Jakup Krasniqi

Krerët e luftës dhe të institucioneve të Kosovës, që po mbahen në Hagë, iu mungojnë proceseve politike në vend

Emri i Jakup Krasniqit, është i radhitur në mesin e personaliteteve më të shquara të kombit, jo vetëm në politikë e në aktivitetin e tij atdhetar, por edhe në perceptimin dhe studimin me realizëm të të gjitha zhvillimeve e rrjedhave tona kombëtare, sidomos prej viti 1981 e deri në ditët  tona, në të cilat ka qenë edhe subjekt me shumë rëndësi, veçmas në kohën e luftës, zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pjesë e delegacionit të UÇK-së në Rambuje, në shkurt mars të vitit 1999, ndërsa pas luftës  pjesë e organizimit  institucional të vendit, ministër, kryetar i Kuvendit të Kosovës,  në dy mandate edhe  në kohën e Shpalljes  së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të viti 2008, kryetari i Kosovës në detyrë për  disa muaj sipas funksionit në krye të Kuvendit, aktualisht kryetar (i munguar) i Këshillit kombëtar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës.

Përveç detyrave me rëndësi në institucionet e vendit, Jakup Krasniqi është marrë dhe merret aktivisht edhe me  studime shkencore, krijimtari publicistike, ndërsa  në vitet e pas luftës ka arritur të botojë një varg veprash me interes për shkencën,  politikën, publicistikën, ku ka lënë gjurmë me origjinalitet dhe pikëpamje të përparuara, të cilat e karakterizojnë tërë krijimtarinë e tij të begatshme studimore dhe publicistike.

Duke qenë për jetë i lidhur me fatin e kombit e Atdheut, një idealist i shkollës politike të Adem Demaçit dhe Lëvizjes Atdhetare të kohës e më vonë  i shkollës ushtarake të Adem Jasharit, Jakup Krasniqi me jetëne veprën e tij ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në përparimin e zgjerimin e idesë së çlirimit dhe bashkimit të kombit, gjithnjë i organizuar në segmente të caktuara të veprimtarisë atdhetare.

Në vitet 70-të të shekullit të kaluar ishte pjesë e Lëvizjes Atdhetare, e njohur si Lëvizje Ilegale me atributet e zakonshme të kohës, me përmbajtje të majtë politike, por në brendi me programin kombëtar të organizatave, që kishin synim krijimin e mekanizmave të rezistencës,  gjithnjë në akord  me kohën dhe mundësitë e veprimit qoftë legal apo edhe me  organizime legale, shpeshherë me qellim të fshehjes së aktiviteti atdhetar, të cilin e përgjonte dhe e vëzhgonte aparati shtetëror jugosllav. Për atë aktivitet  në vitin 1981 ka qenë i dënuar, fillimisht 14 vjet burg, ndërsa  përfundimisht 15 vjet në një grup së bashku me Hydajet Hysenin, Mehmet Hajrizin, Nezir Myrtajn, Gani Sylajn e të tjerë…

Dhe tani, në mënyrën më të padrejtë të mundshme, Jakup Krasniqi, me urdhër të Prokurorisë së Gjykatës Speciale  ndodhet në paraburgim, në Hagë, së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, të akuzuar gjoja për “Ndërmarrje të veprimeve kriminale” gjatë luftës.  ( Aktualisht në paraburgim ndodhen edhe ish eprorët dhe luftëtarët e UÇK-së, Salih Mustafa, Hysni Gucati Nasim Haradinaj dhe Pjetër Shala).

Mbajtja e Jakup Krasniqit dhe e eprorëve të tjerë të UÇK-së në paraburgim, të akuzuar gjoja për krime lufte është një shkelje e rëndë e drejtësisë ndërkombëtare, dhe,  për shkelje të tilla kanë reaguar,  Eliot Engell, Malcolm Simmons, Viliam Voker e autoritete të tjera ndërkombëtare, sepse po shihet qartë se një segment pro serb në BE dhe në mekanizmat politike vendimmarrëse të  Evropës, fatkeqësisht edhe një segment politik brenda Kosovës, mbajnë anën e Serbisë, edhe pse dihet mirë se  këto shtete të Evropës në krye me NATO-n, Amerikën e Anglinë, prej 24 mars e deri më 10 qershor të vitit 1999 kishin bombarduar Jugosllavinë e Millosheviqit për krimet, gjenocidin dhe dëbimin masiv të popullatës shqiptare nga vendi i tyre. Bombardimi kishte sjellë edhe kapitullimin e regjimit më fashist serb të Millosheviqit, që ka pasur Evropa, pas Adolf Hitlerit.

Krerët e luftës së UÇK-së dhe ata të OVL-UÇK-së, që po mbahen në paraburgim, në burgun e Gjykatës së Hagës nuk kërkojnë mëshirë, por drejtësi, ata nuk pendohen për luftën e UÇK-së, kundër regjimit më barbar serb të Millosheviqit, sepse lufta e tyre dhe e të gjithë  luftëtarëve të lirisë, ka qenë luftë për çlirim nga pushtimi i egër serb dhe kurrsesi “një ndërmarrje e përbashkët kriminale” sikur pretendon Prokuroria e Gjykatës Speciale.

Ata e dinë mjaft mirë se e kanë përkrahjen e pjesës dërrmuese, jo vetëm të banorëve të Kosovës, por të të gjithë shqiptarëve liridashëses kudo ku jetojnë ata, në trojet etnike apo në mërgatë.

Ata e dinë po ashtu se, sikur se Lufta e UÇK-së ka kundërshtarë edhe sot, madje ka edhe të tillë që po mundohen ta minimizojnë, ta zhvlerësojnë, t’ ia ulin rolin e rëndësinë, shtrirjen dhe kapacitetet luftarake.

Ka madje edhe politikanë  të tillë që pa asnjë rezervë përmendin emrat e Milosheviqit, Tadiqit, Sheshelit, Daçiqit, Vuçiqit, por nuk i përmendin emrat e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Hysni Gucatit, Nasim Haradinajt e Pjetër Shalës, sepse nuk ua pranon “namuzi” i tyre, smira e xhelozia, urrejtja e verbër, glaukoma politike.

Jakup Krasniqi dhe krerët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm dhe do të lirohen nga akuzuat,  sikur ishin liruar më parë nga Gjykata e Hagës, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e të tjerë, por drejtësisë ndërkombëtare do t’ i mbetet një njollë  e zezë më shumë,  e cila nuk do të shlyhet kurrë, ashtu sikur nuk janë shlyer  as harruar djegiet në turrën e druve të mendimtarëve të Renesansës nga Evropa e kohës, djegia në turrë të druve e Zhanë d’ Arkut e Xhordano Brunos, ashtu sikur nuk është harruar Inkuizicioni, njolla më e pashlyeshme e Evropës Plakë, së bashku me Fashizmin e Adolf Hitlerit, Benito Musolinit  dhe Françisko Frankos.

 

Megjithatë, bota dhe gjithësia lëvizin…

Drejtësia mënon, por nuk harron…

 

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

31 mars 2022

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …