Mero Baze

Mero Baze: 1000 testet serbe për Kosovën, zbulojnë ligësinë politike të Kurtit për Tiranën

Gjesti i Presidentit të Serbisë Vuçiq, për ti dhuruar Kosovës 1000 teste, është një ide e zgjuar e tij, në funksion të imazhit të vendit të tij, Serbisë. Kjo nuk është një betejë e Albin Kurtit, por një aksion PR i Alkesandër Vuçiq. Vuçiq, do të fitonte njësoj këtë betejë, edhe sikur Albin Kurti ti refuzonte ato teste.

Problemi i Albinit nuk janë 1000 testet e Serbisë që i ka dhuruar Kosovës, por testi i tij i humbur për të konkuruar me një kundërshtar, që ka ditur të ndryshoj nga një tip si Albini, në këtë profil dhe imazh që ka sot. Kur ishte si Albini, Aleksandër Vuçiq, I bënte gjëmën Serbisë, duke e çuar drejt bombardimeve të perëndimit, ndërsa tani ka marrë topat e Perëndimit dhe po vë në qoshe kundërshtarin e tij, një nacionalist folklorik në Prishtinë që mendon se me një tufë trushpëlarësh do bëj histori duke I treguar vendin dhe Perëndimit.

Albin Kurti kishte vetëm një mënyrë ta bënte sa më pak të bujshëm lajmin e Vuçiq, të tregonte se ai ka ndryshuar. Vetëm duke  pranuar se ka ndryshuar dhe ka heq dorë nga demgagjia e tij, ai e zbut bujën që ka bërë lajmi i Vuçiq më shumë në Kosovë e më pas në botë. Se ky lajm ka bërë bujë se është Albini kryeministër, se po të ishin të tjerët nuk do ishte problem, se ata nuk kanë bërë politikë dhe as shantazh me raste të tilla. Albin Kurti ka bërë.

E them këtë pasi në Dhjetor të vitit të kaluar, kur Vuçiq premtoi ndërtimin e 100 shtëpive të shembura nga tërmeti gjatë vizitës në Tiranë në kuadrin e takimeve ballkanike, “Vetvendosja” në Tiranë, nuk la gjë pa thënë për qeverinë e Tiranës. Bile shkoi deri atje, sa të thoshte që Edi Rama po I pranon këto ndihma nga Serbia, që të lërë në hije krimet serbe në Kosovë dhe që Kosova të mos i kërkoj Serbisë dëmet e luftës për 100 mijë shtëpi të djegura nga lufta.

Ja postimi i Vetvendosjes në Tiranë.

“Vuçiç tha se Serbia mund të kontribuojë të rindërtojë 100 shtëpi në Shqipëri, ndërkohë që qeveria e tij ka djegur mbi 100.000 shtëpi në Kosovë. Për këto të fundit Rama nu k flet, nuk kërkon dëmshpërblime, sepse ai është shqiptar i mirë për Serbinë.

100 që mos t’i kërkohen 100.000: kjo llogari i leverdisë çdo “bamirësi” fashist. Vuçiç e di se edhe paret për ato 100 shtëpi i nxjerr shumëfish nga mini-shengeni, me shitjen e produkteve serbe me damping në Shqipëri.”

Në fakt Shqipëria ishte në gjendje të jashtzakonshme nga tërmeti dhe nuk mund të refuzonte ndihmën. Biles Serbia e rriti ndihmën në 3 milionë euro në Konferencën e donatorëve. Vet Shqipëria e pat ndihmuar Serbinë në vitin 2014, gjatë përmbytjeve me 150 mijë euro.

Por në Shqipëri këto nuk i bëjnë njeriu përshtypje, pasi kryeministri nuk ka bërë ndonjë herë luftë politike me këto gjëra. Përkundrazi, ai përmes një gjesti me 30 mjekë e infermierë që dërgoi në Itali, bëri krenarë qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në Itali duke rregulluar imazhin e vendit të vet.

Tani Albin Kurti nuk ka nevojë të kërkoj ndjesë për broçkullat e kokboshëve të tij në Tiranë, por  dhe nuk mund të na shfaqet befas një politikan I moderuar, që I injoron këto “nacionalizmat”. Por mënyra si pranoi 1000 tetset serbe, ekspozon ligësinë e tij politike ndaj Tiranës dhe goditjen nën brez, për tu shfaqur si një patriot I kulluar që është kundër “Kalit të Trojës” që ofrohet si ndihmë.

Ai nuk mund të jetë në të njëjtën kohë dhe refuzues ndihmash nga Serbia për katastrofën e tërmetit të vitit të shkuar në Shqipëri, biles akuzues se duke pranuar ndihmën, po hidhnim në erë Kosovën dhe pranues ndihmash nga Vuçiq, duke e paraqitur këtë gjë si një akt të menduar mirë prej tij.

E përsëris se ndihma e Vuçiq për Kosovën me 1000 teste është një aksion personal i Vuçiq, i cili në këtë rast bën diferencën me liderët shqiptarë, se si ja rritë imazhi vendit të vet.

Albin Kurti duhet të përballet me Vuçiqin dhe imazhin që ai prodhon për Serbinë dhe jo me tullumbacët e tij që i lëshon rrugëve si zagarë gjahu.

Edhe Vuçiq ka qenë nacionalist, biles nga ajo rraca më e keqe në krah të Mlladiqit e Sheshelit.  Dhe ai ka trashëguar një parti të tipit fashist, me disa tipare të ngjashme si kjo e Albinit, për nga mënyra si kërkon tu imponohet qytetarëve me nacionalizëm fallco. Edhe Vuçiq ka qenë kundër Perëndimit, kundër NATO e SHBA.

Por epërsia e tij është se ka ndryshuar dhe është bërë njeriu kyç që po i rrit krediblitetin Serbisë në Perëndim.

Albin Kurti e ka garën me të. Vuçiq, edhe për shkak të veprimtarisë së tij, mori një Serbi antiperëndimore dhe një “dele të zezë” në Evropë dhe po e bën atë kredibile. Albin Kurti është në krye të një shteti të themeluar nga Perëndimi, përmes bombardit të Serbisë dhe deri tani ka “bombarduar” vetëm SHBA.

Nëse e ka serizosht atë tezën e reciprocitetit, atë duhet ta ketë instrument matës për tu vënë në provë me aftësitë e Vuçiq për ti ndryshuar imazhin Serbisë në Perëndim duke ndryshuar vet në këtë pikë. Vlerat e ALbin Kurtit nuk maten duke shpikur citate nga Kadareja për të, apo duke i vënë në gojë fjali të Dalai Lamës. Ai e ka betejën me Vuçiq, dhe duhet ta mund atë, pikërisht në beteja të tilla. Këtu kuptohet sa vlen dhe sa ide ka.  Ky është reciprociteti real për të cilin mban përgjegjesi Albin Kurti dhe mat vlerat e tij personale. Me të të tjerat ka kush merret.

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti në Kërçovë: Fronti na bashkon për fitoren më të madhe në histori

Ali Ahmeti në Kërçovë: Fronti na bashkon për fitoren më të madhe në histori

Fronti Europian stacionin e radhës e ka pasur qytetin e Kërçovës, ku para një numri …