Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Kënga ime

Kënga ime 

(Taip Zekës)

 

me besimin e madh tek zoti dhe liria

ai

nuk u ankuan kurrë nga jeta e rëndë

jetën e çmonte

më shumë nga ne

mbi të gjitha e çmonte lirinë

të cilës iu përkushtua

përjetësisht

                                                                                                                                                           

ai iku

mbase me të vetmen brengë

që nuk e arriti atë ditë

kur atdheu do të jetë më i mirë

më i bukur

më i çliruar

dhe

përfundimisht i bashkuar

 

aspiratë që nuk u përmbush

deri në përmbarimin e rrugës së tij

që sot u sos

në heshtje të përhirtë

toka gjëmoi

Taipi me Kadriun sonte

gju më gju do bisedojnë

për ideal

vëllai me vëlla

për tokën e shtrenjtë

për tokën e shenjtë

për të papërgjegjshmit

që më përgjegjësi u ngarkuan

eh Shqipëri

Shqipëri

kah po të shpien

Shqipëri

ku të shpunë

 

prehu i qetë Taip

nëse prehja të qetëson

sonte këngë ime

për ty zgjuar do rri

për të thënë fjalën e saj

fuqishëm

deri në kupën e qiellit

jo sonte gjumë nuk do të vë në sy

dua të dëshmoj

para robit e zotit

se kemi nga një copë këngë lirie

këngë lirie në gji

djegur përmallshëm

ndarë e shkapërderdhë

sonte do shkruaj vargje marshimi

me pendën e kanjushës së verdhë

 

nuk ishte dëshirë jona

rrethuar me emra njëjës

numra

më shumë se një

me shpresën nën dhëmbë

nuk u dhamë

nga një kafshore bukë

e hanin në këmbë

me shumë plagë në shpirt

na përbuzën bukëshkalët

prapë

numra në ngritje

që atdheut kurrë

nuk i kanë hy në hak

 

ai nuk kërkoj asgjë nga ne

të vetmen fjalë që tha

luteni

mos më tjetërsoni

së tjetërsimi më fyen

të paktën

atje ku nuk jam

mos më kërkoni

mos

për ata që duan lirin

rruga nuk u sos

e nuk do të soset kurrë

flakadanë

të mbështjellë me flamur

 

Janar, 2021-01-20

 

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …