Brickos

Mehmet Bislimi: KUSH PO ANGAZHOHET PËR NDARJEN E KOSOVËS?!

Administrata e UNMIK-ut, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, do duhej që ta kuptonte tanimë rolin e vet në rrethana të reja. Të themi më mirë dhe më qartë do duhej të reflektonte më thellë duke respektuar të “Zotin e Shtëpisë” të kësaj shoqërie për ndërtimin e së cilës në një masë ka kontribuar edhe vetë. Një kooperim më i thellë në relacione respekti me organet e shtetit të Kosovës që tashmë është funksional dhe mbanë mbi supet e veta vulën legjitime të popullit të saj do të ishte dhe do të jetë i domosdoshëm!
E themi këtë për disa arsye të cilat po ngacmojnë dhe po mbjellin huti tek populli ynë!? Së pari administrata e UNMIK-ut, do të duhej të ishte e përgjegjshme për veprimet që është duke i bërë pa e përfillur Qeverinë legjitime të Kosovës e cila tani më është e njohur nga afro 40 shtete të botës së fuqishme demokratike të prira nga SHBA-të, njohje kjo që për ditë e më shumë po shënon rritje.
Fuqishëm shtrohet pyetje cilat janë këto papërgjegjësi dhe a mos po bëhen ketë veprime me qëllim të ndarjes së “qetë” të Kosovës nga qarqe të shteteve të caktuara në krye me Rusinë e Serbinë? Ndryshe nuk mund të shpjegohet fakti, kur në njërën anë administrata ndërkombëtare në konferenca të përditshme me gazetarë deklaron se nuk ka legjitimitet që të ndalojnë hyrjen në Kosovë të të ashtuquajturit ministër për Kosovën, Samarxhiq, e nga ana tjetër pranon letra për ndarje të “butë” të Kosovës, po nga këta “ministra”, letra të cilat në mënyrë ekspres i dërgon në OKB- në. Pozicionimi i tyre gjoja i “paanshëm” është edhe më shqetësues, për faktin e hidhur se ata nuk respektojnë as misioni për të cilin janë ngarkuar, kështu duke pohuar se : ” ne po presim përgjigje nga Nju Jorku dhe nga SPOKB-së Ban Ki Mun!?”…
Sipas kësaj na del se administrata e UNMIK-ut, qenka në pritje të sinjalit për ndarje të Kosovës, ani pse atë e kanë njohur rreth 40 shtete në krye me SHBA-në! Në emër të kujt dhe me çfarë të drejte kjo administratë dërgon plane të një përfaqësuesi të një shteti tjetër për ndarjen e një shteti tjetër të njohur ndërkombëtarisht? Kjo është përzierje drejtpërsëdrejti në çështjet e brendshme shtetërore nga vet organet e UNMIK-ut dhe cenim i integritetit dhe sovranitetit të një shteti siç është Kosova? Me çfarë të drejte UNMIK, nuk i konsultoi organet legjitime të popullit tonë, por vazhdon t’i anashkalojë e nënvlerësojë ato? Kujt i shërben ky arbitraritet i UNMIK-ut duke dëmtuar Kosovën dhe prestigjin e saj politik e diplomatik?
Me këtë veprim, UNMIK hedh hije dyshimi dhe cenon autoritetin e të gjitha atyre shteteve që Kosovën e kanë njohur dhe pranuar si shtet të pavarur në tërë tërësinë e vet territoriale, ku do të mund të jetojnë të lirë edhe të gjitha pakicat joshqiptare. Çështja e mbyllur e Kosovës rihapet sipas tekeve të UNMIK-ut, yshtur apo shtytur nga soji e sorollopi i Samarxhiqëve me idetë tashmë të njohura ruso – serbe për të treguar gjoja fuqinë e vet politike e diplomatike që ata pretendojnë ta kenë në Evropë?!.. Edhe më zhgënjyese është deklarata e zëvendës administratorit Larry Rossin i cili thotë: “Disa pika të propozimit për ndarje, janë në kundërshtim me mandatin e UNMIK-ut”, por, – shton ai se, – “propozimi mund të jetë bazë për bisedime!?”… Një deklaratë e tillë, më se paku është pritur nga Rossini i cili shpresojmë të jetë i vetëdijshëm se mandati i UNMIK-ut, tani më i takon fazës së përfundimit. Në këtë fazë të shpërbërjes së tij nuk guxon të marrë vendime pa pëlqimin e organeve legjitime të vendit ku vepron. Mbetet tejet e paqartë edhe se për çfarë baze bisedimesh bëhet fjalë tani?! Me kë dhe kush duhet biseduar? Për çka duhet biseduar? Për cilën arsye duhet biseduar? A u dashka që shqiptarët të bisedojnë sa herë që t’i konvenon Serbisë?… A nuk morën përgjigje bisedimet me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës?…
Pse duhet shqiptarët të ulen për bisedime sa herë i teket Serbisë kur një epilog shumë i qartë i bisedave u panë në prag të pavarësisë së Kosovës. Është e vërtetë se ka shumë gjëra që duhet të bisedohen me Serbinë dhe kjo është e domosdoshme për dy shtete fqinjë që respektojnë njëri- tjetrin. Por që të ndodh kjo paraprakisht Serbia duhet ta njohë shtetin e Kosovës, të vendosë marrëdhënie diplomatike me te dhe para bashkësisë ndërkombëtare të përgjigjet domosdoshmërisht për viktimat në njerëz dhe për dëmet e luftës që i ka shkaktuar Kosovës, duke ia shkatërruar mbi 80% të ekonomisë së saj gjatë luftës që ka nxitur dhe për këtë duhet të kërkojë falje popullit shqiptarë e të japë llogari për bëmat e saj.
Bashkësia ndërkombëtare thuajse ka harruar, se Serbia as që ka denjuar të bashkëpunojë për çështje parimore në raport me statusin e Kosovës. Përkundrazi, Serbia ka dhunuar bisedimet dhe qëndrimet e BE-së e më gjerë. Serbia nuk ka bashkëpunuar as me Gjykatën e Hagës për krime lufte dhe as që bëhet më fjalë për dorëzimin e kriminelëve të luftës në këtë Gjykatë, siç janë Karaxhiq e Mladiq. Një rol jo pak negativ në çështjen e cekur së fundi ka luajtur edhe kryeprokurorja Carla del Ponte e cila duke dashur që Serbisë t’i bëjë koncesione, në vazhdimësi ka lavdëruar atë kinse për bashkëpunimin me gjykatën në fjalë derisa faktet tregojnë se Serbia nuk e ka përfillur kurrë Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës!
Të pranosh kërkesën për ndarje të Kosovës që është shtet i njohur ndërkombëtarisht, të pranosh zhvendosjen popullatës, të pranosh getoizimin, të pranosh plane post-statusore të ofruar nga një individ që paraqitet në opinion si ministër për një shtet tjetër të pavarur kjo nuk mund të quhet injorance ose veprim naiv e adoleshent por tallje me ndjenjat e një populli që ka dhënë kaq shumë për lirinë e vet dhe për më keq; tallje me të gjitha forcat të aleancës së NATO-së. Të mendosh të realizosh planet serbe për ndarjen e Kosovës, është më shumë së një papërgjegjësi totale politike e morale, është plan tinëzar dhe tepër i rrezikshëm për rajonin e më gjerë. Këto kërkesa të Serbisë të mbështetura nga Duma Ruse, kanë qëllim shthurjen e gjithë asaj që është ndërtuar me vite deri me sot në Kosovë dhe si qëllim tjetër nënçmimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke pretenduar që njëkohësisht Rusia të tregojë fuqinë e saj politike në arenën ndërkombëtare, të cilën nuk e ka më.
Me të drejtë shtrohet pyetja: A nuk i ka lazdruar serbët jashtë mase bashkësia ndërkombëtare në krye me administratën e UNMIK-ut? Pa dyshim se po! Serbët sillen si të duan: e duan rrymën por nuk e paguajnë atë, nuk ndërrojnë targat e makinave por nuk i ndalojnë ato së ngari në rrugët e Kosovës, duan pronën por nuk paguajnë tatimin, nuk i nënshtrohen ligjit por thirren në të, nuk e njohin realitetin e ri në Kosovë- duan të ndërtojnë një realitet tjetër të dhunshëm sipas modelit të tyre, i kërkojnë institucionet por i bojkotojnë ato, duan ndarje të butë por këtë “butësi” e ushtrojnë me djegie gjykatash, doganash, makinash, me vrasje e plagosje policësh ndërkombëtarë, me djegie ambasadash e me kërcënim marrëdhëniesh diplomatike me çmenduri kundër Evropës s botës demokratike, zotohen se do të luftojnë krimin e nuk dorëzojnë kriminelët, thirren në paqe por bëjnë dhe kërcënojnë me luftë, kërkojnë integrim e këmbëngulin në ndarje mes popujve mbi baza nacionale! Kjo është Serbia, këta janë serbët që ecin në drejtim të kundërt të botës së qytetëruar…
Kosova sot nuk është pa zot shtëpie. Ajo ka miqtë e vet ndërkombëtarë, ka organet e veta legjitime dhe ekzekutive, ka përgjegjësi të lartë dhe fuqishëm është duke mbajtur dhe e zbatuar të gjitha premtimet me standarde më të larta që nuk u aplikuan deri sot në asnjë shtet tjetër të Evropës, por edhe më gjerë!…
Kush mendon që të luajë me fatin e popullit të Kosovës bënë gabim të madh. Kosova nuk lejon ndarje më, ajo është ndarë e cunguar mjaftë me dekada e shekuj. Harta e saj nuk mund të vizatohet për çdo vjet sipas tekeve e kërkesave të shovinistëve serbë. Kosova do paqe, liri, demokraci, mirëqenie, zhvillim, respekt, miqësi me shtetet fqinje dhe me të gjithë ata që tregojnë gatishmëri për këtë. Kosova as edhe njëherë më nuk do lejojë që të tjerët të luajnë me fatin e saj. Kosova ka zot bijtë e vet të cilët janë të gatshëm që t’i dalin në mbrojtje atdheut siç e kanë për obligim edhe kujdesin dhe ngritjen e zërit të tyre fuqishëm në mbrojtjen e vëllezërve të vet mbetur jashtë trungut të vet padrejtësisht.

Kontrolloni gjithashtu

Edward Joseph

Edward P. Joseph: Agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe efekti i tij në Ballkan

Profesori Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins në Washington, në një artikull të botuar …