Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Farsa e zgjedhjeve të parakohshme

Duke u nisur nga motoja se çdo gjë që ndodhë, apo lind  para kohe nuk është e shëndetshme, madje shoqërohet edhe me efekte anësore që pengojnë procesin drejt rrugëtimit të tij përfundimtare, ndodhin edhe këto procese të dështuara para kohe, si fryt i rënë nga dega para kohe, si vjelje të lashtave para kohe, si lindje para kohe që populli e thotë aq bukur: ”ka lindur i pa vakt!”…

 

Zgjedhjet e radhës, po prapë të pa-vakt-a (më së një herë), bartësit e të cilave nuk po mund ta qojnë dot mandatin e sovranit deri në fund. Partitë politike që operojnë në Kosovë, nuk po mëkëmbën nga ngufatja e zgjedhjeve të një pas njëshme, që peshohen me një kosto të lartë ekonomike, faturën e së cilës do ta paguajmë ne- duke lënë kështu një shije të hidhur para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, me një kastë politikë-bërësish të pa vakt, që po pjellin para kohe në mungesë aftësish për ta mbajtur frytin deri në fund!

Një kalkulim i thjeshtë: këto zgjedhje të pa vakt-a, buxhetit të Kosovës i kushtojnë 6 milion euro, tamam sa për të ngritur një fabrikë të mesme për prodhim e punësim të të rinjve tanë, ose me këto mjete do bënim 300 familje me strehë mbi kokë!…

Legjislaturë e dështuar më së një herë. Kjo rutinë tragjike-komike, nuk kishte vizion dhe fuqi politike për ta quar mandatin deri në fund!, kjo nuk është e shëndetshme për Republikën e Kosovës, as për politikë-bërjen e saj, as për zhvillimin e saj të gjithmbarshëm, madje pasqyron një paaftësi politike para botës së përparuar. Dështime politike këto, të cilat kanë dëmtuar Kosovën pallogaritshëm. Nëse zgjidhja është mentaliteti i pa-vaktësisë, Kosovës i bie që brenda dy viteve të ardhshme të mbajë prapë zgjedhjet e reja e të pa vak-ta!… shkaku se binomi i ardhshëm politik, do të zhbëj prapë Kuvendin dhe legjislacionin pasues, ashtu siç ka ndodhur për të satën herë me radhë deri me tani, si; për inate politike, nga smira e zilia, paranoja për pushtet, për linçim e kundërvënie të ndërsjellë politike, për t’u pasuruar e harbutëruar, për mbulesë dështimesh politike, ekonomike, diplomatike, për retorikë hakmarrjeje etj. Ku na shpie mushka me këtë logjikë zgjedhjesh të njëpasnjëshme e të pa vakt-a!?

Këto zgjedhje, si edhe të tjerat deri me tani, elektoratit nuk i sjellin asgjë të re- veç retorikeve të ndiçme dhe të ripërsëritura, si: sharje, fyerje, fjalor banal e tepër të ulët, shpifje e kërcënime duke u zotuar se nëse do marrim pushtetin, do të hakmerreshin ndaj atyre që e kanë pasur pushtetin deri me tani dhe e kundërta! Kandidatët e caktuar, yshtur nga euforia, sikur ju ka rënë adrenalina në kokë, ende pa filluar mirë fushata, po përdorin gjuhë kërcënuese e cila më së paku ka të bëj me zhvillimin, mirëqenien, punësimin dhe bërjen e shtetit të mirëfilltë, ku qytetari ynë do të ndihet i lirë dhe i mbrojtur me rend e ligj. Në fakt; pozitë- opozitë kanë vetëm një hall, dhe kjo duket sheshti: ata duan pushtetin, me çdo kusht, pa kursyer mjete për të arritur qëllimin- tamam kohë makiaveliste!…

Nga ana tjetër, analistë të tërë, portale, gazeta e gazetar-ucë të tjerë, si gjithmonë, nuk i fshehin dot animet e tyre politike, duke krijuar kështu favore të dëmshme politike- pavarësisht pasojave. Analistë këta, që në shumicën e rasteve ngjasojnë në fallxhore!

Krejt hapur janë vërejtur edhe vardisjet e figurave të ndryshme, për t’u futur nën çatinë  e subjekteve  të caktuara politike, figura të të gjitha profileve pa dallim; vraponi o burra!…

Prandaj edhe premtimet e tyre janë papërgjegjësi politike e morale, janë kuturu e të çastit, janë të rreme dhe joshëse, të cilët si në çdo zgjedhje tjera, Kosovën e bëjnë kopsht me lule ama vetëm derisa të kalon fushata!

Interesant, këta kundërshtarë të përbetuar, tani mes tyre e gjithë kjo vardisje dhe arshikni, që zotohen çdo ditë për ta bërë shtetin e mirëfilltë, përballë atyre që deri dje ishin përgjegjës për stagnim dhe kapje shteti. Premtimi i tyre tingëllon sikur: “do bëjmë koalicion me hajnat për të ndjekur hajnat”- si ka mundësi kjo!? Këta kundërshtarë- njëkohësisht ashikë të përhershëm, tani i vardisën njëri-tjetrit aq panatyrshëm e pakuptimtë, sa që qytetari ynë me shumë të drejtë pyet:

– sa poshtë ju ka rënë pazari i votës o burra!

Së fundmi, figurat e nominuara për poste të larta politike në Kosovë, kësaj radhe janë ofruar duke u mbështetur në karrizëm të supozuar, pa verifikuar mirë anën tjetër të medaljes: duke ditur se vendin e presin sfida të mëdha gjatë këtij legjislacioni.

Mendoj se VV, nuk duhet të bie pre e frikës se ky është rasti i fundit për të marrë pushtetin, për të mos kursyer mjete që ta arrijë këtë. Njëjtë mendoj se figura me begrand politik, që do t’i prinin LDK-së, (mendimi im- pak relevante është kjo), do të ishin, si: z. Valon Murtezi, z. Kujtim Shala, z. Lutfi Haziri, z.Agim Veliu e figura tjera të këtij subjekti. Si do qoftë, ky subjekt ka emëruar zonjën Osmani të cilën mbetet ta shohim, Duhet ta themi pa ngurrim, me aq sa po shihet deri me tani, mbetët shumë për të dëshiruar- koha do ta vërtetojë këtë më së miri. Ne, sikur jemi mësuar të presim dhe të eksperimentojmë me vet- veten tonë nëpër kohë! Ky mësim i keq, pothuaj na ka kaluar në traditë, një jetë duke pritur e duke eksperimentuar me vet- veten dhe shtetin tonë, pa llogaritur këtu dëmet kombëtare që nuk do të riparohen kurrë. Megjithatë, nuk trazohet njeri,  Kosova ka kohë për ta bërë shtetin e mirëfilltë, koha na pret, shtrohet pyetja deri kur kështu, ne gjithmonë të vonuar, ndër më të vonuarit e kontinentit të vjetër!

 Po thuaj, njëjtë është gjendja edhe tek subjektet tjera politike, kësaj radhe për bazë është marrë karizmi politik i të nominuarëve! Megjithatë, LDK dhe PDK (bazuar në atë që ka ndodhur më së një herë), janë këto dy subjekte politike, që janë bashkuar e ndarë, që janë betuar e sharë, por që nuk janë prishur kurrë në pazare politike (kur ka qenë në pyetje ndarja e pushtetit), si duket kjo do të ndodhi edhe kësaj radhe!… Mendoj se z. Veseli dhe PDK, nuk e kanë problem që postin e Kryeministrit t’ia ofrojnë koalicionit bashkë-qeverisëse, si edhe në të kaluarën, prandaj kjo që ndodhi nuk është befasi…

Sidoqoftë, Kosova edhe kësaj radhe do paguajë faturën e zgjedhjeve të pa vakta.

Kë do  ta votoj sovrani këtë radhë:

ata që shtrijnë sovranitetin në tërë tërësinë territorial të  Kosovës!

ata që zhvillojnë ekonominë dhe diplomacinë e Kosovës!

ata që përmirësojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë!

ata që me Serbinë një herë e përgjithmonë mbyllin kapitullin e njohjes reciproke!

ata që rrisin dhe mbrojnë imazhin e shtetit të Kosovës!

ata  që do ta forcojnë ligjin policinë, ushtrinë, arsimin, shëndetësinë!

ata  që janë të gatshëm me i dhënë Kosovës gjithçka e mos me i marrë asgjë!

 Shtrohet pyetja e domosdoshme: cilët janë ata, i mbetet sovranit që të mos luajë e të mos e nënçmojë votën e vet të drejtën legjitime të tij për të votuar dhe për të qenë i votuar!

  1. 9. 2019

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …