Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit e atdhetarit, Sabit Veseli (1958-2010)

Këtu e dhjetë vite më parë, vdekja tinëzisht të vodhi, ishte goditje e rëndë për ne, ajo mori nga radha e kolonës së madhe të idealistëve edhe një ushtar Lirie… e po, duhet të pajtohemi, kjo është e vërteta, duam apo nuk duam ne – jeta është e tillë dhe vepron pa dallime.

Me këto copëza shkrimi për ty, Sabit, nuk dua që të rëndoj edhe më të dashurit tuaj, përkundrazi e ndiej si borxh që në emrin tim, në emër të shokëve të vuajtjes, në emër të atdhedashësve të të kujtojmë dhe të lehtësojmë dhembjen për ty, dua që shpirtërisht, të jemi pranë më të dashurve tuaj në këto çaste hidhërimi, për të mikluar sadopak plagët e shpirtit.

Sabiti, që i ri ishte i përkushtuar për të njerëzishmen, për të natyrshmen, për të domosdoshmen siç ishte liria e atdheut. Ai ishte i qetë, i urtë dhe fisnik, fliste rrallë, nuk i pëlqenin fjalët e tepërta, adhuronte punën konkrete, aksionet dhe veprimet në shërbim të atdheut, dhe për këto ai nuk të falte. Ai nuk i duronte dot njerëzit e papërgjegjshëm që paraqiteshin me pompozitet, prandaj herë-herë edhe tregonte ashpërsinë e formës së tij të veprimit, ani pse kishte një shpirt shumë të butë e njerëzor. E veçanta e tij ishte energjia për jetën, ai nuk nënshtrohej kurrë para sfidave të shumta, pavarësisht nga ngjyrat e tyre, që natyra na i kishte vënë si sprovë në rrugët e jetës. Ai nuk u luhat as atëherë kur u arrestua, as në hetuesi, as në burg gjatë vuajtjes së dënimit, as kur mori lajmin e hidhur për rënien e vëllait të tij Bahriut në gjirin e tokës së dashur të Kosovës…

Sabiti si ri do të gjendej në ballë të demonstratave të viti 1981 në Mitrovicë, njëri ndër organizatorët kryesorë të tyre në qytetin e minatorëve. Pastaj do të pasojnë burgosjet, hetuesitë, torturat, qëndresat heroike të shokëve të idealit, ngritjet dhe përgatitje për rrugë dhe shtigje të gjata që po na prisnin. Ai kurrë nuk fliste në vetën e parë, ai kurrë nuk thoshte “unë”, ai gjithmonë thoshte: “shokët!”. Ky ishte njëri ndër virtytet e tij që atë e bënte të respektuar ndër shokë. Ai gjatë rrugës së kësaj jete kaq të shkurtër kishte pasur fatin që të takonte dhe të bashkëvepronte me shumë shokë liridashës, të cilët edhe nuk janë më në mesin tonë, si: Afrim Zhitia, Fadil Vata e dhjetëra martirë tjerë.

… Dhe erdhi një kohë kur Sabiti me shumë shokë u shtrënguan, që me trastën e halleve të atdheut mbi supe, të merrnin rrugët e arratisjes, rrugët e mërgimit në sy. Ata morën këto rrugë me zemër të plasur, duke shkelur meridianët e botës për t’i dalë atdheut të zhuritur në ndihmë dhe mbështetje morale, materiale dhe fizike. Sabiti me shokë, rreshtuar në organizatën e Lëvizjes Popullore të Kosovës, bënë shumë, dhanë të pamundshmen në shërbim të çlirimit të atdheut. Për të gjithë ata që patën dhe që kanë dashurinë për atdheun në gji, pa dyshim se do të prehen të qetë dhe krenar, në mesin e tyre edhe Sabiti ynë!

Emra të shumtë njëjës, që Sabiti ka vepruar me ta, nuk po i përmendi për dy arsye:

1). Nga frika se do harrojë ndonjërin, i cili është meritor për kontributin e tij në shërbim të atdheut, dhe nëse do harroja ndonjërin – me këtë rast do lëndoja Sabitin.

2). Nga frika se do fusja ndonjëri, i cili me veprimet e tija të pasluftës, nuk është meritor për t’u përmendur, dhe nëse do përmendja pa meritorët – me këtë, prapë do ta lëndoja Sabitin!

Ishte një grusht idealistësh, kategori e të dënuarve dhe të persekutuarve nga ish-sistemi jugosllav dhe shërbëtorët e tij, të sharë, të fyer, të lëçitur e të izoluar me varfërinë dhe trishtimin e linçimit mbi kurriz, pa strehë e katandi… Këta idealistë, këta burra të dheut, që as sot e kësaj dite kurrë nuk u qanë për asgjë, që Kosovës në qafë nuk i ranë kurrë, që atdheun kurrë nuk e vodhën, nuk e përçmuan, nuk e zhgënjyen, nuk e mashtruan, që emrin e shqiptarisë e ngritën e lartësuan…

Atdhedashës të tërë,  me stoicizëm mbi kurriz, duruan të gjitha padrejtësitë, edhe sot, të margjinalizuar, të lënë mënjanë si antikitete që nuk i hyjnë në punë as vlerave muzeore!… frymojnë në mesin e kësaj shoqërie, pa status të definuar, nëse kjo kategori idealistësh, që me gjokset e tyre rinorë shembën muret e mykura të robërisë, i takojnë nderit e krenarisë, apo ishin dhe janë të mohuarit e atdheut! Sabit, ti ike, mbrapa ka mbetur vetëm emri yt…, para së cilit, kurrë nuk do të turpërohet as familja, as shokët e vërtetë, as atdheu, kjo ishte pasuria jote e pavdekshme, kjo ishte vepra jote para së cilës ne, përkulemi me respekt.

… Dhe vjen një ditë, kur ata ikin në amshim, dhe ne vetëm atëherë kujtohemi: “Ah, mes nesh pakan qenë e ne nuk i kemi vënë re!”…

… Dhe vjen një ditë, kur ne duhet të themi me shumë dhembje, por edhe me shumë krenari, për Ju, që ju patëm, fjalën e zemrës nga thellësia e shpirtit – jo për gjithkënd…

… Sabit burri, i lehtë dheu i tokës mëmë! Fli i qetë me dashurinë e atdheut në gji!

Me respekt të përjetshëm për Ty dhe për të gjithë shokët idealit, që nuk janë më!

 

CH-06-08-2020

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …