Ahmet Qeriqi

Mendimi dhe vlerësimi politik i Rexhep Qoses tejkalon perceptimet shkurtpamëse të kreut politik shqiptar

Profesor, doktor, Rexhep Qosja është personalitet i përmasave intelektuale, kombëtare e botërore dhe mendimet, sugjerimet, perceptimet e parashikimet e tij janë të një niveli që duhet të merren në konsideratë nga të gjithë shqiptarët, të cilët kanë synim zgjidhjen sa më të drejtë të çështjes shqiptare, në radhë të parë në interes të kombit e Atdheut. Çështja e shkëmbimit të territoreve, në rrethanat aspak të favorshme, është një çështje që duhet studiuar, në radhë të parë nga krerët e politikës dhe institucioneve tona në Prishtinë, Shkup dhe në Tiranë dhe jo nga pozitat e analistëve të quajtur e të vetëquajtur, të cilët çoroditjen e tyre të mjerë, në raste polemikash e shfrytëzojnë për të dalë nga anonimiteti, duke u shërbyer me teza ndër më të ndryshmet. Analizat dhe opinionet e tilla nëpër medie nuk janë pasqyrë e cila reflekton realitet apo mendim të shumicës, ato, vetvetiu  janë pasqyra konkave dhe konvekse, të cilat i referohen vetë brendisë shpirtërore dhe perceptimeve  të tyre për veten dhe klanet e tyre.

Vlerësimi realist, që profesor Qosja i bën situatës aktuale të pavolitshme, në të cilën ndodhemi përgjithësisht si komb, është vlerësim i matur i peshuar, në raport me forcat reale të disponojmë si komb i ndarë e i përçarë;  dhe jo me rrahje gjoksesh sharlatanësh, të cilët flasin e përflasin pa u mbështetur në fakte, por në mendjet e tyre të terratisura. Qosja ka vlerësuar  drejt se shkëmbimi i territoreve sipas parimit etnik, na dëmton më pas sesa ruajtja e status-quosë, ku Serbia dominon në Veri, pavarësisht se nuk u lejua të qarkullojë treni me porosi luftënxitëse, nacionaliste e fashiste. Ndalimi i përkohshëm i trenit të Beogradit, që ishte nisur drejt Mitrovicës në kufi me Kosovën, nga forcat ROSU, nuk do të thotë se ato forca kanë kapacitete të ruajnë kufijtë e Kosovës, kur dihet fare mirë raporti ekzistues i tyre.

Dihet po ashtu se forcat paqeruajtëse të KFOR-it në territorin e Kosovës, nuk janë për të vendosur kufijtë e vendit tonë, por për ta realizuar rezolutën 1244 të KS të OKB-së e cila ia njeh Serbisë sovranitetin mbi vendin tonë, pavarësisht shpalljes së Pavarësisë dhe pranimit të Shtetit të Kosovës nga 108 vende të botës. KS i OKB-së ende nuk ka nxjerrë rezolutë të re, e  cila do ta modifikonte apo do ta zhvlerësonte rezolutën ekzistuese, 1244. Dihet po ashtu se forcat  e KFOR-it  në bashkërendim me ato të UNMIK-ut në veri kanë lejuara dhe lejojnë funksionimin e strukturave paralele.

Pavarësisht sa është parimor propozimi i profesor Qoses, mendoj se Serbia nuk do ta përfillë fare një propozim të tillë, sepse ajo është më se e sigurt se veriun dhe enklavat serbe në Kosovës i ka të fituar përmes Asociacionit dhe nuk lejon asnjë shkëmbim me tri komunat shqiptare të mbetura nën Serbi. Para marrëveshjes së Brukselit të 19 prillit të vitit 2013, mundësinë për një shkëmbin të territoreve e ka paraqitur edhe pionieri i Milosheviqit, Ivica Daçiq, por ai kërkonte ndarjen e Kosovës, mes Serbisë e Shqipërisë, duke përcaktuar vijën ndarëse me vijën hekurudhore, Mitrovicë-Hani i Elezit, veriu i saj sipas tij t’i takonte Serbisë dhe jugu Shqipërisë. Serbia nuk pranon tjetër ndarje, të paktën jo tani kur ka humbur në luftë dhe ka fituar në kohë paqeje, mbi kurriz të politikanëve të dështuar të Kosovës dhe Shqipërisë bashkë.

Nuk besoj se Serbia  ka fare gatishmëri për shkëmbim territoresh të tri komunave shqiptare, Medvegjë, Bujanoc, Preshevë me tri komunat serbe: Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, përderisa Serbia kërkon të rikthehet në Kosovë. Për atë qëllim, ajo edhe me Kushtetutën e saj,  Kosovën e trajton si pjesë të vetën dhe nuk heq dorë nga qëndrimi i tillë. Nuk ishin dhe nuk janë politikanët tanë ata që në bisedimet e Brukselit do t’i kushtëzonin bisedimet me heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë. Ata madje kanë pranuar edhe fusnotën 1244 për “hir” të Serbisë. Ata kanë pranuar çdo propozim të Serbisë, që ka dëmtuar dhe dëmton interesin e shtetit të Kosovës. Në një nivel dhe situatë të tillë, krerët e shtetit dhe institucioneve të Kosovës, sërish do t’i nënshtrohen presionit të Serbisë, meqë kryeparja e BE-së, zonja Mogherini, ashtu sikur ishte zonja Ashton, nuk i bën presion Serbisë, sepse ajo nuk e pranon presionin, dhe sikur ndodh zakonisht në bisedime, pala e dobët është ajo që duhet të lëshojë pe. Vetëm në këtë mënyrë kanë funksionuar dhe funksionojnë bisedimet në Bruksel.

Serbia, në çdo marrëveshje të deritanishme ka dalë e fituar dhe do të kthejë edhe trenin në Kosovë, pasi të ketë pranuar t’ i heq mbishkrimet nacionaliste nga sipërfaqja e jashtme  e trenit. Delegacioni i Kosovës arritjen e trenit të Serbisë në Kosovës pa mbishkrime nacionaliste, do ta trajtonte si fitore, pavarësisht se ikonografia e brendshme do të mbetej, bashkë me arritjen e qëllimit të kurdisur, mbase edhe në marrëveshje të fshehtë me krerët e Kosovës.

Analiza historike që profesor Qosja  u  ka bërë marrëdhënieve të kaluara dhe të tashme shqiptare- serbe, është analizë historike, e faktuar dhe e dokumentuar. Por këtë nuk do ta marrë kurrë seriozisht Hashim Thaçi e aq më pak Isa Mustafa, sepse ata nuk pranojnë të sakrifikojnë postet e tyre, duke dalë jashtë kornizave që i ka përcaktuar Brukseli, para se të fillonin bisedimet.  Është opozita në Kosovë ajo që do të duhej të merrej seriozisht me propozimet e profesor Qoses, janë vetë qytetarët liridashës të vendit e më gjerë, meqë të gjithë e dinë kontributin e tij të jashtëzakonshëm jo vetëm në letërsi e krijimtari por edhe qëndrimin konsekuent politik në periudhat më të rëndësishme, nëpër të cilat kemi kaluar  prej vitit 1968 e deri tani. Profesor Qosja, Adem Demaçi, Ukshin Hoti kanë dëshmuar me vepër se dinë çka duan dhe kurrë nuk janë sprapsur nga qëllimet e qëndrimet e tyre, në dobi të kombit e Atdheut.

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

  1. 1 2017

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …