Marenglen Kasmi

Marenglen Kasmi: E vërteta e thjeshtë dhe e hidhur e pushkatimit të Ramize Gjebresë, gjatë Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare

Është folur shumë për pushkatimin e Ramize Gjebresë, komunistes dhe partizanes nga Gjirokastra, e cila u ekzekutua në Ramicë të Vlorës, më 6 mars 1944, sipas vendimit të marrë nga një gjykatë partizane. Por, është folur pak nga historianë seriozë e më tepër nga ustallarë të historisë, bazuar më së shumti në thashetheme e keqinterpretime historike, hamendësime e keqlexim dokumentesh.

Në arkivin e shtetit (AQSH F. 14/APL, v. 1944, D. 72) gjendet një dosje me titull “Raporte, letra informative dhe procesverbale të cilat kanë lidhje me qëndrimin imoral dhe pushkatimin e Interesantit (Ramize Gjebres) si dhe pesë copë fotografi të sajtë”.

Përmbajtja e saj mundëson skicimin e ngjarjes. Aty është shkruar e zezë mbi të bardhë ngjarja, e cila është sa e thjeshtë aq edhe tragjike.

E përmbledhur në pak rreshta, në të bëhet fjalë për një romancë dashurie midis dy të rinjve komunistë, 20 vjeçares Ramize Gjebrea, edukatore e rinisë komuniste të brigadës së V-të dhe 25 vjeçarit Zaho Koka, zv.komisar i batalionit të tretë të po kësaj brigade partizane.

Sipas dëshmive, dashurinë e tyre ata e demonstronin duke fjetur të veshur pranë njëri-tjetrit, mes shokësh të tjerë dhe ndonjëherë edhe të mbuluar së bashku me kapotën e madhe ushtarake të Zahos, të mbledhur një grusht nga i ftohti. Sigurisht që për shumicën e shqiptarëve të1944-ës, qofshin ata komunistë apo nacionalistë, kjo ishte e papranueshme dhe imorale.

Por çfarë thotë raporti i nënshkruar nga trupi gjykues, që i është dërguar më 7 mars 1944 Komitetit Qendror të PKSH, një ditë pas ekzekutimit të Gjebresë? Në të shkruhet ndër të tjera se […]

“…gjatë kohës së qëndrimit të shoqes në fjalë në krahinën e Himarës, konstatohet se Ramizeja bije në relacion dashurie me Zv. komisarin e bat. Zaho Koken siç do t’a shifni dhe në raportet e bashkëngjitura të bëra prej komisarit Bat. Shokut Zenel Hamiti, prej partizanit Tanush Shyti, prej anëtarit të Komitetit Rajonit, shokut Lefter Kasneci si edhe raportet e shokut XHAKE që i ka raportuar aty dhe këtu na i raporton verbalisht”.

Në dëshmitë e tyre, drejtuar komandës së brigadës në formë shqetësimi, tregohej për raportin e krijuar ndërmjet dy drejtuesve të rinj komunistë, të cilët demonstronin sjellje të pahijshme mes shokëve të tjerë, çka binte ndesh me moralin partizan.

 

 

Faksimile e raportit

“Duke marë parsysh se çështja ishte mjaft serioze dhe duhesh para se të merresh vendimi i duhur të rriheshin të gjitha problemet që do të paraqiteshin në këtë rast dhe duke patur pamundësinë të merreshim vesh me Komitetin Qendror mbasi dy të dashuruarit e kuptuan se shokët drejtuesa të Ushtrisë ishin në dijeni dhe për të evituar çdo gjë (tradhëtin e tyre)” u gjykua të ngrihej një gjykatë më e zgjeruar se ajo e brigadës.

Trupi gjykues përbëhej nga komandanti i brigadës V-të partizane Shefqet Peçi, nga komisari i brigadës Hysni Kapo, zv. komisari Manush Myftiu, organizativi i Sektorit Politik Hito Çako, kulturo-arsimori Bilbil Klosi, Sekretari Politik i Këshillit të Qarkorit Pajo Islamaj dhe nga i deleguari i Komitetit Qendror të Rinisë komuniste Ramadan Xhangolli, me pseudonimin “Xhaka”.

Pra, vendimi për ngritjen e gjyqit u mor nga komanda e brigadës V dhe jo nga Shtabi i Përgjithshëm, apo nga drejtuesit e Partisë Komuniste sikurse pretendohet sot me qëllim e në kundërshtim me të vërtetën historike.

Më tej në raport hidhet dritë mbi zhvillimin e gjyqit. E para u mor në pyetje Ramizeja. Fillimisht ajo mohoi gjithçka. Më pas u thirr Zahoja, i cili e pranoi akuzën dhe dha shpjegimet e tij, të cilat janë të protokolluara në dosje. Si pasojë e deklaratave të kundërta u bë ballafaqimi i tyre dhe gjithçka u sqarua.

Më pas, të dy, si Ramizeja edhe Zaho, nënshkruan procesverbalin dhe gjyqi doli në përfundimin se:

“Ramizeja.- shoqe me përgjegjësi, edukatore e Rinisë së Brigadës, e zhvilluar nga çdo pikpamje dhe mjaft e zgjuar, zotëron vijën e Partisë fare bukur, e fejuar legalisht para Partisë, udhëheqëse në terren dhe ushtri, në një kohë kur ushtria jonë ndodhet në vuajtjet më të mëdha, në këtë kohë ku shokët komunistë të tregohen më të fortë se kurrë, të mbajnë lart moralin e ushtrisë, të jenë shembull në vuajtje dhe sakrifica, Ramizeja mbrin që të mohojë që të gjithë vetëm për kënaqur epshet e saja, influencon te Zahua dhe bashkërisht dëfrejnë.

Para gjyqit nuk është treguar aspak e sinqertë, bindemi pra se e përmendura është tradhtare e Partisë, shkelëse e moralit proletar dhe tradhtare e shokut të cilit i ka pranuar fejesën, nuk ka asnjë fije komunismi, pasi ka mohuar çdo gjë. Me zë të përbashkët çfaqet mendimi që e përmendura të pushkatohet para forcave partizane.

Zaho Koka – njeri i vendosur për Partinë, i pa zhvilluar siç duhet, di vijën e Partisë, influencohet prej shokëvet në përgjithësi, i pa fejuar, deklaron se e donte për qëllim martese tue mos ditur fejesën e saja, i ngarkuar me përgjegjësi jo pse ishte në gjendje porse pse ishte besnik i Partisë dhe gjatë detyrës me ndihmën e shokëvet do të zhvillohesh.

Është shkelës i moralit proletar me shumë se ka influencuar te ai Ramizea që ishte në një pozit më të lart, dhe më von këtë dashuri e ka vazhduar me konshiencë”.

Sa më sipër, por duke marrë në konsideratë edhe faktin që Zahoja ishte treguar më bashkëpunues gjatë gjyqit, u vendos që Zaho Koka të shkarkohej nga detyra, të përjashtohej nga Partia dhe të dërgohej në një zonë tjetër.

Disa muaj më vonë, në qershor 1944, Zaho Koka bie në betejë kundër gjermanëve në Vuno, duke luftuar në këmbë, sikur kërkonte vdekjen.

Pas përfundimit të gjyqit, një skuadër partizanë u urdhërua të ekzekutonte Ramizenë para brigadës. Sikurse lexohet në dokumentacion, ekzekutimi shkaktoi jo pak tronditje, si në brigadën partizane, ashtu edhe në qarqet drejtuese të Partisë Komuniste, të cilët e quajtën të nxituar, të ekzagjeruar dhe të gabuar dënimin me vdekje të Ramizesë.

Sapo u mor vesh ngjarja, Enver Hoxha dhe Halim Xhelo njoftuan për ekzekutimin e saj me anë të një letre ish të fejuarin e Ramizesë, Nako Spiron,. Ai u përgjigjet si më poshtë:

“[…] Nuk kam asnji mëri, asnji urrejtje për Ramizen. Ja fal plotësisht gabimin karshi meje (asaj qi i thojn tradhti karshi shokut). Nuk gëzohem aspak, nuk ndiej satisfaksjon personal për dënimin qi ju dha ose për çdo dënim tjetër – me të drejtë – qi mund ti jepesh, përkundrazi hidhërohem, ndiej nji dhimbje të thellë.

Por Ramizeja ka ba nji gabim të madh, sidomos karshi punës qi kish – kish përgjegjësi të madhe, duhet të jepte shembullin e mirë. Ndërhyrja nga ana jonë ishte e domosdoshme. Por ndërhyrja nuk justifikon vendimin e gjyqit. Dënimi i dhanun nuk asht në propotcjon me fajin, asht shumë i randë, prandaj nuk asht i drejtë. Un nuk e aprovoj.

Në radhët tona akoma nuk asht mrrit pjekurija morale e duhun. Jemi tue ven në zbatim direktivat t’uja mbi këtë pikë. Neve këtu e kuptojm por nuk duhet me u dëshpëru d.m.th. me e humb toruan kur ngjasin të tilla gjëra, mbasi shoqnija e jonë në Shqipëri asht shumë mbrapa […]”.

“Atë hidhërim që ndjen ti me pushkatimin e Ramizes e ndjejmë që të gjithë neve shokët e tu e të asaj”, i përgjigjet Enver Hoxha më 4 prill Nako Spiros. Më tej ai vazhdon: “Me të vërtetë shokët kanë goditur rëndë dhe s’kanë tentue ti jepnin dorën asaj shoqe dhe ta ngrinin në vend që ti jepnin shqelmin. Të gjithë shokët e veçanërisht shoku Xhako, në këtë çështje kanë gabuar. Shoku Xhako, duhesh ta shpëtonte atë shoqe, por as në mendimet dhe as në vendimet e tij s’ka qenë i drejtë […]”.

Kjo çështje do të rihapej fill pas mbarimit të luftës, me qëllim rehabilitimin e Ramize Gjebresë. Në muajin korrik 1946, Prokuroria e Gjykatës së Lartë Ushtarake u kërkoi sqarime anëtarëve të trupit gjykues partizan. Ish-anëtarët e trupit gjykues kthyen përgjigje me shkrim.

 

Letra dërguar familjes

Ndonëse në fillim të shkresës rreshtohen të gjithë anëtarët e trupit gjykues, me në krye Shefqet Peçin, atë e kanë nënshkruar vetëm Manush Myftiu dhe Bilbil Klosi. Në fund qëndron edhe emri i Ramadan Xhangollit, i cili nuk ka nënshkruar.

Disa muaj më vonë, më 18 janar 1947 Ramize Gjebreja u shpall Dëshmore e Atdheut.

Shefi i Shtatmadhorisë, Gjeneralmajor Mehmet Shehu i dërgoi familjes së Ramizesë njoftimin e mëposhtëm:

“Gjykata e Lartë e Komandës Përgjithshme, në këto kohët e fundit mori në ri-shqyrtim dënimin e dhënë vajzës t’uaj Ramize, n’operacionin e dimrit 1943-944 nga ana e Gjyqit të Brigadës V-të. Nga ky rishqyrtim u konstatua se nga rrethanat në të cilat u dha dhe u ekzekutua vendimi mbi vajzën t’uaj Ramize kanë qenë të vështira për Lëvizjen tonë N. CL. duke marrë parasysh propagandën që bënte okupatori dhe Balli Kombëtar kundrejt nesh e sidomos kundrejt moralit tonë partizan.

Me gjith’atë Gjykata e Lartë konstatoi se vendimi i marrun kundrejt shoqes Ramize nga ana e Gjyqit të Brigadës V-të ka qenë i ekzaxheruar. Për konseguencë Gjykata e Lartë e konsideron ekzekutimin e vajzës t’uaj pa vend dhe shoqja Ramize konsiderohet njësoj sikurse të gjitha shoqet e tjera që ranë dëshmore për çlirimin e Atdheut kundër okupatorit dhe tradhëtarëve te vendit. Ju duhet të jeni kryelartë për bijën t’uaj Ramizenë, e cila asnjëherë nuk u kursye për të derdhur të gjithë aktivitetin e sajë në të mirën e Atdheut dhe të popullit. Sado me vonesë, lutemi pranoni ngushëllimet t’ona”.

Sikurse del qartë më sipër, ekzekutimi i Ramize Gjebresë është kryer mbi bazën e një vendimi të nxituar të gjykatës partizane të brigadës së V-të. Gjyqi, duke ju trembur përmasave që mund të merrte kjo ngjarje, si në ruajtën e moralit brenda radhëve të brigadës por dhe duke ju trembur propagandës që Balli Kombëtar zhvillonte kundër angazhimit të vajzave të reja në radhët partizane, duke i quajtur ato “imorale” e “të përdala”, mori këtë vendim ekstrem.

Si sot, por edhe atëherë, ky vendim u konsiderua i gabuar dhe u kritikua ashpër. Sipas logjikës së luftës, kaq mjaftonte dhe nuk u mor asnjë masë ndaj trupit gjykues. Kjo është e vërteta e thjeshtë dhe e hidhur e Ramize Gjebresë.   (Botuar në DITA)

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …