Mehmet Bislimi: Metoda e eliminimit të kundërshtarit politik

Që nga lashtësitë njihet metoda e eliminimit, që është përdorur nga njerëzit e kohërave të ndryshme në të cilat ata kanë jetuar, duke bartur mbi vete fuqinë e tyre politike, ekonomike, intelektuale, krijuese, pronore e deri tek pasionet tjera të ulëta siç është makutëria për përvetësimin e trashëgimisë, për fron dhe pasuri etj. Sikur që edhe në Perandoritë e mëdha janë eliminuar madje edhe foshnjat në djep në mënyrë që ato të mos bartin të drejtën e trashëgimisë!
Krimet e tilla nuk kanë kursyer njerëzinë. Kriminelët kanë “ngrënë” kokën e Haxhi Zekës, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Avni Rrustemit e dhjetëra raste tjera në sistemet moniste-diktatoriale të këtij fundshekulli! Në librin “ Sundimtari” të Makiavelit, nuk zgjidhen mjete për të ardhur në pushtet! Nisur nga kjo, sot në shoqërinë e rendit të ri demokratik, janë të shumtë të tillët që këto ëndrra i kanë të fshehura thellë në gji dhe iu flinë për merak në zemrat e tyre të liga! Në kohët moderne dhe demokratike, këto sprova ambiciesh kanë zbritur në fushën e lojës së demokracisë e cila vendimtare ka caktuar votën e qytetarit i cila përfundimisht vendos për atë që do t’i përfaqësojë interesat e popullit! 
Të gjitha metodat, që kundërshtarët e përbetuar përdorin për të eliminuar njëri- tjetrin, nuk janë më shumë se pasione të ulëta të cilat pavarësisht kostos, në të shumtën e rasteve përfundojnë vetëm me turp. 
Metoda e eliminimit fizik ka mbetur si e vetmja zgjidhje, atëherë kur pala tjetër nuk mund të arrijë të bëjë eliminimin politik dhe moral të kundërshtarit. 
Shpeshherë mund të krijohen efekte të kundërta të veprimit dhe në vend të eliminimit bën ngritjen dhe himnizimin e një figure të caktuar. 
Demokracia e brishtë tek ne, duhet të mësoj shumë nga këto përvoja të shëmtuara që kanë përcjellë dhe rënduar me shekuj njerëzimin, që nga dinastitë e hershme e deri tek sistemet diktatoriale me nam – rasti i fundit kur në Serbinë millosheviqiane vritet kryeministri Gjingjiq! Janë pikërisht këto metoda që lanë njerëzimin shumë larg rrugës së qytetërimit, zhvillimit dhe prosperitetit. 

Duke u ndalur te sulmi kriminal që ndodhi natën e 6 qershorit 2008 në Prishtinë, kur një i dyshuar kërcen rrethojat e murit dhe futet në ballkonin e shtëpisë së Kryeministrit Thaçi, i cili për fat pengohet nga roja e shtëpisë, por duke krijuar panik te familja e kryeministrit dhe tek lagjja e tij, që u zgjua e frikësuar mes krismave të armëve të asaj mesnate!… 
Kjo ngjarje e rëndë nuk është edhe aq e vogël dhe e thjeshtë dhe që nuk meriton të debatohet siç pretendohet nga dikush. Kjo është një hije shumë e rëndë për prestigjin tonë si shtet i ri, që pretendojmë ta kemi dhe ta forcojmë akoma më shumë. Kjo paraqet hapat e pasigurisë të një shteti që pretendon të krijojë siguri dhe ligj për qytetarët, në të njëjtën kohë kur nuk kanë siguri edhe vetë bartësit e institucioneve kryesore të shtetit që sulmohen nga“hajnat”!… 
Paraqitjet verbale të figurave shtetërore të Kosovës se dënojnë rastet e tilla, i rrëzon një natë më vonë, po aq me naivitet edhe kumtesa e policisë së Kosovës se: “ Policia arrestoi personin e dyshuar. Fjala është për një hajn i cili kishte hy për të vjedhur në shtëpinë e Kryeministrit të Kosovës, zotit Hashim Thaçi! Personi i dyshuar, as që kishte idenë se shtëpia ku kishte hy ai për të vjedhur, ishte pikërisht shtëpia e Kryeministrit Thaçi”! kjo kumtesë, veç informimit na del edhe me konstatimin se “hajni” nuk ishte i vetëdijshëm se ku ishte futur!… 
Këtë lajm, mbase mund ta besojë elita jonë politike në Kosovë, por jo edhe opinioni i gjerë. Nuk ka qytetarë në Prishtinë që nuk e di se ku ishte shtëpia e Rugovës, së ku është shtëpia e Thaçit, Ramushit, Fatmir Sejdiut, Dacit, Surroit dhe e dhjetëra figurave tjera politike. Kjo alibi, bie në ujë, padiskutueshëm. Shtojmë faktin këtu se shtëpia e Thaçit në krahasim me shumë shtëpi të tjera të figurave politike në Kosovë, nuk nxit lakminë dhe kureshtjen e “hajnave” natën, nuk duket se “ka të zonë të veshur me flori”. Shtëpia e Thaçit, është krejt e zakonshme, ka shumë e shumë shtëpi të tjera në Prishtinë, që shtëpinë e Thaçit e lënë nën hije të plotë! 
Edhe sikur ta zëmë se ndodhi kështu, siç u tha në kumtesën datës 7 qershor në RTK, në orën 20°°, shtrohet pyetja se sikur ky “hajni” të ishte përballur me kryeministrin Thaçi ato çaste mesnate dhe në “kacafytje” siç ndodhi me policinë dhe rojën, ky “hajni” do të mund të vriste edhe zotin Thaçi? Policia e Kosovës do të thoshte: “Një hajn që mbrëmë kishte hyrë për të vjedhur në shtëpinë e Kryeministrit Thaçi, në kacafytje e sipër kishte vrarë atë, pa e pasur idenë se ai ishte pikërisht Kryeministri Thaçi”!… 
Kjo është më shumë se tallje, kjo është më shumë se dështim, kjo është më shumë se kurth, dhe mësuesi i kësaj kurthe i ka paraparë të gjitha, këto, madje me kohë dhe shumë në mënyrë të përsosur: “Edhe nëse “hajni” zihet, edhe nëse “hajni” plagoset, edhe nëse “hajni” vritet! Kjo metodë do të ndezë, kjo metodë është ndër më të mirat, kjo metodë jap alibi të qëndrueshme: Hajni vrau një kryeministër diku në rajon dhe shkoi kryeministri dushk për gogla siç thotë populli ynë. Mjeshtri ndër më të sofistikuarit nga regjisorët e regjur të kësaj drame, e cila përhap një opinion krejt të zymtë e të mjerë për ne! 

A ka polici në botë, kur bëhet tentim atentati në Kryeministrin e vendit dhe policia pas 24 orëve del me komunikatën dhe konstatim se: “ I dyshuari ishte një hajn, që nuk e kishte as idenë se ku ishte futur për të vjedhur”!? A ka diçka më banale, a ka diçka ma naive se kjo, a ka diçka ma lënduese se kjo për qytetarët e këtij vendi?! 
Si ka mundësi që një hajn të niset për „gjahun“ e tij pa e ditur se ku është shënjestra e tij finale, dhe pa pasur së paku një ide të vogël se çdo të dalë nga ky „gjah“, se në të kujt shtëpi po futet etj?! Kjo polici, a i jep përgjegjësi dikujt? Si guxon që të dalë më qëndrim, kur “hajni” ende nuk ka kaluar as në hetuesi! 
Si ka mundësi një hajn të nxirret kaq i pafajshëm kur në brez kishte armën e mbushur për ta përdorur kundër cilindo që do t’i del përpara nga ajo shtëpi, dhe armët janë përdorur me këtë rast!? 
Në të gjitha vendet e botës në raste të ngjashme, policia thotë: “ Autori i dyshuar për rastin në fjalë është kapur, hetimet vazhdojnë, qytetarë të mos shqetësohen”. 
Më këtë rast, atje ku ligji vepron, shkarkon nga përgjegjësia automatikisht udhëheqësit e këtij sektori së bashku me zëdhënësin, pse jo edhe Ministrin përkatës. 
Ky skenar dështoi me turp, por kjo nuk do të thotë se regjisorët nuk do të përgatisin skenarë të tjerë për deri sa ata fshihen prapa këtyre “hajnave naivë e të pavetëdijshëm” të cilët nuk ditkan se çka bëjnë, ku futën dhe për çka u futën!… 
Unë, personalisht jam shumë i gëzuar për dështimin e skenarit të „hajnit të padijshëm“. Nuk dua që vendit tim t’i bie hije e zezë. Të kemi kujdes të gjithë së bashku, që vendin tonë ta ruajmë nga qëllimi rrënues i armiqve tanë! 
Shteti që nuk arrin të sigurojë kryeministrin, kryetarin, kryeparlamentarin, e të tjerët pas tyre, nuk mund të sigurojë as edhe për një çast qytetarin e thjeshtë. Një shtet ku nuk ka siguri, ku nuk ka ligj, nuk i duhet askujt, pra as ne shqiptarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari turk, Erdogan

Erdoğan: Duke vrarë mbi 14.000 fëmijë të pafajshëm në Gaza, Izraeli tashmë ka tejkaluar famëkeqin nazist, Adolf Hitler

Kryetari i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoğan, ka deklaruar se duke vrarë mbi 14.000 fëmijë të …