leoni

Nexhmi Lajçi

Nexhmi Lajçi: Beteja me përmasa biblike për shpëtimin e të plagosurve të UÇK-së

Me 21 prill të vitit 1999, Brigada 136 “Rugova” kishte marrë urdhrin nga ZOD dhe SHP i UÇK-së për evakuimin e të plagosurve të Dukagjinit, të ardhur ditë më parë në Rugovë, ku deri në Lugun e Drinit i kishte përcjell Shkëlzen Haradinaj e nga aty e deri sa ishin vendosur në spitalin ushtarak në Rugovë, ishte kujdesur Selman Lajçi. Pas ofensivës serbe të prillit në këtë spital i kishin sjell edhe të plagosurit nga betejat e fundit që u zhvilluan në Rugovë më 18, 19, dhe 20 prill në Qafë të Hajles, Pecaj, Qafë të Broçit, Qafë të Qyqes etj. dhe të plagosurit që kishin ardhur nga zona e përgjegjësisë së Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”. Ishte një vendim i vështirë por i domosdoshëm, i vështirë sepse shokët që na kishin rënë ende nuk i kishim varrosur dhe i domosdoshëm sepse duhej shpëtuar shokët e plagosur. Përgjegjës për të plagosurit Ramushi kishte caktuar Halil Mehmetin nga Gllogjani. Duke marr parasysh se kishte qenë një dimër shumë i rëndë ku dëbora vende-vende arrinte mbi dy metra, rruga shumë e gjatë, terreni vështirë i kalueshëm përmes maleve me lartësi deri në 2500 m., fushat e minuara dhe pritat e mundshme rreth kufirit, për bartjen e luftëtarëve të plagosur ku në mesin e të cilëve mbi 30 ishin të palëvizshëm dhe të vendosur në barrela, u caktuan nga 8 ushtarë për secilin. Granatimet nga ana e forcave serbe nuk u ndalen as gjatë natës, në mëngjes ne u ndamë në dy grupe, njëri grup në krye me Salih Lajçin mbeti në Rugovë për të vazhduar luftën ndërsa grupi tjetër me më shumë se dyqind veta duke bartur të plagosurit filloi rrugëtimin për jetë a vdekje.

Grupi pararojë i këtij marshimi biblik shkonim më përpara për ta siguruar kolonën nga ndonjë sulm i mundshëm dhe hapnim shtigje duke e rrahur dëborën përpara kolonës në mënyrë që t’i mënjanonim rreziqet e rrëshqitjes më të plagosuri,t nëpër shkëmbinj të thepisur që gjendeshin poshtë nesh. Vështirësi të kësaj natyre hasem gati gjatë gjithë rrugës, ku disa herë ushtarët që bartnin të plagosurit u rrezuan duke rrëshqitur bashkë me të plagosurit jashtë rrugës së shkelur nga ku mund të binin në humnerë. Këtë situatë e kamë shumë vështirë që ta përshkruaj me fjalë; ishin momente rrëqethëse, të gjithë i kapi paniku, menduam se këtu ishte fundi, edhe i rrugëtimit tonë po edhe i jetës sonë, kishte rënkime, sharje edhe fyerje, disa nga ushtarët na lusnin që ti vrisnim sepse rruga, të ftohtit, uria dhe pesha e rëndë i kishte dërmuar aq sa e kishin të pa mundur ta përballonin këtë gjendje e cila na dukej si mallkim, të plagosurit na lusnin që ti lëshonim në humnerë e të shpëtonim veten, provuam të ktheheshim prapa por ishte edhe më e pa mundur, disa nga ne duke e rrahur dëborën e ngrirë, me këmbë dhe me pushkë krijuam disa gropa pas të cilave filluan të mbaheshin shokët që kishin rënë poshtë dhe dalëngadalë duke u mbajtur për njëri tjetrin e më gjysmë shpirti vazhduam përpara dhe pas një ore dolëm përtej në një breg dëbore të cilin e kishte krijuar era. Pa arritur në Bogiçe diku afër bjeshkës së Belegut na zuri nata dhe vendosëm që ta ndërpresnim rrugëtimin deri në mëngjes. Ishte kohë e keqe me erë të ftohtë e fërfëllazë, kjo na bënte të shqetësoheshim më shumë për të plagosurit, nga frika se do ti ngrinte acari i asaj nate. U detyruam ti vendosnim pranë pishave dhe tu ndeznim zjarre edhe pse kjo përbënte rrezik të madh, mund të diktoheshim nga forcat serbo-malazeze.

Gjatë gjithë natës thyenim degë duke u përpjekur që ti ngrohnim shokët e plagosur por kjo ishte e pamundur sepse dëbora shkrihej shpejt dhe zjarri binte poshtë deri në tokë kurse shokët ishin të shtrirë mbi dëborë dy metra larg zjarrit. Të gjendur në këtë situatë ne hoqëm rrobat tona dhe i mbuluam të plagosurit dhe kështu qëndruam deri në mëngjesin e 22 prillit. Në mëngjes herët pasi i kontrolluam të plagosurit dhe e vërtetuam se të gjithë ishin gjallë vendosëm që të fillonim rrugëtimin. Sapo u nisem na doli edhe një pengesë tjetër, era gjatë natës na e kishte mbyll shtegun nga ku duhej të kalonim, duke grumbulluar shumë dëborë, kështu që u detyruam që të shkonim poshtë për disa orë deri të stanet e Belegut për tu rikthyer përsëri përpjetë nga ana tjetër edhe për shumë orë të tjera deri sa arritëm të piramida në Qafë të Bogiçes në kufirin Kosovë Mal i Zi por në territorin malazez. Tani për të kaluar në tokën shqiptare ne përballeshim me rreziqe të mëdha, në njërën anë fushat e minuara dhe karaullat e ushtrisë serbo-malazeze në të dy anët e kufirit Kosovë-Mal i Zi ku ne s’ kishim rrugë tjetër veç të kalonim përmes tyre , dhe Gropa e Bogiçes një fushë e pa fund deri të kufiri i Shqipërisë, e zonë zhveshur ku në rast sulmi nuk kishe se si të mbroheshe. Por duke sfiduar vdekjen ne vazhduam drejt jetës, drejt Shqipërisë. Kolona e shpëtimit kaloi dhjetëra e dhjetëra kilometra, duke i bërë ballë vuajtjes e pikëllimit për shokët e vrarë ende të pa varrosur, lodhjes së stërmundimshme, urisë së pamëshirshme, dimrit të acartë nëpër maja mali deri në qiell, gjakut që rridhte nga plagët e ngrira akull granatimeve dhe pritave hijenake të një populli të egër e barbarë. Misionin e pamundshëm Ushtria Çlirimtare e Kosovës e bëri të mundshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …