Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Gatishmërinë për kompromis, si ta quajmë?

Çfarëdo thirrje për marrëveshje e cila do t’i normalizonte marrëdhëniet në mes Kosovës e Serbisë, qoftë edhe thirrja për ndonjë formë tjetër për normalizimin e marrëdhënieve, e saktësoj – për normalizimin e marrëdhënieve, do të mund të konsiderohej si normale. Është normale edhe atëherë kur zyrtarët e lartë të shtetit shfaqin vullnete të mira për normalizim marrëdhëniesh, e sidomos kur ai normalizim hapë perspektiva jo vetëm për qytetarët e dy vendeve (Kosovë – Serbi), por edhe për krijimin e raporteve të reja në Ballkanin Perëndimor, nuk mund të bëhen me vullnetin e mirë vetëm të palës së Kosovës. Por ama normalizim pa sakrifikuar asnjëra palë nga popujt e këtij rajoni. Madje, shqiptarët kanë sakrifikuar shumë, kanë bërë shumë kompromise dhe të rejat nuk duhet t’ju kërkohen nga askush jashtë saj. Ndërsa kompromisin për zvogëlim hapësinor, askush nga shqiptarët nuk duhet guxuar që ta mendojë e jo më ta ofrojë. E kushdo që guxon ta ofrojë, mbi te duhet të bien të gjitha mëritë e historisë, të gjitha mëritë e dhimbjeve që kombit tonë ia kanë shkaktuar padrejtësitë e vjetra e të reja të historisë së dhimbshme shumëshekullore!

Gjithashtu i pari qytetar i vendit tonë (pozitë të fituar më shumë pazare e në rrethana jo normale), ka të drejtë kushtetuese të kërkojë nga Presidenti i SHBA-së që t’i ndihmojë Kosovës e Serbisë në normalizimin e marrëdhënieve në mes këtyre vendeve, por nuk ka të drejtë të ofrojë paraprakisht kompromis për normalizimin e marrëdhënieve. Ofrimi i kompromisit paraprakisht nuk është e drejtë kushtetuese, përkundrazi është shkelje e rendë e kushtetutës, pasi është thirrje për cenimin e territorit dhe të sovranitetit të shtetit. Madje, kjo thirrje po vjen pasi një viti të zhurmshëm e më plotë patriotizëm në jetën politike e mediatike për bashkimin e Kosovës Lindore (Preshevës, Bujanocit e Medvegjës) me Kosovën. Pas gjithë atij debati që është zhvilluar në gjithë hapësirën kombëtare shqiptare për korrigjimin e kufirit në dobi të Kosovës, premtimi i tashme që i bëhet Presidentit Trump, sidomos gatishmëria për kompromis është tregues i sigurt se i pari i shtetit tonë ka probleme serioze politike e intelektuale! Ai po tregohet i gatshëm për të bërë kompromisin e radhës dhe më të madhin e më dëmshmin e deritashëm. Kjo për njeriun me aftësi mesatare është e pa akceptueshme.

Është e qartë, gatishmëria për kompromis nuk donë të thotë: bashkim i tri komunave të Kosovës Lindore me Kosovën, por dhënia e një pjese të Kosovës Serbisë, madje këtu rrezikohet e gjithë hapësira jonë vitale përtej lumit Iber. Në ketë rast dhimbja është edhe më e madhe se e tërë kjo po vije pas kompromiseve të shumta që Kosova ka bërë në Bisedimet e Vjenës dhe më pas në Bisedimet e Brukselit. Kjo që e ka bërë një njeri, qoftë edhe njeriu i parë i vendit, për gatishmërinë për kompromis të ri pas shumë kompromiseve të njohura, e ka vetëm një emër – tradhti. Madje, edhe sikur e tërë kjo të ishte arritur pas një konsensusi nacional në mes partive politike pjesëmarrëse në Kuvendin e Kosovës për kompromis do të ishte tradhti, e cila do të duhej të parandalohej nga qytetarët e Kosovës. Por krejt çështja është, në ketë hallakamë protestash për interesa vështirë të arsyeshme për rrethanat tona, si po duket pak ka hapësirë për veprime racionale afatgjata. Sipas të gjitha gjasave edhe kjo hallakamë e ka gatishmërinë për kompromise të reja?!

Për rrethanat e reja të krijuara kahmoti, më duket krejt e paarsyeshme heshtja e rinisë në përgjithësi, sidomos e rinisë studentore e cila duhet të jetë më e përkushtuara për t’i mbrojtur frytet e fituara me luftën çlirimtare dhe angazhimin e saj për avancimin e këtyre fryteve në rrethana të reja progresi, zhvillimi e solidariteti.

Gatishmëria e cilitdo institucion të Kosovës për kompromis të ri nuk mund të konsiderohet në asnjë rrethanë kompromis, por duhet të konsiderohet edhe më shumë sesa komprometim. Mbase, është momenti i fundit që cilitdo që guxon te ofrojë gatishmëri kompromisi apo lëshime të reja ndaj Serbisë, si dhe ndaj të gjithë atyre që thirrin si kukuvajka për heqjen e taksës 100% ndaj Serbisë, populli shqiptar i Kosovës duhet t’i nxjerrin pa hezituar jashtë politikës. Taksa e ka vetëm një adresë kundërshtuese – Serbinë! Çdo tentim për orientim tjetër është mashtrim e trillim.

Të gjithë në Kosovë duhet ta dinë se Republikës së Kosovës jo vetëm që si duhen kompromise e konferenca të reja, kuptohet pas Bisedimeve të Vjenës, ashtu si nuk i janë dashur as Bisedimet politike të Brukselit të cilat veç situatave konfliktuoze nuk kanë krijuar asgjë të mirë. Dhe ato situata i kemi parë shumë herë gjatë pesë-gjashtë viteve të fundit.

Nëse dikush do të duhej ta kërkonte kompromisin, ai dikush do të duhej të ishte vetëm e vetëm Serbia e trashëgimtarëve të Millosheviqit e jo shqiptarët – viktimat më se njëshekullore të regjimeve të ndryshme serbe.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …