Brickos

Mehmet Hajrizi: Recension për librin “Kthesa e madhe…”, autor, Jakup Krasniqi

Lëvizja kombëtare e Kosovës për çlirim nga sundimi serb, këtu e nëntëdhjetë e katër vjet me radhë, përbën një nga kapitujt më të dhembshëm dhe njëkohësisht, më të lavdishëm të historisë së kombit shqiptar. Ajo paraqet padyshim, vlera shumë të rëndësishme në thesarin historik, politik, çlirimtar e demokratik, jo vetëm të shqiptarëve, por të të gjithë popujve të gadishullit tonë. Është fat i keq, jo vetëm për historiografinë shqiptare, por edhe për vetë historinë e lëvizjes sonë kombëtare, promovimi kaq i rrallë i veprave studiuese të historisë më të re të Kosovës dhe, sidomos të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore. Kosova nuk duhet ta heshtë historinë e vet, sepse e ka të pastër dhe të bujshme. Lëvizja e saj çlirimtare është frymëzuar, edukuar dhe organizuar nga idetë më përparimtare të kohës, nga qëllime humane e demokratike dhe nga veprimtarët e saj më të ndërgjegjshëm. Kosova ka luftuar në historinë e gjatë të saj, jo për të sunduar të tjerët, por për të çliruar veten nga sundimi i huaj, prandaj lufta e saj është e drejtë dhe fitimtare. 
Libri “ Kthesa e Madhe” e mr. Jakup Krasniqit, paraqet një kontribut me vlerë, për studimin e lëvizjes sonë kombëtare dhe në mënyrë të veçantë, të luftës së armatosur çlirimtare të popullit tonë, të organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shtabi i saj i Përgjithshëm.
Tema që ka zgjedhur për shqyrtim autori, është sa e rëndësishme aq edhe interesante nga pikëpamja shkencore dhe politike, për më tepër që problemet e shtruara në vepër, janë të pandriçuara sa duhet shkencërisht deri tani. Ajo i kushtohet ngjarjeve madhore historike, në kapërcyellin e shekullit të kaluar, që mund të quhen epopeja e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke qenë e tillë, tema është në dobi të historiografisë, por edhe të zhvillimeve aktuale politike në Kosovë.
Jakup Krasniqi është autor kompetent i temës, jo vetëm për përgatitjen e tij profesionale dhe përvojën shkencore e publicistike, por edhe si veteran i lëvizjes kombëtare. Thuhet që historinë nuk duhet ta shkruajnë ata që e bëjnë, sepse mund të dëmtojnë objektivitetin shkencor por, duke qenë veprimtar në organet udhëheqëse e vendimmarrëse të lëvizjes, autori i njeh për së afërmi ngjarjet, zhvillimet dhe proceset, si dëshmitar ose pjesëmarrës aktiv në to, prandaj vepra e tij përbën një burim autentik të të dhënave dhe fakteve për shkencën e historiografisë. Duke paraqitur e shqyrtuar një varg të deklaratave, të vendimeve historike, të akteve të ndryshme etj., si lëndë e burim parësor, por duke shfrytëzuar edhe burime të shumta dytësore, të cilat dëshmohen në përmbajtje, në aparaturë shkencore dhe në literaturën e shënuar në fund të librit, Krasniqi ka siguruar mbështetje solide të veprës në dokumentacion të mjaftueshëm, në informata shkencore, fakte, ide, argumente, vështrime, analiza etj., për ta arritur qëllimin shkencor të saj. Nuk ka qenë punë e lehtë gjithashtu, renditja e kësaj lënde voluminoze, organizimi i informacioneve shkencore dhe sintetizimi i gjithë atij materiali në një tërësi, jo aq të zgjeruar, të cilat ai i ka arritur, në formën që i paraqitet publikut.

Lexuesi mund të krijojë përshtypjen fillestare, sikur shpjegimi ka filluar nga larg temës, por kjo arsyetohet me nevojën e paraqitjes shkurt të gjenezës së çështjes së Kosovës, të cilën ai mendoj, e shpjegon drejt. Përderisa edhe sot, madje në diskurset pozitive për çështjen e Kosovës, thuhet për shembull “ Serbia e ka humbur të drejtën mbi Kosovën, pasi ka ushtruar aty gjenocid” (sikur ajo e paska pasur këtë të drejtë ndonjëherë!), ose: “ Kosova është pushtuar më 1989”, ( thua se ishte e pavarur deri atëherë) etj., duhet shpjeguar qartë fakti i njohur historik që robëria e popullit tonë gjatë gati gjithë shekullit të kaluar, është pasojë e pushtimit dhe e sundimit kolonialist serbomadh të Kosovës. Kosova, historikisht as etnikisht kurrë nuk ka qenë serbe, por fuqitë e mëdha botërore e kanë shkëputur nga tërësia territoriale shqiptare dhe dhunshëm u aneksua në kreaturat shtetërore serbo-jugosllave. Çështja e Kosovës gjenezën e ka në politikën aneksioniste, pushtuese e ekspansioniste serbomadhe, prandaj ka karakter kolonial dhe zgjidhja e saj duhet mbështetur në të drejtën universale të popujve për vetëvendosje dhe në dokumente përkatëse ndërkombëtare që trajtojnë statusin e pazgjidhur të vendeve dhe popujve të robëruar. Nga premisa dhe interpretime të paqëndrueshme e antihistorike, qoftë edhe padashur, çështja e Kosovës del jo vetëm nga binarët e historisë, por edhe nga ato që e çojnë drejt stacionit të zgjidhjes së drejtë dhe përfundimtare. 

Në përputhje me karakterin e lëndës, nëpërmjet të metodave historike, krahasuese etj., me analiza dhe interpretim, kryesisht korrekt të fakteve të shumta historike dhe me shqyrtim kritik, autori ka arritur në rezultate të pamohueshme në veprën e tij. Shtjellimin e materies dhe përfundimet ai i bën edhe nëpërmjet të shqyrtimeve, diskutimit, polemikës ( ndonjëherë me ton dhe hapësirë të tepruar), nëpërmjet të sqarimit dhe narracionit në veten e parë, (si duket i ndikuar më shumë nga kujtimet personale) dhe, pavarësisht disa digresioneve, ruan fillin e kuq të temës, dmth. luftën e UÇK-së, duke iu kthyer shpejt asaj, pas çdo shpjegimi anësor.
Duke pasur material të mjaftueshëm, ose më mirë, duke “vuajtur” nga bollëku i tij, autori arrin dinamikë të zhvillimit të veprës dhe u shmanget konsiderueshëm rreziqeve të përsëritjeve të shpeshta dhe të mërzitshme, të trajtimit të çështjeve të parëndësishme, apo të humbjes në detaje të panevojshme e të vetëkuptueshme. Vepra ka njësinë, harmoninë dhe origjinalitetin e vet, cilësi këto karakteristike për një punim shkencor.
Në shqyrtimet e tij, autori sjell shembuj të shumtë ilustrues nga përvoja, të cilët e bëjnë shumë të lehtë leximin e veprës dhe të kuptuarit e saj. Ai dëshmon, se është njohës i mirë i studimeve të deritanishme të luftës së UÇK-së, duke paraqitur, shpeshherë në mënyrë kritike idetë dhe faktet e nxjerra prej tyre.
Krasniqi, vë në pah me të drejtë pamundësinë e lëvizjes sonë ilegale të fundviteve të tetëdhjeta për t’ u orientuar drejt dhe mirë në situatat e reja historike që u krijuan në tërë rajonin tonë dhe në Kosovë. Duke qenë e dëmtuar rëndë nga goditjet sistematike dhe drakoniane policore, me mosmarrëveshjet e brendshme dhe me koncepte të ngurta organizative, lëvizja kombëtare ilegale e kohës e kishte të vështirë të luante tërë rolin e saj historik dhe prijës të proceseve. Por mbi të gjitha, regjimi pushtues vështirë që do të lejonte veprimin e hapur të forcave, deri dje ilegale, të lëvizjes kombëtare, për më tepër, kur lëvizja e masave në Kosovë, sa vinte dhe bëhej më e vrullshme. Në pamundësi që të kanalizohej në procese madhore, energjia e masave të gatshme për veprim reduktohej në fushata, gjithsesi të rëndësishme, por me kuptim e dimensione më të ngushta, siç ishte ajo e faljes së gjaqeve, ose në pjesëmarrjen masive në marshet funerale, gjatë varrimit të të rënëve, viktimave të regjimit dhe në përkujtimin e dëshmorëve.

Vitet vijuese kanë shënuar rënie dhe ngritje të lëvizjes kombëtare, dobësi dhe rezultate të pamohueshme, të cilat sot përbëjnë objekt studimi e diskutimesh të shumta, shpeshherë me tensione dhe fajësime e akuza të ndërsjella, me qëndrime subjektive madhëruese ose nihiliste, me tone polemikash deri në grindje të panevojshme etj. Sidoqoftë, të paktën nga kjo distancë, koha është të vlerësohet drejt kontributi i secilës forcë e subjekt të lëvizjes kombëtare të kohës, pa paragjykime dhe me objektivitetin shkencor. 
Lëvizja jonë, ndonëse në dukje e fragmentarizuar, në kohë dhe hapësirë ka njësinë e saj, prandaj duhet trajtuar të pandarë, pavarësisht fazave të zhvillimit dhe formave të veprimit nëpër këto faza. Programi politik e kombëtar dhe mjetet e format e luftës me të cilat parashihej të arriheshin qëllimet e tij, në esencë kanë mbetur të pandryshueshme gjatë gjithë historisë së lëvizjes sonë kombëtare. Por, forma më e lartë e rezistencës, lufta e armatosur, ndonëse ishte pjesë e programit, por edhe e praktikës historike të lëvizjes kombëtare, arriti të zbatohej në tërë kuptimin dhe gjerësinë e saj, vetëm në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, atëherë kur u krijuan kushtet e brendshme dhe të jashtme për të, kur u poqën faktorët subjektivë dhe objektivë të lëvizjes. Brezat e mëparshëm të lëvizjes ilegale, nuk mund ta bënin këtë në Jugosllavinë stabile e me prestigj ndërkombëtar dhe në rrethanat luftës së ftohtë, që karakterizonte gjithë periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, deri nga fundi i viteve të gjashtëdhjeta, por as gjatë të ashtuquajturës detantë, që e pasoi të parën. Megjithatë, revolucioni nacionalçlirimtar përgatitej dhe zhvillohej shkallë-shkallë përballë valëve të egra shtypëse që ushtronte pushtuesi. Pishtari i lirisë, mbahej i ndezur nga brezi në brez, me gjithë çmimin e privacioneve e sakrificave që kërkonte. Autori, duke qenë edhe vetë aktiv në rezistencën e gjatë ilegale dhe të hapur, e shpjegon drejt atë rezistencë, si prelud të luftës së pashmangshme me armë në dorë. Periudhat dhe format e veprimit të lëvizjes sonë kombëtare nuk duhet ndarë nga lidhja e tyre organike dhe aq më pak, ato mund t’i kundërvihen njëra-tjetrës, siç provohet ndonjëherë, për do interesa meskine dhe efemere.

Duke pasur kolonë vertebrale të veprës luftën çlirimtare, autori shpjegon lindjen e UÇK-së, që nga formacionet e para, rritjen dhe zhvillimin progresiv të strukturave dhe komandës, analizon betejat më të lavdishme të saj dhe spikat heroizmin masiv, e në mënyrë të veçantë atë të komandantit legjendar, Adem Jashari, të gjithë familjes së tij dhe të dëshmorëve trima që duke bërë epokë, u bënë kurbanë në themelet e lirisë së Kosovës. Në libër pasqyrohen, gjithë kompleksiteti i ndërtimit dhe shtrirjes e veprimit të UÇK-së, pengesat e shumta të brendshme e të jashtme që iu desh të përballonte ajo, organizimi i burimeve financiare dhe i pajisjes me armë të luftëtarëve, ndërtimi i organeve të pushtetit civil, lokal e qendror, veprimtaria politike dhe diplomatike, ngritja e një sistemi informues publik, etj. Autori analizon rrethanat kombëtare dhe ndërkombëtare të veprimeve të UÇK-së, rolin e Shqipërisë në lëvizjen tonë kombëtare dhe ndihmën vendimtare të bashkësisë ndërkombëtare.
Një hapësirë të konsiderueshme në vepër, autori ia kushton përpjekjeve dhe dështimeve për krijimin e unitetit të subjekteve politikë dhe ushtarakë të Kosovës së periudhës në shqyrtim. Është fakt që përpjekje janë bërë, diku më shumë dhe diku më pak, dhe se ky qëllim i lartë nuk është arritur për arsye dhe shkaqe të ndryshme, por në qoftë se ishte i mundshëm, atëherë, mendoj që askush nuk mund të dalë plotësisht i justifikuar. Unitet dhe konsensus nuk kishte në hapat e parë, por as në rrethanat më të vështira, edhe kur miqtë tanë të sinqertë të fuqive botërore krijonin parakushtet për të, madje as gjatë arritjes së Marrëveshjes së Rambujesë dhe pas saj.

Megjithatë, do sqaruar që rezultatet e pakënaqshme të Rambujesë, nuk ishin pasojë e unitetit të pamjaftueshëm të delegacionit të Kosovës, por e gjendjes në terren dhe e kornizave paraprake të përcaktuara nga fuqitë e mëdha. Sot në Kosovë ka vlerësime të kundërta dhe nganjëherë ekstreme e tendencioze për Marrëveshjen e Rambujesë, por ajo duhet shqyrtuar në përputhje me rrethanat dhe gjendjen e Kosovës së atëhershme dhe jo të sotme. Dokumenti i Rambujesë është padyshim një marrëveshje e padrejtë dhe e keqe e paqes, por e domosdoshme dhe po deshët, e detyrueshme për Kosovën e atëhershme, në qoftë se ajo donte të çimentonte fitoret e arritura deri atëherë, në qoftë se donte të siguronte mbështetjen ndërkombëtare në vazhdim dhe në qoftë se donte të parandalonte proceset prapakthyese edhe në këtë moment të ndjeshëm historik. Nuk duhet harruar që Rambuje nuk ka ndodhur pas ngadhënjimit të luftës sonë, por në gjysmën e saj, atëherë kur siç vlerëson autori, gjendja e armatimit të UÇK, lente aq shumë për të dëshiruar, sa vinte në pikëpyetje shumëçka në të ardhmen e luftës çlirimtare. Në një moment vendimtar të procesit të Rambujesë, kur autori i këtyre radhëve pyet anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm në Delegacionin e Kosovës, “sa është e përgatitur dhe sa kohë mund ta mbajë Ushtria Çlirimtare e Kosovës frontin ?”, Ramë Buja, njëri nga këta anëtarë përgjigjet: “ Ka armë edhe për dy javë”. Ai e ka përsëritur këtë publikisht edhe pas lufte, kurse Krasniqi në librin e tij, duke shkruar për arsyet e shkuarjes në Rambuje, veç tjerash thotë: “… pranuam të shkojmë në Rambuje për të nxjerrë një pushim trevjeçar ( f. 158), dhe: “ Po shkonim drejt pranverës, ndërsa armatim kishim më pak se sa kishim pasur në fillim të dimrit” ( f.159). 

Përvoja historike e fuqive shumë të mëdha ushtarake dhe ekonomike, njeh marrëveshje të padrejta, siç e njohu edhe përvoja e Kosovës së sfilitur, por të rëndësishme ishin tri fakte të kësaj Marrëveshjeje, që përjashtojnë paralelizmat me zhvillimet e sotme: 1) siguronte ndërhyrjen e NATO-s për dëbimin e forcave të Serbisë nga Kosova; 2) ishte e përkohshme, me një afat trevjeçar dhe 3) hapte rrugë e krijonte kushtet e një zgjidhjeje të drejtë dhe përfundimtare të çështjes së Kosovës, pas këtij afati.
Jakup Krasniqi është shumë i qartë në shpjegimet e veta. Stili i tij i natyrshëm, i thjeshtë dhe i matur përmban elementet e të shprehurit akademik të kombinuara me ato të ligjërimit të zakonshëm. Lënda interesante, situatat dramatike dhe cilësitë stilistike, tërheqin lexuesin nga faqja në faqe, qoftë ai akademik apo gjimnazist. 
Nga ana teknike vepra ndahet në pjesë, si, parathënia, hyrja, shtjellimi i lëndës nëpër shtatëmbëdhjetë kapituj, përfundimi, rezymeja, shënime të fundtekstit, burimet dhe literatura, treguesi i emrave, shtojca me faksimile dhe përmbajtja. Radhitja e pjesëve përbërëse të librit, e kapitujve, nënkapitujve etj., është bërë në harmoni me tërësinë e veprës, në mënyrë logjike dhe sipas një sistemi kronologjik të ngjarjeve.
Së fundi, autori është edhe vetë i ndërgjegjshëm për të metat dhe dobësitë e veprës, të cilat janë evidente në disa aspekte, (sigurisht jo në masën siç shprehet ai me modesti), por që nuk cenojnë vlerat themelore të saj dhe që mund të mënjanohen gjatë ribotimit.
Prishtinë, më 24 nëntor 2006


Mehmet Hajrizi: Në vend të nekrologut për Hamëz Shalën 

Ti miku im befas ike në amshim,
e ne mbetem në kujtimet për ty. 
Ne u takuam herën e parë në mënyrë të pazakontë,
në një novelë dhe aty zuri rrënjë miqësia jonë miku im zemërbardhë.
Unë të kërkoja horizonteve të skuqura përtej grilave,
e ti më kërkoje brenda në novelë…
I pazakontë qe dhe takimi i dytë në një zyrë me hije blu robërie,
ku ti po trajtoje lëndën e bashkëvuajtësit të panjohur,
për të cilin kërkonin ndëshkimin tënd kundër një herezie. 
Por gabuan inkuizitorët,
sepse ti miku im besnik nuk bëje atentat në gjakun tënd të idealit.
Një takim i tretë hapi zemrat tona
dhe zbuloi fshehtësitë e vigjilencës ndaj persekutorëve. 
Brenda a jashtë jeta ish një dhe skëterrë,
po ne e gjetëm pa fanar shoqi-shonë miku im,
në të vetmën rrugë me ndriçim.
Një brez po rritej, me ne e pas nesh;
pinjoll i traditës dhe ti e shihje me sy bulëzimin e farës së hedhur,
miku im mbëltues i lirisë.
Duart e njoma e morën stafetën dhe nuk e lëshuan,
po bënë epokë e hynë në ep e baladë…
Në beharin e madh u takuam sërish në vatrën tënde,
miku im zemërbujar.
Oshtimë e ndeshjes së Bajlozit me gjergjelezët vinte nga maje malesh
dhe lotët e gëzimit në faqe të ranë.
Dëgjoja pëshpërimën tënde, si në vete:
“ këtë ditë e pritëm, këtë ditë e pamë,
tashti le të vdes,
sytë do t’ i kem të mbyllur”.
Po miku im,
fli i qetë në gjirin e tokës që iu kushtove dhe mbylli sytë, pa merak;
stafeta e lirisë do të bartet nëpër duar.
E ne do të takohemi miku im feniks, në novela e balada,
në shpresa e gëzime në ditët e reja me erë dhe diell…

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …