Brickos

Nehat Bllacaku: Misteri EULEX-PTK

Nga kureshtja e madhe rreth asaj që po ndodh kohët e fundit ndërmjet PTK-së dhe EULEX, kam bërë një analizë të krejt ngjarjeve. Në bazë të hulumtimeve dhe shkrimeve mediale deri më tani, në një periudhë më të gjatë kohore, del se e vërteta rreth këtij projekti është krejt ndryshe dhe se ky projekt ishte nisur, ideuar dhe projektuar deri në detajin e fundit shumë më përpara se z. Haxha të emërohej në dhjetor të vitit 2008 në krye të PTK-së. Projekti i MVNO-së kishte filluar qysh në vitin 2005-2006 dhe më pas ka nisur të funksionalizohet përmes planeve të disa njerëzve, më saktësisht të një rrethi të ngushtë njerëzish që kishin pozita të larta në PTK. >>>


Bëhet fjalë për vëllezërit Rrustemaj dhe konkretisht për Agron Rrustemajn që deri në vitin 2008, kur edhe vullnetarisht ishte larguar nga PTK, ai kishte qenë projektuesi kryesor i MVNO-së. Më vonë idesë së tij për jetësimin e këtij projekti, iu bashkuan edhe vëllau i tij, Etruri dhe gjithashtu Genc Lami, këshilltar i lartë juridik në PTK në kohën kur kryeshef ekzekutiv ishte Etrur Rrustemaj. Ndihmë të madhe këtij projekti i dha padyshim edhe Ilir Salihu, ish kryetar i Bordit të PTK-së, deri vonë këshilltar i lartë ICO, pranë Andrea Capusello, që më vonë do të shihet se ky zingjir trekëndësh i ndërtuar me aq mjeshtëri Rrustemaj-Salihu-Capusello do të shihen si ekipi që di gjithçka mbi të vërtetën e këtij projekti.


 


Pra, i gjithë misteri i MVNO i takon ish-menaxhmentit të PTK-së, sepse që atëherë është ideuar nga ana e tyre dhe që të gjithë duke nisur që nga Agron Rrustemaj, Genc Lami, Ilir Salihu e deri te Andrea Capusella, ata kishin një qëllim të vetëm, kuptohet të përbashkët: që të përfitonin sa më shumë që të ishte e mundur personalisht, pa çarë kokën për dëmin që i kishin shkaktuar kompanisë më të madhe në vend. Kjo tregon më së miri se ku duhet sot të orientohet tërë pista e hetimeve për të zbardhur njëherë e përgjithmonë se kush, në të vërtetë ishin projektuesit, zbatuesit, përfituesit dhe përgjegjësit kryesor te kësaj MVNO-ja.


 Janë shumë pyetje që ende s’kanë përgjegje: si është bërë lidhja midis vëllezërve Rrustemaj me Genc Lamin, Ilir Salihun dhe Andrea Capusella. A ishte kjo lidhje me synimin e vetëm që të projektojnë dhe finalizojnë sipas interesave të tyre të ngushta këtë MVNO që më vonë do t’i vihet barrë dikujt tjetër. Pse Ilir Salihu sa ishte në krye të Bordit të Drejtorëve të PTK-së deri në qershor të vitit 2008 duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për këtë projekt, e lejoi atë, madje duke qenë edhe vetë i involvuar? Si është e mundur të paramendohet që pikërisht Ilir Salihu të jetë i punësuar pranë Andrea Capusellos në ICO, kur ky i fundit ishte vetë personi kyq në ideimin e projektit të MVNO-së? Pse Etrur Rrustemaj që kishte marrë timonin e PTK-së në prill të vitit 2006 dhe që ishte larguar pas një vit e gjysëm të menaxhimit kontraverz të kësaj kompanie, askush nuk inicioi as një hetim të vetëm për vendimet e tij, kontratat e dyshimta, projektet e inicuara si dhe për marrëdhëniet që kishte me Genc Lamin, Ilir Salihun, Andrea Capusella?


Ekzistojnë edhe shumë pyetje e dilema të tjera që kërkojnë përgjegje të sakta, për të ndriçuar periudhën e vitit 2005-2008 kur PTK-së iu shkaktuan dëme të pariparueshme dhe humbje tejet të mëdha financiare. Habitem me një fakt të thjeshtë: sesi këta njerëz të implikuar direkt në këtë krim të organizuar për motive të përfitimit personal arritën që përgjegjësinë që ata e kanë për këtë krim me pasoja të rënda, t’ia hedhin krejt dikujt tjetër, madje edhe t’i përgatisin akuza atyre që nuk e kanë as fajin më të vogël dhe t’i shantazhojnë institucionet e ndryshme vendore e ndërkombëtare, përfshirë edhe EULEX-in. Nuk arrij ta kuptoj pse EULEX ka rënë në ndikim të Andrea Capusellos dhe grupit të tij të organizuar që e dëmtuan aq keq PTK-në, në veçanti dhe imazhin e saj, në përgjithësi.


 Do të ishte tepër e logjikshme që EULEX të niste një hetim të gjerë dhe te pavarur për të zbardhur periudhën e keqmenaxhimit të PTK-së në vitet 2005-2008, projekteve milionëshe të saj, në të cilat në mënyrë direkte apo indirekte përfituan edhe disa ndërkombëtarë, përfshirë vetë Andrea Capusello. Për këtë arsye EULEX dhe ICO do të duhej urgjentisht të iniconin një hetim të plotë për veprimtarinë e z.Capusella dhe të mos lejonin që ai të largohej aq lirshëm nga Kosova pa i zbardhur të bëmat e tij dhe sidomos për të ndriçuar lidhjet e tij me vëllezërit Rrustemaj, me Ilir Salihun dhe me PTK-në. EULEX dhe ICO nuk do të duhej, të paktën, që ta lejonin këtë njeri që tash të shfaqet në publik dhe duke dezinformuar opinion publik që pa fijen e turpit të fajësoj të tjerët kur ai vetë do të duhej të ishte fajtori kryesor, kur ai vetë do të duhej të gjendej në bankën e të akuzuarëve.


 


Sot në vend që përpara një trupi gjykues ndërkombëtar apo vendor, të dal ky rrjet i njerëzve që themeluan dhe përfituan aq sa mundën nga MVNO-ja dhe të marrin dënimin e merituar – ndodh ajo që veç në vendin tonë ndodhë. Sot fajësohet krejt dikush tjetër, duke iu vërsulur me shantazhe, presione, shpifje, akuza, etj, zotit Haxha që ka bërë aq shumë për kompaninë që aktualisht drejton, duke i kthyer imazhin e përbuzuar dhe duke ia ngritur vlerën e përgjithshme PTK-së. Kjo ndodh vetëm pse ky rrjet i organizuar njerëzish vendor dhe ndërkombëtar, përfituan aq sa mundën nga PTK-ja, mirëpo tash nuk kanë më mundësi që ta shkatërrojnë atë, por përdorin makinacione të shumta për të minimizuar sukseset e saj, rezultatet e mahnitshme në dy vitet e fundit dhe standardin e saj të ngritur afarist.


 Më duket absurde që edhe EULEX-i ka rënë në kurthën e disa individëve ose grupacioni të caktuar që shantazhon në adresë të PTK-së, ndërkohë që këta individë janë vetë të implikuar në krimin e organizuar që ka ndodhur gjatë viteve 2005-2008 në PTK. E vërteta mund të vonohet, por një ditë medoemos do të dalë në shesh dhe atëherë do të dihet për krimin e organizuar që ka ndodhur nga ish-menaxhmenti i PTK-së dhe partnerëve të tyre ndërkombëtarë.


(Autori është drejtor ekzekutiv në OJQ “Milleniumi i Ri”)

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …