Lajme shqetësuese për Kosovën (koment redaksional i Radios-Kosova e lirë)

 


Tani në kohën kur politikanët dhe shumica e shqiptarëve të Kosovës po presin propozimin e kryenegociatorit ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Marti Ahtisari, duke besuar thellë se kësaj radhe “do të na japin, apo do të na falin njëlloj pavarësie,” papritmas u përhapën edhe mesazhe, lajme e komente, të cilat paragjykojnë, jo vetëm shtyrjen e përkufizimit të statusit, por edhe rifillimin e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit.
Dje në Prizren, gjenerali gjerman, Joakim Frojlih, komandant i sektorit jugor të forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë, iu ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, që vendimin për statusin, çfarëdo qoftë ai, ta pranojnë me urtësi dhe mençuri, duke shtuar se ai, mbi të gjitha, dhe pavarësisht të gjitha zhvillimeve diplomatike, do të dëshironte të ruhej paqja, i bindur se banorët e Kosovës këtë do ta bëjnë, sepse veprimet e dhunshme nuk çojnë askund, ka thënë me këtë rast gjenerali gjerman duke lënë të kuptohet se statusi mund t’i zhgënjejë shqiptarët.
Po kështu, Aleks Anderson, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, duke u mbështetur në burimet e diplomacisë amerikane, ka njoftuar se Uashingtoni do të propozojë rifillimin e bisedimeve në Vjenë, edhe pse z. Anderson shprehet skeptik lidhur me rezultatet, që do të mund të arriheshin në vazhdimin e bisedimeve. Edhe nënsekretari amerikan i Shtetit, Nikolas Bërns, ka bërë të ditur se mund të ndodh sërish që çështja e statusit të shtyhet.
Kompromisi mes Kosovës së pavarur dhe autonomisë, do të jetë një pavarësi e gjymtuar, pa ushtri, pa ministri të Jashtme dhe pa ulëse në OKB. Autoritetet e Beogradit do të mjaftohen me ruajtjen e sovranitetit mbi vendin tonë, ndërsa politikanët shqiptarë do të spekulojnë me opsionin e pavarësisë në vazhdim, apo shkallë-shkallë, sikur kishte improvizuar, gjatë kohës së robërisë, politika pacifiste e Ibrahim Rugovës.

Duket se një zgjidhje e tillë do të jetë më e lehtë dhe më e pranueshme nga të gjithë, meqë do të kënaqte në radhë të parë orekset e Beogradit dhe do ta neutralizonte “veton” ruse në KS të OKB-së. Në këtë mënyrë bashkësia ndërkombëtare edhe njëherë do t’i shkel të drejtat e ligjshme dhe të natyrshme të shqiptarëve për vetëvendosje, ashtu sikur i ka shkelur në të gjitha konferencat, prapaskenat dhe paraskenat e koniukturave të derisotme diplomatike e politike. Dhe kjo ndodh sepse ne shqiptarët nuk përbëjmë faktor me rëndësi, as forcë imponuese për të ndikuar në definimin dhe përcaktimin e statusit të vendit tonë.

Politika zyrtare e Tiranës merret me caktimin e ditës së zgjedhjeve vendore dhe nuk i cakton dot, sepse është tejet evident ndikimi i Beogradit mbi politikën e Tiranës, sepse kështu ka ndodhur në Tiranë, në të gjitha fazat vendimtare të vendim-marrjeve për Kosovën.
Ndodh kështu, sepse nuk kemi të unifikuar qëndrimin as mekanizmin kombëtar rreth zgjidhjes së çështjes shqiptare në Ballkan, edhe pse kemi mbi sipërfaqe do farë formacionesh legale dhe gjysmë-ilegale, të përbëra nga politikanë shumëngjyrësh, të dështuar në të gjitha veprimet e tyre të deritanishme. Kështu që, nga paraqitjet e tyre pompoze, dhe pa mbulesë, tashmë nuk frikësohet askush, dhe as i merr kush si organizime serioze, sepse po bëhen “tetë vjet dhe pushka e Lilës nuk po kërcet”.
Dhe pikërisht sepse nuk është përfillur kërkesa imediate e mbarështrimit dhe imponimit për trajtim të zgjidhje të çështjes shqiptare në Ballkan nga vetë ne shqiptarët, tash edhe nuk arrijmë të bëjmë asgjë për veten.

Edhe atëherë kur e fituam luftën, më 11 qershor të vitit 1999, dhe kur kishim 30.000 ushtarë nën armë, u gjeten njerëz që nënshkruan kapitullimin pa kushte, dorëzimin e armëve dhe shkatërrimin e UÇK-së. Ndërsa sot një komandant gjerman, porosit të rrimë sus, pavarësisht statusit. Ai do të dëshironte që askush të mos bënte “gek e mek”. Ndërsa amerikani, Bërns, i cili kohë më parë thoshte se mjaft më ka pasur shtyrje, qe shtatë vjet e gjysmë, sot thotë: meqë ka pasur aq kohëzgjatje, përse të mos ketë edhe një zgjatje tjetër, sa për fund.
Dhe kjo ndodh sepse politikanët tanë të “unitetit” u treguan unikë, madje edhe plastofilë dhe të shpërfytyruar në lëshimet pe dhe në aminin, që iu bënë të gjitha kërkesave të ndërkombëtarëve. Kjo ndodh sepse shumica e këtij populli i ka zgjedhur të besuarit e vet dhe askush nuk i ka faj asaj pjesës tjetër të popullit, që nuk doli në zgjedhje dhe nuk arriti ta bind Demaçin apo Qosen, apo dikë tjetër të na përfaqësonte dhe të krijohej një opozitë e mirëfilltë, e cila nuk do të pranonte devizën serbe: (“Daj shto dash”), Jep çka të japësh.

Gabimet e periudhës së pas luftës, pas fitores historike kundër makinerisë së krimit serb, mund të na kushtojnë me përplasje brenda nesh. Sepse administratorët e huaj i kanë marrë të gjitha masat, që të mos lejojnë të përsëritet revolta e Marsit e vitit 2004, por ata nuk mund ta ndalojnë ndonjë revoltë përbrenda nesh, në kohën kur do të bëhet e ditur se nuk do të ketë pavarësi të plotë, me ulëse në OKB dhe me Kosovën si tërësi territoriale administrative, sikur kanë përrallisur “unitetistët” edhe pse tash po shihet se i kanë ulur zërat.
Kjo do të ndodh, sepse nuk janë të gatshëm të gjithë shqiptarët të heqin dorë nga identiteti i tyre kombëtar dhe historik, ashtu sikur nuk ishin të gatshëm ta pasonin liderin paqësor, Ibrahim Rugova, në kohën kur u dha kushtrimi dhe shembulli i heroizmit nga legjendari, Adem Jashari, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Irani i bëri thirrje Amerikës, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë që të ndërpresin mbështetjen e tyre ndaj Izraelit

Irani i bëri thirrje Amerikës, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë që të ndërpresin mbështetjen e tyre ndaj Izraelit

Zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Iranit, Abulfazli Shekarhi i bëri thirrje Amerikës, Britanisë së …