Kush po e kërcënon Kosovën nga brenda?(koment i RKL-së)

 


Zhvillimet e fundit në vendin tonë, i tërë procesi i quajtur politik, sidomos pas shtyrjes së afatit për përcaktimin e statusit të Kosovës, ka marrë rrugën drejt prapakthimit. “Ekipi negociator” ka marrë goditjen vendimtare, ashtu sikurse edhe tërë ai goxha proces i bisedimeve ku flitej e propagandohej për fitore të njëpasnjëshme të ekipit të Lutfi Hazirit dhe kompanisë së tij negociuese.
Nuk janë më fare bindëse deklaratat e politikanëve se nuk do të ketë shtyrje tjetër të afatit, dhe nuk janë aspak bindëse deklaratat po ashtu verbale se pavarësia e Kosovës qenka e siguruar, apo e garantuar nga Uashingtoni. I tërë procesi politik i zhvilluar prej fillimit të bisedimeve të ekipeve negociatore të Prishtinës dhe Beogradit është devalvuar dhe nuk mund të riparohet, sepse faktori vendimmarrës ndërkombëtar ende ndodhet në peshojë të forcave. “Njeti” rus si duket e ka bërë të veten. Kjo tashmë po shihet qartë.

Shumica e vendeve të dala nga ish blloku sovjetik është deklaruar kundër pavarësisë së Kosovës. Shtetet si: Rumania, Çekia, Sllovakia, Bullgaria, Greqia, Rusia dhe të gjitha shtetet e tjera të lindjes nuk kanë dhënë shenja se do ta përkrahin pavarësinë e vendit tonë, qoftë kjo edhe një pavarësi gjysmake, e kufizuar apo e kushtëzuar. Nuk kanë dhënë shenja se do ta përkrahin pavarësinë e Kosovës as shtetet arabe e islamike. Dhe duke pasur kaq shumë kundërshtarë opsioni i pavarësisë, vështirë se mund të mendohet se do të ndodh ndonjë mrekulli, ose pavarësinë do ta arrijë ndokush me ndonjë shkop magjik, ose pavarësia po u arritka duke sulmuar administratën ndërkombëtare, KFOR-in dhe institucionet e Kosovës.

Gjendja është kaotike dhe për të mbizotëruar kaosin, për të dalë nga kjo gjendje duhen veprime të matura, veprime të koordinuara dhe të unifikuara, veprime të logjikshme dhe të akorduara me pjesën e faktorit ndërkombëtar, e cila përkrah një pavarësi të kushtëzuar për Kosovën. Nxitja e dhunës, kërcënimet në stilin e Emrush Xhemajlit apo të Gjergj Dedës, apo të Albin Kurtit janë kërcënime të “jurishnikëve”në stilin “byjrum në odë të mixhës”. Kërcënimet e tilla nuk janë serioze, por megjithatë mbjellin huti sidomos te të rinjtë e painformuar, të cilët jo vetëm njëherë janë bërë pre e manipulimeve të atyre që qëndrojnë prapa tyre dhe të cilët gjuajnë gurët dhe fshehin duart.
Gurët, sharjet e fyerjet drejtuar kundër administratës ndërkombëtare, kundër KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës, jo vetëm që nuk kanë hije, por janë një kopje e mjerë dhe retrograde e revolucioneve të vonuara, e delirit të vonuar revolucionar, sepse revolucionarët e vërtetë kanë ditur dhe dinë çka duan dhe i dalin zot situatës për ta kthyer atë kurdoherë në drejtimin që duan, në drejtimin logjik të dialektikës historike.

Histeria e disa politikanëve të dështuar, deklaratat e pamatura dhe kërcënimet naive të tyre, manipulimet me protestues nga organizatorët, rrahagjokësia dhe puberteti i vonuar i studentëve të pambaruar, i ikanakëve të të gjitha ngjyrave, të cilët me babë gjysh dhe babagjysh, me nuse, bija e motra u kthyen nga Stankoveci dhe u bënë trima të çartur, pasi Kosova ishte çliruar nga okupimi me luftën dhe gjakun e trimave dhe trimëreshave të UÇK-së dhe nga forcat ajrore të NATO-s, në mos më shumë, të tillët, po nxjerrin në sipërfaqe veset e pashëruara të bajraktarëve fodullë, të grupimeve me prejardhje të errët dhe të disa të tjerëve, të cilët janë dëshmuar sidomos për ndasi, përçarje, manipulime, vrasje pas shpine, shpërdorime fondesh, veshje maskash për të plaçkitur popullin në emër të kësaj apo asaj ushtrie dhe veprime të tjera të dënueshme e të paligjshme, meqë të tillët, mjerisht, kanë gjetur shesh për të bërë përshesh.

Në protesta si ajo e 28 Nëntorit kanë marrë pjesë edhe qytetarë të ndershëm dhe të ndërgjegjshëm, të cilët fillimisht janë ftuar për të protestuar kundër “ekipit negociator” meqë organizatorët e protestës tash e paskan parë dhe e paskan kuptuar se paska dështuar ky ekip, i cili realisht ka dështuar qysh me rastin e pranimit të negociatave me Beogradin lidhur me përcaktimin e statusit të Kosovës.
Ekipi negociator i Kosovës, tashmë “ka vdekur”, dhe nuk ka hije të sulmohet i vdekuri. Duheshin sulmuar atëherë sa ishin “gjallë” dhe kur “korrnin fitore” të njëpasnjëshme kundër Beogradit. Ky ekip u injorua në radhë të parë nga vetë kryenegociatori Ahtisari, i cili me veprimin e tij, sikur iu bëri të ditur se tashmë ishin shtrydhur tërësisht, andaj edhe nuk hynin në përdorim për kalkulime të mëtejme.
Kërcënimet e disa kalkulatorëve të politikave të rrugëve së shpejti do të zbehen, sepse njerëzit tanë duhet ta dinë dhe ta kuptojnë njëherë e mirë, se çfarëdo e mire që do t’i vijë Kosovës, qoftë ajo pavarësi e cunguar apo e kufizuar, apo pavarësi e plotë, në radhë të parë është meritë e gjakut të derdhur për çlirim nga okupatori shekullor serb, është meritë e legjendarit Adem Jashari dhe e rreth 2000 dëshmorëve të kombit, është meritë e 12 mijë martirëve të kombit, është meritë e rreth 2000 invalidëve të luftës së UÇK-së meritë e luftës së rreth 30.000 ushtarëve të UÇK-së dhe meritë e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të saj në NATO. Historia e fundit e vendit tonë është shkruar me gjak, dhe nuk ka të drejtë askush ta mohojë, apo ta degradojë atë, apo të rrah gjoks se asgjë nuk qenka bërë dhe se tash u dashka nisur edhe njëherë nga fillimi.
Plangprishësit e tillë nuk i duhen Kosovës.
Kërcënimet për shkatërrim dhe përmbysje dihet se ku do të përfundojnë.
Ushtria dhe policia e Serbisë janë dëbuar përgjithmonë nga Kosova ashtu sikurse edhe administrata serbe. Ata kurrë më nuk do të kthehen në Kosovë.
Le të rezervohemi dhe le të jemi të organizuar për ta treguar trimërinë në rast se ndokush mendon ta kthejë administratën dhe ushtrinë serbe në Kosovë. Atëherë do të njihen trimat. Deri atëherë mos mbillni zi, ju që po e kërcënoni Kosovën nga brenda, sepse ajo është mjaft e kërcënuar nga jashtë.


Protesta e 28 Nëntorit ishte e dhunshme, ajo nuk ishte e orientuar kundër “Ekipit të Unitetit” por kundër UNMIK-ut


Protesta e 28 nëntorit, organizuar dhe mbajtur në Prishtinë nga Lëvizja “vetëvendosje”, nga Partia Liberale e Kosovës, LPK-ja dhe disa parti të tjera të vogla, edhe pse ishte paralajmëruar si protestë paqësore kundër “Ekipit të Unitetit”, ajo u kthye në protestë të dhunshme kundër administratës ndërkombëtare dhe institucioneve vendore.
Sulmi intensiv i pjesëtarëve të Lëvizjes së Albin Kurtit kundër selisë së UNMIK-ut në Prishtinë, është një paradoks shumë interesant i kohës sonë, është një “non sens” i pajustifikueshëm, është një degjenerim i çuditshëm dhe krejtësisht kundërproduktiv për procesin politik nëpër të cilin po kalon vendi ynë.
Organizatorët kanë manipuluar edhe në caktimin e ditës së mbajtjes së kësaj proteste të dhunshme. 28 Nëntori është dita më e rëndësishme e historisë së kombit shqiptar, andaj tendenca, që pikërisht në ditët e festës të protestohet kundër administratës ndërkombëtare, të sulmohet UNMIK-u dhe objektet qeveritare, është bërë edhe me një qëllim të keq, jo vetëm për ta prishur imazhin patriotik të festave, por për të përfituar protestues, meqë ishte ditë pushimi. Protesta u caktua të mbahet pikërisht në ditën e homazheve dhe nderimeve për dëshmorët, në ditën kur u zbulua busti i Adem Jasharit në Tiranë dhe kur u përurua shtatorja e Skënderbeut në Shkup.
Pavarësisht se në administratën ndërkombëtare ka segmente të caktuara antishqiptare, pavarësisht se kjo administratë është përgjegjëse për funksionimin e keq të disa segmenteve të qeverisjes në Kosovës, sulmi kundër zyrtarëve ndërkombëtarë, në mesin e tyre edhe shumë diplomatëve e zyrtarëve amerikanë, anglezë, gjermanë e të tjerë, është vepër e dënueshme dhe nuk i sjellë asnjë dobi Kosovës.
Protestuesit, nëse vërtet kundërshtojnë ekipin negociator, ka qenë dashur të protestojnë para shtëpisë së Skënder Hysenit apo të Lutfi Hazirit dhe anëtarëve të tjerë të këtij ekipi. Ka qenë dashur të protestojnë kundër korrupsionit, kundër mungesës së energjisë elektrike, kundër varfërisë, kundër papunësisë. UNMIK-u nuk është i vetmi përgjegjës për këtë gjendje kaotike, madje nuk është as përgjegjësi kryesor.
Është hipokrizi dhe mashtrim i llojit të vet, ftesa që iu kanë bërë organizatorët qytetarëve të Kosovës për të protestuar kundër ekipit negociator, ndërkohë që protestën e kanë orientuar kundër UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës, edhe pse nuk përjashtohet lidhshmëria e ekipit të Unitetit me institucionet e Kosovës.
Protestat e djeshme, të dhunshme dhe të drejtuara në radhë të parë kundër administratës ndërkombëtare nuk i sjellin asnjë dobi Kosovës, për më tepër i japin Beogradit “argumente” të tjera për të insistuar që forcat serbe sërish të kthehen në Kosovë.
Është edhe një e vërtetë tjetër e hidhur në këtë mes. Është e mundshme që qarqe të caktuara antishqiptare, brenda dhe jashtë vendit, në mënyra të ndryshme të infiltrohen, në mos qofshin infiltruar, me qëllim për ndikuar në intensifikimin e veprimeve të tilla të papërgjegjshme të protestuesve edhe në të ardhmen, në mënyrë që të shtyhet edhe më tej zgjidhja e statusit të Kosovës dhe për këtë të fajësohet vetë populli i Kosovës.
Në Prishtinë dje nuk është protestuar kundër “Ekipit të Unitetit”, ashtu sikurse ishin mashtruar paraprakisht qytetarët nga organizatorët e protestave, sepse ky ekip tashmë e ka kryer punën e vet dhe protesta kundër tyre tashmë është sikur kofini pas të vjelave.
Në Prishtinë, dje, mjerisht, është protestuar kundër administratës ndërkombëtare, pikërisht kundër kësaj administrate, e cila e ka në duar fatin për zgjidhjen e statusit të Kosovës, kundër kësaj administrate, e cila së bashku me forcat e NATO-s dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë dëbuar administratën, ushtrinë dhe policinë serbe nga vendi ynë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në …