Nezir Myrtaj: Mësuesi përballë obskurantizmit qeveritar

Greva katërjavore e mësuesve të Kosovës, e mbititulluar si greva e dinjitetit, duket qartë se ka qitur në sipërfaqe faktin që shpjegon një realitet tepër të hidhur: realitetin se mësuesi ynë, ai që historikisht është cilësuar si pishtar i diturisë e i përparimit universal njerëzor, sot është bërë pasqyrë e një shoqërie të padinjitetshme, të nëpërkëmbur, të mjerë, të mashtruar e të shantazhuar. Dimensioni kuptimor i grevës e i protestës së këtij mësuesi, në realitet nuk është siç duket në shikim të parë. Në thelbin e kësaj revolte nuk qëndron pozita tashmë e rëndë ekonomike e sociale e kësaj shtrese të shoqërisë së Kosovës, sepse me një pozitë të tillë ajo është ballafaquar me vite e dekada të tëra dhe e ka mbijetuar atë. Nuk qëndron as mania për të kërkuar rritjen e pagës së saj të vogël për disa Euro, sepse as një rritje e tillë nuk do ta ndryshonte pozitën që ka. Dhe nuk qëndron as komponenta psikologjike e nënshtrimit ndaj manipulimit masiv nga “qarqe plëngprishëse”, siç edhe u akuzua.
Greva katërjavore e punëtorëve arsimorë, në fakt është protestë kundër cenimit të dinjitetit kolektiv të shoqërisë së Kosovës nga një qeveri mashtruese, demagoge, e paskrupullt, diskriminuese, e tiranike. Kjo qeveri, sa e sa herë e mashtroi mësuesin tonë, por edhe punëtorët e sektorëve të tjerë publikë për njëfarë nivelimi pagash e për zbatim të njëfarë kontrate kolektive! Kjo soj qeverie instaloi dhe po vazhdon ta mbrojë sistemin poshtërues të diskriminimit të vazhdueshëm ndaj punëtorit arsimor dhe punëtorit në përgjithësi, pa praninë e të cilit diskriminim nuk do të kishte nevojë të bëhej fjalë për nivelizim pagash; Eksponentët barbarë të kësaj qeverie tiranike dolën dhe pa maska kërcënuan e njollosën mësimdhënësit grevistë, duke ua bërë katërcipërisht të qartë se nuk do të kënë rritje page, madje as për një cent; se nuk do të vijë në shprehje kurrfarë nivelizimi i pagave të tyre; se janë të kota kërkesat për nivelizimin dhe kontratën kolektive; se është e paarsyeshme kërkesa e tyre për rritje të pagave; madje edhe se po rrezikojnë fatin politik të Kosovës e tjera e tjera shantazhe, trillime e marrëzira si këto.
Duke pasur përballë një obskurantizëm të tillë qeveritar, grevistëve arsimorë tashmë u ka ngelur vetëm një alternativë: ta vazhdojnë grevën dhe këmbënguljen kundër këtij obskurantizmi, ose të zmbrapsen e ta humbin betejën dhe shansin për mbrojtjen e dinjitetit të tyre qytetar.
Rëndësia e vazhdimit të grevës, gjithsesi nuk do të konsistonte në faktin e plotësimit të kërkesave të parashtruara ekonomike, por në faktin e denoncimit të mashtruesve, denigruesve, hajdutëve dhe tiranëve qeveritarë, para tërë njerëzve dhe shoqërisë së Kosovës. Misioni i grevës së mëtejme nuk do të mund të jetë rritja e pagave, sepse paratë e buxhetit të Kosovës janë shpërdoruar dhe vazhdojnë të shpërdorohen në mënyrën më të egër për drekat e darkat, për vajtje-ardhjet rekreative, për xhipat e veturat luksoze, për truprojat e harlisura e për salltanetet primitive të qeveritarëve, të cilët vazhdojnë t’i refuzojnë kërkesat e grevistëve, me arsyetimin se mungojnë mjetet financiare për rritjen e premtuar të pagave të tyre. Por, misioni i grevës do të ishte alarmimi i opinionit tonë publik dhe ndërgjegjësimi i tij për kanosjen që i vjen nga ky grusht ushujzash qeveritare, të cilat pasi ta pinë gjakun, ta pickojnë dhe mishin.
Në kohën kur po bëhet një muaj nga ndërprerja e mësimit në shkollat e Kosovës, e ashtuquajtura Ministri e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, misioni i së cilës më së paku përkon me emrin që mban, por edhe qeveritarë të tjerë, po kanë skrupull të zënë në gojë përgjegjësinë e vazhduesve të grevës për shkak të humbjeve të pazëvendësueshme të nxënësve e të procesit mësimor në përgjithësi. Mirëpo, nuk do të thotë aspak se gjithmonë ka të drejtë ai që fajëson i pari. Për dëmet e shkaktuara nga greva e mësimdhënësve, dikush patjetër duhet të japë përgjegjësi institucionale e politike. Dhe kjo përgjegjësi, pa dyshim, në rend të parë u përket atyre që pretendojnë se drejtojnë arsimin e Kosovës, përkatësisht të ashtuquajturës ministri e arsimit. Por, kjo ministri, jo vetëm që injoroi zërin e punëtorëve arsimorë, por edhe zbatoi të gjitha format e presionit e të shantazhit për të përçarë dhe thyer grevistët. Përpjekjet e saj në këtë segment, nuk shkuan edhe krejt huq. Ajo përmes udhëheqësve servilë e të paguar të disa sindikatave dhe një numri të drejtorëve të kohës së Rrahman Morinës, arriti të tërheqë nga greva punëtorët shëndetësorë dhe ta thyejë grevën në disa kolektiva shkollore, duke futur kështu farën e përçarjes e të urrejtjes te punëtorët e arsimit. Këtë aktivitet grevëthyes, kjo ministri e konsideroi dhe vazhdon ta konsiderojë si kontributin e saj më të çmuar për të normalizuar rrjedhën e destabilizuar të arsimit tonë, duke iu shmangur premtimeve të mëhershme dhe përgjegjësisë për mashtrimet e firmosura, si hajduti vendit ka vjedhur. Suksesin dhe kënaqësinë e saj ajo vazhdoi ta shprehë duke numëruar shkollat grevëthyese dhe duke paraqitur përqindjen e tyre.
Përgjegjësia e pakontestueshme për gjendjen e krijuar në arsimin tonë i përket edhe Qeverisë së Kosovës. Kjo qeveri u shtir sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe sikur atë nuk e obligojnë premtimet mashtruese të dhëna punëtorëve arsimorë që prej para dy vjetësh lidhur me rritjen dhe nivelimin e pagave të tyre. Hipokrizia e kësaj qeverie shtohet edhe më shumë me përpjekjen e saj për t’u shfajësuar me faktin se premtimet e tilla qenkan bërë nga një përbërje tjetër e kabinetit qeveritar, duke harruar se bashkëqeverisja nënkupton edhe bashkëpërgjegjësinë. Për më tepër, kjo qeveri sikur ka harruar se në fillim të shtatorit të këtij viti, punëtorëve të sektorit publik ua ofroi për nënshkrim listat e pagave, të hartuara sipas sistemit të nivelimit e të cilat u zëvendësuan sakaq me listat e vjetra. Askush nuk mund ta besojë se ky ishte një trik naiv i qeverisë dhe një gafë e sistemit të saj kompjuterik. 
Ndërsa, përgjegjësia totale e kësaj qeverie konsiston në faktin se ajo, nëse nuk i autorizoi, atëherë nuk mohohet se i lejoi bashibozukët e sojit të Adem Salihajt, Agim Veliut e Haki Shatrit, të komunikojnë me gjuhën e përçmimit e të kërcënimit, me grevistët arsimorë. Kundërshtimin e kësaj gjuhe nuk e bëri as Kuvendi i Kosovës, deputetët e të cilit, po ashtu u sollën me fodullëk bizantin, duke u shtirur sikur paralizimi njëmujor i sistemit tonë arsimor të ndodhte diku në ndonjë vend të Afrikës apo të Australisë. Asnjë forcë politike e këtij kuvendi, as pozitare, as opozitare nuk kërkoi dhe nuk këmbënguli të thirrej një seancë e jashtëzakonshme që do t’i kushtohej situatës së krijuar në sferën e arsimit. Arsyet mbase janë fare të kuptueshme. Ato qëndrojnë në faktin e bashkëpërgjegjësisë për mashtrimin ndaj punëtorëve arsimorë, si rezultat i pushtetit të bashkëqeverisur. 
Greva njëmujore e punëtorëve arsimorë ka qitur në sipërfaqe faktin relevant se Kosova nuk ka institucione të përgjegjshme e të përkushtuara për qytetarët e saj. Përkundrazi, këto institucionet surrogate, për aq sa janë servile e vasale para UNMIK-ut dhe joshqipfolësve, po aq më shumë janë të paskrupuj, agresive e barbare para qytetarëve të Kosovës. Ato janë servise të së keqes dhe fatkeqësisë së Kosovës. Përballë tyre, grevistët arsimorë nuk e kanë lehtë të gjejnë rrugëdalje nga situata e krijuar. Faqebardhë e fitimtarë, sidomos nuk do të mund të dalin pa një organizim dhe përfaqësim të mirëfilltë të interesave të tyre. Aspiratat e tyre në asnjë mënyrë nuk do të mund të mbrohen e përfaqësohen me konceptin e lëmoshës e të lutjes së qeverisë, që “të japë diçka” e të ofrojë atë që mund të ofrojë! 
Humbja e një muaji të vlefshëm të dijes për shkollarët tanë, nuk mund të konsiderohet humbje e vogël dhe as veprim që duhet të injorohet. Mbase edhe më tepër se këta shkollarë dhe prindërit e tyre, peshën e kësaj humbjeje e përjetojnë vetë mësimdhënësit grevistë, megjithëse ata nuk janë shkaku i problemit, por pasoja e tij. Ajo që i ngarkon ata, është përgjegjësia që kanë në artikulimin e kërkesave dhe veprimeve që çojnë në mbrojtjen e të drejtave dhe të dinjitetit të tyre të nëpërkëmbur. Por në situatën e krijuar, të drejtat dhe dinjitetin e tyre, ata nuk do të arrijnë t’i mbrojnë pa kërkuar përgjegjësinë dhe dorëheqjen pa kusht nga posti të tre zyrtarëve qeveritarë, për shkak të injorimit të kërkesave të armatës së grevistëve arsimorë dhe gjuhës represive të komunikimit me ta: Ata janë zëvendëskryeministri Adem Salihaj, ministri i Arsimit, Agim Veliu dhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri. Këta persona kanë pasur ndikimin kyç në zhvillimet si pasojë e grevës në sektorin e arsimit, prandaj as normalizimi i situatës së krijuar nuk mund të konceptohet pa dorëheqjen e tyre. Artikulimi i kësaj kërkese do të ishte një mesazh shumë i qartë për qeverinë e Kosovës, se nëse ajo do të identifikohej me këta tre zyrtarë, përgjegjësia e tillë do të mund të shtrihej edhe mbi të. Shembulli i grevës së minatorëve në zgafellen e të Trepçës dhe i dorëheqjes së tre kolaboracionistëve proserbë të Kosovës, nuk duhet të harrohet kurrë. Nezir Myrtaj

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …