Mehmet BISLIMI: MARSI, KY MUAJ I LEGJENDAVE QË ZURI VEND NË HISTORINË TONË MË TË RE

Pranvera po vjen ngadalë. Si duket nuk mund të kalojë kaq lehtë pa u hetuar “koinçidenca” e vlimeve të furishme në Kosovë, që zakonisht kanë ndodhur e po ndodhin gjatë muajit mars. Që nga viti 1981 e deri të rënia e Komandantit Legjendar Adem Jashari, marsi ishte prehri ku mbështeti kokën e tij plot me halle populli ynë liridashës. Edhe më pas kur Egzonin me shokë i përpiu Ibri i ftohtë e deri tek ditët e sotme, ngrohtësia e tokës gjatë muajit mars sikur na forcoi, tamam si Anteun dikur. Marsi, ky muaj i legjendave që zuri vend në historinë tonë më të re.

11 mars i vitit 1981. Nomenklatura e sistemit pushtues titist, të korruptuar, të rënë nga morali, të degjeneruar e të dalë boje nga ideja e mirëqenies socialiste dhe vetëqeverisëse, nën petkun e vëllazërim- bashkimit, kishin bërë shumë padrejtësi në Kosovë, mbi kurrizin e popullit shqiptar, duke e eksploatuar tokën tonë deri nën thellësitë e detit. Megjithatë, Kosova kishte mbetur njëra ndër vendet më të pazhvilluara në tërë hapësirat e pushtuesit jugosllav. Popullata jonë nënçmohej dhe diskriminohej në të gjitha poret e jetës. S’do mend se kupa e mbushur e pushtuesit jugosllav prej kohësh nuk po mbante më dhe padyshim se ajo duhej të përmbysej një ditë, dhe kjo ndodhi, u përmbys pikërisht aty ku duhej të përmbysej, pra mu në mensën e studentëve të Universitetit të Kosovës!
Këtë ditë e priste populli ynë prej dekadash e priste me padurim, e priste me guxim e dashuri të madhe, pritej kjo pranverë që erdhi më herët se ajo kalendarike. Erdhi e furishme, me lulëkuqet e atij behari të rinisë së madhe studentore. Bijtë më të mirë të popullit tonë kishin punuar gjatë kohë për një ditë si kjo. Hapur e fshehur ata sollën 11 marsin duke u përballur me vuajtje e persekutime, me varfëri e diskriminim, me shtypje e burgje, me vrasje e likuidime, me shpërngulje e dëbime,…

11 marsi i vitit 1981 është fillimi i një fundi të pushtimit të Kosovës

Aparati shtypës serbosllav nuk mund të kishte rezultat tjetër në Kosovë, veç revoltës së fuqishme popullore e cila me këtë rast tregoi se nuk do të lejojë më nëpërkëmbjen e dinjitetit dhe lirisë së saj me as një çmim!
Këtu fillonte edhe fundi i një maratone të gjatë e robërisë të Kosovës, që pushtuesi jugosllav me hekur dhe zjarr nën petkun e dinakërisë së vetëqeverisjes e shkeli dhe shfrytëzoi Kosovën për decenie me radhë. Demonstratat e pranverës së vitit 1981 eksploduan si një fuçi baroti në duart e pushtuesit jugosllav. Këto demonstrata tundën për shkatërrim themelet e ish Jugosllavisë Socialiste të asaj kohe. 11 marsi i atij viti është fillimi i një fundi të pushtimit të Kosovës. Jugosllavia e pas këtyre ngjarjeve, as edhe një herë nuk morri veten më, edhe pse ajo nuk la gurë pa lëvizur. Duke vu në lëvizje tërë organizmin e sektorit të UDB-së (në mesin e tyre edhe shumë puthadorësh shqiptarë), bënë arrestimin e mijëra të rinjve, veçmas studentë dhe intelektualë, por edhe punëtorë të shumtë. U ngritën gjykata të tëra në këmbë, të yshtura nga politika zyrtare e Beogradit dhe dënuan popullin e Kosovës me dënimet më drakonike! Po thuaj shumica e këtyre gjyqtarëve, fatkeqësisht puthadorë shqiptarë, suspenduan e diferencuan shqiptarët nga puna, nga shkolla, nga fabrikat, nga shoqëria, madje shkuan aq larg sa kërkonin edhe lëçitjen e të gjithë atyre që në një formë a tjetër përkrahnin këto demonstrata.
Me gjithë presione të mëdha, populli ynë përballoi me dinjitet duke i dhënë mesazh të qartë e të prerë pushtuesit jugosllav se: Ne, nuk e durojmë më jetën e robit! Kjo ishte koha kur sakrificat më sublime që do të pasonin për Kosovën filluan të gatuheshin në zemrën dhe mendjet e atdhetarëve më të mirë shqiptarë.
Kjo rrugë e gjatë, deri ku jemi sot, nuk ishte rrugë e shtruar me lule, por ishte rrugë e rimuar me gjak. Ky gjak dhe kjo aspiratë kërkon, finalizimin e vet. Nuk ka çmim tjetër që shpaguan sakrificat e shqiptarëve për lirinë e vet, veç bërjes së shtetit të lirë dhe sovrane të Kosovës, me të gjithë ata që dëshirojnë të ndjehen të lirë e të jetojnë këtu në tokën e Kosovës.

Klasa politike e sojit Hasani, Shukriu, Shiroka, Vllasi, kjo shtresë vazalësh, kishte një urrejtje patologjike ndaj bijëve më të mirë… 
Elita politike në Kosovën e përgjakur të asaj pranvere, ishte zënë në befasi, zgjuar e trembur nga gjumi i rëndë që po bënte në shtratin e butë me pupla të ish pushtetit jugosllav. Ajo, nuk ishte e gatshme që të rreshtohej drejt. Në fakt, as që priste kush një rreshtim të tillë, ngase ishte e palogjikshme që nga ajo shtresë vasalësh të presësh diçka atdhetare. Pushtuesi kishte përgatitur këtë shtresë me vite, e kishte avancuar e parfymosur me erën marramendëse të pushtetit dhe të fryteve të tij, që nga punësimi, makinat, banesat, shkollimi e deri tek të bërit e ligjit. Një hafije për dy shkronjat “ K. R”, që do të thoshte “ Kosova Republikë!”, të denonconte dhe fare lehtë mund të dënoheshe me 2 e 3 vite burg! Madje, disa gjakprishur shqiptarë të asaj elite, shkuan aq larg, sa që për ta bindur pushtuesin për përkushtimin dhe besnikërinë e tyre ndaj tij, hoqën dorë edhe nga përkatësia e tyre kombëtare, duke u deklaruar me përkatësi kombëtare jugosllave siç ishin Sinan Hasani, Ali Shukriu, Kolë Shiroka, Azem Vllasi etj.
Këtë klasë politike e shfrytëzoi maksimalisht pushteti jugosllav, deri sa një ditë e hodhi për tokë si një limon të shtrydhur. Ata vazhdimisht i ranë po të njëjtës melodi, që nga akuzat kundër popullit të vet si: irredentist, ballist, nacionalist, vrimë e miut, diferencime, lëçitje e shkuan aq larg sa që preken edhe në simbolin tonë kombëtar! Pra, qëndrimi i kësaj elite me kohë kishte kaluar edhe në urrejtje patologjike dhe hakmerrej kundër bijve të popullit të vet! Kjo bazë e urrejtjes e mbështetur nga yshtjet e politikës së Beogradit zyrtar, elitën shqiptare të asaj kohe e kishte bindur që të lehte pa ndërprerë kundër interesave popullit të vet. Qentë po lehnin, por karvani po ecte, vërtetë ngadalë, por sigurt!

Si u përgjakën demonstratat paqësore të masit-prillit 1981 nga milicia dhe ushtria pushtuese jugosllave 
(Në vetën e parë)

– Më 26 mars, u ngjita shtyllës ndriçuese të rrugës (diku pranë radio Prishtinës), dhe hoqa flamurin e Jugosllavisë, duke e përplasur atë për tokë. Sinan Hasani në librin e tij, kishte shkruar se: “Një student me një shpejtësi majmuni u ngjit shtyllës së metaltë, dhe përdhosi flamurin e Jugosllavisë!” Në fakt, ai kishte të drejtë ngase mua më duhej një shpejtësi e tillë, për të hequr shumë flamuj të Jugosllavisë, të cilët i kishin vu majmunët e shumtë si Sinan Hasani me shokë, mu në zemër të Kosovës! Ç’është e vërteta, unë e përbalta flamurin e pushtuesit, atë flamur më vonë e vrau me pushkën e lirisë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës- bijtë më të mirë të popullit tonë. – Punëtorë të shumtë të furrave e të shitoreve, shpërndanin bukë, pije e ushqime të tjera, për demonstruesit. Sot më lejoni të ju them: Ju lumtë o bijtë e atdheut, dëshmuat dashurinë për atdheun dhe për bijtë tuaj! – Punëtorë të shumtë nga organizata të shumta punuese si: “Ramiz Sadiku”etj, me helmeta në kokë u futën në gjirin e demonstruesve. Ata sollën me vete së bashku me përkrahjen morale për ne edhe mjete tjera barrikade si: kamionë, ekskavatorë, rrafshues, buldozerë etj. Demonstruesit u bënë të pakalueshëm. Këta punëtorë u solidarizuan me bijtë e vet, duke dashur që të vdesin pranë tyre! Mos e harroni këtë kategori që sot është si mos më keq!

– Punëtorët e shëndetësisë, po shpërndanin fasha, medikamente, vaksina e gjithë çka ishte në mundësinë e tyre për shpëtimin dhe aftësimin e demonstruesve. E madhja Sahadete Mekuli i kishte pritur demonstruesit e plagosur në spital me fjalët më të bukura, dhe më të guximshme si: ME FAT PLAGËT O TRIMAT E KOSOVËS ! Mos e harroni këtë akt, Shëndetësi e Kosovës, mos shkelni mbi betimin e Hipokrates sonë Sahadete! 
Mbi fakultetin Ekonomik, nga një tank i ish ushtrisë jugosllave u shti në turmë. Shtiu armata e quajtur JNA! Nga breshëria e plumbave, u këput për dhe Besa Ahmeti- nxënëse. Plagët ia lidhëm me këmishën e trupit të Fejzë Veliut nga Polaci i Drenicës dhe e futëm në një makinë “Reno 4”. Mbaj mend se në momentin kur Besa ishte mes jetës a vdekjes, tek po i thoshte një shoqes së vet: “Mos trego në shtëpi, mos u trego prindërve, thuaju se Besa është me demonstruesit!”… dhe vërtetë emri i Besës ishte kudo me ne, është edhe sot. Mos harroni gjakun e derdhur për liri rrugëve të Prishtinës, dhe besën e betimin e dhënë!
– Një grua që kishte në dorë një litër qumësht, të cilën e kishte blerë diku në treg për bebet e saja, na e zgjati atë qumësht, duke na thënë: “Merreni se fëmijët i ushqej edhe me gjirin tim!” Mos e harroni gjirin e nënave të cilat na e dhanë për këto ditë, jo për të shkelur mbi gjakun e derdhur rrëke për liri, se pastaj detyrohen e na thonë : “ Haram ju qofshin gjinjtë e nënave!”…
– Në demonstratën e prillit ishte vra edhe i riu Xhelal Maliqi, punëtor i Televizionit të Prishtinës. Edhe një lule e këputur në mesin e shumë Dëshmorëve të Kombit. Me disa shokë shkuam atje që të përshëndeteshim për së fundi herë para varrimit. Si sot… në një oborr të vogël… nën një pemë të madhe që kishte qenë aty, një djalë i ri si një lis shtrirë në një arkivol të vjetër, shtrirë e me sy të hapur!… Ata sy, edhe sot të hapur qëndrojnë?! Qindra Dëshmorë të Kosovës nuk po i mbyllin sytë dot. Mos harroni, ata sy duan që Kosovën ta shohin të lirë, dhe vetëm të lirë!
Nga shtëpia e Dalibashiqëve (atje afër mensës së studentëve), diku rreth orës 11 paradite, ishte shtënë me armë zjarri. Dalibashiqët kishin plagosur një demonstrues për vdekje. Në orën 4 pasdite, kur policia u ngjit lart në atë lagje, prapë njëri nga Dalibashiqët doli me pushkë M 48- të, në dorë dhe diku 10-15 metra mbi shtëpinë e tij, qëlloi një demonstrues i cili atë moment ishte duke manovruar me një kamion për ta bërë barrikadë në rrugë. Nga një largësi prej 200 metrash më lartë, mbrapa trafo-së së rrymës, këtë ngjarje e kemi parë me sy, unë – Mehmet Bislimi nga Prekazi, Ismet Kabashi nga Polaci dhe Ilaz Kolovica nga Prishtina!
Nuk kam njohuri, nëse këta dy të qëlluar nga qytetari Dalibashiq, kanë vdekur, apo shpëtuar? Dalibashiqët për këtë akt u dënuan atë botë vetëm me nga 30 ditë burg kundërvajtës. As kjo nuk duhet harruar!
– Në Kosovë gjatë demonstratave të marsit dhe prillit të vitit 1981, milicia dhe ushtria jugosllave, vrau 11 demonstrues dhe plagosi mbi 300 sish. Burgosi mbi 2500 të rinj, përjashtoi nga shkollat, fabrikat, dhe institucionet tjera, diferencoi, lëçiti me mijëra shqiptarë. Vizitoni varret e të rënëve, në mënyrë që t’i kujtojmë flijimet e tyre për një Kosovë të lirë!
– Milicia e Jugosllavisë, në mesin e tyre edhe shumë milicë shqiptarë, me 26 mars, diku pas orës 16 u vërsulën rreth konvikteve të studentëve, përdorën një dhunë të paparë as në Aparteidin e Afrikës. Nuk më hiqet nga sytë flamuri në duart e një vajzë të re, së cilës më shumë se katër policë nuk po mundnin t´ia hiqnin flamurin nga duart Shqiponjës së Kosovës! Mos harroni, askund në botë nuk ndodh, që simbolet nacionale të përdhosen apo përshtatën për hir të minoritarëve që në Kosovë përbëjnë 5 %!
Në maj të po atij viti Tahir e Nebih Meha, si dikur Oso Kuka, u dogjën në kullën e tyre! Ata me këtë rast i treguan pushtuesit jugosllav se shqiptarët një ditë do të detyrohen të mbrohen edhe me armë. Tahiri atë vit vrau me pushkën e lirisë forcat e dhunshme të pushtuesit, vrau namin e tyre edhe për më keq hodhi për tokë “mitin” mbi njësitet speciale të ish UDB-së. Mos harroni krismën e pushkës së lirisë të Tahir Mehës. Ishte lajmëtarja e parë e pushkëve të lirisë së UÇK-së!

Çmimin e lirisë, deri sot e kemi paguar shumëfish! 
E tërë një histori luftërash e vuajtjesh për liri, sigurisht që nuk i ka rrënjët cekët. Ato rrënjë janë të thella, dhe datojnë që kur erdhi pushtuesi në tokat tona, prandaj rrënjët e lirisë nuk dukën mbi tokë që t’i shkuli pushtuesi kur të dojë. Jo, ato bulojnë çdo pranverë, bulojnë nga shtytja që i jep fuqi gjaku derdhur për liri. Historia jonë nuk është histori romantike me të vërshuara e me të shkëputura, kjo është histori që i ka futur tmerrin pushtuesit serb. Kjo histori ka kaluar për tehun e shpatës së Gjergj Kastriotit, për mes kështjellës së barotit të Luanit të Janinës, për mes kullës së Oso Kukë Vraninës, për mes litarit të Idriz Seferit e gjoksit të Mic Sokolit, për mes diplomacisë së Abdylit, Hasanit e Qemalit, për mes kobures së Boletinit, për mes së tehut të sopatës së Ahmet Prekazit e mitralozit të Adem Jasharit.

Kjo është një histori e tërë, që nuk e zhbëri as Sulltani, as Krajli i Serbisë e as jugosllavët. Brezi i demonstrueseve të vitit 1981, përfundimisht shembi themelet e Jugosllavisë pushtuese. Pushkët e lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetur fuqishëm nga populli ynë, bënë gërmadhë kalanë të quajtur Serbi. Mos të harrojmë edhe këtë: Çmimin e lirisë, deri sot e kemi paguar shumëfish!

Kontrolloni gjithashtu

Sot, Shtëpinë-Muze të Radios Kosova e Lirë në fshatin Berishë, e vizitoi, një delegacion i Zvicrës nga komuna Meyrin e Gjenevës

Sot, Shtëpinë-Muze të Radios Kosova e Lirë në fshatin Berishë, e vizitoi, një delegacion i Zvicrës nga komuna Meyrin e Gjenevës

Sot, në Shtëpinë-Muze të Radios Kosova e Lirë,  në fshatin Berishë, qëndroi  për një vizitë, …