leoni

Lindita Çela: Planet e Vasil Bollanos për ndarjen e Jugut të Shqipërisë

Kryetari i Bashkisë së Himarës flet në takimin e Diasporës Vorioepiriote në Janinë. “Shqipëria na persekuton, kemi 80 vjet që mbijetojmë”. Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, deklaron se ka një mision, “të sigurojë mbijetesën e grekëve në Vorioepir” Dhe për këtë kërkon ndihmë nga Greqia dhe BE-ja për të ndalur atë që ai e quan “gjendjen e frikës që ekziston në të gjithë Shqipërinë”. Bollano mbajti një fjalim në një takim të zhvilluar disa ditë më parë në qytetin e Janinës, ku morën pjesë përfaqësues nga ajo e ashtuquajtura “diaspora Vorio-epiriote”. Kryetari provokativ i bashkisë në jug të vendit, kumtoi diçka si betim në tokën greke “për mbrotjen e Vorioepirit.
Megjithëse fjalimi i z. Bollano është mbajtur në fund të muajit korrik në Janinë, gjatë një mbledhjeje të zhvilluar atje ku ka qënë i pranishëm edhe deputeti, Vangjel Dule, fjala e tij është bërë publike edhe në qytetin e Himarës. I mësuar me deklarime dhe veprime të pandëshkuara, edhe kur janë në shkelje flagrante të ligjit, z.Bollano ribetohet se asgjë nuk do ta ndalë në mbrojtje të atyre, që i quan toka dhe të drejta të grekëve vorioepiriotë.
Kryetari i bashkisë së Himarës nuk ka ngurruar as të përcaktojë kufijtë e Vorioepirit, që sipas tij janë pak kilometra nga Janina. “Jam i gëzuar që edhe një herë jam afër jush dhe më jepet shansi të flas me të gjithë bashkatdhetarët epiriotë në vendin tonë. Dua të ndaj me ju mendimet e mia dhe për ecurinë e përmirësimit të vendit tim Vorioepir. Sot vorioepirotët janë në të gjithë botën, Greqi, Amerikë dhe Evropë, por Vorioepiri është një dhe është pak kilometra nga këtu ku jemi tani.
Për këtë arsye besoj se duhet të bashkohemi me fjalët dhe mendimet që shprehim nga të gjithë patriotët kudo që ndodhen, sepse të gjithë kemi të njëjtin shqetësim dhe të njëtin problem që është e ardhmja e këtij vendi që quhet Vorioepir”, ka deklaruar mbartësi i një posti shtetëror zyrtar shqiptar. Më pas ka vazhduar me akuzat e zakonshme se në Shqipëri nuk po respektohen të drejtat e njeriut, madje sipas tij, të gjitha ata që jetojnë në jug të Shqipërisë, përjetojnë probleme dhe presione nga shtetit shqiptar. “Të gjithë ne jetojmë në Vorioepir dhe po i mbijetojmë problemeve të përditshme, të presionit dhe metodave të shtetit shqiptar, të cilit i mbijetuam gjatë 80 viteve të fundit”, deklaroi Bollano.
Fjalimi i tij si dhe një rezolutë e miratuar në takim, u shpërndanë në greqisht përmes një gazete lokale të botuar në greqisht të quajtur “Himara”. Në gazetë (një tip fletushke me ca foto të dala boje dhe një faqosje të rrëmujshme) është publikuar edhe një “plan për VorioEpirin”. Aty Bollano kërkon ndihmën financiare të Greqisë “për kthimin e vorioepiriotëve në atdhe në mënyrë që ata të marrin kredi dhe të hapin sa më shumë biznese”.
Ata kërkuan gjithashtu që “Shqipëria të detyrohet të heqë dënimet që gjykatat kanë dhënë kundër protestuesve Vorioepiriotë”. Bëhet fjalë për dënimet në mungesë nga Gjykata e Vlorës e disa banorëve të Himarës që hodhën parulla antishqiptare gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2003. “Omonia është e vetmja organizatë, e cila që nga dita e themelimit, mbron të drejtat e njeriut dhe autonominë e Vorioepirit grek. Për këtë arsye anëtarët tanë janë përzënë dhe janë burgosur nga policia shqiptare thjesht përse kërkonin të drejtat e tyre”. Fjalë nga Bollano.

E ndërsa ka përshkruar situatën që sipas tij është e frikshme në Shqipëri kryetari i bashkisë së Himarës ka bërë thirrje për “bashkimin e forcave për të realizuar qëllimin e palëkundër të organizatës”. “Kam vizituar të gjitha fshatrat vorioepiriote dhe kam vendosur t’i takoj të gjithë për të dëgjuar nga goja e tyre shqetësimet e patriotëve tanë. Më e rëndësishme nga të gjitha është përpjekja me qendrën kombëtare që ka filluar të organizojë shoqatën tonë me qëllim që të përballet me shtetin dhe kërkesa e kohës. Pres nga ju ide dhe këshilla që të kemi mundësi si grekë që të mbrojmë bashkatdhetarët tanë nga shkelja e vazhdueshme e të drejtave nga ana e shtetit shqiptar”, ka pohuar Bollano.
Një nga këto të drejta që z.Bollano i quan të mohuara është mosregjistrimi i pronës. Për të realizuar këto qëllime kryetari i bashkisë së Himarës ka kërkuar edhe ndihmë konkrete nga të pranishmit në sallë. Sipas tij, kjo ndihmë duhet të fillojë nga fondet.
Tubimi i dy ditëve më parë në Himarë nuk është i rastësishëm. Madje edhe pjesëmarrja e dy shoqatave, drejtuesit e të cilëve i kanë kapërcyer të 70-tat s’është gjë tjetër vetëm pjesë e skenarit të nisur në Janinë. Pikërisht në këtë qytet që kryetari i Bashkisë së Himarës e quan kryeqytetin e Epirit, është miratuar ajo që e quajnë “strategji për njohjen e vorioepiriotëve”.
Në një mbledhje të quajtur Kongresi i Parë i Vorioepiriotëve Jashtë Shtetit është miratuar plani i veprimit jo vetëm i organizatave që veprojnë në Shqipëri por edhe për “tërë vorioepiriotët që jetojnë në shtete të ndryshme”. Këtë bën me dije e përmuajshmja “Himara” që ndahet si dikur traktet komuniste. Shpërndarësit kujdesen që asnjë kopje e saj mos të bjerë në duart e atyre individëve, që sipas kryetarit të Bashkisë së Himarës nuk kanë të njëjtat qëllime.
Takimi është mbajtur nga datat 25-28 korrik në Janinë. Në këtë takim janë zgjedhur drejtuesit si dhe është hartuar “strategjia për njohjen e Vorioepirit”. “Jemi mbledhur për të analizuar situatën dhe marrëdhëniet me të cilën përballen vorioepiriotët grekë në Shqipëri. Ata janë në tokat e tyre mbi 3 mijë vjet. Të tregojmë se grekët e Verioepirit janë pjesë e pandarë e kishës greke. E dimë që janë bërë disa përpjekje që qeveria shqiptaretë miqësojë marrëdhëniet, por prej kohësh në Shqipëri ekziston klimë e frikshme dhe e pasigurtë për shkak të presioneve që u bëhen kundër grekëve të Vorioepirit”..

Këto mësipër janë disa nga fjalitë e deklaratës së miratuar nga ky “kongres” në qytetin e Janinës. Po në këtë takim i janë drejtuar thirrje shtetit grek, nga i cili, gjithashtu kërkohen fonde dhe mbështetje ekonomike. “Ftojmë qeverinë greke të kontribuojë më fonde për mësuesit e Vorioepirit. Ftojmë qeverinë greke të mbështesë ekonomikisht dhe të japë garanci për dhënien e kredive për çdo vorioepiriot që kthehet në tokën e tij me qëllim që të hapë biznese dhe të shtohet numri i tyre.
I bëjmë thirrje qeverisë greke dhe çdo shtetasi grek kudo që ndodhet të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të Vorioepirit me qëllim që të mbeten në trojet e tyre grekët. I bëjmë thirrje shteteve europiane të ndikojnë tek qeveria shqiptare që të ndalojë përpjekjet e gjykatave të Shqipërisë për dënimin e verioepiriotëve që u martirizuan për shkeljen e të drejtave të njeriut. I bëjmë thirrje shtetit shjqiptar të heqë dënimin për pesë himariotët qëu dënuan pas protestave të zhvilluara. I bëjmë thirrje shtetit shqiptar që të kthejë pasurinë pronarëve grekë dhe të ndalojë vjedhjet e tokave siç po ndodh në Himarë, Palasë dhe Aliko.”,- thuhet në deklaratën e miratuar në Janinë.

E ashtuquajtura rezolutë e deklaruar dy ditë më parë në qytetin e Himarës nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi i Kongresit të të ashtuquajturve Vorioepiriotë. Madje të pranishëm në atë që u quajt Kuvënd ka qenë i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Dhimitri Kutula. Megjithëse nuk di as shqip, Kutula në fjalën e tij të mbajtur në Bashkinë e Himarës ka qënë ndër më ekstremistët e krerëve të shoqatave që kërkonin abrogimin e ligjit 7501 të pronave. Në cilësinë e të deleguarit, djali rreth të 20-tave ka kërkuar mbrojtjen e tokave në Himarë duke nxitur edhe të pranishmit në thirrje “larg duart nga Himara”, “Toka jonë është shpirti jonë, nuk e falim, nuk e shesim”.
I ashtuquajturi Kuvend Mbarëkombëtar i Shoqatave të Bregdetit nisi me firmosjen e rezolutës dhe pse asnjë prej të pranishmëve nuk dihej çdo të thuhej. Pas kësaj dy të moshuar nisën të lexonin me një zë që me zor dëgjohej rezolutën “në mbrojtje të tokave të bregdetit”.
Hartimi i komisioneve të plotësimit të dosjeve të pronësisë, krijimi i fondeve dhe hapja e një llogarie bankare, organizimi i mbledhjeve dhe kuvendeve të posaçme në çdo komunë, organizimi i protestave në ambasadat shqiptare të akredituara në Athinë, Uashingotn, Romë, Londër, Paris, Berlin, dërgimi i peticioneve në Këshillin e Europës, BashkiminEuropian ku të bëhet thirrje për kthimin e pronave – janë ndër pikat e “rezolutës” së miratuar.
Denoncimin e këtij “Kuvendi” ky ditë më parë e ka bërë të ditur edhe deputeti Nikollaq Neranxi. Ai ka akuzuar direkt kryetarin e bashkisë së Himarës për manipulimin e këtij Kuvendi, i cili ishte parashikuar të zhvillohej pa praninë e kryetarit të Bashkisë së Himarës, apo eksponentëve të ardhur nga Greqia të njohur si përkrahës së OMONIAS. Kthimi i pronave trashëgimtarëve të ligjshëm dhe abrogimi i ligjit 7501 duket se është një kërkesë e mbarë banorëve të kësaj zone.
Por fjalimet në greqisht dhe thirrjet, kanë bërë që brënda ditës në Himarë të zhvilloheshin dy tubime. Deputeti Neranxi thotë se tubimi në Himarë ishte parashikuar të zhvillohej me të gjithë banorët e këtyre zonave bashkë me shoqatat që i përfaqësojnë. Për këtë qëllim ai ka paguar edhe pankartat që do të mbaheshin nga të pranishmit. Por duket se pas Kongresit të Janinës ngjarjet kanë ndryshuar.
Neranxi akuzon kryetarin e bashkisë së Himarës jo vetëm për vjedhje të pronave por edhe për manipulimin e tubimit. Ndërkohë që fakt është se në të ashtuquajturin Kuvend merrnin pjesë njerëz pa lidhje me Himarën.
Kuvendit i parapriu prezenca e një prej deputetëve të parlamentit grek ndërsa sekretari i zgjedhur në Kongresin e Janinës, Dhimitri Kutula, ka qënë ndër folësit, që jo vetëm ka nxitur të pranishmit por për minuta të tëra është kthyer në objekt sherri për shkak se nuk pranonte që në Kuvend të flitej shqip.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …