KosovaPress

Kosovapressi i sotëm shënon 25-vjetorin, pa përmendur me asnjë fjalë luftën e UÇK-së dhe asnjë nga reporterët e gazetarët e luftës

Në 25-vjetorin e themelimit, stafi i sotëm i Agjencisë së Lajmeve Kosvapress, ka publikuar një shkrim redaksional, në të cilin, as edhe për hir të 25-vjetorit, të fillimit nga puna  nuk ka përmendur me asnjë fjali, madje me asnjë fjalë, luftën e Ushtrisë Çlirimtare, themeluesin e kësaj agjencie  që ishte SHP i UÇK-së, përgjegjësin e kohës së luftës, Berat Luzha gazetarët e teknikët, Ismet Sopi, Isa Krasniqi, Besnik Berisha Qemal Aliu, Metë Bytyçi, Fadil Bajraktari.

Këta  gazetarë e luftëtarë të lirisë dhe aktiviteti i Agjencisë sidomos në 6 muajt e luftës, të paktën do të duhej të përmendeshin në një përvjetor Jubilar si ky i sotmi. Madje për hir të njerëzisë, atdhetarisë,  kolegialitet, gjakut të derdhur për çlirimin e vendit, në mesin e tyre edhe gazetarë të Radios dhe të Agjencisë në terren,  do të duhej të ishin falënderuar me këtë rast.

Por jo. Kosovapressit nuk i intereson e kaluara, rrënjët, historia por vetëm ko e sotmja kapitaliste me të cilën është ngritur  po në radhë të parë mbi kapitalin financiar të  Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, kur nga Fondi mori 175 mijë marka gjermane, ndërsa  Radio-Kosova e Lirë vetëm 25 mijë. Më vonë për disa vjet rresht  ishte barrë e PDK-së. Asnjë nga këtë fakte nuk i përmend Kosovapresi, madje as në çerek-shekullin, të cilin e shënon me shumë e shumë të arritura komerciale, ekonomike, lidhje mediale  me botën, e çka jo. (RKL)

 

 Ja shkrimi plotë redaksional i Kosovapresit që ndodhet sot në faqen e Agjencisë:

Agjencia e Lajmeve KosovaPress sot shënon 25-vjetorin e themelimit dhe fillimit të punës. KosovaPress u themelua më 4 janar 1999, duke dhënë kontribut të madh në informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për luftën çlirimtare, krimet serbe dhe bombardimet e NATO-s.

25-vjetori, KosovaPress-in e gjen pjesë të rrjeteve të Agjencive të Lajmeve Ballkanit, ABNA-se  (www.abnase.com) dhe Evropës, EANA (www.newsalliance.com ), duke e përmbyllur edhe ciklin e antarësimeve të saja në botë, aty ku Kosova është duke synuar.

Gjatë periudhës së luftës, KosovaPress publikoi lajme në gjuhën shqipe, angleze, gjermane dhe frënge.

Me shuarjen e Qeverisë së Përkohshme, në janar të vitit 2000 dhe krijimin e Këshillit të Përkohshëm Administrativ, në shtator të po këtij viti, KosovaPress nisi rrugëtimin e saj si Agjenci e Pavarur e Lajmeve.

Fillimi ishte i vështirë dhe luftohej për mbijetesë (në shkurt 2002 mediat dëbohen nga ish-ndërtesa e Rilindjes), ndërsa më pas, falë punës dhe këmbënguljes, nisi edhe periudha e zhvillimit dhe, vit pas viti, edhe zgjerimit të produkteve.

 

Një kronologji e shkurtër:

Në vitin 2002, KosovaPress kaloi në sistemin me parapagim, fillimisht në gjuhën shqipe, e prej vitit 2005 rifilloi publikimet edhe në gjuhën angleze, ndërsa, në 2007 edhe në gjuhën serbe dhe turke.

Në dhjetëvjetorin e themelimit (2009), KosovaPress solli në tregun medial të vendit, produktet më të reja: video-lajmin dhe audio-lajmin.

KosovaPress, në përvjetorin e 17 të punës, prezantoi produktin e saj më të ri e që ishte transmetimi i drejtpërdrejt i ngjarjeve. Transmetimet e drejtpërdrejta u realizuan me teknologjinë më të re, përmes kamerave 4K. Investimi i vazhdueshëm në teknologji i lejon sot KosovaPress-it të bëjë deri në 10 transmetime “live” në të njëjtën kohë, si dhe me regji.

Kur KosovaPress kremtoi dy dekada punë, u prezantua edhe Departamenti i Produksionit, i cili kujdeset për realizimin e emisioneve edukativo-argëtuese, siç është emisioni për fëmijë “Foleja”.

Në vitin 2017, KosovaPress, pas nje lobimi disavjeçarë anëtarësohet me të drejta të plota në rrjetin e Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE www.abnase.com). KosovaPress, që prej anëtarësimit, wshtw duke dhënë një kontribut të vlefshëm në promovimin e vlerave nacionale në rrjetin e lajmeve që editohen në platformat e ABNA-së.

Në shtator të 2021, KosovaPress pasi organizoi suksesshëm Asamblenë e Përgjithshme të ABNA-SE, mori  presidencën për një vit.

Pas presidencës 2021-2022, KosovaPress për dy vite vazhdon te jetë pjesw e bordit të ABNA-SE (https://abnase.com/contacts/).

Lobimi dhe përpjekjet për të qenë pjesë edhe e rrjeteve tjera të agjencive të lajmeve nuk u ndalën.

Në fillim te vitit 2022, KosovaPress (Kosova), MIA (Maqedoni e Veriut) dhe Armenia aplikuan për të qenë pjesë e rrjetit të Agjencive të Lajmeve të Evropës, EANA.

Në shtator të 2022-ës, në Asamblenë Gjenerale, KosovaPress pranohet zyrtarisht si anëtare me të drejta të plota në Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), dhe me ketë anëtarësim KosovaPress-it iu hapën edhe më shumë rrugët për të bashkëpunuar me të gjitha agjencitë e lajmeve të Evropës duke sjell produktet që i ofrojnë këto agjenci (https://www.newsalliance.org/news/the-european-alliance-of-news-agencies-welcomes-kosova-press-as-new-member-and-stefano-de-alessandri-ceo-of-ansa-as-new-member-of-the-board).

Kushti për tu anëtarësuar ishin ¾ e votave të anëtarëve, ku brenda kësaj organizate janë 10 shtete që nuk e njohin Kosovën. Nga 32 anëtarë (Rusia ishte suspenduar në prill të po atij viti), KosovaPress duhej të merrte 24 vota të anëtarëve pavarësisht se prezenca nuk ishte e plotë). KosovaPress mori 25 vota duke u bërë anëtarja e 33-të e këtij rrjeti me të madh të agjencive të lajmeve e cila është themeluar më 1924 (https://www.newsalliance.org/members/).

Me këtë KosovaPress-it iu hapën edhe me shumë dyert e bashkëpunimit me të gjitha këto agjenci dhe rritjes së lajmeve nga këto vende dhe në këto vende për klientët e ndërsjellët.

Deri më tani ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shumë agjenci, përfshirë ATSH-në ( Shqipwri ), ANSA-n (Itali), ANA-MPA (Greqi), BTA (Bullgari), ANADOL AGJENCI (Turqi) dhe LUSA (Portugali) dhe është në proces edhe me shumë e shumë të tjera.

Falë përkushtimit, përgjegjësisë dhe saktësisë, mediumet më të mëdha e më të rëndësishme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut si dhe vende të tjera të rajonit e me gjerë vazhdojnë t’i besojnë Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, duke bashkëpunuar ngushtë çdo ditë, tashmë për vite me radhë.

Agjencia e Lajmeve KosovaPress vijon të sjellë për lexuesin dhe klientin gjithë çfarë ndodhë në jetën e përditshme politike, ekonomike e sociale të Kosovës, regjionit, Evropës dhe botës, por edhe duke ngritur çështje të rëndësishme përmes gjinive të tjera gazetareske si intervista, dokumentarë, reportazhe e të tjera.

Nga viti i kaluar, nga tre gjuhë, funksionon në tetë gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht edhe për klientët, ndërsa  gjermanisht, italisht, frëngjisht, italisht, maqedonisht dhe turqisht përmes përkthimit automatik.

KosovaPress hyri në 25-vjetorin e themelimit me shumë plane e projekte të reja që disa do të prezantohen këtë vit, përfshirë hapësira të reja dhe faqen e re.

KosovaPress objektiv ka që të jetë një burim i besuar i lajmit si dhe një kontribuues i rritjes së lirisë së të shprehurit.

/KosovaPress/

 

Kontrolloni gjithashtu

Ilaz Kodra

Ramush Haradinaj: Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama

Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra …