Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Shqiptarët 103 vjet pas një vendimi të Fuqive të Mëdha të kohës

Para 103 viteve qenia shqiptare ishte e rrezikuar nga aspiratat grabitqare të shteteve fqinje. Sot, gjeneratat tona nuk debatojnë më lidhur  me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër as nominimin e Princ Vidit si mbret i përkohshëm i Shqipërisë, e as me termat në ishte “barrë” apo “lehtësim” për Shqipërinë ato vendime, ndonëse në pushtet do të vendoseshin feudalët profiterë (Zogu – Toptani), në dëm të atdhetarëve të njohur demokratë si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Isa Boletin, Fan Noli etj., duke pasur ndihmën e pranisë ndërkombëtare të kohës, të cilëve nuk u duheshin personalitetet me integritet, por njerëzit e “lepe-peqeve” apo shprehjes adekuate angleze “yes man”. Kështu dicka pata shkruar edhe para katër viteve, në librin tim: “Pavarësi dhe personalitete”.

Fuqitë e kohës demokracinë dhe integritetin ndërkombëtarët e ruajnë edhe sot  për vendet e tyre, por jo në vendet ku “sugjerojnë” politika dhe i mësojnë amatorët politikë si të merren vendimet, të bëhen reforma e deri ku dhe kush duhet të vendoset në një post në Agjencinë e Privatizimit, në ndërmarrjet publike, në postin e Drejtorit të Policisë apo Guvernatorit të Bankës Qendrore, etj. Kjo mënyrë e qeverisjes është gjithçka, por jo qeverisje demokratike.  Kush nuk po e sheh ketë sot? Sikur të mos ndodhnin ndërhyrjet pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, të mos vinin në pushtet halldupët e pa ditur e xhahilët, në rrjedha të tjera do të ecte Shqipëria dhe shqiptarët. Standarde të tjera do të vendoseshin për drejtuesit e shtetit e të kombit. Shkopi për zyrtarë të lartë të shtetit, nuk mund të besoj se do ishte kaq i ultë, sa është sot në Kosovë e Shqipëri?! Përkundër kësaj, për kohën tonë, e rëndësishme mbeti bërja dhe njohja ndërkombëtare që iu bë shtetit shqiptar – Shqipërisë, më 29 korrik 1913, nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, që u rikonfirmua në Konferencën e Paqes në Paris (1919), me ndihmën e Presidentit të SHBA-ve, Vilsonit dhe pastaj me anëtarësimin e saj në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor 1920.

Mbijetesë e kësaj krijese, edhe ashtu siç ishte, në kohë të ndryshme, ishte një zë i mbrojtjes për shqiptarët e pushtuar nga shovinistët e Ballkanit. Sot, ne shqiptarët mjaftohemi që një pjesë e territoreve tona në rrethana mjaft dramatike, u konstituua e mbijetoi me shtetin shqiptar – Shqipërinë, edhe pse një shtet i përgjysmuar ky, në çdo front të jetës. Në një të ardhme, kështu si po flasim për Shqipërinë Londineze, gjeneratat që do të vijnë pas nesh, edhe ne të sotmëve të Kosovës do të na gjykojnë lidhur me atë se ç’do t’u lamë atyre, çfarë shteti funksional do të jetë Republika e Kosovës, çfarë pasurie do të trashëgojnë nga ne… Dhe pyetja më fundamentale do të jetë: Çfarë sigurie do t’iu lëmë shqiptarëve jashtë shteteve shqiptare?! A mund të shpresojmë se  do t’ua lëmë një shtet sovran që funksionon mbi vlerat, parimet dhe standardet e sotshme të demokracive perëndimore dhe të integruar në BE dhe NATO. Shqiptarëve jashtë kufijve të shteteve shqiptare, mundësinë për integrime të gjithanshme kombëtare e evropiane. Shpresojmë t’u lëmë një treg të përbashkët kombëtar, për gjitha segmentet e jetës. Por, sa jemi duke e bërë të duhurën? Sigurisht që gjeneratat e ardhshme të një Kosove me fytyrë tjetër, nuk do të flasin për kohën e Administrimit Ndërkombëtar, por, do të flasin se, çfarë tradite shtetërore do t’u lëmë, demokratike apo despotike. Ndërsa, sa i përket pasurisë, kjo do të varet shumë nga ne dhe nga qasja që gjeneratat e reja do të kenë ndaj punës, ndaj burimit kryesor të pasurisë së kombeve, siç thotë Adam Smithi. Ndonëse kjo nuk është punë e lehtë e as pa sfida të mëdha, të brendshme e të jashtme.

Brezi i pavarësisë së Kosovës, që përfaqësojnë qytetarët e mrekullueshëm, duhen të angazhohen që Kuvendi i Republikës së Kosovës të përgatitë legjislacionin e duhur për të çuar Kosovën në familjen e madhe euro-atlantike. Por, mënyra si votohet dhe si ndikohet votimi në Kuvendin e Kosovës, si imponohen të zgjedhurit, lënë shumë për të dëshiruar. Popullit të Kosovës në legjislaturën e tretë të pavarësisë i mungojnë përfaqësuesit dinjitozë e me integritet dhe një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet më.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, me gjithë dëmet e pa riparueshme për kombin tonë, ajo ia la një shenjë – Shqipërinë Londineze. Megjithatë, sot nuk duhej të ishim këtu ku jemi, pa sovranitetin në Sistemin e Drejtësisë! Pa dyshim, ky është faji ynë! Mbase kështu do të flitet edhe në Kosovë pas 103 viteve të 17 shkurtit 2008! Me gjithë dobësitë e cekura, ndryshimet progresiste në hartën evropiane nuk duhet mohuar. Gjeneratave të ardhshme po u mbetet shumë punë për të bërë!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …