Brickos

Ministri i FSK-së Haki Demolli priti në takim zyrtar një delegacion të NATO-s

Ministri i FSK-së Haki Demolli priti në takim zyrtar një delegacion të NATO-s

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës(MFSK), zotëri, Haki Demolli priti sot në takim një delegacion të NATO-s të kryesuar nga z. Paul Savereux, drejtor i Divizionit për Plane dhe Politika të Mbrojtjes të Aleancës i cili sot mandaton Ekipin këshillues ndërlidhës të NATO-s për Ministrinë dhe FSK-në. Fillimisht,  ministri Demolli e falënderoi delegacionin e NATO-s për angazhimin në ruajtjen e paqes në Kosovë dhe kontributit që ka dhënë  KFOR-i për sigurinë në vend, gjithashtu edhe për punën e shkëlqyeshme të ekipeve këshilluese të NATO-s në MFSK dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, të cilat janë angazhuar përmes këshillimeve, ndarje përvojash si dhe planifikim për të ardhmen. Më tej,  ministri Demolli tha se; objektivi i Kosovës është që të promovojmë paqe në vend dhe më gjerë, si dhe objektivat tona të përputhen me vendet tjera të Bashkimit Evropian, aty ku vendi ynë synon që të integrohet.

Në veçanti, ministri Demolli në takim me delegacionin e lartë të NATO-s, tha se Republika e Kosovës është e interesuar që ta thellojë bashkëpunimin me NATO-n, duke përmendur këtu iniciativën e Qeverisë dhe Kryeministrit të vendit dhe letrën që kryeministri Isa Mustafa i ka drejtuar NATO-s.

Gjithashtu,  ministri i FSK-së, Haki Demolli e njoftoi delegacionin e NATO-s edhe mbi rekomandimet e dala nga Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë, për punën që ka bërë Ministria për Forcën e Sigurisë dhe Forca e Sigurisë në drejtim të draftimit të amendamenteve kushtetuese, pakos së ligjeve dhe planifikimin afatgjatë në drejtim të përgatitjes sa më të mirë të procesit të transformimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës(FAK), pas vendimit politik që pritet të merret nga institucionet më të larta të vendit, duke u shprehur se i tërë procesi që nga RSSS-ja dhe deri tani, ka qenë një proces plotësisht transparent dhe se kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në fund, ministri Demolli shprehu interesimin për zgjerimin e bashkëpunimit edhe me vende tjera, anëtarësimin në iniciativa rajonale dhe me gjerë, duke theksuar se përkrahja e partnerëve strategjik, si: Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Mbretërisë së Bashkuar(MB), Gjermanisë etj., ka qenë e duhura dhe se kjo pritet të zgjerohet edhe me shtetet tjera në fushën e sigurisë  në të ardhmen.

Ndërsa, Komandanti i Forcë së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama e njoftoi delegacion nga Brukseli për zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së, besueshmërinë  e lartë që ka FSK-ja në opinionin vendor si dhe rritjen e kësaj besueshmërie edhe tek minoritetet që jetojnë në Kosovë e posaçërisht tek pakica serbe.

Më tej, gjeneral Rama foli edhe për pjesëmarrjen e FSK-së, në trajnime dhe ushtrime jashtë vendit e sidomos në ushtrime rajonale të përbashkëta, ku FSK-ja, sipas të gjitha raporteve po tregon profesionalizëm dhe ndërveprueshmëri me të gjitha ushtritë e vendeve pjesëmarrëse.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i NATO-s, z. Paul Savereux, drejtor i Divizionit për Politika dhe Plane në Aleancë tha se: ,,NATO është e përkushtuar për zhvillimin e Kosovës”, kjo siç tha Ai, u konfirmua edhe në Samitin e NATO-s, të mbajtur në  Varshavë të Polonisë.

  1. Savereux, me këtë rast, përgëzoj ministrin Demolli dhe ekipin e tij, siç u shpreh ai, për punën që po bën duke kumtuar se raportet nga NAT-i dhe NLAT-i (Ekipet Këshilluese dhe Ndërlidhëse të NATO-s) të dërguara në Bruksel kanë qenë shumë pozitive për zhvillimin e MFSK-së dhe FSK-së.

 Në fund, kreu i delegacionit të NATO-s, z. Paul Savereux tha se transformimi i FSK-së në FAK, varet nga shteti i Kosovës, duke shtuar se kjo duhet të bëhet në përputhje me mundësitë dhe nevojat e Kosovës; pra, për gjithë këtë proces dhe modalitetet vendos vetë Kosova.

 Në takim me delegacionin e NATO-s, merrnin pjesë edhe zëvendës ministrat Fadil Gashi dhe Muhamet Latifi, atasheu i FSK-së, në Bruksel, nënkolonel Ahmet Ajeti, drejtorët e NAT-it dhe NLAT-it, z. Dominic Brodwait dhe gjeneral brigade Ernest Horn, ndërsa nga delegacioni i NATO-s në takim ishin edhe Michel Soula, shef i Seksionit të Operacioneve dhe zonja Liliane Maes, këshilltare në Divizionin e Operacioneve në Aleancë.

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …