Ivica Daçiq e diskrediton ministren Shvarc në OKB, duke treguar se ajo ka akuzuar për krime lufte Hashim Thaçin e Kadri Veselin

Kosova mori një grusht të fortë në OKB, pasi ministrja, Donika Shvarc, nuk u përball dot me ministrin serb, Ivica Daçiq

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Kosova mori një grusht të fortë në OKB, pasi ministrja Gërvalla nuk përballej dot me ministrin serb, Ivica Daçiq, i cili e diskreditoi pikërisht në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që u mbajt në Nju Jork, ngjarje ditore për mediet e të gjitha shteteve të botës.

Akuzat e ministres Shvarc, drejtuar,  Ivica Daçiqit duke e akuzuar për krime lufte dhe duke iu drejtua se i ka duart e përgjakura, iu kthyen bumerang ministres së Qeverisë, Kurti, zonjës Shvarc, e cila uli kokën dhe nuk mund të përgjigjej, as ta kundërshtonte, as të mohonte se kishte deponuar të dhëna kundër krerëve të luftës së UÇK-së në Prokurorinë e Gjykatës Speciale, as të kërkonte falje për ato deklarata, as të pendohej publikisht për to. Zonja Gërvalla ra në kurthin që kaherë i ka përgatitur vetes dhe nga ai kurth nuk e nxjerrë dot, Vjosa Osmani, as Albin Kurti, sepse ajo nuk tërhiqet nga deklaratat e saj të dhëna vullnetarisht, jo si viktimë e pretenduar e UÇK-së, por si kundërshtare e përbetuar e saj.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në sesionin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke iu përgjigjur ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Shvarc lidhur me krimet e luftës, tha se ishte vetë zonja Donika Gërvalla që deponoi në Gjykatën Speciale, në Hagë, dëshmi kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Ju keni ndihmuar të akuzohet Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli për krime me dëshmitë që keni mbledhur nga familjarët e viktimave, pra juve ju kanë dalë në ndihmë viktimat e krimeve të kryera nga ana e Thaçit dhe Veselit. Më 2017 keni folur për krimet e  Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit dhe anëtarëve të partive tuaja politike. Ua rikujtoj se unë kam nënshkruar marrëveshje me Thaçin. Ku janë ata tash? Pse s’jam akuzuar unë ose kryetari Vuçiç për krime  lufte, pyeti Daçiq  duke e lënë pa fjalë, kokulur dhe të mbuluar me turp, ministren e Qeverisë së Albin Kurtit, Donika Shvarc, dëshmitaren e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, të njohur për qëndrimet e saj kontroverse, agresivitetin, arrogancën, harresën, mosnjohjen elementare të punëve, mungesën e moralit kombëtar e shumë mangësi të tjera.

Me këtë rast shtrohen pyetjet se a pajtohet plotësisht Qeveria Kurti me deklaratat e ministres Donika Shvarc, të deponuara në Gjykatën Speciale kundër krerëve të UÇK-së?

Pse Qeveria nuk del me një deklaratë pro apo kundër deklaratave të tilla?

Pse disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që rrahin gjoks se kanë qenë në vijat e para të luftës, ndërsa të gjithë se e dimë se ku kanë qenë e kah kanë lëvizur, nuk flasin as edhe një fjalë të vetme për ministren, Shvarc?

Dihet mirëfilli se me rastin e themelimit të kabinetit qeveritar të Albin Kurtit, të gjithë i kanë ditur deklaratat e zonjës, Donika Shvarc kundër UÇK-së, por nuk ka reaguar askush, pasi krejt kjo është interpretuar si normale, si e drejtë e njeriut për të dëshmuar vullnetarisht, thjesht si përcaktim politik. Për më tepër ishte vetë kryeministri Kurti i cili në mënyrë cinike dhe përbuzëses iu kishte drejtuar, asokohe kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, me fjalët: -çka por pret Hashim, shko në Hagë, dhe në anën tjetër krekoset se ka votuar kundër Gjykatës Speciale, kur ishte në opozitë.

Po ashtu dihet edhe qëndrimi përbuzës, injorues, arrogant e denoncues kundër UÇK-së i Vjosa Osmanit, e cila vetëm në muajt e fundit ka filluar ta përmend shkarazi luftën e UÇK-së, nëpër vizita te memorialët dhe përmendoret e dëshmorëve e martirëve, ku nuk mungon në asnjë rast si pjesë e treshes me Kurtin e Konjufcën  por gjithnjë përmend se ishin masakrat serbe kundër shqiptarëve ato që sollën çlirimin e Kosovës dhe kurrsesi lufta e UÇK-së, edhe pse ajo ishte ndihmuar nga aeroplanët e NATO-s.

Dihet qëndrimi i disa ministrave të kabinetit Kurti kundër veteranëve, kundër krerëve të UÇK-së, kundër të gjitha qeverive  paraprake, duke i akuzuar për dështime e korrupsion, edhe pse korrupsioni ka depërtuar thellë e më thellë edhe në kreun e kësaj qeverie.

Ministrja, Donika Shvarc, nuk është e vetme, andaj as i shkon në mendje të pendohet për dëshmitë e saj, ku me siguri se një ditë do të paraqitet qoftë si dëshmitare e mbrojtur, qoftë e hapur dhe do të merret në pyetje, për të gjitha ato që i kishte kurdisur bashkë me një segment të LDK-së, vullnetarisht, sepse ajo nuk ka qenë e ftuar nga Prokuroria e Gjykatës Speciale, të dëshmojë, për  ato që ajo i quan “krimet e luftës së UÇK-së” por këtë e ka bërë vullnetarisht.

Debakli, që Donika Shvarc, pësoi para ministrit të Jashtëm të Serbisë, pionierit më besnik të Millosheviqit, Ivica Daçiq, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nuk do të harrohet kurrë.

Do të mbetet një damkë  e zezë për të dhe për tërë kabinetin qeveritar të Albin Kurtit, meqë as ka pasur as do të ketë ndonjëherë, madje as ndonjë kërkesë të vetme për diferencim, nga dëshmitë e saj kundër UÇK-së.

Pavarësisht sesi si deklarojnë para opinionit treshja: Kurti, Konjufca, Osmani, pavarësisht vizitave të përditshme te monumentet e dëshmorëve madje edhe te familjarët e tyre, pavarësisht retorikës hipokrite, e vërteta flet vetvetiu dhe ajo nxjerrë kokë kurdo që e kërkon koha. Rasti i përballimeve të ministres  Shvarc me ministrin serb, Daçiq, në selinë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk është thjesht në lajm dite i një mediumi, por është lajmi i shpërndarë në tërë botën, ku ministri serb prezanton fakte të qëndrimit të vetë ministres së Jashtme të Kosovës, kundër luftës së UÇK-së, kundër atyre që nuk kanë dëshmuar para prokurorive për krimet serbe, por kanë dëshmuar e do të dëshmojnë kundër luftës së UÇK-së. Këto fakte nuk mund t i mohojë askush, sepse janë argumente të bazuara, të dhëna para institucioneve të drejtësisë.

Turpi godet edhe atje ku nuk e pret.

Turpi do t i godasë, të gjithë këta ditë pas dite, sepse për çlirimin  e Kosovës dikush ka derdhur gjakun mundin e djersën rrëke, dikush ka lënë gjymtyrët dhe ka humbur tërë familjarët, derisa të tjerët jo vetëm që kishin dezertuar e kishin ikur kush nga kishte mundur për të shpëtuar, por fajtor për ikjen e kishin bërë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe jo regjimin vrastar, barbar e monstruoz të Millosheviqit dhe makinerisë së tij antinjerëzore.

 

Ahmet Qeriqi

  1. 4. 2023

Prishtinë

 

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: 8 maji do të jetë Referendum, të rrethojmë numrin 4 për të ardhmen europiane

Fronti Europian sot mbajti konferencë për media ku kandidati për deputet Naim Bajrami ka elaboruar …