Kur do t’i lëmë anash lakmitë? shkruar nga Qerimane Polisi

Nëpër valët e stuhisë që i solli koha mbi kokat tona, pluhuri që na mbuloi, furtunat e jetës që ende po fryjnë e nuk na lënë të qetë. Edhe sot ne duhet të përballemi me të metat dhe reliktet që na i la një regjim ngulfatës, duhet të përballemi me të metat dhe lakmitë e egoistëve që nuk ngopen kurrë.
Po ç’na duhet gjithë këto shtjellime sot kur më shumë se kurrë ne duhet të përqendrohemi në çështjen më madhore që e patëm synim dhe pikënisje nga e kaluara e deri në luftën tonë të fundit. Por ky shtet, që për ne është një ideal, është një amanet, një përkushtim, duhet të na detyrojë që moralisht dhe me dinjitet ta bëjmë të tillë që do të na lakmojë bota.
Por jo kështu, jo kështu si jemi, të ndarë e të copëtuar, të shpërndarë në çdo skaj të botes, të cunguar nga e drejta që të frymojmë bashkë. Jo kështu si jemi, me ambicie për fitime personale, partiake, fisnore, familjare, jo duke lënë anash atë më madhoren ambicien për të pasur këtë shtet ashtu si e deshi Sami Frashëri në traktatin e tij “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”. Pastaj për shtetin si e deshën patriotët, Azem Bejta, Adem Jashari e shumë atdhetarë, mësues, e qytetarë të mbuluar me dashuri dhe dëshira për një shtet që do të shkëlqejë në rruzullin e kësaj toke të bekuar nga zoti. Jemi lodhur më nga dredhitë, nga tradhtitë, nga vëllavrasjet nga përçarjet. Ky shtet, që sot ne jemi duke e kurorëzuar nuk duron më thika pas shpine, nuk dëshiron më arena dyluftimesh lakmitare. E në vend që ne ti mbyllim portat e këtyre arenave ne i hapim dhe bëhemi vëzhgues dhe pjesëmarrës të këtyre luftërave, merre a ta marr siç thotë populli. Larg duart do të thoshim ne të thjeshtit por të sinqertit, që përfaqësojmë masën e gjerë. Larg duart nga të shenjtat që i mbrojtëm me gjak, mos i bëni prona tuajat, ju kushdo qofshi. Largoni retë nga kulmet e shenjta të institucioneve tona, mos i helmoni me barin e lakmisë. I lejoni të marrin frymë, të jetojmë për qëllimin që ia kemi vënë vetvetes para.
Ju që duhet t’i mbroni, i keni duart e lidhura, ju që duhet të vendosni fatin e tyre, duhet të shikoni se si po ju ngulfasin ditë e për ditë, duart e atyre që aspak, ama aspak nuk e dinë se çka përjetuat ju. Në vend që të çliroheni nga doket e kaluara në emër të së cilave po arsyetoheni, ju po na thelloni edhe më shumë në humnerat e atyre shkëmbinjve. Ju po na ndani e përçani edhe më shumë, e ne duke ju dëgjuar e shikuar, na mbetet të themi, more çka po ndodh kështu, a jemi duke bërë pazare apo jemi duke u kënaqur duke e sulmuar tjetrin, vetëm për pik të inatit.
E që ta duash një shtet, që ta duash ama me sinqeritet, pa pretendime, pa qëllime personale, po ju lus unë zëri i këtij populli të vuajtur, po ju them unë një zë që mendon si gjithë kjo ushtri që quhet popull, mos na rëndoni edhe më shumë plagët e pa shëruara. Lejoni që vatrat e dijes, shtyllat e shtetësisë, që të na mbajnë gjallë frymën e shpirtit, të na ushqejnë me frytet e mirësisë. Mos lejoni ju, kushdo qofshi, që fryma e sherrit t’ju mbështjellë t’ju ndajë e përçojë, se mjaft më duruan ata, që ju mëkëmbën ju, mjaft duruan e sakrifikuan, për ju, për fëmijët për nipërit e mbesat tuaja. Mjaft duruan të ftohtin e podrumeve, të përçmimeve të skamjeve. A nuk mjaftojnë gjithë këto argumente që ne ti vëmë gishtin kokës e të mendojmë pa paragjykime, pa urrejtje, pa ambicie vetjake të çfarëdo natyre qofshin.
Të lëmë që secili ti ndajë detyrat e shtëpisë dhe ti kryejë me kujdes. E nëse dëshiron sukses ai do të punojë e do ta korrë atë. Sot a kurrë ne na duhet forca, dashuria, fjala e ëmbël, e mbi të gjitha ajo që quhet atdhedashuria.
Kush është burrë e kush trim është, i tejkalon të gjitha pengesat, por mbi të gjitha duhet lënë anash ambiciet, lakmitë, urrejtjen. Vetëm kështu do të dalim faqe bardhë dhe të pathyer, se ndryshe edhe bota duke i parë luhatjet tona do të luajë me ne, dhe më në fund askush nuk do të jetë fitues përveç, atij që na i do të keqen. Do t’i kënaqim ata që duan të na shohin të përçarë si gjithmonë.
Përpara pra të ecim, me ballin lartë, krenarë, pa pretendime se kështu nuk bën. Nëse marrim rrugën e mbarë sigurisht se nuk do ta humbasim kurrë, e nëse zgjedhim rrugën pa fund atëherë do të mbesim pa arritur në cak.



QËNDRIMI REAKSIONAR I QEVERISË “BERISHA” RRETH ÇËSHTJES KOMBËTARE, shkruar nga Fadil Shyti

Gjendja tejet konfliktuoze, thellësisht kaotike dhe e mungesës së ligjshmërisë që po mbretëron në Shqipëri po krijon pamje të keq për të gjithë shqiptarët.
Me mjete demokratike urgjentisht duhet të eliminohet mafia politike; të marrin fund zënkat rreth pushtetit, sepse, kriza politike po acarohet si mos më keq, kur këto grindje po bëhen jo vetëm kundër opozitës por edhe brenda vet kësaj qeverie, (kujtojmë këtu rastin Ngjela-Berisha, pastaj mospajtimet me të nga Ndoka, Lesi e të tjerë).
Nga shkeljet drastike të ligjeve dhe të Kushtetutës, nga kryeministri konfliktuoz, i cili hiq se ka dert ta injoroj herë-herë edhe presidentin; pra të ngrihet kundër të gjitha institucioneve të pavarura të shtetit, prandaj, pikërisht për këtë, nuk po pajtohen as vet aleatët e koalicionit të tij. Kjo sëmurje e keqe e krerëve politikë, sot është pengesë e madhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në veçanti dhe për zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi.
Ne, tani jemi dëshmitarë se vetëm pas trysnisë euro-amerikane, zotërinjtë pushtetarë po lëshojnë pe përkohësisht, prandaj po duket sikur situata kritike qetësohet disi, për të vijuar pastaj me avazin e vjetër!
Tani, shtrohet pyetja, përse ne nuk jemi në gjendje t´i zgjidhim vet problemet tona, të mësohemi me ligjet e demokracisë, por çdoherë duhet të vinë në Tiranë emisarë të huaj.
Vallë deri kur kështu?
Qeveria e Shqipërisë (dhe ministrat e saj ) janë elastikë, janë fiktivë, nuk kanë qëndrim konstant, të fuqishëm dhe thellësisht kombëtar ndaj Kosovës. Qeveritarët e Tiranës vetëm presin çfarë qëndrimi po mbajnë të huajt, që pastaj të mos ua bëjnë fjalën dy
Pushtetarët e sotëm, servilët e mjerë, i luajnë qëndrimet, bëjnë politikë ditore dhe kanë qëndrime të paqarta dhe shumë labile, të brishta lidhur me Kosovën dhe trojet tjera etnike shqiptare. Këto qëndrime reaksionare, shpesh po çojnë ujë në mullinjtë e Beogradit, Athinës, Shkupit, dhe Podgoricës.
Duke i bërë të gjitha këto marrëzira politike: dritë shkurta, pa strategji të qartë gjithëkombëtare, ashtu po dalin kundër realizimit të vullnetit të popullit të Kosovës dhe zgjidhjes së drejt të çështjes shqiptare në Ballkan.
Diplomatë të huaj vrapojnë nga Moska, Athina, Beogradi dhe Shkupi, drejt Prishtinës dhe Tiranës, që atje të marrin bekimin nga pushtetarët fantoshë, për propozimet e atyre 100 alternativave të mundshme dhe të pamundshme, këtë “përkdhelje” të përkohshme ndaj tyre qeveritarët e Prishtinës dhe të Tiranës e marrin tepër me kënaqësi.
Ata, nguten duke bërë politikë foshnjore, këtë “privilegj” duhet ta konsiderojnë se ju bëhet jo vetëm nga respekti që ka diplomacia euro-atlantike (botërore) për qeverinë “kukull” të UNMIK-ut, në Prishtinë, dhe për qeverinë e Tiranës dhe vet shtetin shqiptar, por si rrjedhim i potencialit që ka sot kombi shqiptar, si faktor i fuqishëm, që më s´mund të luhet lehtë me fatet e tij, në rajonin e Ballkanit.
Dihet ajo maksima e pavdekshme politike se: në politikë nuk ka vëllazëri, aty ka vetëm interesa.
Prandaj, qeveria e Sali Berishës, nuk duhet ta ketë iluzionin se duke hedhur valle politike, sipas stilit paqësor të provuar edhe më herët nga vet politikanët titistë kosovarë, gjatë dy kohërave më të errëta për popullin e Kosovës, nga koha e Ali Shukriut e deri te ajo e Ibrahim Rugovës, do të përfitojnë diçka të mirë shqiptarët në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Dihet historikisht që çdoherë kur ne shqiptarët u kemi ofruar sllavëve të jugut dorën e pajtimit, ata kurdoherë na kanë pritur, ” me të katra”. Kur ne atyre ua ofruam politikën paqësore, ata na dhuruan idhshëm politikën e tyre reaksionare gjaksore!
Qëndrimet e qeverisë “Berisha” në raport me vendet ballkanike (Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Greqinë) dje dhe sot kanë qenë dhe janë fiasko e hidhur për ne shqiptarët, që luftuam dhe po luftojmë me të gjitha mjetet për çlirimin dhe dekolonizimin e trojeve tona etnike.
Që nga ardhja në pushtet me bujë e qeverisë “Berisha” pas ndryshimeve që ngjanë në Ballkan dhe Evropë, dhe më pas, populli shqiptar hoqi të zitë e ullirit, duke e pritur lirinë e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare se do të na vinte ” e pikur nga qielli” pra, si dhuratë nga demokracia perëndimore.
Por, kur kjo pritje me pasoja katastrofike, ( mos të harrojmë se kjo për shumë vite e mori dhe bekimin e vet Berishës), mbase për këtë Berisha e Co, nëse do të kishin pak moral shqiptar, do të ndiheshin të turpëruar dhe pse jo do të duhej ´i kërkonin falje kombit!
Nëse paskan gabuar “pushtetarët” e Prishtinës, kjo nuk i jep aspak alibinë qeverisë së Tiranës, që ajo njëkohësisht të mos ndjehet fajtore për ato që ndodhën dje dhe fatkeqësisht po ndodhin edhe sot!
Sot, kur po debatohet nga diplomacia botërore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, qeveria “Berisha”, po tregohet tejet e painteresuar që ta ndihmojë procesin që të shkojë në favor të shqiptarëve.
Kjo qeveri, asnjëherë nuk del me qëndrime të veta konkrete dhe të vendosura shqiptare, me qëndrime novatore që do t´u duheshin për modele, apo udhëzime politikanëve të Kosovës.
Politika e saj e vendnumërimit, nuk hapëron për një “shputë këmbe” më tej, jashtë qëndrimeve të huaja diplomatike, që jo vetëm nuk e çojnë përpara zgjidhjen e këtij problemi, por vetëm sa po e ngatërrojnë si mos më keq këtë çështje kaq madhore, për ardhmërinë tonë si komb i ribashkuar.
Si duket avazi i vjetër i politikës pakurrizore po vazhdon!
Kjo, pastaj do të na hakmerret keq në historinë tonë të re!
Pse qeveria “Berisha” nuk kërkon me vendosmëri nga faktorët ndërkombëtarë që Kosovës t´i njihet e drejta e VETËVENDOSJES, e cila shpie në një REFERENDUM, që populli i saj të vendosë për ardhmërinë e vet, e jo të tjerët nëpër kancelaritë e huaja të vendosin për ne?!
Mbase, këtë do të duhej paraprakisht ta bënin politikanët e Kosovës, por nëse këta nuk e bëjnë dot, (për arsye që vetëm ata i dinë) pse këtë nuk e kërkon qeveria e shtetit amë?!
Këtu, s ´ka kurrfarë paternalizmi, kështu çohet në vend drejtësia! Shembullin më tipik politikanët shqiptarë duhet ta shohin çdo ditë tek politikanët serbë, të cilët çirren si kukuvajkat deri në qiell andej nga Beogradi, duke deklaruar se Kosova është tokë serbe, ata krejtësisht e kanë vënë nën tutelën e tyre minoritetin serbë në Kosovë, ndërsa qeveritarët shqiptarë po heshtin para kësaj mizorie diplomatike.
Koha e kërkon që kësaj politike dinake serbomadhe, ata t´i përgjigjen flakë për flakë! Dihet qëndrimi reaksionar i qeverisë së vjetër “Berisha” kur pa kurrfarë kushtesh e njohu e para shtetin e Maqedonisë, madje në kohën kur shqiptarët që jetojnë në trojet e veta persekutoheshin nga kërbaçi i policëve sllavomaqedonë!
Në kohën kur shkeleshin egërsisht të drejtat e tyre më elementare siç ishin mohimi i flamurit, gjuhës, shkollimit të lartë e të tjera, u derdhën lumenj gjaku që këto të drejta kulturore të arrihen vetëm pjesërisht, pa u dehur nga kënaqësia se këto sot janë arritur sa duhet me atë Marrëveshjen e “famshme” të Ohrit.
Përse Sali Berisha tani nuk kërkon me vendosmëri nga Maqedonia njohjen pa kushte të pavarësisë së Kosovës, ashtu siç e bëri ky në fillim vitet 90-ta, për Maqedoninë?!
Kjo, mbase le të mbetet në ndërgjegjen e tij politike, nëse i ka mbetur ndonjë gram meli në kokë nga kjo.
Dinakëria sllave i hapi kthetrat gjakpirëse si çdo herë mbi trojet tona; kjo ngjau edhe me rastin kur Serbia millosheviqjane ia dhuroi si “peshqesh” sherri, Maqedonisë ato 2500 km (katrorë) tokë shqiptare.
Serbia, e bëri këtë me qëllim që të shkaktojë konflikte ndërkufitare në relacionin Kosovë-Maqedoni, ashtu e bëri llogarinë që t´i liroheshin ca krahët, nga sulmet shqiptare dhe njëkohësisht të hapeshin vatra krizash të nxehta, që pastaj gjatë përhapjes së zjarrit të mëtejshëm, do të kënaqej dhe do t´i fërkonte duart.
Qeveria “Berisha”, disa hera ka deklaruar hapur se vija e demarkacionit rreth kufirit Kosovë-Maqedoni, duhet të zgjidhet para statusit të Kosovës, ky qëndrim reaksionar përputhet krejtësisht me qëndrimet e qeverisë së Shkupit.
Po për fatin e Kosovës Lindore, a e ngriti zërin e arsyes ndonjëherë Sali Berisha?
Fatkeqësisht, asnjëherë! Përse kjo qeveri nuk kërkon: të pranohet referendumi i mbajtur shqiptarëve kur u përcaktuan, që këto vise shqiptare t´i ribashkohen Kosovës. Po këtë qëndrim reaksionar të heshtjes si mumje, qeveria berishiste po e mbanë edhe ndaj shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Mal të Zi; kur atje tani po bëhet referendumi për pavarësinë e këtij shteti, asnjë qëndrim i vendosur (udhëzues) nuk u dëgjua nga qeveritarët shqiptarë, që minoriteti ynë atje të përcaktohet drejt lidhur me këtë referendum, duhej t´i thoshin po apo jo kësaj kthese të re historike të popullit malazez, cilat janë dhe do të jenë interesat e shqiptarëve nga aspekti i strategjisë dhe ardhmërisë sonë kombëtare.
Ky qëndrim tejet i papërfillshëm, sikur ky referendum të mbahej në Tanzani e jo në shtetin fqinjë , ku atje i kemi vëllezërit e një gjaku e të një gjuhe, të bënë të dyshosh fort në atdhedashurinë e pushtetarëve të sotëm shqiptarë.
Këta, politikanë narcistë, po i harrojnë kaq lehtë ato vise që dikur u lanë me gjak shqiptarësh , për t´u mbrojtur nga hordhitë malazeze, ashtu po i shkelin me të dy këmbët idealet kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila luftoi një vit, vetëm për Ulqinin. Po për pronat e shqiptarëve në Çamëri, çfarë bëri Sali Berisha?
Fatkeqësisht, asnjë hap përpara!
Kjo qeveri asnjëherë deri tani nuk e ngriti zërin fuqishëm që këto prona t´ ju kthehen shqiptarëve! Pse qeveritarët e Tiranës, nuk kërkojnë bisedime me qeverinë greke, që kjo çështje të zgjidhet përgjithmonë? Dhe, nëse nuk realizohet kjo me bisedime, t´i bëjnë presione qeverisë shoviniste të Athinës, që të detyrohet që kjo të reflektojë pozitivisht.
Pse nuk del kjo qeveri hapur me një Rezolutë, pikërisht nga parlamenti, ku të kërkohet me vendosmëri kjo e drejtë e larë në gjak
Si duket qeverisë “Berisha”, po i pëlqen taktika e PS-së, sipas parimit disfatist: me shovinistët grekë të ndiqet politika “ngrih e mos e këput”, por kjo taktikë e keqe do të dështojë sot o nesër, përballë presionit të fuqishëm që do të bëjë populli shqiptar në kërkesat e tij të drejta ndaj kësaj çështjeje. As në fushën ekonomike qeveria “Berisha” nuk po tregohet e zgjuar as e suksesshme; unë nuk jam ekonomist, prandaj nuk pretendoj që të japë shumë argumente nga ky aspekt por, do të fokusohesha vetëm në hapin e saj të gabuar që kjo qeveri e mori kohë më parë: është fjala për hapat ekonomikë totalisht të gabuar që ndërmori qeveria “berishiste”, duke anuluar kontratat me kompanitë amerikane dhe duke u përgatitur për lidhjen e kontratave për furnizim me gaz rus.
Ndërlidhja e ekonomisë shqiptare në këtë mënyrë me atë ruse , nga ekonomistët tanë do një analizë të thellë sqaruese, për opinionin shqiptar sidomos për atë kosovar, sepse pasojat e këtyre veprimeve katastrofale ekonomike, domosdo do të reflektohen edhe ne rrafshin politik, kur dihet se ekonomia është bazë e politikës.
Nëse pushtetarët shqiptarë në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe më tej në trojet shqiptare, mendojnë se duke bërë lojëra të mjera politike, pra, duke bërë kompromise në dëm të kombit shqiptar me ballkanasit dhe me ndërkombëtarët: e sotmja dhe e ardhmja do të tregojë se ata gabuan dhe po gabojnë rëndë!
Tani, kur të gjitha shtetet ballkanike, po luajnë hapur me kartat e orekseve territoriale për të përfituar nga ndryshimet që ndodhën në rajon dhe më gjerë, pse Shqipëria të tregohet kaq fleksibile, duke u tërhequr në kërkesat e saj të drejta, pra të mos këmbëngulë fort që këto kërkesa të realizohen tani ose kurrë!
Kur rrezikohen interesat kombëtare, absolutisht, duhet të harrohen interesat individuale, partiake dhe pushtetore! Këto interesa janë të përkohshme, kurse Shqipëria është e përjetshme dhe të gjithë ia kemi borxh t´i dalim zot!
Suedi, 5 Maj 2006

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …