Tahir Meha, Emin Lati Nebih Meha

Mehmet Bislimi: Tahir Meha e Nebih Meha, dy yje të pashuar

Sa shpejt po ikën vitet, por heroizmat mbesin të freskët në kujtesën tonë, sikur të kishin ndodhur sot… Një heroizëm të tillë na e la që ta kujtojmë ne dhe brezat që do të vijnë pas nesh, trimi nga Prekazi, Tahir Meha.

Ishte 13 maji i vitit 1981. Atë pranverë e tërë Kosova ishte ngritur në këmbë dhe po kërkonte lirinë e vet, të drejtat e veta që shkeleshin me dekada e shekuj nga ata që ishin ulur në kolltukë prej pushtuesi. Rënia e dhjetëra të rinjve në zemër të Kosovës për lirinë dhe të drejtat që kërkoheshin, ngriti me mijëra të tjerë në këmbë. Studentë, punëtorë, të rritur e të moshuar, bujq e arsimtarë, nxënës e pensionistë, ishin ata që me zërin e tyre tundën themelet e ish Jugosllavisë pushtuese!

Në Drenicën heroike, heroizmi përsëritej edhe njëherë. Edhe njëherë Drenica po i bënte ballë gjithë asaj makinerie ushtarake të pushtuesve serbosllavë. Trimi, Tahir Meha, ishte fortifikuar në kullën e vet, si dikur Oso Kuka në kullën e barotit dhe po priste momentin e duhur për t’i treguar pushtuesit jugosllav se tokat shqiptare kanë zot! Heroizmi i ditës së 13 majit do bëhej simbol i kushtrimit të lirisë dalë nga grykëholla e Tahir Mehës, kushtrim ky që pushtuesit serb i tha më se qartë se këtu është taka e bijve të shqipes!…

 Na ishte një herë edhe një 13 maj, dita e themelimit të milicisë jugosllave. UDB-ja dëshironte që këtë festë ta shënonte si fitimtare duke e zënë Tahirin e shumë kërkuar për ta dërguar atë më pas në Beograd si trofe për triumfin mbi rebelimin e shqiptarëve të “padëgjueshëm”. Pushtuesi kishte planifikuar lavdinë e këtij aksioni që do të forconte imazhin e njësitit special të milicisë së UDB-së, dhe që do të festohej shumë në qarqet e atjeshme të Beogradit, se më në fund e zumë Tahir Mehën të gjallë!…

Mirëpo Tahiri nuk po flinte. Ai kishte bërë syrin pishë dhe gjoksin digë atë pranverë të lulëkuqeve të Kosovës. Atij i ishte shtuar edhe më shumë forca dhe vendosmëria për të luftuar për atdheun tonë të shumëvuajtur, për të përkrahur me sakrificën e tij më sublime ngjarjet e asaj pranvere, për t’u bashkërenditur në radhën e dëshmorëve të kombit tonë të pavdekshëm, duke kaluar kështu në përjetësi.

 Kjo rrugë e qëndresës aktive pa dyshim se mori edhe haraçin e vet, mirëpo nuk kishte se si të bëhej ndryshe: Liri pa gjak nuk ka. Kushtrimi i pushkës së lirisë të Tahir Mehës, më vonë i lidhi në kushtrim gjithëpërfshirës pushkët e shumta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilat quan në vend amanetin e Tahirit dhe të qindra dëshmorëve tjerë. 13 majin, ditën e milicisë jugosllave, Tahir Meha e vrau me guxim e vendosmëri. Po me trimërinë dhe heroizmin e Tahir Mehës lindi 13 maji i ri, dita e kushtrimit të pushkës së lirisë për Kosovën. Ishte kjo pothuaj pushka e parë kaq e zëshme që pas Luftës së Dytë Botërore, që u shkreh hapur e publikisht kundër pushtuesit jugosllav nga një shqiptar bujar e atdhedashës siç ishte Tahir Meha i Prekazit!

Tahir Meha me babën plak, bacë Nebihun, i detyroi pushtuesin që në fushëbetejën e Drenicës të nxjerrin një arsenal të tërë armatimi, që ta kishin në dispozicion ushtarët e milicët e saj, të cilët po përballeshin me dy burra trima të Drenicës. Edhe gjithë ata numra ushtarësh e milicësh, prapë nuk mjaftuan për të mposhtur dy trima shqiptarë të Prekazit, prandaj duhej angazhuar edhe njësitet rezervë të mobilizuara enkas për këtë rast! Edhe helikopterët u desh të sillen në qiellin e Drenicës atë ditë. Një shtet i tërë ishte ngritur në luftë kundër Tahirit dhe babait të tij mu në zemër të Prekazit legjendar!…

 A nuk ishte kjo një ndër goditjet më të rënda që po merrte ish shteti i Jugosllavisë? A nuk e vuri në lojë Tahiri Meha me babën plak një shtet të tërë çfarë ishte Jugosllavia e atëhershme, makinerinë dhe strategjinë luftarake të atij shteti? A nuk e hodhi për tokë moralin e maskuar të atij sistemi mbi gjoja barazinë e popujve që aq shumë e trumbetonin edhe ish lakenjtë e LKJ-së?! Këtij arsenali të tërë armatimi, Tahir Meha me babën plak i rezistoi për më se 20 orë. Tahiri me bacë Nebihun qëndruan të palëkundur nga pozitat e tyre. Tahir Meha luftonte dhe këndonte përnjëherësh: “O Shqipni mos thuaj marova, se bijt tu oooo janë të gjallë!”…

Qëndresa e Tahirit i dha fuqi e guxim të pashembullt popullit shqiptar në atë pranverë të përgjakur drejt përgatitjes për luftë të mëtejme shumëdimensionale kundër pushtuesit serb. Ai bëri të ditur edhe njëherë se me serbin nuk ka zgjidhje tjetër dhe kjo zgjidhje e imponuar është vetëm lufta. Pushka e Tahir Mehës la të vrarë 13 majin e pushtuesit dhe ngriti një 13 maj shqiptar me heroizmin dhe kushtrimin për luftë të pa kompromis ndaj të gjithë atyre që kishin shkelur tokat tona me çizme ushtarake. Ata dhanë shembullin personal se shqiptarët e duan lirinë më shumë se jetën, prandaj edhe flijohen për të!

Tahiri nuk e bëri luftën për emër e nam, për këngë e histori, por emri, nami, kënga e historia lindën në themelet e kullës së tij?! Gjyshi i tij Emin Lati – Meha, ishte bashkëluftëtar i Azem Bejtë Galicës ndërsa babai i tij Nebihu ishte bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës, dhe më vonë i vëllai i Tahirit, Beqiri që ishte i përndjekur politik, u rreshtua në radhët e UÇK-së, ai luftoi edhe në emër të të vëllait Tahirit, dhe në emër të babait Nebihut, dhe ra me pushkë në dorë për tokat shqiptare – dëshmor i kombit! A ka diçka më madhështore, diçka më hyjnore, diçka më fisnike e fascionuese; në altarin e lirisë së atdheut u flijuan tre breza me radhë; Gjyshi, babai dhe i biri?!… Pra, Tahiri kishte brumin e një familje atdhetare të dëshmuar kombëtarisht, idealin dhe misionin e së cilës ishte i obliguar ta shpie përpara. Tahiri e deshi jetën si edhe të tjerët por mbi të gjitha ai e deshi lirinë e atdheut të vet për të cilin edhe u flijua me heroizëm të paparë!…

 Sot edhe pas 37 viteve të rënies së tij, shtrohet pyetja: a i kemi kryer obligimet ndaj Dëshmorëve të Kombit dhe familjeve të tyre, ne të gjallët? Diçka mbase edhe kemi bërë, por ka mbetur të bëhet shumë më tepër.

 Tahir Meha, babai i tij, Nebihu e mijëra  dëshmorë të tjerë, që janë mburrja jonë, kanë mbetur pa një status dhe kujdes institucional të institucioneve që u ngritën mbi gjakun e tyre. E si për ironi përfaqësuesit e institucioneve tona, kur vjen marsi, maji, nëntori… këta vihen në radhë, e vihen në garë se kush do të shkojë më parë tek varrezat e dëshmorëve tanë për bërë një përkulje krejt servile e indiferente! Përfaqësuesit e institucioneve tona, nuk i vret ndërgjegjja fare për obligimin e papërmbushur përballë Tahir Mehës dhe shumë dëshmorëve tjerë. Mos të harrojmë se ata nuk ranë për dekorata, as për tituj, as për pozita politike. Ata ranë thjeshtë për lirinë e atdheut, duke vënë jetën e tyre në themelet e forta të Shqipërisë e cila pa dyshim se do të bëhet një ditë. Nuk ka çmim tjetër që shpaguan sakrificën e tyre më sublime në shërbim të atdheut përveç lirisë dhe bashkimit kombëtar!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …