Mic Sokoli dhe Sefë Kosharja

Mic Sokoli dhe Sefë Kosharja në këngët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Figura e Sefë Koshares zë vend me rëndësi në ciklin e këngëve historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Edhe populli liridashës e ka ruajtur kujtimin për trimin e Lidhjes, veteranin e Plevnës, nizamin që kishte humbur syrin në Plevne ndërsa e kishte varur Dervish Pasha më 2o  prill të vitit 1881, në vendlindjen e tij.

Kujtesa e popullit për ngjarjet e së kaluarës, vazhdimisht ka qenë e shprehur  në akord me nevojat e kohës, me qëllim për të mos e harruar atë, për ta ruajtur  dhe për ta rrëfyer  brez pas brezi, për ta ruajtur  në këngë meqë në këngë  kanë hyrë, hyjnë dhe mbesin  vetëm më trimat, ata që me veprat dhe heroizmin e tyre dallohen nga të tjerët  dhe kurdoherë mbesin shembuj që rrezatojnë amanetin nëpër breza. Në këngët historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një vend me rëndësi zënë edhe këngët e kënduara në disa variante për Sefë Kosharen, Mic Sokolin, Smajl Hysenin, Ali Ibrën, Sylejman Vokshin, Abdyl Frashërin e shumë të tjerë.

 Figura e Mic Sokolit në këngët popullore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit paraqitet me dimensionin historik, realist në raport me kohën dhe synimet e shqiptarëve për çlirim nga Perandoria Osmane.  Ai paraqitet me pamjen dhe fuqinë fizike të trimave të moçëm të Arbrit, të cilët populli i kujtonte si Trima të motit, si kreshnikët e dikurshëm. Duke bir besnik i Atdheut ai merr bekimin e nënës, e cila ka lindur një trim me fletë, të cilit po qe nevoja do t’ i ndihmonte edhe në fushën e betejës. Ja si e ka përjetësuar heroizmin tradicional shqiptar këngëtari anonim popullor:

 Mic Sokoli n’dy tagana

-Udha e mbare! – m’i ka thane nana-

-Lufto, bir, ti per Shqipni

-mos i le turqit me hy

-n’kofte nevoja, vij me ty, –

Mic Sokoli nji fjale po e flet

po i thote nanes: – Te mire mbeç!

-Pa u farue malsia krejt

-ktu nuk hyn as krajl, as mbret!…

Betejat në Koshare, Slivovë e Shtime, më 20 dhe 21 prill të vitit 1881, që kishte për qëllim për t’ i ruajtur territoret që i kishte shpallur të lira Lidhja Shqiptare e Prizrenit qysh në vitin 1878 ishin beteja të përgjakshme, në të cilat kanë rënë qindra shqiptarë, në mesin e tyre edhe disa krerë të Lidhjes si: Mic Sokoli, Sefë Kosharja e të tjerë.  Këngëtari popullor nuk tregon numër të të rënëve, por rrëfen se në ato beteja kanë rënë shumë luftëtarë, duke veçuar në mesin e tyre, më trimat, ata që u futen dhe mbeten në këngë, për të mos u harruar kurrë.

 Në fushë të Shtimes asht mbledhë jezeri

Haj medet ka mbetë shumë njeri,

Mic Sokoli Smajl Hyseni.

Rënia e Mic Sokolit në fushën e nderit, në altarin e Atdheut, në Fushë të Shtimes, në përpjekje për t’i  rrëmbyer topat e rëndë të artilerisë si Dervish Pashait dhe për t’ i luftuar pastaj turqit me armët e tyre, për shfaqë  pikën kulmuese  të heroizmit, heroizëm të cilin këngëtari popullor e ka përshkruar me elemente hiperbolizuese, për ta veçuar trimërinë e tij përballë topave të ushtrisë së Dervish Pashait.

  Mic Sokolin e vrau reja,

E vrau reja, e vrau moti,

E vrau Dervishi me gjyle topi.

(Gëzim Rredhi: Epika historike kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit)

 Duke zgjeruar rrëfimin për rënien heroike, këngëtari anonim popullor i ka thurë vargje trimërie heroit, i cili në momentet e fundit të jetës, kujton edhe heroizmin e shokëve, që kanë rënë po për atë ideal. Ata kishin mundësi të shpëtonin, të iknin, por nuk kishin pranuar  ta linin bashkëluftëtarin e tyre, vetëm. Ky shembull  tipik i luftëtarëve shqiptarë nëpër shekuj, manifeston besimin në fitore, rënien dhe varrimin e përbashkët, meqë kishin rënë për një qëllim, për një ideal.

 Mic Sokoli ban me dorë,

-More shokë s’ po muj me folë

-se m ka ra do gjak në gojë,

-gjak në gojë e gjak në bark

-shtatë martina i kam n’ shtat.

-Qonja babës një selam,

-Babë pashë Zotin nuk më kanë,

-Qaje Smajlin ma shumë se mue,

-Qaje Smajlin qaje Zeqën,

-Se s’ kanë ikë e me m lanë vetëm.

-Se s’ kanë ikë e vetë s’ m’ kanë lanë,

-Ma mbaroni një vorr t gjanë,

-Bashkë me shokët me na zanë.

-Vorr të gjanë e me pengjere.

-T’i shoh lulet prej pranvere

-Ti shoh lulet dremiçare,

-Ti shoh shoktë neper livadhe.

 (Epika historike II, Tiranë 1981).

***

Zemra jonë ka gjak sa gurra, mbi armikun bini burra!

Përveç këngëve popullore për Mic Sokolin, me këtë rast do t i referohemi edhe  këngës së krijuar nga  Gjokë Beci,  poetit më  i mirënjohur epik e heroik, që kishte veriu i Shqipërisë. Kjo këngë e kënduar nga  këngëtarja Mrika Trumshit, u përhap anë e këndë trojeve shqiptare, si jehonë topash gjëmimtarë, për të dhënë kushtrimin kuptimplotë orëve jo sa duhet të mësuara të historisë,  sepse nuk duhej harruar porosia e të parëve: “Zemra jonë ka gjak sa gurra, mbi armikun bini burra”.

Veçantia e këndimit të Mrika Trumshit qëndron në dashurinë që ajo ndjen për këngën,  njëzimin me të, bashkimin me  motivin të cilit i këndon. Ajo përveç se këndon me thellësinë e shpirtit, me një pasion të rrallë,  edhe dirigjon me duar, me gjeste, me një emetim të shqiponjës në fluturim, pa i bërë zap emocionet, sepse me to i jep shpirtin këndimit deri në ekzaltim.

Xhamadani i trimërisë

Kërcet topi dhe gjëmon trolli

Xhamadanin hapë Mic Sokoli

Për mes fushës kalldrem me gëzhoja

bash si fletët kur hapë shqiponja!..

 

 Si dy krahë që i ka vatani

Tash po vjen topi Sulltanit

Zemra jonë ka gjak sa gurra,

mbi armikun bini burra…

 

 Kaluan vitet kaloi një shekull,

Koha gërrye  ka gur e hekur

Erdh ndër koha  e iu vesh trollit

Xhamadani i Mic Sokolit.

 

E pat veshë dhe Selam labi

kur për gryke topin e kapi

 

Prapë në botë sot ka sulltana

Që na mbajnë ne ndër nishana

Por se  gjumë  jo s’  ka shqiptaria

Sytë me dritë na i mbushë Liria.

 

Shkëlqen djersa e s´njifet loti

në kët´truall me palcë baroti,

Shkrin çeliku e lulëzoi molla,

Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola.

 

II.

Figura e Sefë Koshares në historinë tonë kombëtare ende ka mbetur e pastudiuar sa duhet.   Për trimin e Koshares, të Plevnës e të Kosovës, populli ka thurë disa këngë, por mbi të gjitha shquhet një këngë me katër vargje, një epitaf madhështor, që në kohën tonë ka arritur  me vargjet e pa harruara  dhe shumë kuptimplote, jo vetëm për atë kohë.

 Sefë Kosharja i pari fisit,

Hije t’ paska maja lisit,

-Hije m’ ka e bijtë e mi!

-Kam dhanë jetën për Shqipni.

(Në një variant tjetër)

-Kam dhanë jetën për liri.

(Epika historike II, Tiranë 1981, f. 306).

Katër vargjet e kësaj kënge të kënduar  gjatë kohës së sundimit turk kanë shërbyer si mesazh çlirimtar. Janë këto vargje që i kanë mbijetuar vitet dhe  kanë bërë që  figura e Sefë Koshares të mbetet e pavdekshme, në kujtesën e popullit.

Edhe pse i trajtuar si luftëtar popullor, bazuar vetëm në disa fragmente këngësh, ai ka qenë para së gjithash një ushtarak i dalluar i kohës. Fakti se ai kishte  kryer nizamin, rekrutimin e detyruar në ushtrinë e Perandorisë Osmane, pastaj kishte luftuar dhe ishte dalluar në frontin e Plevnës së Bullgarisë në vitin 1877 dhe kishte qenë topçi në radhët e artilerisë së Osman Pashës, jep për të kuptuar se ai ishte një personalitet që njihej jo vetëm në Kosovë.

Në një këngë tjetër vargjet e njohura për Sefë Kosharen janë ndërruar por pa e prekur porosinë

Sefë Kosharja i pari fisit

“Po mbledh lena në maje të lisit”

Në maje të lisit haj medet

Për liri ka ndërrue jetë.

(Këngë popullore historike II, Prishtinë 2007. faqe 135)

Vargu “po mbledh lena në maje t’lisit”, mbase është interpretuar në mënyrë figurative, por pavarësisht nga kjo hetohet një përpjekje për shpërfillje, sepse, në një kohë  kishte qenë luftëtar i Sulltanit. Më vonë kishte kaluar në radhët e krerëve të Lidhjes. Një këngë tjetër e shënuar në fshatin Vojnoc, afër Koshares në vitin 1953, po kështu  ka të bëjë me varjen e Sefë Koshares, më 20 prill të vitit 1881.

Dervish Pasha në shallvare

I qet topat në Koshare,

-Ose Sefën këtu e due!

-Ja Kosharen kam me shkrumue,

-Ose Sefen e due të gjallë,

-Ja Kosharen kam me kallë,

-Kam me djegë me rob e fëmijë

-Nuk po doni Osmanli.

Sefë Kosharja lulja e fisit,

Po luhatet në degë të lisit.

 (Këngë popullore historike II, Prishtinë 2007. faqe 136)

 Në këngët epike-heroike  për Mic Sokolin, Sefë Kosharen, Smajl Hysenin, Hysen Smajlin  katër krerë dhe luftëtarë të dalluar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, këngëtari popullor shpreh dhembje për humbjen e trimave, por në vargje tipike popullore i këndon  heroizmit të  tyre dhe jo dorëzimit e pendimit. Ata kishin rënë trimërisht dhe  populli i kishte thurë edhe vargje të dhembshme, meqë kishin qenë trima të zgjedhur dhe kishin rënë në luftë për ta bërë Shqipërisë e Katër Vilajeteve, të cilin nuk po e bëjmë dot as tani pas 133 viteve.

S’na ka le lokja prej barkut, na ka qit  pushka  prej qarkut”

 Vepra dhe heroizmi i Sefë Koshares ka qenë burim frymëzimi për këngëtarët qysh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri në ditët tona. Heroizmit të tij i kanë kënduar sa e sa këngëtarë, madje edhe këngëtari i mirënjohur, Arfi Vladi. Kjo këngë e thurur  dhe e kënduar me mjeshtri artistike, ka sintetizuar variantet e këngëve anonime popullore, për trimin Sefë Kosharja dhe bashkëluftëtarët e tij. E kënduar me një përkushtim të rrallë, me një ritmikë epike heroike, kënga pasqyron luftën dhe qëndresën shqiptare nëpër shekuj, luftën për jetë a vdekje, amalgamin shqiptar të mbijetesës, tejheroizmin me vargjet:

 S’na ka le lokja prej barkut,

Na ka qitë pushka prej qarkut…

Se s’kam vdekë,  e s’ kam me vdekë!…

Këto vargje të thurura me mjeshtri artistike, pasqyrojnë më së mirë qëndresën shekullore, historike, tipike  shqiptare, atë qëndresë e cila iu vesh truallit si xhamadan i trimërisë, në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën shembujt e heroizmit tipik shqiptar,  nga Legjendari Adem Jashari dhe nga bashkëluftëtarët e tij.

 Sefë Kosharja i pari fisit,

Hije te paska maja lisit,

Hije m’ ka o shoktë e mi,

Kam dhanë jetën për liri,

Kam dhanë jetën për liri,

Jam shqiptar kosovarli.

S’na ka le lokja prej barkut,

Na ka qitë pushka prej qarkut.

 Amanet për mem varrue,

Varrin me ma hijeshue,

Ti shoh fushat jeshilue,

T’ shoh flamurin tuj flakërue,

Due mauzerin për bri  varrit

Ja ngjit  hasmit në lule të ballit

Due mauzerrin me gjithë fishekë,

Se s’kam vdekë,  e s kam me vdekë!

Mal me gjak asht ba Kosova,

Luftë po ban, Sefë Kosharja,

Po ban luftë, po ban kerdi,

Gjëmojmë malet, duan liri,

Nuk jeton shqipja pa diell,

Nuk duron shqipja robni

Jam shqiptar kosovarli.

Sefë Kosharja zë vend me rëndësi në ciklin e këngëve historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Edhe populli liridashës e ka ruajtur kujtimin për trimin e Lidhjes,  të cilin e kishte varur Dervish Pasha, më 20  prill të vitit 1881, në vendlindjen e tij.

Literatura:

Dokumenti në katër faqe i raportuesit Schmucke, në gjuhën gjermane. 20 .4. 1881, në Shkup.Dokumenti i dytë i një raportuesi anonim, po në gjuhën gjermane, faqja e fundit.

  1. Historia e Popullit Shqiptar II, Tiranë 1967 – 2002.
  2. Këngët historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Tiranë, 1978.
  3. Epika historike II, Tiranë 1981.
  4. Këngë popullore historike II, Prishtinë 2007.
  5. Gëzim Rredhi: Epika historike kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
  6. Gani Çarri: MIC SOKOLI, Heroi legjendar i Lidhjes Kombëtare Shqiptare.
  7. Ahmet Qeriqi: Sefë Kosharja, www.radiokosovaelire.com
  8. Arif Vladi: Mal me gjak asht ba Kosova, po lufton Sefë Kosharja.
  9. Gjokë Beci: Xhamadani i trimërisë.
  10. Historia e popullit shqiptar II, Tiranë 1968.
  11. Këngët historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Tiranë, 1978.
  12. Këngë historike II, Tiranë 1981.
  13. Sylejman Krasniqi,” Mic Sokoli”, Tiranë 1979.
  14. Kënga e Sefë Koshares, kënduar nga Arif Vladi.

Të dhëna gojore nga familjarët:

  1. Ilaz Mahmut Ilazi, Koshare.
  2. Afrim Mahmut Ilazi, Ferizaj.
  3. Haki Emrush Hysiqi, Shtime.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …