së pushtimit, shovinizmi serb përpiqej t’i maskonte veprimet fashiste që i ushtronte mbi intelegjencën e kulturën në Kosovë.
Pushtuesi edhe pse ishte i egër e barbar, të paktën hiqej sikur i respektonte traditat e trashëgiminë kulturore të vendësve, për të krijuar përshtypje se i respektonte ato. Këta, pushtetarët e sotëm, nuk i respektojnë as vlerat e tyre kombëtare!!! Është fat i mirë për popullin e Kosovës që pas qershorit 1999 filloi një erë e re, pa prezencën fizike të pushtuesit, por, kjo nuk qenka e mjaftueshme për t´u shkëputur nga një praktikë e mentalitet që dhunën dhe shkatërrimin e ka në gjak, që e ka të trasheguar nga pushtuesi të cilin dëshirojnë ta imitojnë në të gjitha përmasat e dhunës mbi vlerat, pse jo edhe mbi njeriun dhe jetën e tij. Populli shqiptar, gjithë qytetarët e Kosovës duhet të shkëputen njëherë e mirë, nga të gjitha format e pushtetit a të mentalitetit që prodhojnë e ushtrojnë dhunë mbi cilindo institucion, njeri a cilëndo vlerë kombëtare a njerëzore të kudo ndodhur.
Cili Institut Kombëtar në Botë, nuk do të dëshironte të kishte në radhet e veta një personalitet të kulturës, siç është prof. Akademik Rexhep Qosja?
Cili drejtor i Institutit nuk do t´i ofronte kushte për punë stimuluese një akademiku kaq studioz si është akademiku ynë?
Cili njeri që njeh vlerën e krijimtarisë atdhetare nuk do të shpallte muze zyren e Rexhep Qosjes, nëse ai edhe vet do të largohej nga Instituti Albanologjik?
Cila Qeveri kombëtare, e cilit vend nuk do të pengonte arrogancën e zyrtarit të pa edukuar, siç është rasti me zyrtarin a zyrtarët e dhunshëm të Institutit Albanologjik?
Një gjë është e sigurt, çdo vlerë kombëtare, çdo pjesë e përgjegjshme e kombit tonë kudo që është, ndihen të fyer nga një akt i tillë sa banal aq edhe primitiv! Me këtë rast është përbuzur dhe denigruar personaliteti i intelektualit kombëtar në përgjithësi!
Turp edhe i atyre që prodhuan dhe instaluan këtë nivel intelektual në Institucionet e Kosovës së lirë e demokratike.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …