Deputetët kanë votuar kundër amendamentit për ndarjen buxhetore për kompleksin e Jasharëve në Prekaz

Mehmet Bislimi: Sa herë vjen marsi

Sa herë vjen marsi, gurët rrokullisen e gumëzhijnë për trimat, ata kërkojnë që të vendosen në vendin e vet për të peshuar më mirë dhe nuk kanë thënë kot që moti: ” Guri rëndë peshon n’vend t’vet!” . Kush kërkon të shtyhet me gurët e historisë, kush dëshiron rivalitet me gurët e atdheut, kush mendon që të matet me gurët e legjendës- i bënë gropën vetes, dhe një gurë të koka do t’i mungojë e varrin pa epitaf do ta ketë!…

Sa shpejt ikën vitet, po bëhen njëzet e një tani, që kur gjuhët e flakëve të luftës së furishme kishin përfshirë Kosovën. Njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veç kishin lëshuar shtat dhe po mateshin me pushtuesin për t’i treguar atij se ky vend ka dalzotësit e vet, ka bijtë e tij që janë bërë gati për t’i dalë atdheut dhe popullit në mbrojtje. Pjesëtarët e UÇK-së, po bënin historinë më të re të Kosovës, historinë e dhimbshme por shumë krenare, ata po mateshin me ashpërsitë e pushtuesit Serb dhëmbë me dhëmbë, i cili nuk po respektonte as edhe një normë njerëzore. Ata, po tregonin gatishmërinë e vet për të paguar çmimin e lartë të lirisë së tokave tona, pa varësisht kostos së saj- liria mbi të gjitha!

Komandanti ynë Legjendar Adem Jashari, po përdridhte mustaqet e me shikimin e mprehtë po depërtonte rreptë atyre tymnajave dhe flakëve që po përcëllonin atdheun tonë. Ai kishte tre kut mustaqe, me shtatin si lis me rrema. Në shpinë kishte bjeshkët e Qyqavicës si mburojë, në gjoks mbante bjeshkët e Shkëlzenit si pararoje, oooo, kush ishte si ai, Oso Kukë, Mic Sokol, Jakup Ferr, Sefë Koshare e Kastriot, Ademi biri i kësaj toke, legjendë e legjendave, kryefjala dhe kallëzuesi i atdheut tonë!

Si në legjendat e Gjergj Elez Alisë dikur, po edhe Komandanti ynë me Bajlozin u pre në shtat sa gjaku shkoj rreke e lumenjtë u skuqen. Nëntë herë ishte pre me dushmanin e me nëntë plagë në shtat po qëndronte në këmbë- si dikur Jakup Ferri me shokë. Ai po mbante plisin mbi sy si strehët e kullave tona prej guri, me mitralozin nën sqetull, pashëm pash po i binte së fluturuari qiellit të Kosovës, por si shqiponja që ruan zogjtë e vet me flatra, qiellin po mbulonte. Në ato lartësi mund të fluturojnë vetëm shqiponjat e Kosovës që ranë për atdhe nën kushtrimin e Komandantit Legjendar, Adem Jasharit!

Kur mërrolët lëshoheshin në ballin e Komandantit Legjendar, hallakatej edhe moti e zbrazej furishëm së bashku me breshëritë e plumbave të luftëtarëve të lirisë mbi armikun gjakatarë. Ademi Jashari me trimat e tij, bënë historinë më të re të Kosovës. Ai dha krejt çka pati për lirinë tonë të shtrenjtë. Komandanti ynë Legjendar se bashku me trimat e tij, tanimë i takojnë historisë së popullit tonë, ata u bënë legjendë e gjallë e një qëndrese të pa imagjinueshme nga shumë strateg të së djeshmes, por edhe të sotëm, ata kaluan në përjetësi!

Që nga ajo ditë e deri me sot, kaluan mbi dy dekada. Qytetaria e civilizuar të gjithë atyre që bënë të pamundurën për çlirimin dhe përparimin e vendit të vet, edhe për gjëra tjera humane në shërbim të njerëzimin, i nderon dhe respekton ata me ndjenjën e shenjtë, nga se ata bënë flijimin më sublime për qëllime humane. Qysh nga lashtësitë mitike të mbretërisë së perëndive, kur Prometheu u sakrifikua në emër të humanitetit për njerëzinë, ka mbetur diku një shenjë që quhet gur! “ Guri i Prometheut”. Nga ajo kohë e deri sot, në literaturën botërore ky shembull i mishërimit të mbrojtjes së njerëzisë në emër të vetëmohimit, flitet e shkruhet për këtë gur, ku thuhet: ” tek Guri i Prometheut!”… Ky sublimi në filozofi quhet mishërimi me njerëzoren, diçka e shenjët, diçka e madhërishme.

Që nga lufta e Kosovës me 1389, pra që nga atëherë qëndron një gur, ku më vonë bënë edhe një mur ku varrosen rropullitë e Sulltan Muratit të parë! Edhe sot ajo tyrbe në Mazgit të Kastriotit quhet Tyrbja e Sulltan Muratit, ku njerëzit kanë krijuar edhe besëtytni të ndryshme rreth saj, dhe shkojnë atje e gjunjëzohen (para ish kasapit të popullit shqiptar), për të kërkuar shërim! Më vonë, po ashtu pushtuesit tanë, kanë ngulur me shumë dinakëri edhe një guri tjetër diku në Gazimestan, ku tuboheshin pushtues e poltron për t’u betuar se do të djegin Kosovën, Nga një absurditet deri në fatalitet në tjetrin! Atje dikur përkuleshin e duartrokisnin kasapin e rajonit dhe të shqiptarëve, e duartrokisnin edhe ve shqiptarët vasal!

Kështu popujt e civilizuar vunë nga një gur diku në shenjë mirënjohje për diçka, për diçka shumë njerëzore, por që popujt pushtues e gjakatarë, këta gurë i vunë diku edhe në shenjë hileje e qëllimi të përvetësimit të historisë e së bashku me historinë e imagjinuar prej kokave të tyre të sëmura për pushtim, kërkonin edhe “tapitë” mbi tokat që ata duan t’i pushtojnë e përvetësojnë. Dhe nuk i dihet e vjen një ditë kur ata duan të kërkojnë diçka me këtë gur që e kanë ngulur dikur me duart e veta të përlyera në zemër të tokave shqiptare!?

Ku ishim ne dje, ku jemi sot? Nëse dikush e bëri një mur për Sulltan Muratin, pse ne, nuk e vumë nga një Gur për Millesh Kopiliqin, qoftë në fushëbetejë, qoftë në vendlindjen e tij, qoftë në kryeqytet i cili Sulltanit të madh të Turqisë ia la kokën në Kosovë si hipotekë të historisë! Kush është ai që mund të më tregoi mua, djalit tim, bijve tanë, brezave që do të na pasojnë se: Ku mund të gjunjëzohemi ne para gurit dhe emrit të Millesh Kopiliqit i cili me shpatën shqiptare ia preu kokën Sulltanit të madh të Perandorisë Otomane, ai që do të më tregoi këtë- unë, do t’i falë pasurin time!…

Në gurtë e varreve të krushqve kam hasur, dhe janë të paprekur me qindra vjet- siç është e paprekur edhe legjenda për vëllavrasjen e dasmorëve tanë, ngase pushtuesi e ruante me fanatizëm “legjendën” mbi vëlla-vrasjen tonë, për të na yshtur edhe më, por habit fakti se nuk janë ruajtur as gurët e as legjendat për trimat e asaj kohë që lanë kockat për lirinë e atdheut?! Kush i vrau gurët dhe legjendat dje nëpër shekuj- dhe kush po i vret edhe sot e me porosi të kujt?!

Sot kur trimat tanë legjendën e zbriten nga qielli në tokë, dhe e bënë realitet- të kapshëm dhe të prekshëm. Madje e ulën atë këmbëkryq në luadhin e madh të shqiptarisë, fatkeqësisht, mungojnë gurët e historisë; në Prishtinë, Ferizaj, Therandë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Besianë, Gjilan e në shumë qytete e qyteza, mungon një guri- në shenjë respekti për Komandantin tonë Legjendar Adem Jashari e për shumë trima tjerë?! Mos harroni se në po të gjitha këto vende të Kosovës së dikurshme, kishte me dhjetëra gurë të pushtuesve Serb, para të cilëve poltronët shqiptarë përkuleshin në mënyrë tragjike-komike, madje nga tri herë në ditë. Mbi këta gurë është bazuar edhe “pakoja e Ahtisarit”, mbi të cilët gurë sot po vihen edhe kufijtë e plagëve të Kosovës të cilat ngadalë e një ditë po bëhen realitet, madje pranuar e nënshkruar me dorën tonë, me komisione tona që mos të sillemi më në afërsi të këtyre gurëve, si tek guri i kullës së Isa Boletini, tek Çakorri e kulla e zhlebit, tek rreth rrotullimi i Urës së Ibrit, nuk kalon rruga  tek Manastiri i Deçanit, tek Patriarkana e Pejës, tek Kisha Ortodokse e Millosheviqit ngritur dhunshëm në mes Prishtine mu tek Institucionet tona Universitare etj…

Disa absurditete në kohë që i hanë populli ynë sot me bukë- vështirë se do t’i hanin të tjerët, siç janë: Në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë vite më parë u tha: “ Objektet e vetme që nuk kanë leje ndërtimi janë; Kisha Ortodokse  serbe (që ishte e ngritur) dhe shtatorja e Lirisë (që nuk e ngritën kurrë!), ky krahasim u bë publikisht, nuk u tha pa qëllim, u tha nga ish Kryeparlamentari atë botë! Pra, ai dhe Parlamenti i Kosovës (as sot) nuk i dhanë dy metra truall për Komandantit Legjendar në Prishtinë!

Ata që vranë shtatoren e lirisë dhe Komandantin e saj dje, sot krejt solemnisht shkojnë e përkulen para Komandanti, dhe deklarohen në emër të atdheut! A nuk është kjo më shumë se ironi?… Dhe si për ironi të fatit, populli duartroket absurditetin, dhe bukën hanë të lyer me gënjeshtra mes këtyre kohërave të pakohë! Me qindra objekte të ndërtuara pa leje në Prishtinë, e gjithandej për bosët nuk ka nevojë leje, se “lejet”  ata i kanë në xhepat e thellë. E shtatorja e Lirisë nuk mund të ndërtohet pa leje, nga se nuk kanë xhepa Shtatoret!

Në Prizren, për disa vite me radhë është refuzua një metër katror truall për Komandat Kumanovën!? Është vrarë edhe një gurë tjetër i historisë, nga ana tjetër nuk ka guxuar të mungoi guri për pushtuesin gjakatar Car Dushanin!

Është interesant t’i shikosh pseudo politikanë, pseudo intelektual e pseudopatriot, sa solemn e sa hije rëndë shkojnë atje në radhë, për ndonjë përvjetorë dhe përkulen para legjendave, pikërisht ata që gurët e historisë së Legjendave janë munduar t’i vrasin me dorën e vet! Mileti iu duartroket në mënyrë tragjike –komike, vrasësve të historisë së djeshme, të sotme dhe të nesërme, a nuk është ky më shumë se absurditet!

Një gur, një krua, një urë, një mur, një lis…

Një gur ku ka vënë kokën, një krua ku ka pirë ujë, një urë ku ka kaluar lumin, një mur ku është fortifikuar, një lis ku ka bërë një sy gjumë Komandanti ynë Legjendar Adem Jashari- kjo nderon Kosovën dhe historinë e tonë më të re. Në as një mënyrë, në as një rast, në as një kohë mohuesit e historisë së vendit të tyre, nuk mund t’i sjellin atdheut as paqe, as demokraci, as zhvillim, as prosperim, as liri. Ata vendit i sjellin vetëm ngecje e huti dhe mbrapa ecje.

Para ca dite, në një nga gazetat të përditshme lexova se: “ Iks delegacioni, në krye me iks liderin, shkuan të varri i Komandantit e më pas në qendër të qytetit të Skenderajt, ku vunë kurora lulesh dhe nderuan Komandantin me prezencën e tyre!

Gazetar i nderuar, kjo fjala: Ata “nderuan“ Komandantin- më thartoi turinjtë së bashku me kafenë që isha duke e pirë. Tek varri, ose shtatorja e Komandantit, njerëzit shkojnë për të qenë të nderuar pranë tij, e po tani sikur të kishim mundësi e ta pyesnim Komandantin se a na pranon që të përkulemi para tij- Ehuuuu, ku do ta ndalnin vrapin disa… Ky është absurditeti i kohës së sotme që po jetojmë, ku na janë mbështjellë demagog, dilenxhi, hajna, llaskuçë, matrapaz, zagarë, kusarë, dredharak e plaçkatarë, të pa sinqertë dhe gënjeshtarë- dalloj po munde o populli im!

Sa herë që vjen marsi, gurët rrokullisen, ata gumëzhinë për trimat, ata kërkojnë që të vendosen secili në vendin e vet, që të peshojnë më mirë. Nuk kanë thënë kot që moti se:” Guri rënd peshon n’vend t’vet!” … Kush kërkon që të shtyhet me gurët e historisë, kush dëshiron rivalitet me gurët e atdheut, kush mendon që të matet me gurët e legjendës- ai i bënë gropën veti, dhe një gurë të koka do t’i mungojë, varrin do ta ketë pa epitaf!

Mars, 2019

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …