Në Shtab vjen Hydajet Hyseni dhe disa veprimtarë nga Prishtina. Na viziton edhe një ekip i gazetarëve të huaj, 27 janar, 1999

Në Shtab vjen Hydajet Hyseni dhe disa veprimtarë nga Prishtina. Na viziton edhe një ekip i gazetarëve të huaj, 27 janar, 1999

Si zakonisht në përcjellje të Ali Mullinit unë dhe Martini në mëngjes jemi nisur në relacionin tonë gati të përditshëm.

Në lagjen e Plakiqve në Nekoc  kemi takuar Hydajet Hysenin dhe Hilmi Ramadanin, të cilët si duket sot herët kanë ardhur nga Prishtina. Aliu e ndalon veturën dhe përshëndetemi me Hydën, të cilin ka shumë kohë që nuk e kam parë. Së bashku me ta ndodhen edhe Teuta Hadri, mjeke, bashkëshorte e Hilmi Ramadanit dhe Shukrie Rexha ish e burgosur, e fejuara e Avni Klinakut, i dënuar 12 vjet burg.

Aktualisht ndodhet në vuajtje të dënimit, në një burg të Serbisë. Hilmiu na tregon se ata janë nisur për në Shtab dhe aty po presin ndonjë nga ushtarët, për të shkuar së bashku me ndonjë xhip apo traktor, meqë rruga është  përplot dëborë dhe akull.

Pasi kemi shkuar në Berishë na bëjnë me dije se ndërkohë pritet të vijë një ekip gazetarësh anglezë. Ata kanë marrë leje të xhirojnë dhe të bisedojnë me ne për probleme të caktuara. Pas një kohe kanë ardhur për të na vizituar edhe Shukrie Rexha dhe Teutë Hadri.

Gazetarët anglezë kanë incizuar një emision dhe na kanë premtuar se një kopje të filmit do të na çojnë pasi të montohet dhe të transmetohet nga kanali i tyre televiziv.

Shukrie Rexha sipas Hilmi Ramadanit ka ardhur për të punuar në Radio. Ajo lexon jashtëzakonisht mirë dhe i plotëson kushtet optimale për spikere. Mirëpo, sipas të gjitha gjasave ajo nuk do të punojë në Radio, përderisa nuk merr leje nga bashkëshorti i saj, i cili ndodhet në burg.

Po sot nga Prishtina ka ardhur edhe Sheqir Zeneli. Sheqa deri tani na ka vizituar sa e sa herë, ndërsa tani e ka ndarë mendjen të na bashkëngjitet për tërë kohën.

Ai, po ashtu ka shfaqur interesim që të takohet me Azem Sylën, me të cilin njihen shumë moti qysh nga koha e veprimtarisë ilegale dhe gjatë qëndrimit në burg, në Novi Sad të Vojvodinës.

Në mbrëmje, me xhip, së bashku me Sheqir Zenelin, Hilmi Ramadanin, Teutë Hadrin, Shukrie Rexhen dhe Idriz Hysenin, kemi shkuar në Shtab.

Unë kisha qëllim që ta takoj dhe të rri pak më gjatë me Hydajet Hysenin, ndërsa të tjerët secili për punën e vet.

Hydajetin e takoj në dhomën ku zakonisht rri Sokol Dobruna. Aty janë edhe Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, një ushtarak i Dukagjinit, Lahi Brahimaj të cilët sa hyjnë sa ulën, sa dalin.

Më vonë kanë ardhur edhe Jakup Krasniqi, Ramë Buja, Sokol Dobruna dhe të tjerë. Nuk kemi hapur kurrë farë teme të bisedimeve.

Ishte më shumë një ndeje e rastit dhe një njoftim me punët dhe hallet e secilit.

Unë kam pritur që Hydajeti të ishte në qendër të bisedës, që do të zhvillohej me ndonjë segment të caktuar, por nuk ndodhi ashtu. Madje ishte një bisedë aq e shkëputur dhe aq fragmentare sa nuk mbaj mend ndonjë takim tjetër të tillë, në këtë nivel bisedash mes personalitetesh me përgjegjësi.

Pas dy orë qëndrimi në dhomën e ngushtë të Shtabit, nisemi për në Berishë.

Atje na përcjellë Ramë Buja meqë Idriz Hyseni ku di ku ndodhet, edhe pse na kishte premtuar se do të na kthente në Berishë, por e ka zënë ndonjë punë tjetër më me rëndësi.

Përshëndetemi me të gjithë dhe nisemi në drejtim të selisë.

Nata është plot hire ndriçimi kristalor të hënës, e cila lëshon rreze vezulluese mbi dëborën e bardhë…

Kemi kaluar edhe një ditë të mundimshme…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Presioni i faktorit ndërkombëtar kundër kryexhelatit Milosheviq po rritet. Edhe pse ky despot i çmendur …