LDK-ja po shndërrohet në PDK dhe po zhduket si “specie” biologjike (RKL)

Lufta mes klaneve politike përbrenda LDK-së ka filluar të acarohet sidomos tani, pas lidhjes së koalicionit qeveritar të kësaj partie me PDK-në e Hashim Thaçit. Më të pakënaqurit, janë ish ministrat e kësaj partie, të cilët mbeten pa postet e tyre në Qeverinë e Kosovës nga ku kanë vjelë përfitime marramendëse për veten dhe klanet e tyre gjatë disa mandateve qeveritare. 
Në mesin e të pakënaqurve janë edhe disa deputetë, kësaj radhe në krye me Melihate Tërmkollin, e cila nuk kishte votuar koalicionin PDK-LDK, për më tepër ajo ishte shprehur për mediet se ka votuar kundër koalicionit me PDK-në, për arsye që ajo i quan si shumë parimore. “Në këtë drejtim, kujtoj që veprimi, që e kam bërë, është në harmoni të plotë me këtë filozofi politike, e natyrisht edhe me bindjen që LDK-ja duhet ta ketë gjithmonë këmbënguljen e vet të plotë në këto parime, e cila fatkeqësisht ka munguar me këtë lidership aktual. Mënyra e lidhjes së këtij koalicioni, sikur nënkupton fillimin e shkrirjes së LDK-së në PDK”, ka deklaruar Tërmkolli. 
Krahu tjetër i LDK-së, të cilin e përfaqëson, Eqrem Kryeziu, duke komentuar vlimet përbrenda pjesës së mbetur nga partia e dikurshme e Rugovës, ka paralajmëruar madje edhe mundësinë e zhdukjes biologjike të LDK-së. 
Edhe Kryeziu, jo vetëm njëherë ishte shprehur kundër koalicionit me PDK-në, por kur kreu i partisë e “mëshiroi” lidhur me deklaratën e tij se do të jepte dorëheqje nëse LDK-ja nuk do të fitonte 40 për qind të elektoratit të zgjedhjet e 17 nëntorit, ai e zbuti qëndrimin. Për më tepër fitoi edhe postin e anëtarit të Kryesisë së Kuvendit. 
Koha, edhe kësaj radhe, nxori në sipërfaqe vlimet e moçme dhe të reja përbrenda kësaj partie. Ata që gjatë kohës së qeverisjes autoritare të Ibrahim Rugovës nuk kishin ngritur krye, pas vdekjes së tij dolën në sipërfaqe me grupime të shumta mbi baza të interesit dhe pretendimeve për ta ruajtur dominimin. 
Afrimi i dy partive dikur kundërshtare është e vërtetë se do të degradojë përbrenda elektoratit të dyja këtyre partive, sepse nga të dyja anët kanë mbetur shumë të pakënaqur. 
Nuk besojmë të jetë gjendja më e mirë edhe në radhët e PDK-së. Vlimet përbrenda kësaj partie, të cilat aktualisht po mbahen sekret, do të dalin në sipërfaqe pas definimit të statusit të Kosovës, meqë elektorati i kësaj partie është më shumë i motivuar për pavarësinë dhe aktualisht po ndikon me zgjuarsi dhe përkushtim në ruajtjen e “status-quosë”. 
“Amalgamimi” i këtyre dy partive ka qenë dhe do të mbetet i panatyrshëm në aspektin e orientimit ideologjik, edhe pse dihet se radhët e PDK-së kanë dalë nga LDK-ja. Ndarja e madhe ka ndodhur në një periudhë kritike kohore, qysh me fillimin e luftës së UÇK-së në Drenicë, në pranverë të vitit 1998, kur Rugova përjashtoi nga partia krahun e quajtur ekstremist, që kryesisht përbëhej nga ish-të përndjekurit dhe të burgosurit e regjimit okupator jugosllav. 
Është fare e mundshme që lideri i PDK-së, të jetë ofruar me LDK-në, veç tjerash për të shkaktuar edhe tërmet brenda kësaj partie, ashtu sikur shkaktoi Rugova kur zgjodhi AAK-në për bashkëqeverisje, e cila kishte fituar vetëm 4 për qind të elektoratit, e jo PDK-n e cila kishte fituar 27 për qind në zgjedhjet e vitit 2004. 
“Hakmarrja” e Thaçit tashmë po reflektohet me pasoja përbrenda LDK-së, por është më se e sigurt se edhe në radhët e PDK-së do të reflektohet kjo lojë e panatyrshme e lidhjes së këtij koalicioni, i cili nuk është bërë për të fituar Kosova, as baza e gjerë e këtyre dy partive, por koalicioni është lidhur me qëllim për të përfituar dy klanet aktualisht më të forta të qeverisjes në vend. 
Përzierja e këtyre dy partive ndodh edhe për faktin se asnjëra nga këto parti nuk është e orientuar ideologjikisht. Ende nuk kemi të bëjmë me parti të mirëfillta të majta, apo të djathta. LDK-ja pretendon të jetë parti e djathtë, me lidershipin ish-komunist titist në krye, ndërsa PDK-ja cilësohet si e majtë, edhe pse ajo frikësohet nga majtizmi dhe kurrë nuk do të pranonte një rreshtim të tillë, meqë edhe nuk ka ideolog të tillë. 
Pikërisht heterogjeniteti ideologjik i këtyre partive ka çuar deri te amalgamimi, i cili do të bëhet shkak për ndarje e përçarje të tjera përbrenda LDK-së dhe PDK-së. Këto përçarje do të dalin në sipërfaqe pas definimit të statusit. 
Sa i përket zhdukjes biologjike të LDK-së, të cilën e ka parandier pak me vonesë, z. Kryeziu i kësaj partie, ajo në realitet ka ndodhur me ndarjen në dysh të partisë pas vdekjes së Rugovës. Ndarja e fraksioneve të tjera përbrenda kësaj pjese tashme të ndarë të partisë është rezultat i mungesës së guximit për demokratizim të vërtetë të raporteve brenda partiake. Po ashtu LDK-ja është degraduar edhe me qëndrimin zyrtar kundër luftës së UÇK-së dhe kundër krahut politik, që doli nga lufta jonë çlirimtare dhe fitimtare. Ajo është e degraduar edhe me faktin se ende ka në radhët e veta shumë kuadro dikur besnike të regjimeve okupatore jugosllave

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hasani: Kryetarja e shkeli Kushtetutën, por mos dekretimi i Blerim Isufajt nuk mund të rrëzohet

Profesori i së drejtës kushtetuese, Enver Hasani, thotë se Asociacioni është obligim ndërkombëtar i Kosovës që do të përmbushet

Profesori i së drejtës kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Asociacioni është obligim ndërkombëtar i …