Nezir Myrtaj: Ende nuk dihet ku ndodhet varri i Ferat Mujës

Këto ditë mbushen 23 vjet prej ekzekutimit nga pushteti ish-jugosllav i Ferat Mujës, nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë. Ekzekutimi i tij u bë me motive politike antishqiptare vetëm 20 muaj pas shqiptimit të dënimit nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë, e kryesuar nga gjyqtari Ismet Emra.

Trupi i të ekzekutuarit nuk i është dorëzuar familjes dhe që atëherë nuk dihet as vendi ku është varrosur. Familja e Feratit, e shpërngulur pas gjykimit të tij, në lagjen Tavnik të Mitrovicës, ka bërë përpjekje të pasuksesshme për të mësuar vendin e saktë ku ndodhet varri i tij. Sipas informacioneve që kishte marrë ajo para luftës në Kosovë, nga ish-drejtori i burgut të Qarkut të Mitrovicës, Ferati ishte varrosur në varrezat e qytetit të Mitrovicës që gjenden jo larg ndërtesës së burgut. Ndërsa avokatët e ndryshëm, familjes së Feratit i kishin thënë se sipas rregullave ligjore, eshtrat e personit të ekzekutuar nuk mund t’i dorëzoheshin familjes para se të kalonin 20 vjet prej ditës së ekzekutimit. Megjithatë, për rastin e Ferat Mujës mund të dëshmonin dhe ende mund të dëshmojnë personat e ndërthurur në procesin e tij, ndër të cilët edhe zyrtari i asaj kohe i judikaturës së Kosovës, Vesel Latifi, ish-prokurori Kapllan Baruti, ish-gjykatësi i Gjyqit të Qarkut të Mitrovicës, Ismet Emra dhe ish-personeli i Burgut të Qarkut të Mitrovicës. 

Zgjimi i madh shqiptar në Kosovë në vitin 1981 hapi një epokë të re, jo vetëm për ndërgjegjen shqiptare, por edhe për pasionet antishqiptare të pushtuesit serb. Urrejtja dhe shtypja serbe ndaj shqiptarëve, herë-herë e kamufluar, tashmë po shprehej në formën më të hapur e të vrazhdë. Po urrehej gjithçka shqiptare: flamuri simbolet kombëtare, gjuha, kultura, emri, madje edhe qenia fizike e shqiptarit. Në atmosferën e kësaj fushate të përgjithshme antishqiptare, jeta e shqiptarit në trojet e tij të pushtuara ishte nën kërcënimin e përditshëm: nga serbi; nga ligji; nga shërbëtorët shqipfolës të pushtetit.Viktimë e kësaj fushate u bë edhe Ferat Muja nga fshati Samadrexhë i Vushtrrisë. 
Ish-minatori i minierës Trepça, pensionist invalidor, Ferat Muja, më 2 qershor të vitit 1982 niset për në qytetin e Vushtrrisë, ku kishte parashikuar ta tërhiqte pensionin e tij mujor. Mirëpo, rruga në të cilën ishte nisur ai nuk e çoi dot në Vushtrri, sepse në mesin e saj qëndronte hija e vdekjes. Ai nuk ariti dot tutje fshatit fqinj Gojbulë, i banuar me popullatë serbe. Derisa po kalonte rrugës këmbësore të një livadhi të këtij fshati, në drejtim të tij ishte vërsulur me tërbim i riu Danillo Milinçiq. Sapo e kishte vërejtur Feratin, të moshuar e hall lig që po kalonte pranë arës ku ai po prashiste misër, ndërpren punën dhe me shatën të ngritur lart, vrapon ta sulmojë atë. “Po e mbyt një shqiptar!” i kishte thënë ky kriminel nënës së tij, Danicës, e cila po ashtu ndodhej në afërsi, sikur për të shuar pasionin e urrejtjes antishqiptare. Familja Milinçiq, që herët ishte e njohur për ndjenja shoveniste, akcesive e përverse. Zoja e shtëpisë, Danica e njohur për paudhësi të ndryshme ishte një kriminele, e cila bashkë me të vëllanë dhe birin e saj më të madh, disa vite më parë e kishte vrarë të shoqin. Ndonëse për këtë krim, biri i saj ishte përgjigjur me disa vite burg, për ngritjen e histerisë antishqiptare serbe, kjo familje, mediat dhe qarqet e Beogradit, për këtë vrasje filluan t’i fajësojnë shqiptarët. 
Familja Milinçiq, po ashtu ishte e njohur edhe si çerdhe e ultrashovenistit serb Rankoviq, ku ai në kohën e tij kishte kaluar shumë ditë dhe net. Në shenjë të kësaj afrie, fëmijën më të ri të Danicës, Danillon, bashkëfshatarët madje e quanin edhe Rankoviqi i vogël. Këtë Rankoviq të vogël, në ditën e atij dy qershori e kishte tërhequr vdekja nga ara në livadh, ku kishte ëndërruar ta përjetojë kënaqësinë sadiste gjatë mbytjes me shatë të një shqiptari. 

Ferat Muja, një burrë trim e i ndershëm, duke qenë me prejardhje nga një familje me traditë atdhetare, nga fshati Kovaçicë i Shalësë Bajgorës, ishte brumosur me një ndjenjë të sinqertë të atdhetarizmit. Si pinjoll i burrave me emër të Kovaçicës, i Asllanit (babai i tij) dhe i atdhetarit Ukshin Kovaçica, ai e çmonte dinjitetin e burrit, por edhe armën si mjet për mbrojtjen e këtij dinjiteti. Prandaj Ferati, jo vetëm e adhuronte armën, por revolverin e tij, pothuajse përherë e kishte bartur me vete. Atë e kishte në një qese najloni edhe ditën kur sulmohet pa shkas nga Danilloja. Pikërisht ky revolver ia kishte pamundësuar këtij krimineli kënaqësinë të luante me jetën e një shqiptari, duke e lënë atë në çykën e shatës. Plumbi paralajmërues i shkrepur nga revolveri i Feratit, kishte marrë kuptimin e vazhdimit të dialogut të zhvilluar në fillim të kësaj ngajrjeje të kobshme, duke ia bërë të qartë këtij shovenisti rankoviqist se toka nëpër të cilën po e pengonte të ecte, nuk ishte serbe, por denbabaden shqiptare. 
Tërbimi shovenist kundër shqiptarëve nuk e kishte lejuar serbin Danillo ta shihte rrezikun as atëherë kur bindet se Ferati ishte i armatosur dhe se mund ta vriste. Ai vazhdon përpjekjen për ta shijuar kënaqësinë e mbytjes së tij, duke e goditur me shatën si armë e ftohtë, mirëpo, më parë u ça gjoksi i tij nga nga plumbi i shkrepur. Plandosjen e këtij krimineli, e shoqëron edhe britma kobzezë e së ëmës. Ndonëse të birin e kishte mbështetur edhe vetë ajo, Ferati e kishte ruajtur gjakftohtësin ndaj saj. Në ato momente atij iu kishte kujtuar kodi i traditës dhe i kanunit shqiptar, i cili nuk njeh për vepër trimërie vrasjen e femrës. 
Pas kësaj ngjarjeje në Gojbulë, Ferati kthehet në shtëpi ku e njofton familjen e tij për krejt atë që i kishte ndodhur. Pastaj merr pushkën të cilën e kishte mirëmbajtur me shumë përkushtim që prej shumë vitesh dhe pozicionohet në një vend të përshtatshëm në periferi të fshatit. Ishte i bindur se policia do t’ia rrethonte shtëpinë dhe vërtet kështu edhe kishte ndodhur pa vonesë, kur njësite të policisë arrijnë nga Vushtrria në Samadrexhë. Ferati po i sodiste me kujdes veprimet e tyre, i vendosur të mos dorëzohej. Mirëp, pas disa orësh, eprorët shqipfolës të kësaj policie arrijnë ta bindin familjen e Feratit se dorëzimi i tij nuk do të kishte pasoja. Madje një epror i kësaj policie, i quajtur Ismet Tërstena, edhe kishte garantuar se për vrasjen e kryer në rrethana vetëmbrojtjeje, Ferati nuk do të dënohej më shumë se shtatë vjet burg. Këto premtime bëjnë që Ferati të dorëzohet, mirëpo së shpejti bindet për lajthitjen. Vrasja që beri ai u kualifikua si vepër me motive nacionaliste e irredentiste kundër popullit serb. Ajo u bë ngjarje e ditës për shtypin e Beogradit dhe çështje e rendit të ditës në forumet partiake e diferencuese në Kosovë, si dhe e atyre shtetërore në Serbi e Jugosllavi. Rreth kësaj çështjeje u angazhua udhëheqja më e lartë e Serbisë, duke përfshirë edhe kryetarin e kryesisë së kësaj republike, gjeneralin famëkeq Nikolla Lubiçiq. Siç ia kishte komunikuar ato ditë Feratit, avokati i tij Bajram Kelmendi, Lubiçiqi kishte sugjeruar që ai të ekzekutohej pa gjyq dhe menjëherë, në mënyrë që dënimi i tij të shërbente si shembull frikësimi për të gjithë “nacionalistët” dhe “irredentistët” shqiptarë. 

Kjo formë e presionit dhe e fushatës rezultoi me organizimin e shpejtë të procesit gjyqësor kundër Ferat Mujës. Tërë procedura u përgatit brenda 36 ditësh, gjë që paraqiste rast unikat në praktikën e gjyqësisë së atëhershme jugosllave. Gjykimi u organizua në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë. Atij iu shqiptua dënimi me vdekje nga Ismet Emra, gjykatës në shërbim të politikës serbomadhe, i cili për shumë kohë kishte qenë edhe kryetar i kësaj gjykate. Tani ishte e qartë se ky vendim i dalur nga ky proces gjyqësor ishte vendim politik, i marrë në fakt, në nivel të lartë shtetëror. Prandaj, për secilin ishte e qartë se dënimi i shqiptuar do të ekzekutohej në afatin sa më të afërt. Në kohën që Ferat Muja, tashmë i dënuar me vdekje po mbahej në burgun hetues të Mitrovicës, tërë procedura pasuese dhe vendimet e instancave të tjera të gjykatës e të shtetit lidhur me dënimin e tij, përfunduan brenda njëzet muajsh. Në janar të vitit 1984, ankesat kundër vendimit të gjyqit u refuzuan përfundimisht nga të gjitha instancat gjyqësore, si dhe nga Kryesia e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Brenda tre muajve të ardhshëm u refuzua edhe shkresa me kërkesën për falje, drejtuar kreut më të lartë të shtetit të ish-Jugosllavisë, si procedurë formale që aplikohej në rastet e dënimeve të tilla të rënda. Kjo shkresë ishte shpresa e fundit për t’i shpëtuar ekzekutimit. Mirëpo, Ferati ishte i vetëdijshëm se për të si shqiptar, nuk do të kishte mëshirë, prandaj as që denjonte ta provonte këtë mundësi e të bënte kërkesë për falje. Përkundrazi dëshironte të shprehte gatishmërinë e tij për t’i sfiduar çetnikët e Beogradit me shembullin e qëndresës shqiptare. Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kryesisë së ish-Jugosllavisë, e hartuar nga autori i këtij shkrimi, më tepër për ta hequr pengun e të nesërmes, Ferati nuk ishte pajtuar të kërkonte mëshirë e falje, por ballafaqim me ata që kishin kërkuar që ai të ekzekutohej pa gjyq, pra me kreun e politikës serbe, gjeneralin Lubiçiq. Në këtë kontekst, po ashtu para autorit të këtij shkrimi, Ferati kishte deklaruar shumë herë se edhe në çastin para ekzekutimit, nëse do të pyetej për dëshirën e fundit, ai do të kërkonte të shpaloste gjoksin para armës së çetnikut Lubiçiq. Dita kur do ta shprehte këtë dëshirë erdhi vetëm pas tre muajsh, kur përfundimisht u miratua dënimi i tij me vdekje. Në mbrëmjen e 16 prillit të vitit 1984, policë, gardianë dhe zyrtarë të Gjykatës së Qarkut e të burgut në Mitrovicë, shkojnë te shtëpia e Ferat Mujës dhe e njoftuan familjen e tij se do të mund të shiheshin për herë të fundit me të. Po atë mbrëmje të rëndë, në takimin lamtumirës me Feratin, në burgun e Mitrovicës shkojnë nëna e tij, Hamidja, vëllai Murati, si dhe e shoqja Fetia. Fjalët e para të Feratit, drejtuar së ëmës ishin: “Nënë, mos qofsha djali yt, nëse derdh lot për mua!”. 

Pas tri ditësh, mjetet serbe dhe shqipfolëse të informacionit në Prishtinë e Beograd kumtuan lajmin se “irridentisti” Ferat Muja, që kishte vrarë serbin Danillo Milinçiq, ishte ekzekutuar. Që atëherë, familja e tij, vëllai, gruaja, fëmijët (Ferati ka lënë tre djem e pesë vajza), nipat e mbesat e Ferat Mujës, ende nuk e dinë vendin ku është varrosur trupi i tij. Në kokën e tyre vazhdojnë të sillen vërdallë vetëm informacionet e tërthorta, sipas së cilave, eshtrat e tij prehen në një varr të varrezave të qytetit të Mitrovicës, jo shumë larg ndërtesës së burgut të këtij qyteti. Është ironik fakti se informacionet e sakta për vendin e ekzekutimit dhe të varrosjes së Ferat Mujës, nuk janë bërë publike sot e asaj dite dhe vazhdojnë të mbeten sekret i atyre që i shërbyen politikës serbomadhe, megjithëse prokurori që e kishte paditur atë gjatë procesit gjyqësor ka emër e mbiemër. Informacionet e sakta lidhur me këtë çështje do të duhej t’i kërkoheshin dhe ato do të duhej t’i jepte edhe kryetari i trupit gjykues që ia shqiptoi dënimin me vdekje Ferat Mujës. Informacionet e tilla do të duhej t’i bënte publike edhe personeli tjetër ekzekutor i skuadrës ekzekutuese, në mesin e të cilëve, pa dyshim do të ketë pasur edhe shqipfolës. Ish-prokurorët dhe gjykatësit Kapllan Baruti, Ismet Emra dhe të gjithë ata që morën pjesë në vrasjen e Ferat Mujës, sekretin për vendndodhjen e varrit të tij vazhduan ta ruajnë pa të drejtë deri sot. Eshtrat e tij ishin nën embargon e këtyre shërbëtorëve të dikurshëm të pushtetit serb. Është krejt e padrejtë që familja e Ferat Mujës, i vrarë për motive politike nga regjimi pushtues i Serbisë, të mos ketë të drejtë të di për varrin e tij. Ndërgjegja e atyre që e dinë vendin ku ndodhet ky varr dhe vazhdojnë ta ruajnë sekretin për të, nuk duhet të lihet e qetë. Ata duhet të detyrohen ta zbulojnë të vërtetën. 

Ferat Muja ishte i vetëdijshëm se do të viktimizohej si pasojë e politikës së krijuar pas demonstratave të vitit 1981, në të cilat shqiptarët shprehën kërkesën për barazinë e tyre me popujt e tjerë në ish-Jugosllavi. I vetëdijshëm për këtë fakt, ai e thoshte dhe e dinte se po bëhej mish për top i kërkesave të popullit shqiptar dhe për këtë fakt ndihej i gatshëm e i lehtësuar të sakrifikohej. Me ekzekutimin e tij, shovenizmi shtetomadh serb synoi t’i frikësojë e t’i zbrapsë shqiptarët nga kërkesat dhe synimet e tyre kombëtare. Mirëpo, dënimi dhe ekzekutimi i tij, as e qetësuan situatën e atëhershme në Kosovë dhe as dëshmuan se këtu po mbroheshin marrëdhëniet ndëretnike. Përkundrazi, ekzekutimi i tij dëshmoi se ndaj shqiptarëve në Kosovë e në ish-Jugosllavi po zbatohej politikë shtetërore antishqiptare dhe se diskriminimi i tyre po bëhej me ligj. Politika e shtypjes dhe e diskriminimit antishqiptar vazhdoi në format më të vrazhda derisa Ushtria Çlirimtare e Kosovës e përzuri me zjarrin e armëve, pushtuesin serb nga Kosova. 
16.4.2007

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …