Nezir Myrtaj: ANKESË Lidhur me aktgjykimin nr. 69/82 të datës 10.7.1982 III

Nuk jemi bejlerë e agallarë, por të thjeshtë punëtorë e fshatarë

 Nuk është nder dhe forcë që një pushtet me gjithë ingranazhin e vet politik, me një propagandë të ndyrë ta shajë, ta fyejë e ti vesh lloj-lloj etiketash të poshtra një populli të tërë. Dikush si i organizuar, dikujt si i ngarkuar me nacionalizëm, si i indoktrinuar, dikujt si oportunist, dikujt si shovinist etj., etj. dhe kështu askush nga shqiptarët nuk po kursehet të quhet i tillë.

Për sharjen e bolshevizmit nga borgjezia, Lenini shkruan:”Sot nuk ka asnjë nga gazetat më të pasura të vendeve më të pasura, që harxhojnë miliona për përhapjen e tyre dhe përhapin në dhjetëra milionë kopje gënjeshtrat e borgjezisë dhe politikën imperialiste, nuk ka asnjë nga këto gazeta, e cila të mos i përsërisë këto argumente dhe akuza kryesore kundër bolshevizmit duke thënë se Amerika, Anglia dhe Zvicra janë shtete të përparuara, të bazuara mbi demokracinë, kurse republika bolshevike është një shtet kusarësh, se ai nuk e njeh lirinë dhe se bolshevikët shkelin idenë e demokracisë…”.

Propaganda e ulët jugosllave po harxhon me tona letër për të demaskuar gjoja nacionalizimin e irredentizmin shqiptar, duke shpifur e trilluar në mënyrë të paturpshme ide e doktrina të zeza ndaj popullit të Kosovës e më gjerë.

Ata të cilët po rezistojnë në fushatën kundër tyre, kjo propagandë po i quan aventurierë, bashibozukë, bejlerë e agallarë(pjesëtarë me këso prejardhjeje). Edhe pjesëtarët e grupeve revolucionare kështu po kualifikohen. Kështu po kualifikohemi edhe ne pjesëtarët e GMLK-së. Por, kjo propagandë e errët po shërbehet me frazeologji tashmë krejt të vjetruar, sepse familjet bejlerë e agallarë, kulakët e mikroborgjezët gjithmonë kanë qenë në anën e pushtetit në fuqi, kjo është praktikë e tyre; familjet e tilla kanë bashkëpunuar me krajlët Karagjorgje e Pashiq, kanë bashkëpunuar me okupatorin gjatë luftës, bashkëpunuan me të ashtuquajturat forca rankoviçiane e po bashkëpunojnë edhe me udhëheqjen e tashme jugosllave. Familjet me prejardhje bejlerë e agallarë, pushteti jugosllav i ka favorizuar, i ka ngritur në fuqi dhe i ka përdor si mjete për realizimin e qëllimeve të veta. Pikërisht nga këto familje ai ka krijuar dhe po krijon piuj për lojë të rrezikshme; pikërisht nga këto familje ai u ndihmua për të lënë Kosovën kështu si është.

Regjimi jugosllav gjithmonë është përpjekur për të bërë njerëz për vete nga radhët e popullit shqiptar dhe në këtë drejtim ndonjëherë edhe ka pasur sukses duke ua mbushur xhepat, duke u siguruar poste të caktuara e me qëllim që t’i përdorë si ushtarë për “pushtimin e Trojës”. Dhe këta skllevër të mjerë i shërbejnë me vetëmohim politikës antikombëtare, ata heshtin edhe në ditët më të vështira të terrorit ndaj popullit të tyre, ata këto kohë flasin shumë për barazinë, përkujtojnë edhe ditët e luftës (ata që e arrijnë), e heqin veten si luftëtarë kundër pushtuesit e ndërtimtarë të këtij socializmi bile, bile shkojnë aq larg sa e konsiderojnë veten si baballarë të kombit. Por mos harron ju “baballarë” të kombit se populli shqiptar kurrë nuk mbeti pa këta baballarësh të cilët e “mbronin” atë nga regjimi i Zogut; të cilët e mbrojtën nga forcat fashiste e naziste; të cilët e “mbronin” atë nga anglo-amerikanët-kësi baballarësh ka sot Kosova. Këtyre baballarëve, populli shqiptar do t’ua jep herët  a vonë hakun e merituar, siç ua dha gjithmonë. I shtypuri kurrë nuk mund të pajtohet me shtypësin, prandaj kur ju në propagandën tuaj thoni se familjet e atyre që po dënohen gjithmonë kanë qenë në kundërshtim me pushtetin, pajtohem. Familjet tona të varfra, por edhe ato të pasura patriotike, asnjëherë nuk u përulën; ato na mësuan edhe neve të mos përulemi. Me kot dëshironi që ne të jemi me prejardhje bejlerësh e agallarësh e nga familje të pasura. Në dokumentet tona hetimore nuk shkruan se ne jemi të gjendjes së lartë ekonomike. Jemi bij e bija të rritur në mjerim, me bukën e misrit në dorë e me këngën e vajtimit në gojë-jemi të thjeshtë punëtorë e fshatarë.

Akuza të pabaza, dënime të kurdisura

Ne pjesëtarët e “GMLK-së” nuk e kemi mohuar veprimtarinë tonë të organizuar (të atyre që vërtet kanë qenë të organizuar, duke përjashtuar ata të cilëve u është veshur një gjë e tillë) revolucionare, por kemi mohuar dhe i mohojmë akuzat e pabaza që na janë ngarkuar. Deklaratat tona (këtu guxoj të flas në emër edhe të shokëve të cilët kanë qenë në kushtet e mia) janë dhënë duke iu  nënshtruar torturave e masave çnjerëzore. Ato janë deklarata, të shumtat, të dhëna në gjendje të pa vetëdijshme; ato janë deklarata të shkruara nga dora e njerëzve të zi e të nënshkruara nga ne, shpeshherë edhe fare po i lexuar. Prandaj, si të tilla, këto deklarata edhe nuk i konsiderojmë të vërteta e të bazuara, në bazë të të cilave kishte mund për t’u përgatitur aktakuza. Aktakuza në bazë të së cilës jemi dënuar ka qenë e përpiluar nga fakte të paqena, në bazë të supozimeve e dyshimeve, duke na ngarkuar me akuza të formuluara përafërsisht të njëjta për të gjithë njerëzit që po dalin para gjyqit. Në seancën kryesore gjyqësore, trupit gjykues ia kemi bërë me dije se nuk e pranojmë aktakuzën të përpiluar në atë mënyrë, duke e hedhur poshtë atë të pabazuar në fakte konkrete, me ç’rast edhe shumë nga shokët nuk kanë pranuar fare të flasin dhe gjyqi si i tillë është hedhur poshtë. Trupi gjykues nuk pranoi t’i marrë parasysh vërejtjet tona, prandaj na dënoi në mënyrë arbitrare, duke na dhënë dënime të rënda. Në bazë të aktakuzës në fjalë dhe pa marrë fare parasysh fjalën tonë të mbrojtjes, nga grupi i inkuizicionit u përgatit edhe aktgjykimi, të cilin, po ashtu, e konsiderojmë të pabazuar në fakte konkrete, të përpiluar qysh para dënimit tonë dhe të rënduar me akuza të përgjithshme të paargumentuara. Vetë fakti se aktgjykimi në fjalë është një përshkrim i thjeshtë i aktakuzës, tregon se puna e inkuizicionit ka qenë e dirigjuar nga lart, se dënimet kanë qenë të kurdisura që më parë dhe konsiderojmë sedënimet që na janë dhënë nuk janë caktuar nga trupi i ashtuquajtur gjykues, por nga organet e sigurimit.

Ata që na dënuan dëshiruan dhe dëshirojnë që të jemi siç na akuzuan

Për ti justifikuar dënimet e rënda, ata që na dënuan na veshën lloj-lloj epitetesh, shumë prej të cilave ju përkasin mu atyre. Ata në aktakuzë dhe aktgjykim ne anëtarët e “GMLK” (edhe mua si një nga anëtarët) na akuzojnë se kemi bërë vepër penale të cenimit kundërrevolucionar të rregullimit shoqëror e shtetëror; vepër penale të drejtuar në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore, shkatërrimin e vëllazërim-bashkimit, të barazisë së kombeve e kombësive, të ndërrimit antikushtetues të rregullimit shtetëror, për organizimin e demonstratave, për indoktrinimin me nacionalizëm e irredentizëm të rinisë, për presionet ndaj serbëve e malazezve, na akuzuan si të gjithë popullin se dëgjuam e shikuam radio-televizionin shqiptar, se lexuam ndonjë libër, se kënduam këngë shqipe, se veshëm rroba kuq e zi, se vumë qeleshe të bardhë në kokë,  pse jemi shqiptarë e të tjera e të tjera akuza qesharake. Vetëm sa s’na akuzuan pse Nishi nuk ndodhet në Kosovë!…

Por faktet tregojnë pikërisht të kundërtën e asaj që dëshironi ju.

Ne nuk bëmë vepër penale të cenimit kundërrevolucionar kundër rregullimit shtetëror-nuk rrezikuam pushtetin e klasës punëtore

Popujt jugosllavë vuajtën nga regjimet antipopullore e së bashku me ta edhe populli shqiptar. Luftën kundër pushtuesit nazifashist, ata e filluan me elan të madh revolucionar duke besuar në drejtësinë e propagandës së Partisë Komuniste Jugosllave, duke qenë të lodhur e të mërzitur nga shtypja e shfrytëzimi dhe duke ëndërruar lirinë kombëtare e shoqërore. Kështu luftoi edhe populli shqiptar. Revolucioni i popujve jugosllavë vërtet pat filluar dhe pat premisa reale për të triumfuar. Në udhëheqjen e tij depërtuan figura të ndryshme, disa prej tyre për qëllime të tyre vetjake, për pozitat në pushtet, disa për shkak të pretendimeve të tyre të pandershme që në fillim të revolucionit menduan dhe vepruan në ndryshimin e kahes së tij duke u lidhur me aleatë të ndryshëm të forcave imperialiste, kurse disa të tjerë të ngarkuar me një konfuzion politik nuk qenë në gjendje që ta udhëheqin atë në rrugë të drejtë dhe kështu popujt jugosllavë u mashtruan, revolucioni dështoi, në fakt ai vetëm për disa popuj mund të konsiderohet si revolucion kombëtar, por jo edhe social. Pushtuesi i jashtëm u dëbua, por politika e Partisë Komuniste Jugosllave thelloi gabimet në vijë. Pushtetit i ri nuk u mor nga klasa punëtore, makina e vjetër shtetërore u zëvendësua me të njëjtin lloj të makinës vetëm se ajo u rimëkëmbë. U thyen parimet e marksizëm-leninizmit të revolucionit socialist, nuk u ndërtua socializmi, ai u zhduk para se të lindë, që në embrion; punëtori vazhdoi të shfrytëzohet deri në palcë, papunësia vazhdoi të rritet në shkallë astronomike; fshatari vazhdoi ta mbajë peshën e rëndë të pronës private të tokës; vazhduan të jetojnë e të rriten diferencat shoqërore, shtresa e barkmëdhenjve borgjezë vazhdoi majmërinë e saj; diferencat në mes fshatit e qytetit vazhduan të rriten me ritëm të shpejtë, në fshat u favorizuan familjet e pasura kulake duke krijuar kështu shtresën e gjerë latifondiste; në mes të anëtarëve udhëheqës në parti e shtet lindën fraksione duke u konfrontuar në luftën për pushtet, përmes së cilës luftë pasqyrohej drejtpërdrejt interesi i superfuqive, lodër e të cilave ishin ata, pra kjo periodë lufte quhej si kohë deformimesh; kriza ekonomike që prej atëherë u bë vdekjeprurëse: Jugosllavia u mbyt deri në fyt në borxhet e botës kapitaliste duke e humbur kështu pavarësinë ekonomike dhe duke u bërë përfaqësuese e politikës së tyre antikombëtare. Pa hyrë në analiza të hollësishme, rrjedh se klasa punëtore, njerëzit punonjës në Jugosllavi, u mashtruan thellë dhe kurrë nuk e morën pushtetin në duart e veta, prandaj edhe nuk ka si të rrezikohet ajo që nuk ekziston. Është çështje e popujve jugosllavë se mund apo jo ta durojnë këtë gjendje ekzistuese, kurse ne anëtarët e “GMLK” nuk kërkuam nga ata ta përmbysin këtë rend shoqëror edhe pse kjo është një domosdoshmëri, por nuk heshtëm në çastet kur shtypja kombëtare kohë pas kohe po dilte në sipërfaqe.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Isa, Elezi, Luani e të tjerë që në mëngjes janë nisur drejt maleve të Berishës. …