Brickos

Magbule Shkodra

Magbule Shkodra: Në këtë legjislaturë duhet të dërgojmë njerëz, që e dinë për çka janë aty, sepse ndodhemi në një proces të rëndësishëm për vendin

(Intervistë me Magbule Shkodrën nën kryetare e AAK-së,  zëvendës-ministre në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal)

 

TV Dielli: E nderuar zonja Shkodra për fillim na tregoni ku jeni lindur,  ku keni kryer shkollimin studimet e pastaj do të flasim edhe për tema dhe aktivitete të tjera!

Magbule Sadri Shkodra: Unë jam e lindur në Gjilan. Pas lindjes sime, familja ime erdhi të jetoj në Prishtinë. Shkollimin fillor e kam kryer në shkollën “Faik Konica”, gjimnazine kam kryer tani mban emrin “Sami Frashëri”, pastaj drejtimin matematikor në shkollën Normale, fakultetin e inxhinierisë e përfundova në Universitetin e Prishtinës. Mandej vazhdova magjistraturën Fakultetin e Elektronikës përfundova provimet në afat rekord, rrethanat e asaj kohe ma pamundësuan të mbroj temën e magjistraturës pasi ishte kohë lufte dhe unë me bashkëshortin dhe dy djemtë shkuam në Britani të Madhe konkretisht në Londër.

Ambiciet e mia nuk kishin të ndalur për shkollim. Edhe atje fillova me kurse të ndryshme të programimit, pastaj fillova një drejtim të ri të magjistraturës në Londër ku përfundova me suksese magjistraturën atje. Inspirim për mua ishin prindërit e mi. Ata na përkrahën për rrugën e dijes. Unë ia dedikoj sukseset e mia atyre, të ndjerit babait tim, Sadri Shkodra. Ai ka qenë profesor i shquar në UP, edhe tani studentët i kërkojnë librat e tij. Ai ka qenë autor i shumë librave të matematikës, dhe ato libra ende kërkohen nga studentet. Po ashtu një falënderim shumë të madh kam edhe për nënën time e cila sakrifikoi shumë për familjen dhe për fëmijët që ne t’i arrijmë sukseset tona, andaj edhe i them se ti i ke kryer gjashtë fakultetet sepse ne kemi meritat tua. Tani kam përkrahjen e bashkëshortit por edhe të fëmijëve të cilët janë rritur dhe janë në shtigjet e tyre të dijës.

 

TV Dielli: Ju para ca kohësh i dhuruat universitetit të Gjilanit një donacion me libra të babit Tuaj?

Magbule Sadri Shkodra: Pas vdekjes së babait, ne familja vendosëm që një numër të konsiderueshëm t’i dhurojmë Bibliotekës Kombëtare, një pjesë Fakultetit të Makinerisë në UP, dhe pjesën e mbetur e dërguam në universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan. Kam marr shumë mesazhe nga universitet tjera por meqë babi im ishte nga fshati Desivojcë komuna e Dardanës ne vendosëm t’i dërgojmë aty, ngase ai bëri shumë për Kosovën por për Anamoravën në veçanti. Pasi ka shumë kërkesa ne jemi duke shqyrtuar mundësinë për ti ri botuar në mënyrë që ti dërgojmë edhe në Universitete tjera. Unë fascinohem nga vepra e babit, ai nuk ka vdekur, ai është mes nesh me veprat e tij.

TV Dielli: Cila ishte arsyeja që u bëtë pjesë e politikës, dhe pse zgjodhët subjektin të cilit i takoni?

Magbule Sadri Shkodra: Arsyeja kryesore që të futëm në politikë pasi u kthyem nga Londra në Kosovë ku vendosëm t’i kthejmë edhe fëmijët, unë fillova punë në rregullatorin e telekomunikacionit si eksperte. Isha e pakënaqur në punën time në atë që shihja përgjithësisht me situatën në Kosovë. Dhe një ditë e pyeta bashkëshortin se a do të kem përkrahjen tuaj nëse do të inkuadrohem në politikë. Ai më tha se nuk është këtu sikur në Angli por unë vendosa të jem pjesë e politikës me bindjen se mund të jap kontributin tim. Nuk kisha ndonjë preferencë për partitë politike. Një ditë kur u takova me tani kryeministrin, Ramush Haradinaj mendova se ai e do Kosovën ashtu si unë, sepse kur je në mërgim ke një ndjenë tjetër për vendin, kjo ishte arsyeja kryesore që unë vendosa të jem e rreshtuar në subjektin e AAK-së.

TV Dielli: Ju shquheni për punën në teren, çka proklamoni, sa ia dilni të realizoni qëllimet Tuaja?

Magbule Sadri Shkodra: Mendoj se puna më e mirë është të jesh afër qytetarit të Kosovë. Në pozitën ku jam zëvendëse e MZHR, me shumë vullnet I takoj qytetarët ku janë ata. Interesohem të bisedoj drejtpërdrejt me ta, sepse ata e prekin realitetin. Unë i shënoj kërkesat e tyre dhe i adresoj aty ku duhet. Aty e sheh ku është suksesi apo ngecja. Andaj kudo që jemi ne duhet të jemi afër qytetarit anë e kënd Kosovës. Jo gjithë herë zgjidhen problemet e tyre.

 

TV Dielli: Në ministrinë ku keni pozitën zëvendës ministres keni realizuar një sërë projektesh, sa keni gjetur përkrahje nga Qeveria?

Magbule Sadri Shkodra: Ministria ishte e re gjithçka ishte nga fillimi, ne ishim 5 veta staf më vonë u zgjeruam tani kemi një staf të mirë. Ministria është e orientuar në dy komponente: 1 Investime kapitale me komunat dhe aty përkrahën komunat që nuk kanë zhvillim ekonomik sepse zhvillimi rajonal nënkupton eliminimin e këtij disbalanci socio ekonomik në kuadër të rajonit në mes të komunave. Orientimi ynë ka qenë që t’i ndihmojmë komunat që janë më të vogla që kanë ngecje në zhvillim në projekte që ata i vlerësojnë që janë në interes të qytetarëve dhe ja kemi dalë në këtë drejtim. Dhe komponenta e dytë ka qenë ndihmë bizneseve private ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Në skemën e parë të subvencioneve kemi arritur që të kemi rreth 600 vende të punës në vitin e parë ndërkaq në vitin e dytë ky numër është rritur. Jam e vetëdijshme se nuk janë shumë por megjithatë është bërë zgjedhje për 600 familje. Unë si zëvendës ministre jam munduar që t’u qëndroj afër komunave dhe njerëzve që janë interesuar të punojnë, t’u shpjegoj objektivat e ministrisë sepse jo të gjitha projektet janë në domenin që e përkrahim ne sepse ministria e zhvillimit Rajonal më shumë ka përkrahur prodhimin dhe ka ndihmuar bizneset me pajisje që të ndihmohej prodhimi dhe të rritej numri i të punësuarve. Unë personalisht mendoj se është bërë një punë e mirë por gjithmonë ka vend për më shumë punë. Projektet tona i kemi shtrirë në Dardanë, Han të Elezit , Kaçanik, Klinë, Junik, Deçan.

TV Dielli: Cili është mendimi i Juaj për situatën politike tani pas dorëheqjes së Qeverisë?

Magbule Sadri Shkodra: Rrethanat tani më janë krijuar, edhe kryeministri e ka thënë që vendimi për më tutje të kthehet te sovrani, te populli. Dhe me të vërtet ashtu duhet të ndodhë. Kosova po kalon në një situatë mjaftë kritike ka tema shumë të ndjeshme, andaj qytetarët duhet të dinë se kush është personi apo subjekti që do ta përfaqësoj. Qytetarët të kërkojnë përgjigje nga liderët për këto tema dhe të zgjedhin atë që do ti përfaqësoj më së miri. Ju e dini që temat kryesore me të cilat jemi ballafaquar gjithë këto kohë janë: taksa 100%, pastaj ruajtja e kufijve të Kosovës pra ruajtja e Kosovës së 17 shkurtit 2008, dhe kundërshtimi për krijimin e një republike të vogël brenda republikës tonë. Unë mendoj që qytetarët e kanë shumë të thjeshtë le ti bëjnë këto tre pyetje kryesore, këtu nuk e anashkaloj edhe zhvillimin ekonomik, por udhëkryqi në të cilin gjendemi në po e krahasoj me situatën në të cilën ishim në luftë. Pra tani gjendemi në një situatë po kaq të ndjeshme dhe le të kërkojnë përgjigje si do të ja bëjnë për këto tri tema. Ne u kemi bërë të qartë se taksa hiqet kur shteti ynë republika jonë njihet shtet nga Serbia. Pika e dytë kufijtë e Kosovës janë të pandryshueshëm, është 17 shkurti datë kur ka vendos për kufijtë ekzistues për të cilin shteti ynë ka vuajtur shumë, dhe e treta, nuk lejojmë që në Kosovë të ketë një republikë tjetër e cila do ta cenoj përgjithmonë integritetin dhe sovranitetin e shtetit tonë. I sugjeroj qytetarët që në këto zgjedhje të bëhen shumë vigjilent dhe le ti pyesin njerëzit ata që kërkojnë votë nga ata cilat janë përgjigjet e tyre për këto tri tema që janë qenësore , mandej mund të vazhdojmë edhe për ekonomi dhe tema tjera. Këtu na duhen vendime të duhura për Kosovën sepse frikësohem se do të kthehemi prapa.

TV Dielli: Çka pret nga zgjedhjet e ardhme, ku do të radhitet AAK?

Magbule Sadri Shkodra: Ne kemi një përkrahje mjaftë të madhe nga populli, unë kaloj një kohë mjaftë të madhe në teren takoj njerëz dhe e vërej se edhe ata i përkrahin këto tre tema të rëndësishme për vendin. Në sondazhet që i kemi bërë ne për vet vetën AAK ka një rritje dhe besoj se me këtë trend ne do të dalim të parët nga ajo që po e shohë në teren.

TV Dielli: A do të jeni kandidate për deputete në këtë proces zgjedhor?

Magbule Sadri Shkodra: Patjetër që po. Me kënaqësinë më të madhe e kam marrë aprovimin nga partia nga kryeministri që të jem kandidate për deputete. Nuk është hera e parë që po hyj në garë, por herën e parë megjithatë nuk kam qenë sa duhur e njohur për publikun. Tani kam një pozicion plotësisht tjetër, punë ka ndikuar shumë, qytetarët tani më njohin dhe besoj se do të dal shumë mirë nga këto zgjedhje.

TV Dielli: Cila është platforma e Juaj në këtë garë?

Magbule Sadri Shkodra: Mendoj se Kosova qe një kohë të gjatë po vuan për të pasur njerëz meritor në vendet e duhura. Parlamenti i Kosovës duhet të ketë njerëz që dinë për çka votojnë, të dinë për çka janë aty, ta kuptojnë se të jesh në parlament është nderë, aty mund të bësh ndryshimin, dhe unë mendoj se pikërisht aty ku hartohen ligjet aty ku merren vendimet kryesore për të gjithë qytetarët mendoj se do të jepja kontributin tim më të madh. Pra jam përkrahëse e atyre që kanë merita profesionale, atdhetare e atyre që e mbrojnë vendin e vet në mënyrën e duhur dhe e dinë për çka votojnë.

TV Dielli: Qe 20 vite, gjykatat e ndryshme të huaja dhe të vendit po ndjekin penalisht dhe po gjykojnë luftëtarët e lirisë, ata të cilët edhe me ndihmën e NATO-s përzunë përgjithmonë regjimin okupator dhe kriminal të Serbisë, si komentoni këtë?

Magbule Sadri Shkodra: Po kthehem pak në fillim. Njerëzit duhet të mendojnë kush ishin ata që ngritën dorën për ta votuar gjykatën speciale sepse me duart tona u krijua ajo, tani ne mund ta kundërshtojmë, unë edhe atëherë kam qenë kundër krijimit të gjykatës e cila u bë vetëm për shqiptarët e ne ishim viktima në ishim ata që u sulmuam. E keni parasysh që kur fillon muaji janar çdo ditë kemi përvjetorë, homazhe, dhe ne duhet të gjykohemi përsëri. Tani është momenti që të mos përkrahën ata që votuan gjykatën speciale, sepse ata kanë votuar kundër Kosovës le të tregojnë me votën e tyre se dinë të dënojnë. Këtu është gabimi kryesor ngase është votuar nga ne, duhet të kërkojmë përgjegjësinë tek vetvetja çfarë bëmë ne? asgjë. A ditëm t’i argumentojmë të gjitha ato që u bënë Kosovë, a ditëm ti përcjellim në mënyrë ligjore, ne nuk e bëmë detyrën tonë, nuk I treguam botës se çka ka ndodhur. Kam parë disa iniciativa për mbledhjen e dokumenteve dhe fakteve

që kanë ndodhur në luftë. Megjithatë më mirë vonë se kurrë, por ne duhet të lobojmë shumë dhe t’i tregojmë botës atë çka ka ndodhur në vendin tonë. Ata kanë parë vetëm atë kohë kur na kanë ndihmuar por më tutje nuk kanë informacion, ka mbetur me aq, andaj ne duhet t’i dokumentojmë dhe të kërkojmë përgjegjësi prej atyre që na bënë këtë pra prej shtetit të Serbisë. Mendoj se nuk ka asnjë gjykatë që mund ta gjykoj mbrojtjen e vendit tonë. Mendoj se do të dalin ashtu siç kanë dalë të pafajshëm. Por ju kanë marrë kohën me vite të tëra. Besoj shumë se nuk ka gjykatë që mund ta gjykoj UÇK.

TV Dielli: Cila është porosia e Juaj për qytetarët?

 Magbule Sadri Shkodra: Udhëkryqi në të cilin gjendemi ta marrin shumë seriozisht, të krijojmë një kulturë institucionale të demokracisë ku katër vite vazhdon punën një qeveri, por duhet të ketë më të vërtet njerëz kompetent për këtë. Unë e kuptoj detyrën e opozitës ata e kanë kundërshtimin pra është jeta politike. Qytetarët i ftoj të kenë kujdes. Pra është një vit i rëndësishëm. Në këtë legjislaturë të dërgojnë njerëz që e dinë për çka janë aty, ngase ka procese që janë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe për popullin tonë. Në parlament duhet të vijnë njerëz që e dinë për çka janë aty për çka votojnë. Prandaj i ftoj ata që të jenë shumë vigjilent të diskutojnë me familjet e veta për njerëzit që duan ti përkrahin, të interesohen kush janë personat dhe pse duhet të votohen ata, madje edhe kur t’ju kërkojnë votën të ju kërkojnë përgjigje në tri pyetjet qenësore që janë për Kosovën e mandej le të vendosin.

Intervistoi: Arbanë Qeriqi-Gashi

(13 gusht 2019)

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …