Brickos

Mehmet Bislimi: Fillim vit i mbarë mbase?!

Që nga dita e nominimit të Thaçit për kryeministër të Kosovës e deri më sot, shumë nga analistët vendës kanë heshtur, apo kanë qenë tejet të matur me shkrimet, parashikimet, lëvdatat, apo sharjet e tyre! Mbase për faktin se nuk ka kaluar më shumë se një javë nga fillimi i punës së saj, por edhe nga ana tjetër, duke u kursyer për arsye që vetëkuptohen. 
Mes heshtjes dhe pusisë së atyre që janë në pritje të presë, ka një mungesë burrërie. Jo pak herë, përvoja e keqe e së kaluarës, shumë nga njerëzit tanë të penës i ka hedhur në taborin e servilëve, pra në pozitat e liga të kujdestarisë për t’i mbajtur ison, e politikës së pushtetit në fuqi. 
Të gjithë ata që i shërbenin me përkushtim politikës së tij, thjesht përfitonin materialisht, pavarësisht se humbnin moralisht. Servilët nuk qajnë kokën për moralin, as dje, as sot! Gëzon fakti që sot, analistë të mirëfilltë mund ta thonë mendimin e tyre të lirë, pa pasur frikë së mund të pësojnë, po as që do të fitojnë diçka më shumë se guximin për ta thënë të vërtetën. Megjithatë mendoi se kjo nuk është pak. 
Legjislativit i vendit, por edhe figurat e dekorit e deri të ministrat e dikastereve përkatëse të Kosovës u konstituon, të gjitha këto për mandatarin e ri Thaçi, s’ishin më shumë veç se një qëllim që këtej e tutje nën udhëheqjen e tij dhe ekipit të tij, gjërat të gjenerojnë me një nismë pozitive, e cila do të bëj shtrirjen e saj brenda shoqërisë sonë e që pa tjetër do duhej të jetë e përgjegjshme, pavarësisht formës së dukshme të një sharmi të limontë të disa ministrave, të cilët si emra të lakuar, nuk do të guxonin as të kalonin pranë godinës së Qeverisë! 
Mirëpo mes formës dhe përmbajtjes ka një dozë rezerve, e cila do ta arsyetoi, ose do ta rrëzojë teorinë e shpifjeve mbi kurrizin e atyre që janë të përkushtuar për të ndërtuar diçka, dhe mes atyre që këtë përkushtim e shfrytëzojnë në drejtimin e kundërt.
Qytetarët tanë, këtë pyetje e shtrojnë me të drejt, duke u frikësuar ende nga hijet e së kaluarës, të cilat kishin zymtësuar qiellin tonë të shpresave për një lojë të rregullave morale të një shoqërie, të zënë krejt befasisht dhe të pa përgatitur në rrugën e tranzicionit që pretendon shtet formim, dhe kjo nuk është pak!

Nusja e mirë, por syrin qorr 

Qeverisë Thaçi, si duket me përzgjedhjen që ka bërë, si më së miri i shkon përshtati proverbi ynë popullor. “Nusja e mirë, por syrin qorr!”… Duke studiuar mirë e mirë se cilin nga ministrat, na del se ndonjëri nuk do të ishte meritor që të ketë fatin e të rrah gjoks për faktin që do ta këtë në nder, qoftë edhe si figurant në zgjidhjen e statusit të Kosovës, që pa dyshim do duhej të jetë në këtë fillimmandat, ndryshe, nuk do ta njoh qeni të zotin! 
Karakteristikat dalluese tek se cili nuk personifikojnë vetëm formën, por edhe esencën që mund të ndryshojë, që nga ndjenja narcisoide, megalomane, naive, oratorike, makute, papërvoja, intriga, servilizmi frikamania, shkathtësia e përvetësimit e deri të saktësia e mendimit dhe përkushtimit të përgjegjshëm e elokuent. 
Nuk kemi mundësi për të ikur nga konstatimi i pranueshëm se: shoqëri ideale nuk ka! Prandaj në do të vlerësojmë në përputhje me vlerat e tyre politike, përgatitja e tyre profesionale, me përkushtimin e tyre morali e njerëzor, gatishmëri sakrifikuese për vendin, dukuria e vartësisë së tyre, por mbi të gjitha punën konkrete që populli ynë do ta prek me dorë, etj.

Në ditën e nominimit të organeve të Qeverisë së Kosovës, disa diskutues nga opozita, ishin të çorientuar tërësisht, thua se i kishte zënë egjri!- thjesht, për faktin se nuk po mund ta pranonin realitetin e të qenurit humbës. Prandaj edhe në mënyrë gjestikulative kishin hupur cakun e ndonjë goditje të përafërt, madje me bagazhin e paqartësisë së lojës politike që rezulton me një palë të humbur dhe me një tjetër fituese. 
Duhet ditur faktin e thjeshtë se humbja, ose fitorja eventuale i vënë në rolin e pozitës dhe të opozitës kërkuesit e votës së qytetarëve, lojë kjo demokratike e pranuar botërisht, rrugë, kjo tek ne shqiptarët e pranuar me dhembje të thellë, por e pashmangshme. 
Mirëpo diversiteti politik mes pozitës dhe opozitës është i vazhdueshëm, në këtë mënyrë dhe i prinë zhvillimit të vlerave demokratike të shoqërisë, i bënë asaj shumë mirë dhe praktikisht nuk përjashton edhe përkimet dhe puqjet e tyre në raste të caktuara interesash galoponte, sikur është ndarja e pushtetit. Kjo i bën mirë vendit, se po të fitonte gjithmonë një parti, do të kalonte me kohë në pozitat e diktatorëve demokratë. Ndërkaq sa i përket “kurorëzimeve të pa natyrshme”, kjo panatyrshmëri nuk i ka vrarë dikur ata në ndërgjegje për ikjet e tyre imorale nga lloji i vet, me ambiciet e tyre të liga, fshehur thellë në gji për të dalë para deves…, duke shkelur çdo kod moral mbi gjithë atë luftë e sakrificë, që ishte bërë në emër të diçkaje! Të paktën ata kanë kaluar pragun e aktit moral përtej së cilit është lënia në baltë, për mos të thënë një fjalë tjetër edhe më të rëndë, duke ikur në mënyrën më të paligjshme, në kohën më të ligë, në vendin e gabuar, me misionin më jo fisnik nga trungu i vet, për të hapur portën e dyshimeve se diçka nuk paska qenë në rregull që në gjenezën e gjithë asaj që ndodhi. 
Ngarendja e njërit tabor që të kap i pari shtizën e bajrakut, rezultoi me pasaktësi në kohë, sa do që ata kohën mundoheshin ta diktonin, prandaj historia është e pa mëshirshme në raste të tilla, kështu që, dikë do ta nderojë me shtizën e bajrakut, ndërkaq dikë tjetër me atë të tramakut! Ky ishte fati, por edhe përpjekje e tyre për ta bërë dhe përvetësuar historinë ndaras, veç e veç, bajraqe, bajraqe, të seruvar para gjithë asaj sakrifice me sloganin se: “Lirinë ua solla unë!”…

Mandatari Thaçi, tha se as një herë nuk i ka pasur duart e lidhura!
Është e vërtetë, madje as atëherë kur ish regjimi diktatorial i Millosheviqit e dënoi atë me një decenie burg në mungesë e që nuk arriti ta kishte Thaçin kurrë, brenda bedenave me mure të trasha e me hekura të ashpër e tela me gjemba të rrethuar me gardian serb!…
Prandaj edhe gëzon pa masë fakti, dhe pikërisht këtu është fati i Kosovës, nga se Thaçi i ka duart e lira, dhe këtë duhet ta dëshmojë tani vet ai me luftësn pa kompromis kundër korrupsionit, me sigurinë dhe lirinë e qytetarit të Kosovës, me energjinë elektrike, me infrastrukturën që është tmerrësisht e lënë në mjerim, me ngritjen e mirëqenies së të gjitha kategorive të qytetarëve të Kosovës, me zbatimin e ligjit me çdo kusht, me ndëshkimin pa kompromis të të gjithë atyre që kanë keqpërdorur besimin dhe paranë e qytetarit, pa varësisht pozitave që kanë pasur, apo që mund të kenë aktualisht, me prodhim e zhvillim ekonomik, me punësim të të rinjve e mirëqenie sociale, me synim të integrim të vendit drejt Evropës, me marrëdhënie ndër fqinjësore të ndërsjella etj. 
Kryeministri Hashim Thaçi i ka duart e lira, prandaj ai duhet të veprojë në mënyrë që populli të bindet se nuk ka gabuar me peshën e votës së vet. Është për t u admiruar qëndrimi se në të ardhmen, vetëm një njeri mund të ia lidhi duart Hashim Thaçit, e ky mund të jetë vet Thaçi, për çka unë nuk dua të besoj!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në …