Me akademi përkujtimore në Therandë nderohet atdhetari Hysen Gega

Në një atmosferë dinjitoze, të mbushur me respekt, emocione dhe krenari kombëtare, në Therandë u mbajt Akademia Përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së atdhetarit Hysen Gega, njërit prej veprimtarëve më të përkushtuar të çështjes kombëtare shqiptare, ish-të burgosur politik, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe simbol i qëndresës së pandërprerë për liri.

Në këtë akademi morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarë të atdhetarit Hysen Gega, veteranë, invalidë të luftës, familje dëshmorësh, profesorë, studiues, artistë dhe mysafirë nga të gjitha trojet shqiptare.

Programi artistik nisi me interpretimin e himnit kombëtar nga Grupi Artistik GAM, ndërsa më pas, në shenjë nderimi dhe respekti, të pranishmit mbajtën një minutë heshtje për atdhetarin Hysen Gega dhe për të gjithë të rënët për lirinë e trojeve shqiptare.

Në fjalën hyrëse u theksua se çdo popull që respekton historinë e tij ndërton të ardhmen mbi kujtesën. U vlerësua se Hysen Gega nuk ishte vetëm një veprimtar i shquar, një i burgosur politik që përballoi vite të gjata burgimi, apo një luftëtar i përkushtuar i lirisë, por një figurë që mishëroi dinjitetin, guximin, sakrificën dhe moralin e një familjeje me tradita të rrënjosura atdhetarie e qëndrese shqiptare. Ai u kujtua si njeriu që jetoi me dinjitet, veproi me guxim dhe la pas një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë brezat.

Fillimisht u lexua një biografii e shkurtës të atdhetarit Hysen Gega, të autorit Ibrahim Shala, e cila solli para të pranishmëve rrugëtimin jetësor dhe veprimtarinë e tij shumëdimensionale në shërbim të lirisë dhe çështjes kombëtare.

Pas leximit të biografisë, Akademinë Përkujtimore e shpalli të hapur Kryetari i Komunës së Therandës, Bali Muharremaj, i cili vlerësoi lart figurën dhe kontributin e Hysen Gegës në historinë e popullit shqiptar.

Më pas, profesori dhe studiuesi i njohur, Prof. Dr. Bajram Kosumi, mbajti kumtesën e tij, duke ndriçuar dimensionin historik, politik dhe kombëtar të figurës së Hysen Gegës dhe vendin që ai zë në historinë e lëvizjes për çlirim.

Në vazhdim foli Sejdi Elezi, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së – Dega Therandë. Ai kujtoi momentet që kishin kaluar bashkë dhe tregoi se baca Hysen ishte veprimtar i dalluar ne të gjitha dimensionet jetsore.

Me fjalën e tij përshëndeti edhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili vlerësoi Hysen Gegën si një personalitet që me jetën dhe veprën e tij mishëroi idealin e lirisë dhe të shtetndërtimit.

Programi artistik vijoi me interpretimin e Grupit Artistik GAM, i cili solli këngën patriotike “Ka hy hasmi në Prizren, po i thotë Lumës, Mos lësho vend”, duke rikthyer atmosferën e qëndresës dhe sakrificës kombëtare.

Në akademi përshëndetën edhe Gjeneral Kudusi Lame, i cili foli për lidhjen ndërmjet kujtesës historike dhe sakrificës kombëtare, Gjeneral Enver Cikaqi, që vlerësoi kontributin e Hysen Gegës në lëvizjen kombëtare, si dhe Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar nga Lugina e Preshevës, i cili foli për dimensionin mbarëkombëtar të figurës së tij.

Një nga momentet më prekëse të ceremonisë ishte leximi i amanetit të Hysen Gegës. Në amanetin e tij ai kishte kërkuar që varrimi t’i bëhej me ceremoni kombëtare dhe ditën e varrimit të përcillej me muzikë shqiptare, duke përmendur emra të njohur të këngës si Ndue Shyti, Fatmir Makolli, Ilir Shaqiri dhe këngën “Unë jam zot në këtë tokë” të Haxhi Maqallarës. Amaneti i tij përmbante edhe një mesazh të rrallë humanizmi, ku shprehte dëshirën që trupi i tij, nëse do të ishte i dobishëm për mjekësinë apo shkencën, të vihej në shërbim të popullit edhe pas vdekjes.

Me emocione të veçanta u pritën edhe kujtimet e mbesës dhe nipit të tij, Rilinda dhe Rilind Gega, të cilët ndanë me të pranishmit kujtime për gjyshin e tyre, duke sjellë anën njerëzore, familjare dhe edukative të figurës së tij.

Një dimension të veçantë kësaj Akademie Përkujtimore i dha edhe kontributi i Institutit të Kujtesës Kombëtare Shqiptare me seli në Stuttgart, i cili në vitet e fundit është shndërruar në një nga institucionet më serioze në ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e kujtesës historike e kombëtare shqiptare.

I themeluar nga veprimtarë, intelektualë dhe atdhetarë me integritet të lartë moral e kombëtar, Instituti është vlerësuar për punën e tij të vazhdueshme në mbrojtjen e trashëgimisë historike, duke fituar respekt jo vetëm në mesin e bashkatdhetarëve në mërgatë, por edhe nga institucionet gjermane dhe evropiane. Përmes veprimtarive shkencore, akademike e përkujtimore, ai vazhdon të promovojë vlerat kombëtare shqiptare në frymën e demokracisë dhe të qytetërimit evropian.

Edhe organizimi i kësaj Akademie Përkujtimore u realizua me mbështetjen dhe përkushtimin e Institutit të Kujtesës Kombëtare Shqiptare, i cili, në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e atdhetarit Hysen Gega, ndau dhjetë mirënjohje me motivacionin “Amaneti i Bacës Hysen”.

Pesë prej tyre iu dedikuan, pas vdekjes, figurave të shquara të historisë kombëtare – Komandantit Legjendar Adem Jashari, Simbolit të Rezistencës Kombëtare Adem Demaçi, Prof. Ukshin Hotit, Gjeneral Fehmi Lladrovcit dhe veprimtarit Fadil Vata – ndërsa pesë Mirënjohje të tjera iu ndanë personaliteteve që vazhdojnë të japin kontribut të çmuar për çështjen kombëtare shqiptare: Gjeneral Ramush Haradinajt, Ali Ahmetit, Prof. Dr. Bajram Kosumit, Dr. Flora Brovinës dhe Shaqir Shaqirit.

Ceremonia e ndarjes së mirënjohjeve u zhvillua në prani të nikoqirit të Akademisë, kryetarit të Komunës së Therandës, Bali Muharremaj, drejtuesve të Institutit të Kujtesës Kombëtare Shqiptare, Imer Lladrovci dhe Naser Vrella, si dhe Ylberit djalit të atdhetarit Hysen Gega.

Në emër të familjes Gega, fjalën e falënderimit e mbajti Ylber Gega, djali i atdhetarit Hysen Gega, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për respektin dhe vlerësimin e treguar ndaj figurës së babait të tij.

Në përmbyllje të programit artistik, këngëtari i mirënjohur Ilir Shaqiri interpretoi këngën “Vdekja i bën hije kot”, kushtuar Hysen Gegës, me tekst të Arben Veselajt dhe muzikë të Edmond Zhulalit, duke sjellë një nga momentet më emocionale të akademisë.

Në fund, organizatorët theksuan se jeta dhe vepra e Hysen Gegës radhiten ndër figurat më të shquara të rezistencës shqiptare dhe se kujtimi për të mbetet pjesë e pandashme e historisë sonë kombëtare. Të pranishmit u ftuan të vizitonin ekspozitën fotografike kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij, si dhe të merrnin pjesë në koktejin e organizuar pas përfundimit të Akademisë Përkujtimore.

Akademia u mbyll me mesazhin se vepra e Hysen Gegës do të mbetet frymëzim për brezat që vijnë, ndërsa sakrifica e tij do të zërë përherë një vend nderi në historinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Rigjykimi konfirmon fajësinë: Ish-milic Shaqir Lutvija dënohet sërish me 10 vjet burg për krime lufte në Prizren

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar sërish me 10 vjet burgim ish-milicin serb, Shaqir …