Në ambientet e Shtëpisë së Kulturës, “Tahir Sinani” në Malishevë u hap ekspozita “Rruga e lirisë” dhe panairi “Dekada e Librit të Lirisë II”

 Sot në ambientet e Shtëpisë së Kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë u hap ekspozita “Rruga e lirisë” dhe panairi “Dekada e Librit të Lirisë II”. Në hapjen e kësaj ekspozite morën pjesë, kryetari i komunës së Malishevës, Isni Kilaj, , drejtori për kulturë, MevludinMazreku, drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Enver Mazreku, drejtori i Radios Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi, pastaj redaktori i Radios gjatë luftës, Nezir Myrtaj, drejtori i Radio Malishevës dhe gazetari i luftës, Habib Zogaj, Valdet Hoti, Rizah Berisha e shumë veprimtarë të tjerë. Në fjalën përshëndetëse para shumë të pranishmëve, nxënës, arsimtarë, profesorë e zyrtarë të Komunës, kryetari Isni Kilaj foli për kontributin që ka dhënë kjo Radio gjatë luftës, ndërsa përshëndeti stafin e Radios me rastin e hapjes së ekspozitës, e cila u përcoll me interesin nga artdashësit e Malishevës me rrethinë.

Në fjalën e  hapjes drejtori i Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi tha se ekspozita me foto të luftës e Radios-Kosova e Lirë dhe Panairi, “Dekada e Librit të lirisë”, i shtojnë një aktivitet më tepër Malishevës me rrethinë në manifestimet e shumta në shënim të 100-vjetorit të  Pavarësisë së Shqipërisë. Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress gjatë kohës së luftës së UÇK-së kanë transmetuar program dhe kanë shpërndarë informata kryesisht nga rajoni i Llapushës  dhe i Drenicës.

Në fjalën time të hapjes ju njoftoj se fotot që janë ekspozuar sot, këtu, janë filmuar ekskluzivisht nga fotoreporterët dhe gazetarët e  Radios Kosova e Lirë dhe Agjencisë Kosovapress, me përjashtime të rralla. Këto foto janë përzgjedhur me këtë rast nga fondi prej afër 1200 fotove sa kanë arritur t’ i fotografojnë dhe t’ i ruajnë fotoreporterët e gazetarët e Radios:Martin Çuni, Habib Zogaj, Nusret Pllana, Valdet Hoti, Gazmend Elshani, Besnik Berisha e të tjerë.

Sa i përket Panairit “Dekada e librit të lirisë” do t’ iu njoftoj se kemi prezantuar për ju dhe adhuruesit e librit të kësaj treve 14 vëllimet e monografisë, “Feniksët e lirisë” si dhe shumicën e botimeve të Radios-Kosova e Lirë. Shpresojmë që këto aktivitete kulturore do të na rikthejnë në kujtesë,  kohën  e mbijetesës, kohën e kthesave të mëdha historike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila udhëhoqi me sukses luftën e drejtë dhe të natyrshme për liri e pavarësi dhe e cila në luftën e saj kundër shtypjes brutale e barbare të regjimit të Milosheviqit mori edhe përkrahjen e ndihmën e fuqisë më të madhe ushtarake të botës, Aleancës Veriatlantike dhe të forcave demokratike e përparimtare të rruzullit.

Uroj që kjo ekspozitë të vizitohet dhe të përjetohet si mesazh i një kohe heroike, i kohës kur morëm guximin dhe shpërndamë në eter kumtimin  paralajmëruese të fitores me fjalët kuptimplote: “Ju flet Kosova e Lirë” tha mes tjerash profesor Qeriqi.

Ekspozita qëndron e hapur deri më 24 nëntor.

Kontrolloni gjithashtu

DR. SKËNDER DEMALIAJ PROMOVOI 20 LIBRA NGA FUSHA TË NDRYSHME

DR. SKËNDER DEMALIAJ PROMOVOI 20 LIBRA NGA FUSHA TË NDRYSHME

Para pak ditësh në një veprimtari në Tirana International Hotel, në formë ekspozeje Dr. Skёnder …