Brickos

Në selinë tonë në Berishë na vizitojnë disa ushtarë dhe eprorë të Anadrinit, të Zonës Operative të Pashtrikut, 8 janar, 1999

Në selinë tonë në Berishë na vizitojnë disa ushtarë dhe eprorë të Anadrinit, të Zonës Operative të Pashtrikut (8 janar, 1999)

Rrugës për në  Berishë jam ndalur për pak çaste te Ramiz Qeriqi- Luani, nga i cili kam kërkuar që të m`i sigurojë fotografitë e dëshmorëve të Batalionit “Ruzhdi Salihu”, meqë po e hartoj një shkrim të shkurtër përkujtimor. Duke qenë se vonohej për të më dhënë përgjigje dhe kisha fituar bindjen se diçka fshihte, kam hyrë në odë dhe e kam qortuar ndoshta pak ashpër. Ai arsyetohet se nuk i ka të gjitha fotot, por unë kërkoj të m`i japë ato të cilat i disponon. M`i jep pa humbur kohë, por nuk kërkon falje. Ankohet se të gjithë po e marrim me të keq, dhe duket tejmase i shqetësuar. Nuk e di ku e ka hallin. Është fat i madhe që Sylë Qeriqi e mban nën kontroll, sepse atij i bindet, pa asnjë  fjalë.

Pastaj me Isë Krasniqin dhe Ali Mullinin jemi nisur në drejtim të Berishës.

Sot, këtu në selinë e Radios kemi pasur një “invazion” të vërtetë të vajtje ardhjeve të ushtarëve dhe eprorëve. Edhe pse këtu kemi në dispozicion lokalin afër 50 metra katrorë, as përafërsisht nuk është i mjaftueshëm për të përballuar vizitorët dhe kureshtarët, shumica ushtarë, familjarë dëshmorësh, ushtarësh etj..

Sapo kanë kuptuar se kemi filluar punën në Radio dhe në Agjenci, sot kanë ardhur për të na vizituar dhe për të punuar në drejtim të dërgimit të informatave tre luftëtarë të radhëve të para të UÇK-së nga Anadrini, Besim Baraliu dhe Ilaz Kadolli nga Bukoshi dhe Xhavit Bajraktari nga Studençani, ish të burgosur për veprimtari antijugosllave.

Xhavit Bahtjar Bajraktari (23.9.1963 - 2.5.1999)
Xhavit Bahtjar Bajraktari (23.9.1963 – 2.5.1999)

Të tre janë luftëtarë të përkushtuar të radhëve çlirimtare.

Pasi kemi biseduar gjerë e gjatë, jemi marrë vesh që ata përmes radiolidhjeve, apo përmes ndonjë telefoni tjetër të na lajmërojnë lidhur me zhvillimet në terren. Ata kanë pranuar që krahas angazhimeve të tjera, të bëjnë punë meritore edhe në këtë drejtim.

Burimet nga terreni na bëjnë të ditur se sot ka pasur luftime të rrepta mes forcave tona ushtarake dhe forcave policore dhe ushtarake serbe, në relacion: Duhle-Sllapuzhan. Burimet serbe bëjnë të ditur se gjatë luftimeve janë vrarë tre ndërsa janë plagosur dy të tjerë. Në anën tonë nuk ka pasur të rënë as të plagosur. Në shenj hakmarrjeje serbët kanë granatuar fshatin Sllapuzhan. Sipas informatave ende të pakonfirmuara është vrarë një vajzë e vogël dhe një grua.

Në orët e pas ditës nga Zona e Shalës kemi marrë informacione se ushtarët tanë atje, në një pritë kanë zënë rob shtatë ushtarë dhe oficerë serbë. Luftime të ashpra janë zhvilluar edhe në Vaganicë dhe në disa lagje të tjera të Mitrovicës.

Emisioni i sotëm i lajmeve ka qenë më i begatshmi deri tani me informacione, meqë në terren ka pasur zhvillime dhe tanimë i kemi vendosur lidhjet me përgjegjësit për informim të Zonave. Nga Zona e Shalës ka filluar të raportojë, Sabit Gashi, një veprimtar i njohur dhe i burgosur politik, anëtar i hershëm i LKÇK-së, tani e shkrirë në radhët e UÇK-së. Edhe me Zonën e Drenicës kemi vënë kontakte me Gani Kocin dhe Murat Musliun. Kemi biseduar edhe me përgjegjësit e tjerë të zonave ushtarake  për informim dhe presim informacione të reja.

Isë Krasniqi të gjitha lajmet përmes faksit i dërgon në Zyrën e Kosovapresit në Cyrih të Zvicrës, ku punon Skënder Krasniqi, gazetar.

Në mbrëmje me Idriz Hysenin, Berat Luzhën e të tjerë nisemi për në Krojmir, ku ende vazhdon të jetë epiqendra e lëvizjeve tona, sepse atje me kohë janë krijuar rrethana të veçanta të komunikimit. Atje  presim vizitat. Ka vend më shumë. Zakonisht edhe pastrohemi, meqë në selinë tonë në Berishë, ende nuk kemi banjo.

Në mbrëmje kemi biseduar me Ramadan Rizanin. (Pesë rreshta të koduar)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Intensifikohet ofensiva serbe në Zonën e Neredimës (E diel 9 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Intensifikohet ofensiva serbe në Zonën e Neredimës (E diel 9 maj, 1999)

Qysh herët në mëngjes forcat ushtarake dhe policore serbe kanë ndërmarrë sulme të gjithanshëm në …